
Sot i gjithë kombi shqiptar përkujton në 15-vjetorin e largimit nga jeta, Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, udhëheqësin, shtetarin, filozofin dhe themeluesin e Kosovës së pavarur e moderne. Doktor Rugova ishte një mendje brilante dhe një kapacitet intelektual ndërkombëtar. Ai e ktheu Kosovën në një çështje ndërkombëtare duke bindur dhe mahnitur me urtësinë e tij politike dhe filozofinë e tij kancelaritë në Europën Perëndimore dhe diplomacinë në Uashington. Angazhimi i Tij i pa ndalur për zgjimin kombëtar, vizioni shtetformues për Kosovën Republikë, shembulli i tij dhe angazhimi për paqen, lirinë, zhvillimin, demokracinë dhe bashkëjetesën në rajon, mbeten frymëzim i gjallë për brezat që do vijnë. Doktor Rugova kaloi një jetë në shërbim të atdheut, një mision në shërbim të kombit, një synim të vetëm jetësor për shtetndërtimin e institucioneve të forta e rritjes së mirëqënies së qytetarëve në Kosovën e lirë. Doktor Rugova ishte prijësi historik dhe lideri shpirtëror në krejt hapësirat shqipfolëse dhe jo vetëm. Emri i tij është gërmëzuar me shkronja ari në historinë e lavdishme të Kosovës së bekuar. Asnjëherë më shumë se sot Kosovës dhe kombit shqiptar i nevojitet testamenti filozofik i Presidentit Rugova: unifikim shtetëror e kombëtar, bashkëpunim dhe dashuri mes njëri-tjetrit. Lobimi, urtësia dhe vendosmëria e Doktor Rugovës përcaktuan fatet e historisë dhe udhëtimin e pandalur të Kosovës së Lirë dhe të Pavarur. Falë mbështetjes së miqve ndërkombëtar të Kosovës, veçanërisht miqësisë së përjetshme të SHBA-se, Kosova fitoi Lirinë e Pavarësinë. Veprimtaria politike e Dr. Rugovës frymëzoi mendimin kritik, të vizionit pro perëndimor dhe antikomunist. Ky përvjetor i 15-të i ikjes së Doktor Rugovës na bën të ndiejmë dhimbje për mungesën e madhe, por njëkohësisht krenarë dhe dinjitozë për veprën që Doktor Rugova na trashëgoi.
I paharruar përkujtimi për Presidentin historik, filozofin dhe shtetarin e madh të Kosovës e kombit shqiptar Dr. Ibrahim Rugova.
Me respekt të veçantë
Përulësisht
*Kryetari i VATRËS
Elmi Berisha