
Nga ANGELO PANEBIANCO
“Corriere della Sera”, 21 nëndor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika/
Të shuara dritëhedhësit mbi Cop 26, mbi takimin e Glasgow, për më tepër mbi manifestimet e udhëhequra nga Greta Thunberg që e kanë shoqëruar, ndoshta i a vlen të bëhen një palë pyetjesh. Megjithë marrëveshjen e befasishme mbi klimën ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës (që duket se është një lëvizje më shumë në një ndeshje të ndërlikuar shahu ndërmjet dy Vendeve), mbetet që kundërshtia e ndotësit më të madh të Planetit, Kinës, për marrëveshje shtrënguese mbi energjinë e ndotur ka qënë përcaktuese. Më shumë se ajo e Hindisë që ka shfaqur hapur armiqësinë e saj (në të vërtetë, për arsye të kuptueshme) ndaj një heqje dorë shumë të shpejtë të përdorimit të qymyrit.
Si vallë nuk shihen në qarkullim nëpër botë veprimtarë të mjedisit të zinxhirosur para ambasadave kineze? Si vallë Kina nuk është bërë armiku i tyre kryesor? Një tjetër pyetje e pason: në Glasgow kishte veprimtarë t’ardhur nga gjithë anët e botës por mund të vihet bast se ata me pashaportën e Republikës popullore kineze ishin shumë të paktë. Ndoshta asnjë. Si ndodh kështu? Pyetja e parë detyron dallimin ndërmjet shqetësimeve të natyrshme për ndryshimet klimatike dhe atyre të natyrave të tjera. Pyetja e dytë do të duhej të inkurajonte veprimtarët e mjedisit të pranonin se nuk jemi të gjithë njësoj, se ka, ndërmjet Vëndeve të ndryshme të pështjelluara, ndryshime politike rrënjësore, të cilat nuk do të jenë të papërfillëshme në vendimet e ardhëshme të qeverive, edhe në lëndën e kundërshtisë ndaj ndryshimeve klimatike.
Përgjigja e pyetjes së parë nuk është e vështirë. Në lëvizjen mjedisore bashkëjetojnë dukshëm dy drejtime. I pari është ai i atyre që kanë si interes të vetëm të natyrshëm ndalimin e ndryshimeve klimatike. Sigurisht ai është drejtimi i shumë veprimtarëve. Është ai që fiton simpatinë e një publiku të gjërë perëndimor që bashkëndan me të shqetësimet.
Por ka edhe një tjetër, po aq të dukshëm, një tjetër drejtim që mund t’a pagëzojmë “kundërkapitalizëm me të gjitha mjetet”. Është drejtimi i atyre që janë të interesuar të luftojnë kapitalizmin e njëjtësuar me shoqërinë perëndimore. Njëherej kjo rrymë gjallëronte lëvizjet komuniste. Sot që komunizmi është një utopi e vjetëruar, që nuk shërben më, maqina e re është lufta kundër ndryshimeve klimatike. A nuk ka qënë vallë kapitalizmi perëndimor që ka dhunuar mjedisin në shekujt e fundit? Pra lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe kundër kapitalizmit në trajtë perëndimore a nuk është e njëjta gjë? Ja përse Kina nuk mund të bëhet armiku kryesor. Do t’ishte në kundërshti me rrëfimin, ndoshta jo zotërues, por sigurisht shumë të përhapur në botën mjedisore. Do t’a zhvendoste vëmëndjen nga armiku “i vërtetë”, i cili, veç të tjerave, është shumë më i ndikueshëm se sa Kina.
Deri sa dy drejtimet do të vazhdojnë të bashkëjetojnë, “të fuqishmit e Tokës” me të cilët do të merren do të jenë kryesisht “të fuqishmet” (qeveri) perëndimore, çfarëdo të thonë faktet që duken sheshit (për shembull, ata që tregojnë pakësimin, gjatë kohës, të pasojave ndotëse të veprimtarisë industriale n’Evropë). Ja përse fjala e urtë e ish Presidentit Obama mbi shumllojshmërinë e problemeve dhe shkallshmërinë e nevojshme të dhënies së përgjigjeve, i u kthye mbrapsht dërguesit. Është njëra nga dy arsyet, për të cilat zotërojnë parashikimet apokaliptike mbi përimtimet e qeta e të matura: sa më shumë të përhapet bestytnia në katastrofën kërcënuese, aq më shumë kapitalizmi (perëndimor) mund të vihet në vështirësi. Arsyeja tjetër, më e përgjithëshme, është që utopitë mijëvjeçare (pritja në një t’ardhme rrënjësisht të ndryshme nga e sotmja) janë kripa dhe motori i të gjitha lëvizjeve kolektive.
Vështrimi tjetër, i lidhur me të parin, është i përfaqësuar nga nënvleftësimi i ndryshimeve që shfaqen ndërmjet shoqërive të hapura e demokratike perëndimore dhe atyre të mbyllura e autokratike. Siç ka vërejtur Federico Rampini (Corriere, 14 nëndor) nuk mund të ketë një Greta kineze. Për arsyen e thjeshtë se nëse një kundërshtar me çfarëdo titulli, ngre kokën nga ato anë, menjëherë atë i a presin. Rrjedhin dy pasoja. E para është se lëvizjet mjedisore mund t’a bëjnë të ndihet zëri i tyre veçanërisht ose vetëm në Perëndim. E dyta është se duke qënë ato perëndimore shoqëri të hapura, në të cilat qeveritë duhet të përgjigjen për veprimet e tyre para opinioneve publike, do të jenë ato në vitet e ardhëshme që do të venë në jetë masat e kundërshtisë së ndryshimit klimatik, për shkak të përhapjes së shqetësimeve në vetë ato shoqëri.
Duhet vënë re se ata ndryshime shfaqen në çdo drejtim. Është e vështirë (siç ka vërejtur Franco Venturini në Corriere të 17 nëndorit) që të mos i vishet fakti që në Rusi përqindja e të vaksinuarve është thellësisht më e ulët se ajo që regjistrohet në Vendet perëndimore, mosbesimit tepër të kuptueshëm e shumë të lashtë të rusëve kundrejt autokracive të pushtetit. Kush mund t’i besojë, nga ato anë, asaj që thotë qeveria?
Si vallë këto ndryshime të dukëshme ndërmjet Vëndeve kaqë shpesh nuk mbahen parasysh nga një lloj veprimtarësh të mjedisit, po aqë nga shmë prej atyre që, duke punuar në sistemin e komunikimeve, mbajnë haptas anën e tyre? Kjo “harresë” miratueshmërisht është pjesë e një sintome të njohur e të vërejtur prej shumë kohe: prirja, veçanërisht e disa perëndimorëve të ndryshëm që ushtrojnë, me çfarëdo titulli, punë intelektuale, për të urryer shoqëritë e hapura e demokratike në të cilat jetojnë e për të parapëlqyer shoqëritë e mbyllura dhe autokratike. Thonte ekonomisti Joseph Schumpeter se vetëm shoqëria perëndimore ka rritur një numër kaq të madh intelektualësh, të cilët kanë marrë përsipër detyrën për të dhënë ndihmesën për t’a shkatërruar. Të mos vlerësojnë shoqërinë e hapur në të cilën bëjnë pjesë dhe në qoftë nevoja edhe t’a luftojnë (mjaft se me mjete paqësore e të ligjëshme) është një e drejtë e qytetarëve perëndimorë. Duhet t’u kujtohet atyre se ka edhe një të drejtë për t’a mbrojtur.
“Corriere della Sera”, 21 nëndor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika