
Shpendi Topollaj/
Pasi kisha parë Albumin Fotografik të Dhimitër Vangjelit me pamje nga banorët e Kolonjës të rreth një shekulli më parë, veshur e ngjeshur me kostume moderne të shtrenjta, papionë e kapele republikë, njësoj si qytetarë të metropoleve evropiane, i dhashë të drejtë Fan Nolit të madh, kur thosh: “Do ministra kolonjarë / Se mbahen burra me mend / Duan kudo të jenë të parë / Në mexhlis e në Kuvend”. Por, kur miku im i dashur, doktor Taqo Gjergo më solli katalogun e Ekspozitës “Rilindasit Kolonjarë” e 26 korrikut të vitit 2025, u binda përfundimisht se ai nuk po bënte shaka me këtë përcaktim. Kolonja, vendi i luftëtarëve të shquar atdhetarë dhe treva nga kishin dalë burra e gra sypatrembura, në mbrojtjen dhe përhapjen e gjuhës së bukur shqipe, si domosdoshmëri e momenteve historike që po kalonte Shqipëria, me mençurinë, largpamësinë, kulturën dhe ndershmërinë e tyre, gjithmonë kanë dalë në vijën e parë të përpjekjeve të pareshtura si për liri e pavarësi, ashtu edhe për zhvillimin e arsimit nëpërmjet çeljes së shkollave për djemtë e vajzat kolonjare e më gjerë.
Prandaj, nuk është e rastit që shumë nga këto figura të shquara, kanë zënë vendin e merituar në panteonin e historisë tonë kombëtare, deri edhe në funksione të larta politike e shtetërore, dhe si të tillë jo vetëm që e kanë nderuar vendlindjen e tyre dhe i kanë bërë një shërbim të madh Atdheut, por edhe do të kujtohen me respekt të veçantë brez pas brezi. Pikërisht për këtë, duhen përgëzuar organizatorët e Ekspozitës me në krye zotin Erion Isai dhe ai që e përgatiti atë, i mirënjohur studiues dhe koleksionist Niko Kotherja. Në këtë ekspozitë, nuk janë thjeshtë emrat e Rilindasve apo fotot e tyre të kohës, si Jani Vreto, Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Themistokli Gërmenji, Abdyl Ypi, Shahin Kolonja, Sabri Qyteza, Gjerasim, Sevasti, Gjergj e Parashqevi Qiriazi apo Faik Konica, Theofan Stilian Noli, Mustafa Qulli (Muço), Kristo Luarasi, Pandeli Evangjeli, Papa Kristo Negovani, Spiro Ballkameni, Ilo Mitkë Qafzezi, Zalo Prodani, Qani Ypi, Gani Butka, Mehmet Konica, Abedin Shkëmbi, Fadil Leskoviku, baba Braho Qesaraka me shokë.
Autori është kujdesur të paraqesë artefakte të ndryshme, dorëshkrime origjinale, frontespice librash të autorëve të ndryshëm, facsimile gazetash dhe arrtikuj të shkruar nga patriotët kolonjarë, kopje dëftesash të vitit 1909, kartolina e letra të dërguara nga këta personazhe, pamje nga veprimtaria e shoqërisë “Vatra”, grupe luftëtarësh me armët në supe, botime jashtë vendit si në SHBA, Rumani, Bullgari etj. fletëvolante, negativë fotografik, foto familjare të personaliteteve, grupe nxënësish para shkollës, portrete bashkëshortesh të Rilindasve, si ajo e Nevrez Frashërit, vajza e Naimit dhe gruaja e Shahin Kolonjës, pamje nga lufta kundër andartëve grekë të vitit 1914, poezi kushtuar dëshmorëve, takime të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Parisi, ku dallojnë Pandeli Evangjeli dhe Mehmet Konica, e deri disqe me këngë kushtuar dëshmorit Gani Butka. Është kuptimplotë fakti që ky katalog nis me veprën Jani Vretos; “Mirëvetja”, “Radhuashkronjë” dhe “Numëratorja” të vitit 1886 dhe botimi i tij i “Erveheja” të Muhamet Çamit qysh në vitin 1888 që u përdorën si tekste të shkollave të para shqipe, ku Thanas Sina ishte mësues.
Dhe sa emocion ndien njeriu kur sheh të ulur mes nxënësve të Negovanit, mësuesin dëshmor, drejtor i shkollës së Parë shqipe në Korçë, Petro Ninin, qysh 115 vjet më parë, apo veprën e tij “Mallkim i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqipëtarit”. Dhe më tej, nuk ka sesi të mos ndihesh krenar me veprën e Papa Kristo Negovanit, lajmin e vrasjes të të cilit në moshën tridhjetë vjeçare nga andartët grekë, gazeta “Drita” e Sofjes e ka rrethuar me shirit të zi. Dhe bashkë me të u masakrua dhe i vëllai, Theodosi, veprimtari i shkollës shqipe. Ja dhe dy gratë fisnike, Sevasti dhe Parashqevi Qirjazi, respektivisht me librat e tyre “Gramatikë elementare” (1912), dhe “Abetare” (1915), për të mbërritur te teksti i parë i “Fizika” në shqip, përgatitur nga P. Qiriazi dhe përkthimi i tij për falëtoret shqipe. Pak më tej, dhe ironiku i mençur dhe plot kulturë, ai studenti i dikurshëm i Dizhonit dhe Harvardit, lëvruesi i gjuhës shqipe, filozofi, shkrimtari e diplomati, Faik Konica, kolonjari që krijoi shoqërinë “Përlindja e shqipëtarëve” në Bruksel qysh më 1898, ai që botoi në SHBA revistën “Albania” dhe gatetat “Flamuri” dhe “Trumbeta e Krujës”.
U anatemua ky mendimtar i madh nga diktatura komuniste dhe vetëm pas viteve nëntëdhjetë u rehabilitua dhe eshtrat ia varrosën në kryeqytet, pasi kushdo e dinte se ai ishte i përmasave të tilla, sa i përkishte të gjithë Shqipërisë. E shfleton këtë katalog dhe mrekullohesh kur para syve të vel portreti impozant i At Nolit, këtij burri që ja dinë përmendësh poezitë plot nerv atdhetar, i madh e i vogël, që nuk reshti së punuari atje në Amerikë, ku gjeti një mjedis mjaft miqësor, dhe që me përkthimet e kryeveprave të letërsisë botërore, mbeti një zë i veçantë te ne, duke na sjellë me një shqipe të kulluar Khajamin, Servantesin, Stendalin, Gëten, Llongfelloun e Ibsenin. Noli, ai që përfaqësoi Shqipërinë në Konferencë Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në 1912 dhe që nisi i pari revolucionin demokratik, duke qenë edhe kryeministër, ai që udhëhoqi Kishën Autoqefale dhe u mor edhe me muzikë. Pra, një figurë poliedrike që mbetet mburrja dhe etaloni i racës shqiptare.
Po në këtë linjë del mes luftëtarëve Themistokli Gërmenji, që ja kushtoi jetën përpjekjeve për liri e demokraci, që ishte Kryetar i Këshillit Administrativ të Republikës Autonome të Korçës dhe u pushkatua në Selanik. Para sysh të del libri i patriotit të madh dhe poetit Sali Butka me titullin “Ndjenja për Atdhe” dhe figura e djalit të tij dëshmor me pushkën në dorë. Natyrisht që kujdo i vjen ndër mend çeta e krijuar prej tij apo qënia si anëtar i Komitetit të Manastirit dhe pjesëmarrja në Kongresin e Lushnjes. Ilo Mitkë Qafzezi e gjente me vend botimin e librave me humor “Rrësku arbëror” (1910), “Historinë e Ali Pashë Tepelenës” dhe të tjerë me kuriozitete historike, si ai për Lekën e Madh apo si u zbulua Amerika, dhe Abedin Shkëmbi shkruan dramën historike “Komiteti shqiptar me qendër Selanik”. Është pastaj Muço Qulli ai që boton në Manastir gazetën “Drita” dhe Shkodër e Vlorë, gazetën “Populli”. Nuk duhet harruar se në këtë katalog, një vend të rëndësishëm zenë edhe klerikët e Kolonjës si Vasil Marko Borova, Naum Cere gjithashtu nga Borova etj. për të mbërritur te Shahin Kolonja, publicist, deputet i sanxhakut të Korçës, Kristo Luarasi e Kosta Jani themeluesit e shtypshkronjës “Mbrothësia” që dha një kontribut të djeshëm në përhapjen e kulturës ndër shqiptarët.
Fill pas tij, na vështron portreti i veprimtarit kombëtar Abdyl Ypi me shqipërimet e dramës “Besa” të Sami Frashërit dhe “Kongresa e Dibrës…”, ku ai u zgjodh kryetar në vitin 1909, pra, tre vjet para shpalljes së Pavarësisë. Po në këtë stendë njihesh me një luftëtar me pushkë e gjerdan ngjeshur, që është dëshmori Qani Ypi, të cilin e shoqëron poezia kushtuar atij, ku ndër të tjera thuhet: “Mos ki keq ore Qani / Ti u vrave për flamurë / Sot valon mi Shqipëri / Emri s`të harohet kurrë”. Shohim një kartvizitë të thjeshtë me kuptim të madh; At Vasil Marko Borova i shkruan Jasharit: “Ju urojmë Bajramin përgjithmonë Gëzuarë. 19.5.1928”. Të bën përshtypje Faik Konica me veshje kombëtare duke pritur në 7 mars 1914 pricin Vilhelm Vidi (Wilhelm Friedrich Heinrich), në Durrës apo Mehmet Konica me Isa Boletinin dhe Ismail Qemalin në vitin 1913. Një fakt jo shumë i njohur: Parashqevi Qiriazi, ajo studentja e Universitetit të Stambollit të vitit 1904, paska qenë pjesëmarrëse e Konferencës së Paqes në Paris. Patrioti Zalo Prodani, trupmadh, shkoi për të luftuar në Pogradec, ku dhe u vra, bashkë me Ganiun, ndaj populli u ngriti këngën: “Ju luftuat me një mbret / Nëpër male, nëpër gurë, / Trupi Starovë ju mbet / Trim si ju më s`pillet kurrë”. U vranë në Starovë, ashtu sikurse Muço Çulli me gjirokastritin Çerçiz Topulli, atje në atë fushën e Shkodrës, apo Bajazit Rehova atje në fushën e Korçës, së bashku me dëshmorët e Orman Çiflikut. Veç duhet të ketë qenë e pafund dashuria e kolonjarëve që luftonin e vriteshin kudo e lypte nevoja e Atdheut. E kështu vijon ky katalog kushtuar Rilindasve kolonjarë, të cilët janë të shumtë dhe kanë shkruar faqe të tëra lavdie, të cilat i çuan më tej djemtë e vajzat kolonjare, me heroizmin që treguan gjatë Luftës Nacional – Çlirimtare dhe që veç të tjerave, dhe që i ka pasqyrur aq mirë gazeta prestigjoze “Kolonja”, e drejtuar me kompetencë nga zotërinjtë Kristaq Lako e tani nga Josif Risto. E vogël është Kolonja, por më thoni tani; a kemi të drejtë ne kolonjarët që të jemi krenarë për të shkuarën tonë? Dhe a ishte i saktë Noli i pavdekshëm, kur thosh se kolonjarët mbahen burra me mend dhe duan të jenë në çdo mexhlis të parë, deri edhe kryeministra?