
Gjovalin ÇUNI/
At Donat Kurti e më tej shtonte : “Ka gjitha gjasat se flamuri, qi u ngreh ne Vlonë me 28 nanduer 1912, kje shi njaj, qi vetë Ismajl Qemali muer prej Lec Shkjezit në Kotorr ndoi ditë përpara:.
Sa herë që ka përvjetorë që lidhen me Pavarësinë dhe përpjekjet e shqiptarëve për të krijuar shtetin, nuk mund të mos kujtojmë dhe nderojmë njerëzit që i kanë shërbyer Atdheut, mes të cilëve edhe klerikët shqiptarë. Klerikët që punuan në dobi të Shqipërisë dhe të popullit të saj në vitet e para të shtetit shqiptar janë të shumtë, dhe ndër ta nuk mund të lihen pa u përmendur ipeshkvinjtë e kohës: Imzot Jak Serreqi, Ipeshkëv i Shkodrës; Imzot Luigj Bumçi, Ipeshkëv i Lezhës; Imzot Lazër Mjeda, Ipeshkëv i Sapës, kryeipeshkëv i dioqezës Shkup–Prizren dhe kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës; Imzot Benardin Shllaku, Ipeshkëv i Pultit .
Po ashtu, françeskanët e mëdhenj – etërit: Dodaj, Fishta, Gjeçovi, Harapi, Prendushi, Shllaku e shumë të tjerë; jezuitët e dijshëm shqiptarë dhe të huaj si F. Kordinjano, G. Valentini, Gjon Karma; famullitarët, si dinastia Gazulli (Shtjefën, Simon, Gjon, Nikollë), Dom Lazër Shantoja etj. Nëse e marrim përmbledhtazi kontributin e klerit, do të evidentojmë se ata, krahas patriotëve të tjerë, kanë qenë gjithnjë të pranishëm jo vetëm në periudhën e lëvizjeve për pavarësi, por edhe në atë të konsolidimit dhe zhvillimit të shtetit shqiptar. Ata luftuan për pavarësinë, por edhe për mbrojtjen e interesave kombëtare e shtetërore, për hyrjen e Shqipërisë në jetën ndërkombëtare dhe për zhvillimin kulturor e shoqëror të vendit.
Kleri katolik punoi shumë dhe mori pjesë aktive në nënshkrimin e Aktit të Pavarësisë. Don Nikollë Kaçorri, famullitar i Durrësit, ishte pjesëmarrës i Kuvendit Kombëtar të Vlorës dhe nënshkrues (i dyti në radhë) i Aktit të Pavarësisë. Përmbledhtazi po mundohem të sjell disa momente nga veprimtaria patriotike e klerit katolik, i cili, në të gjithë veprën e tij, i kushtoi kujdes të veçantë bashkëpunimit me pjesëtarët e ndjesive të tjera fetare e krahinore.
Atë Gjergj Fishta shkruante, “per ma ba nji bashkim të vertetë në Shqipni, duhet që të gjithë shqiptarët pa nderlikim besimi… para atdheut e para ligjet ta mbajn vedin vetëm për shqiptare e kurrgja tjeter veçse shqiptarë dhe ku bashkim për t’u arritë vetëm atëhere “…kur si kristjani, si muhamedani, ne sy të ligjes e te Shtetit, njani mos ta mbaje vedin ma burre te mire se shoqin”. E shembujt e shumtë, të bashkëpunimit nuk mungojnë. Gjana që dihen, por edhe gjëra që mund të risillen në kujtesë.
Aurel Plasari, shkruan:“ ..në kohën kur Dom Nikolle Kacorri dilte në krah të Ismail Beut për të kërkuar pavarësinë e atdheut, nuk llogariste perqindjet e besimeve ne Shqiperi! Sepse kur At Anton Harapi hartonte memorandumin e famshëm të 1918 drejtuar fuqive të mëdha ndër 44 nënshkrimet e krerëve të Hotit e të Grudës nuk ai qiste hesapi 40 muslimanë dhe 4 kristianë ! Sepse kur Imzotn Bumci luftonte në Versaje për Kufinjët e Shqipërisë në mendje nuk i vinin njehsimet përqindore ! Sepse kur i binte në gjunjë Papës për të shpëtuar krahinat e Korçës dhe të Gjirakastrës, nuk merrte fare parasysh që në ato krahina këmbë katoliku nuk kishte ! Sepse Faik Konica, Noli apo Gjergj Fishta kur përpiqeshin për njohjen e atdheut të tyre prej SHBA-se nuk besoj t’u mburreshin senatorëve amerikanë me raportet e besimeve në Shqipëri! Sepse kur Imzot Serreqi, i shkruante Lidhjes së Kombeve se në Shqiperinë, që po rrezikohej të zhbehej, kristiane dhe muhamedanë janë vëllezer dhe duan të jetojne në të njetin shtet, në të tilla përqindje nuk mbështetej !“
Padër Donat Kurti në shkrimin e tij “Flamuri komtar në krahinë të Shkodrës”, botuar në revistën Hylli i Drites”, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë ndër të tjera shkruente: “I pari qi publikisht përdoron flamurin komtar faqe turqve asht Emz. Bernardin Shllaku, françeskan. Imzot B. Shllaku qe emëruar ipeshkëv-ndihmëtar i Pultit më 8 Kallnduer 1910. Si çdo klerik i lartë në stemën të vet, “..qi e ven në ball të kishës, ku shugurohet, si edhe ne derë t’ipeshkvinis, ku banon e nder vula të veta, ka të piksuem flamurin e Shyqpnis me shqype dykrenshe mbë shtroje të kuqe”.Bedri Pashës, atëherë vali i Shkodrës, iu kujtue ksaje pune e i bani vrejtje; por mas fjaleve të ndezta të prealtit të ri, s’pat shak me ba tjetër, veç i ra krahit, tuj levdue ndiesit e tija komtare”
Veprimtaria intensive e klerit katolik drejt Pavarësisë filloi me kryengritjen e malësorëve më 24 mars të vitit 1911. Duke u nisur nga territori i Malit të Zi, ku ishin strehuar malësorët për t’iu shmangur reprezaljeve turke, kryengritja u përhap menjëherë në tërë Malësinë e Madhe — në Grudë, Kelmend e Kastrat. Kjo kryengritje ishte vijim i kryengritjeve anti-turke të viteve 1909–1910 kundër çarmatosjes së popullsisë dhe pjesë e qëndresës kundër ekspeditave ushtarake të Xhavid Pashës (maj–tetor 1909) dhe Shefqet Turgut Pashës në Kosovë dhe Veriun e Shqipërisë (betejat e Kaçanikut, Carralevës, Qafë-Morinit dhe Agrit, prill–qershor 1910).
Karakollet kufitare turke të Rapshës ranë njëri pas tjetrit dhe, siç theksonte Luigj Gurakuqi në intervistën dhënë gazetës londineze “The Guardian”, mund të ishte marrë edhe Shkodra, por mungesa e armëve nuk e mundësoi një gjë të tillë. Knjaz Nikolla i Malit të Zi u dha përkrahje malësorëve, duke u nisur nga qëllimi për të shfrytëzuar pakënaqësinë e tyre për interesa të veta me, synimin e kahmotshëm për të vënë nën kontroll tokat veriore dhe për ta bërë Shkodrën kryeqendër të mbretërisë së tij.
Të shumta ishin replikat e Ded Gjo Lulit me Knjaz Nikollën. Dom Ndoc Nikaj i ka sjellë një pjesë të tyne në librin: “Kujtime të një jete të kalueme“.
Pasi i kishte dhënë mbështetje dhe përkahje, Knjaz Nikolla i iu suall Dedë Gjo Lulit të Hotit që ishte një ndër krenët e asaj lëvizje kombëtare duke i thënë: „mbasi me Mbretin e Stamollës nuk gjendeni te qetët, e shka kishit me thanë po ta merrshim sundimin une per mbi jue ?
Dedë Gjon Luli, gjithnjë sipas Dom Ndoc Nikës, ju përgjigj menjëherë : Zotni, ti n’a ke dhanë çdo ndihmë qi kena pasë nevojë edhe të jena mirnjohës per të gjitha, por sa për pikën qi po n’a thue, ta dhashë besën e Zotit, se jena me ty per çdo nevojë per me të shpërblye të mirat qi n’a ke ba, por, po m’erdhe te praku i derës, ta kena vue pushken sikur ja kena vue Turqis “
Kryengritja e vitit 1911, i bëri të vetëdijshëm shqiptarët mbrenda e jashtë. Në Itali ishte formuar Komiteti “Pro Albania”, por edhe në Malin e Zi ishte formuat “Komiteti i Podgoricës“. Në kryengritje mori pjesë gjallërisht kleri. Pranë luftëtarve së bashku me ata qëndruan tërë klerikët që shërbenin në zonat ku shpërtheu kryengritja. Sipas burimeve arkivore të „Cetinski Vjesnik“ mes tyne ishin meshtari i Traboinit Luigj Bushati, i Grudës Patër Bonaventura Gjeçaj, i Rapshës Patër Sebastian Hila, i Vuksanlekajve Karl Prendushi, i Kastratit (Bajzë) Pater Lorenc Mitroviq e pak më vonë në rajonin e bjeshkeve të Triepshit kaluan edhe meshtarë të tjerë nga Kelmendi.
Ndër shenjat më të dukshme të kësaj kryengritje ishte ngritja e Flamurit në betejë e sipër nga kryengritësit në majën e Bratilës, më 6 prill 1911. Ky akt demostrativ i mvehtësisë shqiptare, ishte vazhdë e përpjekjeve të mëparshme që bënin shqiptarët për të përdorë simbolet kombëtare.
Është diskutuar mjaft rreth personit dhe flamurit që eshtë ngritë në Bratilë. Në mungesë të dokumenteve të sakta, dëshmitarët okularë dhe pjesmarrësit në beteja janë fakti më i mirë për të saktësuar formën dhe dekoracionet e flamurit, që mori emnin i flamuri i Dedë Gjo Lulit, duke u përmendur edhe disa punuesat e mundshëm të tij, si: Gjo (Gjon) Gjo Kola, rrobaqepës personal i Knjazit, Zef Jak Dajçi, Palok Traboini, shtëpia Çefa etj. Flamurin e ngritur një vit më vonë në Vlorë, Simon Pepa do ta cilësonte: “maja e Kalasë, pasi themeli i kësaj kalaje qe 6 prilli”.
Rrezikun e shtimit të përdorimit të dhunës ndaj malësorëve që mund të shoqërohej me humbje jetësh njerëzore, apo edhe me rrezikun e fillimit të konflikteve të reja ushtarake në rajon, bëri që një „delegacion paqësor“ i Arqipeshkvisë së Shkodrës, nën udhëheqjen e Imzot Jak Serreqit, At Gjergj Fishtës, Emzot L.Bumci, por edhe me pjesëmarrjen e Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit të fillonin ndonëse pa sukses bisedimet sa me kryengritësit, sa me turqët për marrëveshjen armëpushimit.
Atë që klerikët nuk e arritën e arriti Mis Edit Durham që ndërmjetësoi, dhe bindi malësorët për t’u kthyer kthyet në shtwpijat e tyre. Më 28 nanduer 1912, pas rreth 450-vjetësh u ngrit Flamuri në Vlorë dhe u shpall Pavarësia. Një tekst të thjeshtë me pak fjalë shkruar në gjuhën shqipe me alfabetin latin të Kongresit e Manastirit (22 nëntor1908) dhe osmanisht me alfabet arab, që shërbente kështu jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të njoftuar Portën e Lartë shkruhej: “Pas fjaleve që tha z.Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e madh në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjith delegatët më nji za venduan që Shqipëria, me sot të bahet me vehte e lirë e mosvarme“.
Dokumentin e Pavarësisë që i botuar nga Lef Nosi, për çudi ka hupë si dokument origjinal, duke krijuar siç e kanë zakon shqiptarët një tymnajë tjetër që akoma nuk është zgjidhë. “Shndrrim i mrekullueshem! Shqypnija nuk kje e u ba, a por ma pernjimend me thane: kje si te mos ishte e u duel ne vedi si i perkiste!- shkruante
At Donat Kurti e më tej shtonte : „Ka gjitha gjasat se flamuri, qi u ngreh ne Vlonë me 28 nanduer 1912, kje shi njaj, qi vetë Ismajl Qemali muer prej Lec Shkjezit në Kotorr ndoi ditë përpara. “Nuk e due – i pat thënë plaku-as tepër të madh, as teper i vogël „. E Leci, qi kishte flamuj gjithshfarë maset i dha nje flamur të thjeshtë”.
Në ngjarjet që sollën Pavarësinë spikasin përsëri figura të rëndësishme klerikësh. Atë David Pepa ishte përkthyes i Ismail Qemalit në bisedimet me ministrin e Jashtëm austriak kontin Leopold Berthold në Vjenë, Lazër Mjeda dhe Don Nikoll Kaçorri, ishin kontribues konkret të shpalljes së Pavarësisë.
Imzot Lazër Mjeda ndihmoi Ismail Qemalin të mbërrinte në Vlorë, më 28 nanduer 1912. “Ismail Qemali gjëndej në Vienë para shpalljes se Pavarësisë. Kishte probleme financiare që të udhëtonte në Shqipëri. Kishte mbetur në Vjenë dhe nuk mund të vinte në Shqipëri. Kishte po ashtu me vete nji çek bankar dhe atë çek nuk e dëshironte asnjë bankë në Vjenë ta merrte parasysh, që të mund të vinte në Shqiperi. Kështu që arqipeshkvi Lazër Mjeda mobilizoi miqtë e vet të Qeverisë Austro-Hungareze dhe ai mundësoi I. Qemalit që përmes një anije ekstra të financuar nga Vjena të vinte deri në Durrës.“
Një tjetër emblemë e klerit katolik ishte edhe Dom Nikolla, “shqipja e malit”, qëndruar në krahun e djathtë të Ismail Qemalit.
Dom Nikolla ishte veprimtar i çështjes kombëtare, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, organizues i një sërë kryengritjesh popullore; gjurmues, folklorist, iluminist, misionar, dijetar, kryengritës, mësues, si dhe shok e mik i figurave të njohura patriotike si Sali Nivica, Lef Nosi, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi etj.
Ai ishte një ndër figurat më të shquara meshtarake dhe kulturore jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, i njohur në kancelaritë e Vjenës, Brukselit, Romës, Vatikanit, Londrës e Parisit.
Dom Nikollë Kaçorri ishte nënshkrues i Memorandumit të parë të 12 nëntorit 1912 drejtuar perandorit të Austro-Hungarisë, Franc Jozef I, ku kërkohej ruajtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë. Ai ishte shoqërues i Ismail Qemalit në udhëtimet në kryeqytetet europiane para shpalljes së Pavarësisë. Edhe udhëtimin drejt Vlorës e bëri së bashku me Ismail Qemalin dhe të tjerë patriotë. Dom Nikollë Kaçorri përfaqësonte jo thjesht popullin katolik të Durrësit në Kuvendin e Vlorës, por më gjerë, klerin katolik, që aq shumë ndihmoi në lëvizjen kombëtare. Eqerem Vlora e cilësonte përfshirjen e Kaçorrit në qeverinë e Ismail Qemalit si “një zgjedhje të mirë”.
Dom Nikolla aspironte që Shqipëria, pas pavarësimit, të zhvillohej me ritme të tilla “sa të habitet Europa”.
“I urti”, siç e quanin, dëshironte t’i shërbente Atdheut mbi bazën e parimeve dhe frymëzimit kristian, e jo me zhvillimet kaotike të mbështetura në qëndrime të dyta e të padenja të udhëheqjes politike. Pas komplotit të Beqir Grebenesë më 30 mars 1913, ai dha dorëheqjen, duke mbetur gjithnjë shembull i një atdhetari opozitar, besnik ndaj parimeve mbi të cilat ishte ngritur Qeveria e Vlorës. Dom Nikolla iu rikthye misionit baritor, duke e përqendruar veprimtarinë e tij në çështjet e harmonisë fetare.
Më 21 qershor 1913 ndodhej në Shkodër, ku punonte për bashkëpunimin ndërmjet myslimanëve dhe katolikëve. Vdiq më 29 maj 1917. Veprimtaria e klerit katolik vijoi edhe pas shpalljes së Pavarësisë, në përpjekjet e gjithanshme për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe formësimin e shtetit të ri shqiptar drejt prosperitetit. Duke përfunduar veprimtaria e klerit shprehjen : “Punët e vogla me bashkim rriten”
Klerikët katolikë me vepra dëshmuan “Punët e vogla me bashkim rriten”, dhe kështu ndihmuan në ngritjen e themeleve të Shqipërisë moderne.
6 prill u ngrit flamuri, pra një vit para Vlores. Kështu nëse 1912 e Vlorës që maja e Kalase, 6 prill që themeli i kësaj kalaje (S.Pepa, f. 223) 8 mars në kala u ngrit flamuri, përfaqësues, fjala e kolonel De Filips nji ligjerate të hijshme dhe me pas flasin Haxhi Ali Ymeri, prej Jakove, P. V.Prennushi, e Emzot P.Doci. Shkollat e franceskanëve dhe jezuiteve, kolegjen saveriane 1877, prej kah dolen Ipeshkvinj, priften, rregulltare dhe shekullare. Ishin këta perfaqsuesit ma ne za të elementit katolik ata që krijuan frontin “ qe punoi për Shqiperinë dhe shqiptartë inkuadrueme në Europe se cilës i përkisnin më qytetnim edhe në lashtesi” (A. Harapi , f. 29).