Nga Astrit Lulushi/
Njeriu ngrihet e bie – herët a vonë – me të njëjtin intensitet (sa më lart, aq më fuqishëm rrëzohet). E natyrëshmja në fund të fundit është e pashmangshme, ashtu si njeriu nuk mund t’i shmanget vetes dhe as llojit të vet.
Pse politika është sa e dashur aq e urryer – jo vetëm në kohët tona – ka qenë kështu gjatë gjithë gjithë historisë Njerezit braktisin profesionin (pas kaq vitesh përkushtimi) për t’u marrë me politike. Dhe të tjerë (jo vetëm cinikët e mllef-çliruesit) nuk lënë gjë pa thenë kundër politikanëve. Volteri për pak sa nuk thote se politika është prostitutë, duke e venë atë thjesht në vend të dytë pas kurvërisë (ndoshta për t’iu shmangur censurës). Dhe ky perceptim theket; sepse kur flitet per korrupsion, trafiqe te paligjshme, hetime, procedura penale, i dyshuari më i zakonshëm është politikani.
Idea e përgjithshme prej epokash në qarkulim: politikani është i korruptuar, se çdo shkëlqim politik është rrezatim i bëmave të liga ose i kompromentimt të besimit. Gjithashtu, politikani është emeruesi i përbashkët i shoqërisë (si i përzgjedhur prej saj). Dhe pyetja rrjedh: A mos është shoqëria që prodhon korrupsionin, dhe politikani bëhet “dhia e fajësimit,” ashtu si pakica shpërdoret nga shumica. Në se vetja në pasqyrë është iluzion, a mos është politika ky iluzioni i vetes?
Përsëri, ndoshta është në natyren e njeriut i cili pasi përpiqet për mireqenie dhe e arrin atë, fillon të rrëshqasë në gjendjen fillestare duke shkatërruar (sheshuar) çdo gjë në proces, si në udhën nga lindja, në rritje, e pastaj në vdekje. A është kulmi i suksesit a karrierës (marrja e një titulli a dekorate) guri i sinorit të fushës së jetes, kulmi, ku pas tij (gurit) njeriut më pak këtej e tutje do t’i duhet të mendojë për veten e aq më pak për të tjerët? Përtej kufirit të aftësive a suksesit të tij, shtrihet trualli i suksesit së një tjetri.
Veprojnë, sillen ndryshe, veshin të tjera maska, karaktere, personalitete, ata që kurrë nuk kanë patur ose arritur diçka vetë, ose ato me të cilat mburren ua kanë falur të tjerët, ose i kanë zhvatur ose marrë pa të drejtë. Këta njerëz pastaj përzihen me pronarë të ligjshëm të suksesit, duke krijuar një nivel të ri barazie dhe largojnë vemendjen nga ajo se si gjithçka filloi – iluzioni që krijojnë është si pamja e vetes në pasyrë, se çdo gjë filloi me ta dhe me ta duhet te mbaroje, kur pasqyra thyhet, asgjë më ekziston; mësim i hidhur që historia ka dhënë epokë pas epoke, brez pas brezi dhe megjithatë vazhdimisht mësim i panxënë, i përsëritshëm; Gabimi dhe mos mësimi prej tij, mospërulesia në kulmin e suksesit, vetëshkatërrimi, nevoja për armiq për të shfryrë urrejten duket se të gjitha janë në natyrën tonë.