Nga Anila Struga/ TIRANË, 4 Qershor/– Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat Evropiane të Fqinjësisë, Štefan Fyle deklaroi sot në Tiranë se gjithëpërfshirja dhe bashkëpunimi janë thelbësore për suksesin në rrugën e integrimit në BE.
Në përfundim të punimeve të raundit të tretë të dialogut Shqipëri-BE, Komisioneri, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, tha se ‘bazuar në gjetjet tona ne konfirmojmë pa pikë dyshimi, pa kushte dhe pa rezerva rekomandimin që shtetet anëtare t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat”.
“Ne, vijoi Fyle, e kemi bazuar gjithmonë këtë rekomandim tek angazhimi politik, i vazhdueshëm dhe i vendosur në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe në angazhimin për një reformë gjyqësore gjithëpërfshirëse. Jam i inkurajuar nga përpjekjet për reforma në të shkuarën, por dhe ato që vazhdojnë sot, ndaj shoh një argument të fortë për një vendim pozitiv nga vendet anëtare”, shtoi Fyle.
Ai theksoi se përkushtimi i këtij momenti dhe përpjekjet e tanishme duhet të vazhdojnë dhe të intensifikohen përtej takimit të qershorit të vendeve anëtare, në mënyrë që të garantohet pakthyeshmëria e reformave. “Sa i takon shtetit të së drejtës këto reforma duhet të jenë gjithëpërfshirëse, koherente dhe të orientuara drejt rezultateve”, tha Fyle.
Ai iu referua miratimit së fundi nga qeveria të udhërrëfyesit për prioritetet kyçe, duke e konsideruar një dokument të reformave të mëtejshme që kanë të bëjnë me BE-në, dhe që do e sjellin vendin në një fazë tjetër të procesit të zgjerimit.
“Po ashtu kam mirëpritur synimin e qeverisë për të patur së shpejti seancën e parë të atij që njihet si Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian dhe për të sjellë në një tryezë të hapur të gjitha palët e interesuara për çështje që kanë të bëjnë me BE-në. Gjithëpërfshirja dhe bashkëpunimi janë thelbësore për suksesin e ambicjeve tuaja për integrim në BE”, nënvizoi Komisioneri.
Ai theksoi se klima e vazhdueshme konfrontuese politike e dëmton imazhin e Shqipërisë dhe mund të pengojë procesin e reformave. “Si qeveria dhe opozita duhet të tregojnë moderim dhe të ndërveprojnë në mënyrë konstruktive, me një qasje që të bazohet tek kompromisi. Ne mbetemi të përkushtuar që të punojmë së bashku me Shqipërinë dhe ta ndihmojmë atë në procesin për t’u integruar në BE”, tha Fyle