
Muzeu Kokalari/
Më 18 Dhjetor 1908, me nismën e Bajo Topullit u shpall në Gjirokastër krijimi i Klubit “Drita”. Anëtarët e klubit përfaqësonin shtresa të ndryshme shoqërore dhe ishin kryesisht intelektualë. Ideali dhe qëllimi i përbashkët ishte çlirimi dhe përparimi i mëmëdheut. Në seancën e parë Klubi zgjodhi si kryetar avokatin Petro Poga dhe komisionin për hartimin e statutit. Klubi luajti rol të rëndësishëm në përhapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe, hapja e shkollës së parë shqipe në Gjirokastër që u quajt “Liria”.
Klubi e vazhdoi veprimtarinë edhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, duke pasur ndikim edhe në ngjarjet politike.
Në vitin 1920 del edhe numri i parë i gazetës “Drita”, drejtuar nga Veli Hashorva, një prej anëtarëve të Klubit, i njohur për prirjet demokratike dhe përparimtare.
Programi kombëtarist i gazetës “Drita”, ndihmoi në edukimin kombëtarist të lexuesve, por edhe në emancipimin e shoqërisë tradicionale, duke mbështetur dhe popullarizuar mendimet e ideologut të Rilindjes sonë Kombëtare, Sami Frashëri.
Në foton që po publikojmë, janë anëtarët e Klubit “Drita” në vitin 1924.
Nga personat e identifikuar, në foto janë Sami Dalipi, Tahsin Reso, Muhedin Kalo, Ramiz Harxhi, Beso Nishani, Bastri Çuçi, Victor Cotan, Hajrulla Harxhi, Enriette Coutan, Javer Hurshiti, Liozen, Thoma Papapano, Hysni Babameto, Mehmet Sako, Adem Kallajxhi, Haki Shtino, Pano Hido, Veli Hashorva, Vesim Kokalari, Selaudin Çabej, Muntaz Kokalari, Arshi Çabej, Beçe Budo, Qemal Hashorva, Remzi Karalli, Qemal Kokalari, Elmaz Çani, Kalo Shapllo, Vangjel Koça.
***
Foto nga arkivi i Muzeu Kokalari.