Nga Faruk Myrtaj/
Shefi i shtresës së sotme politike u rrek deri në fund të jetës së tij të krijonte bindje se “Shqipëria nuk është as Lindje as Perëndim” dhe ngjan se vazhduesit e kanë kthyer në realitet. Ky realitet është në përmasë të plotë në librin “Luftë pa fund”, e kundruar nga një njeri që me ngulm e dëshiron Shqipërinë të prirur palëkundshmërisht për nga Perëndimi.
Në ekranet televizivë shqiptarë, të pavarur (nga populli!), ka ndodhur të dëgjojmë shkoqur ligjërime që duken si krijimtari e autorit të këtij libri:
“Unë…tashmë jam politikan profesionist. Kam dymbëdhjetë vjet në politikë… Jam zgjedhur tri herë deputet! Me votë të lirë! Jam deputet me votë popullore, unë! Madje kam qenë disa herë edhe ministër! Përveç këtyre unë jam edhe intelektual vetëm në shërbim të atdheut…”
Ky lloj atdheu, ky vend, duke qenë edhe vendlindje por edhe vend origjine, për jo pak shqiptarë që kanë marrë rrugët e botës, mund të mos jetë e nevojshme të quhet Shqipëri. Tingëllon më e natyrshme të quhet Atdhe i Politikanëve.
Merret me mend, Pëllumb Kulla nuk bën thjesht humor kur e ftojnë në Fier, në Korçë, Tiranë apo Nju Jork e gjetiu. E dinë kolegët, bashkëpunëtorët, artdashësit, që kur i bje hera të shkruajë dhe analizojë politikën, a shtetin shqiptar, Kulla është po aq serioz sa kur bën regjisorin, dramaturgun, komedianin, sa edhe kur nuk ngurron të nënshkruajë kontratë në bërjen e shtetit apo demokracisë. Thuajse e tërë aradha e politikanëve të Tiranës do të nxitonte të thoshte se këto punë (që u kanë rënë atyre si barrë!) do mund të bëheshin veç seriozisht…!
Kulla e ka psikologjisur prej kohësh mentalitetin e kësaj shtrese politike dhe ne s’kemi të drejtë ta konsiderojmë thjesht “gjest” apo “trill krijuesi”, nëse autori do të zgjidhte dramaticitetin e Poetit: “Kjo Shqipëri që Është, nuk është Atdheu im…”
Pa asnjë të drejtë dhe asnjë mundësi ta veçojmë Pëllumb Kullën prej krijuesve të tjerë, apo ta etiketojmë krijimtarinë e të shkruarat e tij, në gjini e nënlloje letrare, e shoh të lehtë dhe të udhës që të rrëfejmë tek autori pikërisht qytetarin. Edhe më parë, por sidomos në këtë proces më shumë se njëzetëvjeçar, ku shqiptarët ende branisen, duke bërë megjithatë përpara, herë këmba doras, herë turra-vrap, le të themi kush e di për ku, por jo aq rrallë, mjerisht, ulur në bisht duke dyshuar tek Maska e Tyre: a vërtetë, ky lloj politikani që fiton në emrin tim jam unë? Ky është zgjedhja dhe përzgjedhja ime?! Ku po më çon ky, që unë nuk u ndakam dot prej tij? Ç’ka provuar, që vazhdoj t’i besoj, madje edhe kur premtimet promovohen aq pa cipë gjatë fushatave? Autori i këtij libri të josh t’i shtrosh këto pyetje, përderisa duket ashiqare se pikërisht pas falsitetit të tyre, vazhdojmë të ecim. Ky popull i ftuar që të sillet pikërisht kështu prej këtyre politikanëve që shtirjen e mashtrimin e kanë kthyer profesion, duke e mveshur me emra të tjerë: analist, politikan, deputet, ministër, kryeministër, president…të kësaj republike që herë bëhet demokratike e herë socialiste, pa qenë dot republikë e shqiptarëve siç janë.
Duke lexuar shkrimet e Kullës, s’mund ta refuzosh. Po, mund të mendosh kundër, diku mund të ndahesh, mund ta akuzosh se shpesh e tërheq sharrën në mish të gjallë, por më tej ti e tërheq këtë akuzë, teksa vëren se mishi ku dhemb sharra e fjalës së tij është i gjymtyrëve e trupit të tij… Kjo, besoj është pse-ja dhe sepse-ja që, së paku heshturazi, nuk mund të mos pranojmë se rrëfimi dhe po aq interpretimi i fakteve, ngjarjeve dhe fenomeneve të marrë në shqyrtim, është i drejtë dhe lehtësisht i verifikueshëm si i tillë. Nëse duhet të pyesësh veten: si ka mundësi që serioziteti, dramaticiteti deri në tragjizëm në këto analiza të rrepta, janë nënshkruar prej dorës së të njëjtit autor që ka ftuar audiencat të qeshnin me lotë…
Dimë jo pak autorë që i kanë rishkruar deri në përmbysje, librat e tyre të para ’90-ës. I kanë shndërruar pothuaj në libra të tjerë, me qëllimin e mëtutjeshëm: që po këtë fat ta kenë edhe autorët e tyre! Autorë të tillë, dëshirojnë të kundrohen, analizohen e respektohen si të tjetërt me ata që ka qenë realisht dikur. Në këtë suazë, gjejmë disidentë mu në mes të Bllokut, nobelistë prej elitës së shkrimtarëve të realizmit socialist. Sikur në Shqipëri të paskej pasur thjesht realizëm, dhe jo realizëm socialist! Këtë të fundit duket se e paskëshin aplikuar vetëm shkrimtarët dhe artistët e provincës! A thua udhëheqja e asokohshme është munduar tërë jetën ta bindë popullin se komunizmi nuk ia vlente, e këtij qëllimi nuk ia arriti dot as edhe pas rënies së hijes së Murit. Jo pak antarë të KQ të Partisë janë assete të vyer të shtabeve kryesorë të politikës së sotme. Të qenit ish-komunist sot është avantazh, teksa ish-të burgosurit dhe ish pronarët mbeten edhe me tej të pafat! Politika dhe shtypi respektiv, ka krijuar idenë se diktaturën e kanë ngritur dhe mbajtur më këmbë ata që u bënë me dosje, dhe jo ata që detyruan dhe hapën me përdhunë këto dosje.
Nuk di të kemi shumë autorë që e kanë ribotuar të plotë veprën e tyre letrare të para-lirisë, përkundrazi: kemi autorë, madje shumë të njohur, që kanë lënë jetim një pjesë të mirë të arsenalit të tyre, thjesht pse vepra e tyre ishte arsenal i politikës së mëparshme. Kulla, si rrallë kush, e ka kryer këtë gjest. Dramat, komeditë dhe skeçet e tij luhen, shfaqen dhe janë ribotuar si dikur.
Me këtë libër, Pëllumb Kulla kryen të njëjtin gjest me kontributin e tij në fushën e shtypit. Partitë kryesore të inskenimit pluralist i ndërruan vendet nga dy herë, por shkrimet e tij për ta mbeten po aq aktualë!
Kulla e fjalës dhe e mendimit publik të këtij autori ka qenë e imponuar të hapë frëngji nga të gjithë anët, nëse nuk ka qenë vetërrotulluese: here në luftë me të majtën, më pas e sot e kësaj dite shembëllen sikur i shkreh bataretë kundër së djathtës. “Shokë” dhe “armiq”, kolegë dhe shefa, të njohur të tij – kanë qenë dhe janë ende miq ose kundërshtarë me të, janë gjendur në krahë apo përballë shqyrtimeve të Kullës, si përpara ligjit dhe kushtetutës: të barabartë si miq dhe armiq! Zhvendosja e tij është thjesht iluzion: ky libër, provon se autori është po ai, një dhe i vetëm: vetvetja! E krijuar prej jetës dhe udhës që ai ka përshkuar dhe përshkruar.
Shqiptarët e Pëllumb Kullës e pranojnë mjerimin ekonomik dhe mungesën e lirive individuale e qytetare në të shkuarën, nën diktaturë pra, por të vërtetat e artikuluara prej shkrimtarit i ftojnë ata ta besojnë si të vërtetë këtë diagnozim edhe sot e kësaj dite. Edhe pse njera palë pretendonte se “…na marrin të keqen krizat e Perëndimit” (Lindja dihet, s’ka kriza fare! E, kur ka pasur ndonjëherë?!), teksa pala tjetër e rinovon me punë vullnetare kryeministrinë, dhe e quan të mbyllur ciklin e tranzicionin me … ardhjen e saj në pushtet!!!
Po të ishte vërtetë kështu, merita do të ishte e ish-pushtetarëve, por si i bëhet që ata përfunduan në fund të këtij tranzicioni në një opozitë aq të leqe-dridhur?!
Nëse Shqipëria s’është atdheu i njerëzve të zakonshëm, nëse shoqëria shqiptare nuk ka ende shenja të një shtrese të mesme të konsoliduar, nëse prona ende nuk ka shkuar tek i zoti (…u tha qartë nga kryeministri i ri: “Toka t’i jepet fshatarit me tapi, sipas Ligjit 7501”, pra kush tha se Berisha paska dalë nga skena?!), nëse në thelb kjo shtresë politike ka shumë të drejtë të mos e dëshirojë hyrjen në Europë, pasi me atë rast rrëzohen tërë maskat e saj, mbetet që Shqipëria të jetë vetëm “Atdheu i Politikanëve”. Pa asnjë mëdyshje, në radhë të parë, atdhe i politikanëve në pushtet. Kjo shtresë politike, o miq të mij, është e tëra në pushtet! Në Opozitë janë ca pako zëra rebelë, dhe …populli, që herë konsiderohet turmë dhe herë sovran!
Gjatë redaktimit dhe leximit të këtij libri, por edhe të shkrimeve të mbramë të Pëllumb Kullës, botuar kudo ku nuk ndalohet emri i tij, duket se gjithnjë pas intervaleve sado të shkurtër heshtjeje, rifillon procesi i rilindjes së opozitarit. Merret vesh, nuk jam unë, i autorizuari, që t’ju paralajmëroj, apo t’ju rrëfej shenjat se ku dhe kur ka filluar skicimi dhe gdhendja e radhës për frëngji të reja të kësaj Kulle…
Motua është e njëjtë: ky mund të jetë Atdheu juaj, po imi jo! Nuk kërkoj Atdhe tjetër, por këtë që kemi, le ta bëjmë së bashku të banueshëm për të gjithë!..
*Faruk Myrtaj
(Pasthenie e librit te Pellumb Kulles” Lufte pa fund, redaktor i librit)
Mark Gjonaj says
Sic eshte libri dhe pasthenja. Faleminderit zoteri!