Fjala e Kryetarit të Federatës Panshqiptare Vatra z. Dritan Mishto, mbajtur në darkën e Festës së Pavarësisë/
Të nderuara Zonja dhe Zotërinj!/
Të Nderuar Klerikë!/
I Nderuar Z. Mark Gjonaj, Anëtar i zgjedhur i Këshillit Bashkiak të NY/
Të nderuar Përfaqësues të Organizatave dhe Shoqatave pjesëmarrëse!/
Me lejoni që në emër të Federatës Panshqiptare Vatra të uroj secilin prej Jush, Diasporën shqiptare dhe Shqiptarët kudo në botë “Gezuar Festën e Pavarësisë”.
Ne vijmë në këtë festë me një ndjenjë të madhe krenare, kur shohim se në këto 105 vjet, nuk ka pjesë të historisë së Shqipërisë dhe cështjes shqiptare, që nuk gjendet prania mendore, fizike, materiale dhe shpirtërore e Federatës Panshqiptare Vatra. Kjo na bën sot të jemi më të përunjur dhe jashtëzakonisht mirënjohës për gjithë punën kolosale të korifenjve të kombit, njëkohësisht edhe të Federatës sonë, Konicës e Nolit dhe të gjithë drejtuesve të saj ndër vite.
Koha që jetojmë shtron sfida të mëdha për Federatën tonë, ka cështje kombëtare të cilat kërkojnë zgjidhje, ka cështje arsimore dhe kulturore që kërkojmë praninë tonë, ashtu sic ka edhe cështje të tjera të fuqizimit të kapaciteteve ekonomike të diasporës. Sot nuk gjendet asnjë zë tjetër më i fuqishëm dhe me më shumë moral se Federata Jonë për të ngritur dhe mbrojtur këto cështje me rëndësi jetike, ndaj Ne jemi të vendosur për të qenë dhe mbetur në krye të punëve të mira.
Të dashur anëtarë të Federatës,
Ne e garantojmë me solemnitet Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentin Trump se veprimtaria e Federatës Panshqiptare Vatra do të jetë gjithnjë në përputhje të plotë me programin e tyre qeverisës. Me këtë rast, në emër të Federatës Panshqiptare Vatra dhe më gjerë dua të falenderoj Presidentin Trump për të gjithë përpjekjet e tij titanike për ngritjen e autoritetit të Shteteve të Bashkuara në botë. Federata Vatra ka qenë është dhe do të jetë gjithnjë në krah të cdo nisme që do të ndërmarrë Qeveria Amerikane dhe Ne do të kryejmë me seriozitet të plotë detyrat tona si një shtyllë e fuqishme e forcimit të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara.
Zonja dhe Zotërinj!
Të gjithëve na shqesojnë rezultatet e ulta qeverisëse në trojet tona. Federata Panshqiptare Vatra ndjek me vëmendje të madhe veprimtarinë e qeverive të atjeshme dhe deklaron me përgjegjësi të plotë se ne do të jemi kritikë të ashpër të situatave të krijuara dhe nuk pajtohemi me këto situata.
Ndaj, i bëjmë thirrje klasës politike në Shqipëri, Kosovë e kudo që Ditën e Pavarësisë, ta shohin si Ditën e Përgjegjësisë, përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe mbarë kombit.
Në mënyrë të pandërprerë, Federata Panshqiptare Vatra ka festuar Ditën e Pavarësisë për 105 vjet. Kushdo që kthen kokën pas mahnitet nga vitaliteti I Federatës sonë. Festa të tjera do të vijnë. Do të kalojnë dekada dhe shekuj, e sërish, Vatra do të jetë aty, stoike, e fortë dhe e lartë si Zeusi i Kombit shqiptar, sepse rrënjët e saj janë atdhedashuria, mencuria, ndershmëria dhe trimëria. Ndaj këto ngjarje historike le të na shërbejnë si shtysa për më shumë energji pozitive, bashkëpunim dhe mirësi, që ta bëjmë diasporën shqiptare dhe mbarë kombin shqiptar më të fuqishëm dhe më të begatë.
Rroftë Kombi ynë,
Rroftë Federata Panshqiptare Vatra,
Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.