

*Akademik Vasil S. Tole/
Kjo kolanë përmban veprat e kompozitorëve më të rëndësishëm të muzikës shqiptare të shek. XX, nga fillimet e deri në ditët e sotme, vepra të drejtuara nga dirigjenti Eno Koço me orkestrën simfonike të RTSH, përgjatë 50 viteve të fundit.
Është një kontribut unik i maestro Koços dhe i orkestrës simfonike të RTSH, të cilët përmes publikimit të kësaj kolane, e vetmja e këtij lloji deri më tani, praktikisht ka themeluar arkivin më të rëndësishëm të muzikës shqiptare në një botim të vetëm, si të thuash ekselencën e muzikës sonë.
Kolana ndërtohet përmes një koncepti që ndërthur, bashkimin në një CD të gjinive muzikore të përveçme (siç janë psh. CD të dedikuara valleve simfonike, ose atyre me suita simfonike), për të vazhduar me CD me muzikë simfonike shqiptare, në të cilën përfshihen gjini tipike muzikore me orkestër (si simfoni, rapsodi, uvertura, fantazi, skerco, koncert per orkester), apo CD dedikuar koncerteve dhe pjesëve për instrument dhe orkestër, atyre për orkestër harqesh, CD me kengëtarë lirike, CD me këngë tradicionale etj.
Një vend të rëndësishëm, kolana i kushton kompozitorit tonë të shquar Çesk Zadeja, veprat e të cilit zënë dy CD të veçanta, dhe një CD me kontributin e At Fan S. Nolit në muzikë. Do të theksoja faktin që kjo kolanë shndërrohet në një kolanë të muzikës sonë mbarëkombëtare pasi pjesë e saj është edhe një CD me krijimtarinë e kompozitorëve shqiptarë të Kosovës, prej Lorenc Antonit, Rexho Mulliqit, Fahri Beqirit, Rauf Dhomit, tek Rafet Rudi e Zeqirja Ballata etj.
Një aspekt tjetër shumë i veçantë lidhet me faktin që 3 CD i kushtohen një përzgjedhjeje të kujdesshme të veprave instrumentale e simfonike të huaja, që dirigjenti Koço dhe orkestra simfonike e RTSH ka interpretuar përgjatë një harku kohor që përfshin një gjysmë shekulli, gjë e cila të bën të mendosh edhe 1 herë për vlerat dhe profesionalizmin e orkestrës simfonike të RTSH dhe të dirigjentëve të saj.
Për mua që e ndjek nga afër kontributin e Maestro Enos nga viti 1988, do të thoja që ky botim është nga më të rëndësishmit, parë në dy aspekte:
1. Si dokumentim i muzikës shqiptare prej gati 1 shekulli, prej fillimeve e deri në ditët e sotme. Kjo është shumë e rëndësishme pasi përmes botimeve të tilla të natyrës antologjike mund të përkapësh më lehtë si shtrirjen në kohë të dukurisë së muzikës profesioniste shqiptare, ashtu edhe autorët e saj më kontribues. Janë këto botime që e bëjnë prezente muzikën profesioniste shqiptare në një publik më të gjerë se ai i koncerteve, qoftë ky publik vendos apo i huaj, duke rrëzuar kështu opinione të ndryshme, pasi për të flet vetë muzika e dokumentuar.
2. Së dyti, nga ana tjetër ky botim vjen si nxitje, që kjo kolanë të mos ndalojë në nr. 18 të CD-ve, por të vazhdojë dhe të shndërrohet në një kolanë që pasurohet dita ditës me CD të tjera, që përfshijnë e dokumentojnë etapat më të reja të zhvillimit të muzikës sonë, si dhe kontributin që kanë dhënë pranë kësaj orkestre edhe dirigjentë të tjerë, shqiptarë dhe të huaj, kuptohet me veprat më cilësore të interpretuara prej tyre me orkestrën e RTSH.
Shpreh një bindje personale, që RTSH si institucioni pa të cilin ky botim as do të ishte i mundur të krijohej e të botohej, në kuadër të vizionit dhe reformimit të tij të vazhdueshëm, do ta mbajë këtë kolanë si një mundësi të artë për të promovuar kulturën tonë muzikore përmes interpretimit, regjistrimit dhe promovimit të autorëve dhe veprave më të mira, ashtu siç maestro Eno i mblodhi këto vepra si bleta nektarin për gati gjysmë shekulli.
Mirënjohje Maestro Enos për këtë vepër unike, për dashurinë e Tij për muzikën tonë kombëtare, për orkestrën simfonike të RTSH, për Edi Balili dhe MUZA, si dhe institucionin e RTSH dhe Bashkinë e Tiranës, për mbështetje e këtij botimi të mrekullueshëm.
*Fjala e mbajtur në promovimin e kolanës me CD: KLASIKË MUZIKORË SHQIPTARË.


See Insights and Ads
Like
Comment
Share