
Nikollë Loka/
Rilindja Kombëtare Shqiptare është një nga periudhat më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Ajo shënon ndërgjegjësimin, organizimin dhe përpjekjen e popullit shqiptar për vetëdije kombëtare, arsim, kulturë dhe më pas për liri politike. Në këtë proces të ndërlikuar dhe sfidues, krahas figurave të njohura intelektuale laike, një rol të padiskutueshëm kanë luajtur edhe klerikët myslimanë e të krishterë, por për veçoritë e vendit tonë, klerikët myslimanë shqiptarë, u ndodhën përballë sfidave dhe rezistencës së madhe, pasi u kundërshtuan nga autoritetet osmane dhe segmentet konservatore, por me qëndresën e tyre dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe të pamohueshëm në Rilindjen Kombëtare Shqiptare. Ata sakrifikuan pozitat dhe sigurinë e tyre brenda strukturave fetare për të promovuar arsimin në gjuhën shqipe dhe për të afirmuar identitetin kombëtar, duke sfiduar barriera fetare dhe politike që ndalonin zhvillimin e një arsimimi të lirë dhe kombëtar. Pjesëmarrja e tyre në përhapjen e alfabetit latin dhe në themelimin e shkollave shqipe tregon jo vetëm guxim dhe vizion për të ardhmen e popullit shqiptar, por edhe përkushtim të thellë ndaj çështjes kombëtare, duke u bërë kështu një shtyllë e rëndësishme e lëvizjes që shënoi pavarësinë dhe unitetin shqiptar.
Narrativa e zakonshme e Rilindjes ka qenë shpesh e përqëndruar në figurat e lidhura me Perëndimin, me arsimin laik dhe me ideologjinë kombëtare të formësuar sipas modelit evropian. Kjo ka bërë që roli i klerikëve myslimanë, në shumicën dërmuese shqiptarë me arsim osman dhe shpesh me funksione brenda strukturave fetare islame, të lihet në hije. Megjithatë, historia faktike na tregon një realitet tjetër: pa kontributin e tyre, Rilindja Kombëtare nuk do të kishte pasur as frymëmarrjen, as zgjerimin që mori në masat e gjera popullore.
Figura të shquara të klerit mysliman në shërbim të kombit
Ymer Prizreni, Haxhi Zeka dhe Vehbi Dibra janë ndër klerikët që u shndërruan në personalitete madhore të historisë shqiptare, duke e tejkaluar rolin fetar për të ndikuar thellësisht në jetën politike dhe kombëtare të vendit. Ymer Prizreni, si figurë udhëheqëse e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte një organizator dhe vizionar që punoi për autonominë e trojeve shqiptare brenda Perandorisë Osmane. Haxhi Zeka, gjithashtu pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit dhe më vonë udhëheqës i Lidhjes së Pejës, një patriot i vendosur që luftoi për bashkimin dhe mbrojtjen e tokave shqiptare. Vehbi Dibra, si kryetar i parë i Kuvendit Kombëtar në Vlorë më 1912 dhe autor i deklaratës së Pavarësisë, luajti një rol kyç në themelimin e shtetit shqiptar dhe në institucionalizimin e fesë islame në përputhje me interesat kombëtare. Të tre këta klerikë dëshmojnë se figura fetare mund të bëhet edhe udhëheqës kombëtar, duke i vënë dijen, autoritetin dhe influencën e tyre në shërbim të çështjes shqiptare. Këta klerikë e kuptuan se feja dhe kombi nuk janë në kontradiktë dhe se mbrojtja e identitetit kombëtar ishte edhe një akt fetar, një detyrë morale dhe shpirtërore ndaj bashkëkombësve të tyre.
Klerikë të shquar myslimanë në mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës dhe arsimit shqip
Një nga fushat më të rëndësishme ku klerikët myslimanë dhanë kontribut është ruajtja dhe përhapja e gjuhës shqipe. Në një kohë kur shkrimi i shqipes ndalohej nga autoritetet osmane, shumë klerikë përdorën alfabetin arab për të shkruar shqip, duke krijuar literaturë fetare dhe arsimore në gjuhën amtare. Kjo ishte një formë e fshehtë dhe e zgjuar rezistence kulturore. Shembull domethënës është Hoxhë Tahsini, një filozof, astronom dhe reformator me përmasa evropiane, i cili në shekullin XIX i dha një impuls të madh arsimimit dhe emancipimit të shqiptarëve.
Në shumë raste,medresetë dhe teqetë shërbyen si qendra të edukimit dhe përhapjes së ideve kombëtare. Teqetë bektashiane, në veçanti, ishin ndër të parat që përkrahën hapur lëvizjen për gjuhën shqipe dhe pavarësinë. Por edhe brenda rrymës sunite, kishte mendimtarë dhe hoxhallarë që vepruan për të njëjtën kauzë. Për klerikët atdhetarë myslimanë shqiptarë të Rilindjes,islamizmi nuk ishte pengesë për identitetin kombëtar, por një shtyllë që duhej harmonizuar me të. Kjo sintezë ishte e natyrshme për ta, pasi shumë prej tyre vinin nga popullata fshatare dhe qytetare shqiptare, që ndiente lidhje të forta me gjuhën, zakonet dhe historinë e vet. Ata e kuptuan se identiteti kombëtar nuk ishte në kundërshtim me besimin fetar, por një zgjatim i përkatësisë së tyre sociale dhe kulturore. Pikërisht kjo ndërgjegje i lejoi të bëhen ura lidhëse mes popullit dhe elitave politike të kohës.
Një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e gjuhës shqipe dhe arsimin kombëtar kanë dhënë emra të njohur intelektualësh e personalitetesh, hartues të një numri alfabetesh dhe abetaresh të gjuhës shqipe, si Hoxhë Hasan Tahsini, Haxhi Hafiz Ali Korça, Hafiz Ali Ulqinaku, Daut Boriçi, Said Najdeni, Rexhep Tetova etj.
Hoxhë Hasan Tahsini (1811-1881), klerik dhe rilindas i shquar, ishte një ndër mendimtarët më të rëndësishëm të shekullit XIX, i njohur për kontributin e tij në hartimin e një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe. Ai mori pjesë aktive në mbledhjet për alfabetin e përbashkët dhe kundërshtoi me argumente përdorimin e alfabetit arab për shqipen, duke theksuar nevojën për një alfabet fonetik dhe të pavarur nga ndikimet politike. Me formim të gjerë shkencor të përfituar në Paris dhe përvojë si rektor i parë i Universitetit të Stambollit, Tahsini solli një qasje moderne në çështjet e arsimit dhe gjuhës shqipe. Në shkrimet e tij, ai theksonte se mungesa e një alfabeti të përshtatshëm pengonte përparimin e kombit dhe përhapjen e dijes. Alfabeti i tij u përhap gjerësisht në Shqipëri dhe mbetet një dëshmi e përpjekjeve për afirmimin kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve.
Daut Boriçi, klerik dhe rilindas nga Shkodra, ishte një figurë qendrore e arsimit shqiptar në shekullin XIX, duke shërbyer si mësues, inspektor arsimi dhe themelues i degës lokale të Lidhjes së Prizrenit. Ai është autor i tri abetareve shqipe me alfabet arabo-turk, ku abetarja e vitit 1861 është e para e botuar në Shqipërinë e Veriut dhe mbart vlera të mëdha gjuhësore, didaktike dhe kombëtare. Me veprën e tij, Boriçi tregoi se shqipja meriton alfabet të përshtatshëm dhe mësim në gjuhën amtare, duke vendosur themelet për arsimin kombëtar shqiptar.
Hafiz Ali Ulqinaku ishte klerik, mësues dhe dijetar, u shqua për kontributin e tij në arsimin dhe shkrimin e shqipes, duke e përdorur gjuhën amtare si mjet për përhapjen e dijes dhe parimeve islame. Ai hartoi një abetare shqipe me alfabet arab dhe tre fjalorë shqip-turqisht me rëndësi të madhe gjuhësore e kulturore, duke dëshmuar ndërgjegje të lartë atdhetare në shërbim të kombit. Në vargjet e tij, ai e shprehu qartë misionin e vet: t’u shërbente shqiptarëve në gjuhën e tyre për të nxitur dijen.
Said Najdeni (1864–?) ishte një klerik, rilindës dhe patriot i shquar, i cili pasi përfundoi studimet e larta në Stamboll, u përkushtua me vendosmëri ndaj arsimit dhe përhapjes së gjuhës shqipe. Ai hapi disa herë shkolla shqipe në Dibër, hartoi abetaren “nde të folë gegënisht” me alfabetin e Stambollit dhe mbështeti alfabetin latin si më të përshtatshëm për shqipen. Me veprën e tij arsimore, gjuhësore dhe kombëtare, Najdeni mishëronte plotësisht idealet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Hafiz Ali Korça ishte një prej figurave më të shquara të Rilindjes Kombëtare, i njohur si fetar, letrar, publicist dhe veprimtar i palodhur në shërbim të gjuhës dhe arsimit shqip. Në Kongresin e Dibrës (1909), ai propozoi zyrtarizimin e shqipes në shkolla dhe botoi në vitin 1910 një abetare me alfabetin e Stambollit dhe atë të Manastirit, duke treguar koherencë me zhvillimet gjuhësore të kohës.
Rexhep Tetova (Hoxhë Voka), i lindur në vitin 1847 në Shipkovicë dhe i arsimuar në Stamboll, u bë një figurë e rëndësishme e Lëvizjes Kombëtare shqiptare dhe përkrahës i fortë i arsimit në gjuhën shqipe. Edhe pse ishte ithtar i alfabetit arab dhe botoi në vitin 1910 abetaren “Abeja shkip” me këtë alfabet, ai i dha përparësi përhapjes së dijes dhe arsimit shqip, duke e konsideruar atë si rrugë drejt përparimit kombëtar. Me veprat “Mendime”, “Gramatika elementare shqipe” dhe “Ilmihal i hollësishëm shqip”, ai shprehu bindjen se asnjë komb nuk përparon pa shkollim në gjuhën e vet amtare.
Në raportet austro-hungareze theksohet roli i hoxhë Vildan Dibrës dhe hoxhë Ismail Hakiut, të cilët udhëtuan nëpër trevat shqiptare për të bindur popullin se alfabeti latin nuk binte ndesh me parimet islame dhe se shqiptarët duhej të ishin të bashkuar pavarësisht fesë. Këta hoxhallarë ishin pjesë aktive e Lidhjes Kombëtare për Mbarësinë e Shkollave Shqipe, e cila kishte për synim përhapjen e arsimit shqip dhe vepronte sipas një rregulloreje të hartuar nga Komiteti i Stambollit. Edhe pse kishte krerë fetarë që kundërshtonin alfabetin latin, një numër i madh prej tyre, si Hafiz Ali Korça dhe Hafiz Ibrahim Dalliu, e mbështetën këtë nismë si pjesë e Lëvizjes Kombëtare. Kjo dëshmon se shumë klerikë myslimanë luajtën një rol pozitiv në procesin e unifikimit të alfabetit të gjuhës shqipe në vitin 1908.
Nga hulumtimet e deritanishme, siç u evidentua dhe më sipër, klerikët myslimanë shqiptarë në periudhën e Rilindjes Kombëtare kanë luajtur një rol të rëndësishëm për shkrimin, mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Për këtë, tregues i qartë është fakti se një alfabet origjinal me gërma latine, siç ishte ai i Hoxhë Hasan Tahsinit, dhe gjashtë abetare të gjuhës shqipe mbajnë autorësinë e këtyre klerikëve. Pa folur pastaj për libra, fjalorë, tekste mësimore dhe ndikimin e madh që ato patën për zhvillimin e gjuhës shqipe. Ata u bënë promotorë të përhapjes së diturisë dhe ndërgjegjësimit kombëtar në një kohë kur mësimi i shqipes përballej me pengesa të shumta. Duke i përdorur shkollat, xhamitë dhe institucionet fetare si qendra arsimore, ata kontribuan në ruajtjen e identitetit kombëtar përmes gjuhës. Përkushtimi i tyre ndaj arsimit në gjuhën amtare tregoi se feja dhe atdhedashuria mund të ecin krah për krah në shërbim të përparimit kombëtar.