
Marjan Cubi/
Në përkujtime të tilla duhet të thuhet çfarë ka ndodhur dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen. Fatkeqësisht çështja kombëtare shqiptare përgjatë një shekulli ende nuk ėshtë zgjidhur. Pavarësia e shtetit amë, më 28 Nëntor 1912, i gjeti trojet tona të ndara dhe në kaos. Për shkak të fqinjeve grabitqarë trojet tona tkurreshin e të tyret zmadhoheshin, duke i zhvatur tokat shqiptare. Kombi nisi të tkurret nga 1878, në Kongresin e Berlinit, më pas me Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Austro-Hungaria nuk mund t’i bindte Fuqitë e Mëdha të Londrës për të pranuar kufijtë e Shqipërisë Etnike. Fqinjët sllavë e grekë kishin një avokat tëfuqishëm-Rusinë, që në dy pjesë ti ndanin trojet shqiptare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarëve iu shtuan shpresat se do rilindte Shqipëria Etnike, por ëndrrat u shuan në fundin e luftës, kur ata që i ushqyen këto ëndrra të shqiptarëve, dolën humbës.
Gjithsesi pjesa më e shëndoshë e Diasporës nacionaliste, nisi të organizohej dhe të trokiste në dyert e politikës amerikane. Shteti ateist shqiptar i vetizoluar në aventurën komuniste, fatkeqësisht herë lidhej me Beogradin, herë me Moskën e herë me Pekinin, por jo me Amerikën. Si për ironi të fatit ish aleatja e Shqipërisë komuniste, Jugosllavia, që diskriminonte Kosovën, ishte e përkëdhelura e Uashingtonit. Në këto kushte ishte shumë e vështirë për të ngritur zërin e protestës. Diaspora shqiptare nacionaliste në Amerikë: Federata Vatra, Balli Kombëtar, Organizata e Legalitetit, Blloku Kombëtar Indipendent, përpiqeshin që ta kundërshtonin duke u organizuar në protesta kundër komunizmit në Shqipëri dhe kundër komunizmit sllavo-ortodoks, që ushtronte dhunë e terror, burgosje e vrasje, në trojet etnike shqiptare, veçanërisht në Kosovë.
Koha nxori në krye birin e Kosovës, intelektualin e shquar, Kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën. Ai me guxim kundërshtoi represionin, doli në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, ngriti zërin e protestës, dhe u vu në krye të rezistencës. Dr. Rugova ishte udhëheqës me vizion Perëndimor. Ai të gjitha shpresat i kishte tek Amerika, e cila në krye të shekullit XX i pat ardhur në ndihmë Kombit Shqiptar me anë të Presidentit Uillson. Me 9 nëntor 1989 nisi shembja e Murit të Berlinit që ndante dy botë, Lindjen nga Perëndimi, mur që ishte ndërtuar që në gusht të vitit 1961. Po binte perandoria e së keqes. Dr.Ibrahim Rugova së bashku me një grup intelektualësh me 23 dhjetor 1989, e themeluan LDK-në, ndër partitë e para që i parapriu pluralizmit në Ballkan dhe theu monopartizmin ndër trojet shqiptare. Rreth LDK-së Dr. Rugova bashkoi shqiptarët e Kosovës dhe i priu luftës per Liri.
Edhe në Amerikë, shqiptarët kishin arrit ta sensibilizonin këtë shtet, mbrojtës të lirive botërore.Një ngjarje tjetër që duhet përmendë, ishte dhe dëshmia e prillit 1990 në Senatin Amerikan, ku morën pjesë 14 intelektualë të Kosovës, kryesuar nga Kryetari Rugova, si dhe 13 prijës fetarë, përfshirë edhe politikanin intelektual serb Dobriça Qosiç, që deklaroi pas takimit: “E kemi të humbur Kosovën”! Dr. Rugova nisi të bëhej përherë më i pranueshëm dhe i besueshëm për amerikanët dhe ftesat e Uashingtonit u bënëmë të shpeshta. LDK-ja në SHBA, u bë një urë lidhëse mes Kosoves dhe Amerikës dhe një forcë organizuese e protestave që denonconin dhunën policore të shtetit jugosllav… Suksesi ynë në politikën dhe ekzekutivin amerikan, erdhi hap pas hapi: Ka qenë interesant fakti që kur më1990, Kongresi Amerikan, aprovonte Rezolutën: “Heqja e Prioritetit të Jugosllavisë”, ne na dukej se kjo ishte shumë pak, krahasuar me lirinë e plotë – dhe nuk ishim të kënaqur, por kur erdhi koha që në vitin 1999, Senati kërkoi që të përdoren “Të gjitha forcat e nevojshme për të larguar forcat serbe nga Kosova”, natyrisht ne ishim shumë të kënaqur. Për këtë kishim luftuar, protestuar dhe shpenzuar qindra mijëra dollarë.
Tragiedia po i afrohej Kosovës së pambrojtur. Mund të kishte ndodhë e njëjta tragjedi me përmasa si në Bosnjë por largpamësia e Kryetarit Rugova, shmangu përmasat e tragjedisë, duke i shtyrë ngjarjet me strategjinë e Rezistencës Paqësore, duke kërkuar publikisht, “Ne, shqiptarët, duam atë që të fitojnë sllovenët dhe kroatët.” Kam pas fatin që ta përjetoj nga afër takimin e Rambujesë. Në raundin e parë nuk u arrit nënshkrimi, nga serbët, jo se jo, por as nga shqiptarët. U vendos që pas trijavësh të vazhdohej në Paris. Mendoj, se ato 3 javë, i kushtuan shtrenjtë Kosovës. Millosheviçi shtoi trupat, rriti represionin, dhe shkaktoi shumë viktima…nisi shpërnguljen e dhunshme, duke i detyruar shqiptarët të braktisnin shtëpitë dhe pasuritë e tyre. Dhe erdhi kështu dita e 24 Marsit 1999, kur NATO-ja, filloi bombardimet kundër bazave ushtarake terroriste të Serbisë. Nga ana e saj edhe UÇK-ja vazhdoi misionin e saj në tokë, duke kombinuar aksionet e saj me sulmet nga ajri të NATO-s.
12 Qershori 1999 shënoi kapitullimin e Serbisë. Ajo e pranoi më së fundi tërheqjen e trupave pushtuese nga Kosova. Hynë trupat e NATO-s dhe Kosova fitoi Lirinë. Nisi rrugëtimi i vështirë i ndërtimit të Demokracisë.Të nderuar bashkatdhetarë, le të shpresojmë se betejën e vështirë me Serbinë nga një anë, dhe atë të korrupsionit të zyrtarëve tanë nga ana tjetër, do t’i fitojmë dhe Kosova jonë do të ecë perpara drejt Demokracisë! Rroftë e qoftë emri dhe vepra e Arkitektit të Pavarësisë së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova!