HASAN GREMI/
Letërsisa e arbëreshëve të Italisë është një dukuri unike në llojin e vet, dëshmi e luftës pesëshekullore të një pakice të emigruar, të ruajë identitetin e vet, gjuhën dhe zakonet. Sot kjo letërsi paraqet interes të veçantë për disa arsye, për vlerat e saj potenciale europiane që nuk ia njohën kurrë, për patriotizmin e vet në një kohë si e sotmja kur koncepti i atdheut dhe identitetit kombëtar rrezikohet ndjeshëm nga synimet kozmopolite të ekzagjeruara të shqiptarëve bashkëkohës, për rrezikun e arbërishtes si dialekt i veçantë arkaik i shqipes me ngjyrën e vet origjinale mesjetare paraosmane që është ngritur nga autorët arbëreshë në rangun e një gjuhe letrare të pasur me vlera artistike (ky rrezik i fundit vjen nga trysnia asimiluese e ilirishtes dhe mungesa e shkollave në arbërisht). Klara Kodra që në fillimet e veta si studiuese i është kushtuar studimit të kësaj letërsie me origjinalitet të pakrahasueshëm. Ajo i përket brezit të studiuesve të pasluftës. Është bijë e një studiueseje të viteve ‘30-‘40, Jolanda Kodrës. Po ndërsa e ëma merrte guximin për të çarë terrin e një letërsie të virgjër si letërsia shqiptare, po gëzonte të drejtën e padiskutueshme të zgjedhjes së metodës që do të udhëhiqte studimet e veta, e bija ndante me bashkëkohësit e vet kufizimet e metodës sociologjike të vetëquajtur marksiste që nuk ishte zgjedhur lirisht, po imponuar nga lart. Si mjaft bashkëkohës të talentuar, Klara u orvat të fuste fshehurazi nën mbrojtjen e metodës zyrtare disa elementë metodash të ndaluara si metoda intuitiviste dhe analiza tekstuale. Ajo e bën këtë me intuitën e poetes (është edhe poeteshë) dhe nën ndikimin e disa studiuesve italianë dhe francezë që studionte feshehurazi. Këto veçori i dalluan studimet e hershme të saj për letërsinë arbëreshe si studimet dhe artikujt “Zef Serembeja dhe folklori“, “Figura e Skënderbeut në krijimtarinë e De Radës, “Figura e Skënderbeut në letërsinë arbëreshe“, etj, dhe e penguan të binte në sociologjizmin vulgar. Tipare të tilla karakterizuan edhe monografinë e saj të parë “Vepra poetike e Zef Serembes“ (1975) që është edhe e para monografi për autorin e talentuar dhe shume të diskutuar arbëresh, studiuesja përpiqet të evidencojë në këtë monografi aspekte të pazbuluara të krijimtarisë së Serembes si ndikimin e tij nga poezia popullore arbëreshe ( lirika, jo epikolirika) siç ndodh me De Radën dhe Darën), stilin e tij tepër të veçantë, lidhjet me letërsinë italiane dhe europiane. Gjithashtu studiuesja përpiqet ta mbrojë Seremben nga akuzat që i bëjnë disa studiues të tjerë për misticizëm të tepruar ose paqartësi .Gjithashtu ajo nuk pranon ekzagjerimet e skajshme të disa historianëve të letërsisë për ta paraqitur poetin si revolucionar. Klara kodra synon ta afirmojë vlerën estetike të poezisë së Serembes në një kohë kur studiuesit e nënvleftësonin formën në dritën e formulës sociologjike për brendinë si primare. Kjo është një meritë e padyshimtë e saj. Vëmendja e saj ndaj formës vazhdon në momografinë e saj të dytë “Poezia e De Radës“. Në këtë monografi studiuesja rizbulon disa vepra të lëna mënjanë të autorit të Heqit si “Rrëfimet e Arbërit“, “ Gjon Huniadi“, përpiqet të japë mendimin e vet për , “Këngët e Milosaos“ duke zgjidhur dilemën e prioritetit të patriotizmit apo temës së dashurisë, të parë në planin social dhe psikologjik ( i sheh këto tema si paralele). Të dyja këto monografi dallohen për stilin e rrjedhshëm dhe elegant dhe guximin polemik. Monografitë në fjalë mund të shihen si dy kulmet e periudhës së parë të krijimtarisë së Klara Kodrës. (para viteve ’90). Periudha që nis nga vitet ’90 e mbrrin në kohën e sotme dallohet nga një hop krijues me të cilin studiuesja thellon veçoritë më të mira të veprës së vet, duke fituar madje tipare të reja në gërmimin në forma. Në këtë periudhë Klara Kodra kalon nga studimi i autorëve të veçantë të letërsisë arbëreshe në trajtimin e problemeve të përgjithshme që lidhen me problemet e tipologjisë zhanrave të kësaj letërsie dhe lëvron për herë të parë “Tipologjinë e poemës arbëreshe“ (2001) dhe “Dramaturgjia e arbëreshëve të Italisë“ (2004). Klara kodra evidencon në këtë monografi origjinalitetin zhanror të letërsisë arbëreshe. Në dy monografitë e fundit, ajo që i kushtohet Varibobës (2011) dhe ajo që i kushtohet F. A. Santorit (2020) studiuesja, megjithëse disi e moshuar, nuk bie në përsëritje të vetvetes, po arrin të rizbulojë dy nga autorët më të spikatur të letërsisë arbëreshe, të davaritë mjergullën e keqleximeve, denigrimeve dhe të afirmojë autorin e parë (Varibobën) si poet të mirëfilltë dhe origjinal, të nxjerrë të dytin nga limbi i shkrimtarëve minorë dhe ta nxjerrë në dritë si yll të vogël, po me dritën e vet, nismëtar të disa gjinive dhe llojeve të letëraiaë arbëreshe dhe shqiptare si dramaturgjia, romani, fabula, satira, autor që zhvillon kalimin nga romantizmi në realizëm, nga problematika patriotike në problematikën sociale, shkrimtar psikolog dhe humanist, një nga fabulistët më të veçantë të letërsisë arbëreshe dhe shqiptare, dramaturg të mprehtë, romancier që ia kalon di9sa sivëllezërve italianë dhe sivëllezërve të atdheut të origjinës. Të dyja këto monografi i karakterizon pasioni për shkrimtarin e analizuar, po ky pasion nuk e çon studiuesen në idealizëm të autorëve që trajton. Ajo i paraqet brenda mundësive të veta, për objektivitet, duke e vlerësuar ndihmesën e studiuesve të tjerë, po edhe duke polemizuar me ta në përpjekje për të arritur të vërtetën shkencore. Edhe në këtë monografi Klara Kodra vazhdon të jetë një stiliste e mirë dhe analizuese e kujdesshme e formës. Natyrisht ajo nuk arrin të zgjidhë të gjitha problemet e krijimtarisë së autorëve të analizuar dhe disa nga zgjidhjet që jep, ndonëse origjinale janë të diskutueshme. Po kjo nuk e cënon në thelb vlerën shkencore të monografive të lartëpërmendura dhe origjinalitetin e tyre. Ky orgjinalitet i dallon edhe artikujt dhe studimet për letërsinë arbëreshe të përfshira në përmbledhjet e fundit të Klara Kodrës, “Paralele dhe kryqëzime“, (2018) dhe “Vallja e rrezeve“, (2019) ku ajo përfshin edhe autorë dhe vepra bashkëkohëse. Edhe në artikujt dhe studimet në fjalë ndeshim një përpjekje për të ndriçuar edhe më autorë dhe vepra të letërsisë arbëreshe në dritën e metodës krahasuese dhe tekstorisisë. Studiuesja vazhdon këtu një rrugëtim të nisur që në përmbledhjen me studime “Rrënjët e lisit“ (2013) ku autorët arbëreshe shihen në plan krahasues me bashkëkohësit arbëreshë dhe shqiptarë, me letërsinë italiane dhe europiane, me poezinë popullore arbëreshe. Si përfundim mendojmë se studiuesja e cila rrok dy periudha historike të studimeve arbëreshe është në thelb origjinale dhe objektive, arrin të vendosë në kuadrin e letërsisë arbëreshe dhe shqiptare disa nga autorët e afirmuar të letërsisë arbëreshe. Kjo studiuese është plot vitalitet dhe vazhdon rrugën e vet krijuese, ajo ka në plan botimin e një monografie tjetër për Santorin që do të pqërfshijë romanet e tij, në një përmbledhjeje të re studimesh për letërsinë arbëreshe dhe dy variante të reja të monografive për Seremben dhe De Radën.