

Eda Zhiti/
Ishte një takim ndryshe në Universitetin e Illinois-it, UIC, më i madhi i atij shteti. Në Departamentin e Mjekësisë, Qendra e Shëndetit Global, Kolegji i Mjekëve në fakultet ftonte poetin Visar Zhiti. Për se do të flitej, për poezinë, do të lexoheshin? Do të tregonte jetën e tij në diktaturë, burgun, traumën kolektive, lirinë më pas, mërgimin, do ta pyesnin për të gjitha këto?
KLINIKA E POEZISË
Kështu shkruhej në ftesën anglisht. Të jetë idiomë metaforike? – do të shpotiste Visari dhe duke buzëqeshur do të shtonte: E frikshme dhe e bukur. Pastaj ishin vendosur fotografitë e atij që do të drejtonte takimin dhe e të ftuarit, poshtë tyre shënimet përkatëse: Damiano Rondelli është shkencëtar italian, mjek, profesor dhe drejtor i Divizionit të Hematologjisë/Onkologjisë në UIC. Dr. Rondelli së fundmi ka botuar një përmbledhje me poezi në italisht me titull “È ora che tutto É” (“Është tani që gjithçka Është”). Visar Zhiti është poet shqiptar, i burgosur për poezinë e tij në vitin 1979 dhe i dënuar me 10 vjet heqje lirie nga regjimi komunist shqiptar (1944–1991). Pas lirimit, ai punoi si gazetar dhe u emërua drejtor i shtëpisë botuese që fillimisht e kishte denoncuar te regjimi dhe e kishte çuar në arrestimin e tij. Më pas u punësua në shërbimet administrative të Parlamentit të ri shqiptar dhe në vitin 1996 u zgjodh deputet dhe u bë Ministër i Kulturës. Në vitin 1997 kaloi në diplomaci, u emërua në Ambasadën e Shqipërisë në Itali dhe më pas Ambasador i Shqipërisë në Vatikan (Romë). Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë dhe ai është fitues i çmimeve të rëndësishme ndërkombëtare letrare. Zhiti banon në Çikago me bashkëshorten e tij dhe vazhdon me pasion të shkruajë dhe të botojë veprat e tij. Më poshtë ishin dhe këto vargje të Visarit:
Të gjithë të mos kthehen në asnjë shtëpi mbrëmjeve… Të mos kesh copën tënde të mbrëmjes, dhomën tënde të mos kesh, as rrugën, as kthimin. Tmerrësisht njëlloj të jenë ditët, 5 herë rresht e premte, gjithmonë e martë ters, asnjëherë e dielë. Të mos kesh më shqetësime të vogla punë lotësh apo krijimesh, duke qënë shqetësimi më i madh në botë: i I burgosur!
Në fund vendi ku do të zhvillohej veprimtaria: UIC – Universiteti i Illinois, Rruga 1940 W. Taylor, Salla e Konferencave 230, ora 12.00, do të kishte dhe drekë…
FUQIA E SHPIRTIT
PËRBALLE MIZORIVE TË JETËS.
– Takimi –
Nuk kishte thjeshtë lexues dhe as student siç isha mësuar në veprimtaritë që kisha ndjekur me Visarin. Në tryezat e gjata dhe të shumta ishin ulur përballë njëri-tjetrit kërkues shkencorë, pedagogë, mosha të reja, por dhe të vjetër. etj, por të dhënë dhe pas letërsisë, patjetër, ja, ai profesori ukrainas në anë, ka botuar tre romane, na treguan. Në tryezë kishte libra
Takimin e hapi Profesori amerikan, Stevan M. Weine, psikiatër, studiues i njohur ndërkombëtarisht për veprat e tij psikologjike, dhunën, gjenocidin dhe pasojat mendore të luftës. Mes botimeve të tij është dhe libri studimor, i rëndësishëm, për Allen Ginsberg, – e mora ta shfletoj, – ku e trajton jo thjesht si poet, por si rast paradigmatik në marrëdhëniet mes krijimtarisë, traumës dhe etikës së dëshmisë.
Ia tregova Visarit. Kjo do të jetë dhe optika e takimit me mua? – më tha shqip. “Klinika e Poezisë” – buzëqeshi prapë. Pas fjalẽs sẽ mirëseardhjes, Profer Weine citoi moton e poetit amerikan, ndëkohë dhe mjek, William Carlos Williams “no ideas, but in things” i cili besonte se poezia duhej tẽ lindte nga objektet konkrete dhe pẽrvojat jetēsore. Kjo, mendoj, se shpjegon qasjen e tij tek mjeksia dhe poezia, – përfundoi profesori duke ia lënë radhën profesorit tjetër, Dr. Damianos, të niste biseden me të ftuarin. Le t’i dëgjojmë. Sipas programit, Dr. Rondelli rrēfeu si fillim për librin e tij me poezi, i botuar në Itali me parathēnie të Visarit. Jeta pẽrmes poezisẽ ẽshtẽ boshti i librit – tha ai, – por dhe i bisedës tonë.
Jeta pẽrmes poezisē ka lentet e lirisẽ dhe kur kjo e fundit nuk ẽshtẽ njẽ opsion- si dikur nẽ rastin e Visarit, ku fuqia e shpirtit arrin tẽ pērballojẽ mizorinẽ.
Ai krijoi njẽ paralele interesante. Si pikënisje mori vitin 1979, kur ai, fare i ri, kishte shkruar poezinë e parë. Po me Visarin ç’ndodhte në këtë vit në vendin e tij?
Visarin, pa u bërë 27 vjeçar, e burgosin pẽr njẽ libẽr me poezi tẽ pabotuar ende. Pra liria ishte bijẽ e burgut, – tha Profesor Damiano dhe nisi të lexonte pjesẽ nga akt-ekspertiza për poezinë e Visarit, e botuar si pasthënie në librin “The condemned apple”, i ribotuar këtë vit në SHBA, mbas 20 vjetësh nga botimi i parë në Los Angeles, nga shtëpia botuese “Green Integer”, me përkthim të albanalogut Robert Elsie. Poezia dhe akuza. Pse ti do një diell të dytë? A e kemi një, Partinë? Dhe ti diellin e dytë e do në formën e zemrës, armik!
Krijohet heshtje.
DIALOG SI NË DRAMË
Shpesh po i ngjante ankthit dhe absurdit, si të ishin dialogë të Joneskut, dëgjonin me shumë vëmendje, ata dinin të zbulonin ku fillonte e vërteta dhe ku mbaronte ajo, teksa futej dhuna dhe frika…
Unë nisa të mbaj shënime, që të jem sa më e saktë:
PROFESOR DAMIANO: (serioz) …Koha nẽ hetuesi… Di për Visarin, unë kam lexuar dhe në italisht jo vetëm poezi të tij por dhe njërin nga librat e burgut, “Rrugët e Ferrit”, 9 muaj qendroi i mbyllur në qeli, ndonjëra ishte aq e ngushtë, sa arrije të prekje muret anësore të saj me shpatullat, si të zgjonin natẽn, i shtrirë mbi dysheme duke të vënë majën e çizmes mbi krye dhe të merrnin nẽ pyetje… Si unë tani?
VISARI: Koha atje nuk ishte kohë, mund të them se ishte antikohë. Me pyetjet atëhere ata atje po bënin të ardhmen time, të tashme s’kishte, kurse me pyetjet tani po zbulojmë të shkuarën, kudo ku mund të ketë qenë ajo, të mos harrojmë dhe këtu
PROFESOR DAMIANO: Në qeli s’lejohej as letër e as penë? Si munde të krijosh poezi, që tashmë janë dhe në librat e tu?
VISARI: Me mend i krijova dhe jo pak.
PROFESOR DAMIANO: Po nuk i bëre dot 100 dhe kjo ishte keqardhja juaj.
VISARI; Po. S’po kishte më rëndësi për mua as arrestimi dhe as uria, por poezitë… isha çmendur mrekullisht.
Dhe u lexuan dy poezi, të krijuara me mend: “Ardhja e Pegasit në qelinë time” dhe “Te hekurat e frengjisë”. Duartrokitje, por dhe pezm. Ndoshta ishte imi dhe i Visarit, por jo, jo, ata kuptojnë shumë më tepër se ç’dëgjojnë…
PROFESOR DAMIANO: Dhe pastaj të çuan në burgun-kamp, me të burgosur të tjerë, ku punonit në minierë si skllevër. Ç’ndodhi me poezinë atje?
VISARI: Atje njerizët m’u dukën pothuajse njëlloj, të veshur me rrobat e pista të burgut, të zbehtë dhe të dobët. Fantazma… si dhe unë… a do t’i njihja dot? M’u afrua njëri. Kishim qenë bashkë studentë, s’e dija që kishte rënë në burg, s’i kishte më ato flokët me onde e të mëdha. Me tha: “Mirë se ardhe”. U trondita. Si mundo t’i thuhet tjetrit mirë-se-erdhe në Burg. E dija, që ky ishte vendi yt, – më tha. Ai do të bëhej mecenati im dhe i poezive të mia. Ai më habiti kur më tha aq thjeshtë, sikur po më jepte një cigare: Ti mund të vritesh në minierë, se je i ri dhe nuk ia di punës, por poezitë e tua duhet të shpëtojnë. Ia kisha mërmëritur disa. Do t’i mësojmë ne përmendësh, këtu njoh shokë trima e besnike, fletoren do ta fshehim ne, as ti s’do ta dish ku do jetë…
Shoku im çam, H. B. më ndihmoi t’i shkruaja poezitë se në burg lejohej …shumë se dy faqe, letra dorëzohej e hapur, por mund të bëje gjithë ditën denoncime shtetit. Ne shfrytëzonim këtë mundësi. Poezia dononcim i së keqes ishte, por po e denonconim te vetja, mbase në të ardhmen, po të kishim fat, do të ishte dëshmi.
Lexohen dy poezi të burgut, ajo që ishte e shkruar mbi ftesë “I burgosur” dhe : “Ikonat e arrestura”.
PROFESOR DAMIANO: Dhe ti dole nga burgu, po poezitë?
VISARI: Unë isha bërë ndërkaq “kontrabandist poezie”, arrita t’i nxjerr fshehurazi, gati të gjitha, nga burgu gjatë takimeve me familjen, me nënën, vëllezërit, e kam treguar në libër, ata i futën nën tokë për t’i ruajtur në kopshtin e shtëpisë së motrës. Ne në burg i fusnim në kashtën e dyhshekut, brenda në opinga, në thasë pis, etj.
Kur u lirova, takova njerëzit e mi dhe poezitë e mia, binin erë dhé, djerse të frikës, ishin britma të mbytyra, ishin copa lirie. Kur shkruaja në burg, shpikja lirinë time, nuk ka rëndësi se ku je…
PROFESOR DAMIANO: (…u tregon të pranishmëve, kolegëve të vet, librin voluminoz me poezi “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, botim i “Onufrit”, anastatik, e shfleton…) Këtu janë të gjitha… Dhe… erdhe në Itali si gazetar, pastaj si diplomat… Vazhdove të shkruash… edhe romane.
VISARI: Po. Tregova të vërtetat e mia, që ishin dhe të atdheut. Kurse poezia më dukej sikur ishte ajo që më shkruante mua. Dhe e zbulova pse kisha shkruar në burg, që të krijoja emocionin e gjallë dhe të bukur të njeriut.
PROFESOR DAMAINO: Po shkruaje poezi dashurie?
VISARI: Kurrë nuk shkruajta më “poezi burgu”. Por poezia, kudo që të shkruhet, poezi dashurie është…
Në librin anglisht të Visarit ishin shënuar poezitë që mund të lexoheshi: “Coloseu”, :Të takosh Romeo dhe Zhuljetën në Verona”, “Ketrat në Uashington”, “Bibla në dhomën e hotelit”…
POEZIA SI TERAPI
– Pyetje –
Salla e Konferencave ose Klinika e Poezisë kaloi në pyetje nga të pranishmit.
Sërish nisi me Profesor Stevan M. Weine. Nẽ Bashkimin Sovjetik, – tha ai, – shpesh artistẽt opozitarë futeshin nẽ çmendinẽ, edhe për t’i shpëtuar. Gjatẽ diktaturẽs nẽ Shqipẽri sistemi i trajtonte si tẽ çmendur kundẽrshtarẽt e vet? Ndodhi kjo nẽ Shqipẽri?
Visari u përgjigj: Ndoshta, por rrallë, duhej të kishe mik të fortë lart, në udhëheqje, zakonisht në raste të tilla braktisëshe nga miqtë. Por realiteti ishte ky, vetë Shqipëria ishte një çmendinë e madhe dhe më të çmendurit e të çmendurve, detyrimisht do t’i mbyllje në një vend akoma më të rëndë, në burgje ose në varr…
Po flas për Shqipërinë politike, vazhdoi Visari, por ne kemi një atdhe të mrekullueshëm, të lashtë, të përjetshëm, një popull me virtyte, të cilat ia çmon dhe bota.
Pyetje të tjera, vazhdon profesori psikiatër Stevan M. Weinei: A i njihje ne burg, a kishe lexuar Alen Ginsberg, Anna Ahmatova, Osip Mandelshtam, Yevtushenco?
Visari u përgjigja: I kisha dëgjuar. Në burg kishte intelektualë që kishin studiuar para luftës në Perëndim, në Europë e deri në SHBA dhe pas luftës në Bashkimin Sovjetik dhe në vende të tjera socialiste. Ata na tregonin. Ndërkaq mes poetëve që kam dashur gjithë jetën ishin Sergei Esenin, Walt Whitman.
Për të parin kërkuan ta thoshte edhe një herë emrin, siç duket nuk e kishin dëgjuar të gjithë, kurse me te dytin qeshën me historinë që tregoi Visari. Të dy poetët, pasi u përkthyen, u ndaluan nga regjimi dhe Visari shpjegoi shkurt rrethanat që ne i dimë. Në libraritë e provincës, ku unë jetoja, librin e Whitmanit, – vazhdoi ai, – e shpëtoi tillulli, “Fije bari”, e dinin libër bujqësor dhe e vunë në vitrinë pranë botimeve “Si të rrisim grurin”, “Misri”, “Derri”, më tej ishin librat që tregonin se si të rritej njeriun e ri, komunistët, etj… Ndërsa me Jevtushenkon, përfundoi Visari, jemi pranuam antarë të Pen Club-it Italian në të njëjtën ditë. Ai u gëzua shumë kur i tregova se isha dënuar dhe për poezitë e tij. Pra paskësh qenë i rrezikshëm…
Si ishte liria? – e pyetën Visarin. – Po Italia për ty? Ishin bashkë, – tha, – kur e di ç’janë, të mungojnë. Liria për mua deri atëhere ishte si dritaret e autoburgut, falso, dukeshin nga jashtë, por nga brenda s’kishte dritare. Hapa dritare brenda vetes, u mbusha me gjak drite…
A kanë kërkuar falje? – ishte pyetja tjetër. Një këngëtar italian, – tha Visari, – kur mori vesh që një këngëtar shqiptar ishte dënuar pse kishte kënduar këngë të tij.
Kjo ndodhi në Shqipëri, por Visari nuk tha atë që i ndodhi në Itali, mbase nuk donte të zgjatej a u lodh, Shoqata e Juristëve Europianë, të cilët edhe shkruanin letërsi, ftoi Visarin në Romë dhe i kërkujan falje që pse kolegët e tyre në Shqipëri kishin dënuar një njeri për poezitë e veta. Etj, etj.
Ja dhe pyetja të cilën Visari e parashikoi. Prapë psikiatri, Prof. Stevan M Weine: Keni patur shqetësime të shkaktuar nga trauma e burgut? PTSD (post traumatic stress disorder)? Na thuaj? – pyeti i qetë. Po prisnin të gjithë. Tamam amerikanë. Straight to the point, thashë me vete, Ndjeva tkurrje. Dëgjoj zërin e Visarit të thotë: Ime shoqe mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.
Oh, jo, jo, gati bërtas unë dhe shoh me një buzëqeshje dhembshurisht nga Prof Damiano. Në takimin që kishim patur në mbrëmjen e para ca ditëve me atë, duke treguar për vitet tona të para të jetës së bashku, kisha rrëfyer se gjatë netëve zgjohesha nga të thirrurat e forta të Visarit. E zgjoja dhe e qetësoja, ndërsa vet dridhesha. Pastaj ishte Visari që më qetësonte mua. E mundoheshim të flinim sërish, të përqafuar fort. Me kalimin e viteve të bërtiturat në gjumë po zbeheshin, madje i kishim harruar fare. Tani më pëlqen të bërtas ditën, tha Visari, ka plot arsye.
Por ka gjithmonë një formë rikthimi, e butë, që e sheh nga larg dhe nga lart veten, kohën dhe të tjerët, ja, dhe ky tubim, ku po flitej kaq qetësisht.
Damiano, pasi mori leje, e tregoi vetë. Ishim mes specialistëve të traumës, në një metropol bote, aq shumë njerëzorë.
Trauma e një njeriu është dhe e të gjithëve. E shkuara është dhe në të ardhmen.
Sërish heshtje folëse, i pëlqen Visari kjo shprehje, e shumë admirim për atë, gjë që për mua ishte dhe kurajo për ta shkruar tash. Është vigjilje Krishtlindje e dëgjoj në sfond “O come, o come Emmnuel” e zoti përgjigjet “Unë do të vij, do të jem me ju”.
Dhe po mendoja prapë “Klinika e Poezisë”, do e kërkoja këtë togfjalësh dhe do të gjeja se Klinika e Poezisẽ funksionon vẽrtet si njē lloj “farmacie letrare”, portal online, ku individët paraqesin letra pẽr vẽshtirẽsi tẽ ndryshme që janẽ duke kaluar nẽ jetẽ dhe poetẽt iu pẽrgjigjen me njẽ lloj recete poetike. Cool, thashë me vete. Kishte të drejtë Profesor Stevan M. Weine, që e mbylli takimin duke dhënë raportin përfundmitar:
“Dëgjuam dẽshminē morale tẽ njẽ poeti. POEZIA DHE DASHURIA E KANË SHËRUAR”.
Sa bukur më kumbuan këto fjalë. Janë për të gjithë, besoj, edhe për Shqipërinë.