
Kohëra apokaliptike..
( Periudha Covid-19)
E frikshme kërkëllim’ e zvargur e vdekjes,
Rrota që shtrydhin brinjët universit,
Tronditem prej kufomave të hedhura,
Në hambarin e anijes pirate të shekullit!
E frikshme të shoh botën gjunjëzuar,
Në luftën e heshtur, të ligësht, tragjike,
Duket sikur njerëzit ecin pa kokë,
Ç’pikëllim i madh, kohëra apokaliptike!
M’ngjan me dhomat e gazta t’Holokaustit,
Ku m’shoqërojnë sy të trembur, të trishtë.
Maska krejt, ndonëse s’janë karnavalet.
Kambanore që shungullojnë përditë!
E bortë mbulesa nderur meridianeve,
E trisht’, e largët drita tej në horizont,
Kukuvajka s’i ndahet çatis’ sime përnatë,
Bëj ta përzë, po s’e përzë dot!
I frikshëm ky planet i pushtuar nga “murtaja”
Që kukamçefti luan ngutur, në panik,
Më vjen ta braktis këtë bot’ të mbrapsht,
Mirëëë, po ku të ik?!
———————————————-
Unë Pa Ty….
Qytetin, e rreh dendur shiu dhe unë,
Kërkoj gjurmët e puthjeve në këtë urë,
Në gjethet e thata që mbushin parqet,
E ngjasojnë me fokus në një diçiturë.
Në piklat e shiut vështroj lotët e tu,
Vjeshtën që ti e doje e kam marr’ inat,
Kur hedh hapat e kuqërrem’ të imiton ty,
Dhe kthehet në këngë a pikturë në art!
Ec’ vetmuar nën çadër në këtë park,
Që duket se po rrëzon çatinë qielli!
Buzëqeshjen tënde kërkoj nëpër shi,
Oh.., s’është i nevojshëm të dalë dielli!
Qyteti më ngjan me një muze të trisht’
I braktisur, pa kryevepra, pa korniza ar,
Dhe unë pa ty mbledhur si një dorë,
Që i kan’ vjedh’ unazën me margaritar!
————————————————–
Ti s’ishe kryevepër, as perëndi…
Ngjyrave, ju bëra ca kombinime në palet’
Skicova mbi telajo të brishtat konture,
Ju dhashë formë flokëve të tu të gjatë,
E t’i lidha kurorë nënë, siç i mbaje dikur!
Te plastika e fytyrës, eh, aty ndalova!
Gjeta buzëqeshjen që s’qeshje kurrë,
Por kur peneli zbriti mbi dorë,
Mu duk e ngrohtë ajo lëkurë…
Drithëruar e mora duarve telajon,
Lotët ranë mbi të, sikur i shtynin stuhitë.
T’pikturosh portretin tënd, s’është aq e lehtë,
S’mundem të pikturoj mrekullitë!
Dukej se dhe ti, dënesje tok me mua
Befas, si drit’ humbe dhe s’të kapa dot!
Ehhhh! Ti s’ishe kryevepër, as perëndi,
Po, kompozim i thjeshtë, më unik në botë!