




Klubi Flas Shqip dhe Vatra Miami organizuan mbrëmjen më të madhe festive të Diasporës Shqiptare në South Florida, me rastin e Festës Kombëtare të 28 Nëntorit. Më shumë se 180 të ftuar u mblodhën në sallën madhështore të Marriott Hotel, ku shqiptarë nga të gjitha trevat—nga Shqipëria, Kosova, Çamëria, Maqedonia —festuan së bashku këtë ditë të shenjtë të kombit. Qershia mbi tortë ishin fëmijët e Klubit Flas Shqip. Ata hynë në sallë me himnin e klubit, “Fol shqip se je shqiptar”, duke sjellë emocion të veçantë për të gjithë të pranishmit. Më pas, ata recituan dhe kënduan këngë patriotike, duke na kujtuar se ardhmëria e gjuhës dhe traditës sonë është në duart e brezave të vegjël.
Në fjalën e saj, Dr. Iris Halili, Kryetare e Vatra Miami dhe njëherësh themeluesja dhe drejtuesja e Klubit Flas Shqip, theksoi me krenari se këto dy organizata janë sot ndër më të rëndësishmet në komunitetin shqiptar të Florida-s së Jugut. Ajo nënvizoi se kontributi i tyre është i prekshëm në komunitet, pasi Klubi Flas Shqip u jep mësim falas rreth 70 nxënësve nga Miami, Broward dhe West Palm Beach, por ai është dhe kulturor e identitar —duke qenë pranë komunitetit me një mision të qartë: ruajtjen e gjuhës shqipe dhe trashëgimisë sonë kulturore.
Ajo theksoi se gjuha shqipe është kombi, është lidhja jonë e përjetshme, forca që na bashkon kudo ku jemi, arma me të cilën kemi ditur të mbijetojmë shekujsh. Prandaj ruajtja e saj në emigracion është detyrë, nder dhe amanet brezash. Një nga momentet më të bukura të mbrëmjes ishte edhe ekspozita artistike e fëmijëve të Klubit Flas Shqip. Të frymëzuar nga figurat dhe simbolet kombëtare, ata kishin përgatitur piktura ku Skënderbeu, Ismail Qemali, Shote Galica, flamuri kuq e zi dhe kostumet tradicionale shfaqeshin me një mjeshtëri të veçantë. Të pranishmit i blenë me shumë dëshirë këto punime të vogla artistike dhe të ardhurat shkuan të gjitha për mbështetjen e Klubit Flas Shqip. Ky aktivitet i bëri fëmijët të ndihen krenarë, të njohin më thellë motivet tona kombëtare dhe të përjetojnë gëzimin e kontributit për “shtëpinë” e tyre të përbashkët, Klubit Flas Shqip.
Të pranishmit patën kënaqësinë të merrnin edhe një përshëndetje nga Shqipëria, pikërisht nga miku i vogël i Klubit Flas Shqip, 6-vjeçari Sikan Salaria, nga fshati Salari në Labëri. Ai recitoi me emocion vargjet “O flamur gjak, o flamur shkabë” të themeluesit të Vatrës Imzot Fan Noli. Kënga “Mora fjalë” ngriti në këmbë çdo të ftuar, duke e shndërruar sallën në një det emocionesh. Flamuri i kuq me shqipen dykrenare u valvit nga duart e fëmijëve të vegjël dhe të të rriturve, duke rikujtuar se legjendat mbeten legjenda sepse jetojnë në këngë, në kujtesë dhe në zemrat e njerëzve—ashtu si qëndron përjetë i gjallë në këngë dhe histori heroi Adem Jashari. Pikërisht ky është modeli që duhet t’ua lëmë brezave:Ai që vdes për atdhe, jeton përjetë. Ai nderohet, përmendet dhe është i pranishëm në çdo festë kombëtare.
Festa e Flamurit është, para së gjithash, një përulje ndaj këtyre figurave të sakrificës dhe një nderim për gjithë shqiptarët e mirë që, kudo që jetojnë, e mbajnë flamurin e Skënderbeut me dinjitet, unitet dhe krenari.
Një falënderim të veçantë morën sponsorët që mbështesin misionin tonë:
Allyssa’s Bakery, me President Doug Saraci, sponsori gjeneral
Four Cousins Diner LLC.
Cucina Restaurant
dhe të gjithë miqve që qëndrojnë pranë nismave tona patriotike si mesueset e klubit flas shqip Liljana Rrumbullaku dhe Izabela Panda. Në emër të Klubit Flas Shqip dhe Vatra Miami, i përcjellim falenderime të gjithëve që dhuruan një mbrëmje të paharrueshme SHQIPTARE!