![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2023/02/csm_lidhja-e-prizrenit_9e55794495-1024x512.jpg)
Valent Qafleshi – historian/
Lidhja Shqiptare e Prizrenit qe një organizim politik i parisë së katër vilajeteve shqiptare në Perandorinë Osmane, themeluar zyrtarisht më 10 qershor 1878 në xhaminë Bajraklie të Prizrenit, ku deri një vit përpara ishte qendra e Vilajetit të Kosovës.
Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë. Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman.
Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë Kuvendi i nisi punimet. Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarë shqiptarë zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110-të.
Ndërtesat ku është mbajtur ky Kuvend Themelues LSHP, është shndërrua në Kompleks Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me dy galeri të ekspozitës dhe të etnologjisë, si dhe muzeut historik. I cili vizitohet nga vizitorë vendor e të huaj në mënyrë të organizuar dhe individual.
Në këtë punim do të trajtomë Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dokumenteve, veshjeve, stolive dhe pajisjet tjera të periudhës historike ku është mbajt Kuvendi i Lidhjes Shqiture të Prizrenit e në të cilën përfshihen:
Galeria e artit figurativ,
Sektori etnologjike dhe
Muzeu historik i Lidhjes.
Kompleks Momental Historik i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, është i mbushur me fakte shumë të rëndësishme për historinë e kombit tonë, me karakteristika dalluese nga objektet tjera të trashëgimisë historike të qytetit të Prizrenit.
Vizitohet nga vizitor vendor dhe të huaj, në mënyrë individuale dhe të organizuar përmes ekskursioneve me nxënës e student, me studiues e hulumtues të ndryshëm, ngase ky kompleks Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, simbolizon historinë tonë më të lavdishme kombëtare.
Ciceronet historik e etnologjik të Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e prezantojnë të kaluarën tonë historike përmes shpjegimeve gojore dhe pamjeve vizuale.
Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si tërësi urbanistike dhe arkitektonike në aspektin hapësinor shtrihet në qendër të qytetit të Prizrenit dhe ka vlerë të veçantë kulturore, historike, arsimore, shoqërore dhe mjedisore.
Ky Kompleks ndodhet në mes të lumit Lumbardhi, Kompleksit të Marashit (Mësonjëtorja Dersëhanja), Rrapit të Marashit, dhe shpateve të Kalasë së Prizrenit.
Në kuadër të Kompleksit ndodhen Ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit, Muzeu, Biblioteka dhe Leximorja, Galeria e Arteve, Medreseja, Xhamia e Mehmet Pashës, Tyrbja si dhe objektet e banimit.
Në këtë Kompleks është mbajtur Lidhja e Prizrenit – një organizim politik i vilajeteve shqiptare me 10 qershor, 1878 e qe si qellim kishte mbrojtjen e territoreve shqiptare nga aneksimi i shteteve fqinjëve dhe bashkimin e shqiptarëve në një vilajet autonom.
Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është njëra nga vlerat më të çmuara të Trashëgimisë historike të Prizrenit.
Ky kompleks monumental është ndërtuar nga Gazi Mehmet Pasha, në gjysmën e dytë të shekullit 16-të.
Në këtë objekt u mbajt Kuvendi Themelues i Organizatës Politike Ushtarake e Mbarëkombëtare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ky organizëm me rëndësi të madhe historike, në fillim të vitit 1881, arriti të formojë Qeverinë e Parë të Përkohshme Shqiptare me kryetar Ymer Prizrenin.
Deri në mesin e vitit 1968, Dresëhanja (mësonjëtore e Medresesë së Gazi Mehmet Pashës) funksionoi si zyre e Këshillit Komunal të bashkësisë Islame të Prizrenit.
Në korrik të vitit 1967, themelohet Enti për Urbanizëm dhe Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore dhe të Bukurive Natyrore të Komunës së Prizrenit. Ky institucion, me Vendim nr. 260/68, të datës 5 prill 1968, në bazë të nenit 44 pika 8 të Ligjit për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore (fleta zyrtare nr. 3/66), vlerëson si përmendore Rezidencën Qeveritare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe objektin e vuri nën mbrojtjen e shtetit.
Me rastin e shënimit të 90-të vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Rezidenca shndërrohet në Muze të Lidhjes së Prizrenit, me funksion të ruajtjes dhe prezantimit të eksponateve, që kishin shpëtuar prej rrebesheve të kohës, qofshin ato dokumente, apo dhe eksponate tredimensionale.
Me 10 qershor 1968, ishte bërë hapja solemne e saj.
Në 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më vitin 1978, u kryen punimet restauruese dhe konservatore, në objektin e dikastereve të Lidhjes. Në përdhese u inaugurua sektori etnologjik.
Sektori etnologjik i Kompleksit
Sektori etnologjik përfshin pesë dhoma të katit përdhese të ish medresesë.
Ky sektor ka 650 eksponate të veshjeve kombëtare, zejeve dhe artizanaleve të periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Eksponatet janë nga Kosova, Shqipëria, viset shqiptare të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi.
Nga Kosova përfaqësohen veshjet kombëtare të Prizrenit, të Gjakovës, të Deçanit, të Rugovës, të Junikut, të kardiakut të Gjilanit etj.
Nga Shqipëria përfaqësohen nga veshjet kombëtare, armetë dhe stolitë e rajonit të Mirditës, të Malësisë së Tiranës dhe të Lunxhërisë e Përmetit.
Nga viset shqiptare të Maqedonisë së Veriut përfaqësohet veshjet kombëtare të malësisë së Tetovës, të Kumanovës, të Dibrës dhe të Kërçovës.
Ndërsa, nga viset e shqiptare të Malit të Zi përfaqësohen veshjet kombëtare të Plavës e Gucisë, të Ulqinit dhe të Krajës.
Prej periudhës 1981-1999 u ndërpre veprimtaria rreth grumbullimit të mëtejmë të eksponateve etnologjike, andaj ndihet nevoja për të blerë veshje të caktuara për burra dhe gra, armë, stoli dhe objekte zejtare të viseve mbarë shqiptare për konsolidimin e sektorit etnologjik të kompleksit monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Galeria e arteve të kompleksit të LSHP
Galeria e arteve figurative përfshin katin e parë të ish Medresesë dhe ka 61 eksponate figurative të ekspozuara dhe 33 sish në depo.
Kryesisht portretizohen figurat më markante të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe piktura nga ngjarje historike të periudhës së Lidhjes.
Muzeu historik i Kompleksit Monumental të LSHP
Muzeu u Kompleksit të ndodhet në ndërtesën e Lidhjes ka eksponate të ndryshme si harta historike, fotografi, dokumente origjinale të Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe mjete personale të personaliteteve pjesëmarrëse të krijimit dhe Kuvendit të lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në vitin 1986, Muzeu i Lidhjes, u grabit Unaza e arit e Ymer Prizrenit, një relikt jashtëzakonisht i çmuar dhe më vlerë të shumë të madhe, ndërsa në vitin 1991, u vodhën dymbëdhjetë eksponate origjinale nga Muzeu Historik i Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Më, 27 mars të vitit 1999, u dha urdhri që Muzeu Historik i Lidhjes Shqiptare të digjet se bashku me të gjitha eksponatet, duke i dëmtuar dhe të gjitha monumentet tjera që gjendeshin në oborrin e kompleksit, ndërsa pas disa ditëve e rrafshojnë vendin dhe në vend të kësaj ndërtesë mbjellin thera.
Rindërtimi dhe përurimi i godinës së Muzeut Historik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u bë me rastin e festës së 28 Nëntorit të vitit 1999, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit.
Pas rindërtimit të këtij muzeu, ai u pasurua me disa eksponate të riprodhuara dhe relikte origjinale të kohës.
Sot ky Muze posedon gjithsejtë 1159 eksponate dhe bibliotekën me gjithsejtë 874 ekzemplarë. Prej eksponateve sektori e historisë i ka 101 eksponate të ekspozuara dhe 214 tjera në depo.
Menaxhimi dhe Mbrojtja e Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Ky kompleks, menaxhohet drejtpërdrejtë nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore
të Prizrenit, përgjegjësi i Kompleksit, shefi i sektorit të Historisë, shefi i sektorit të etnologjisë dhe të galerisë së arteve figurative.
Ndërsa institucionet për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë historike-kulturore janë:
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Prishtinë
Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore (KKTK).
Muzetë
Arkivat, OJQ si, “CHWB”, “Ec Ma ndryshe” etj.
Si dhe me Ligjin Nr. 04/L-066 për Qendrën Historike të Prizrenit, përfshin edhe këtë kompleks, i cili sipas nenit 1, të këtij ligji thuhet, “qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për mbrojtjen, administrimin dhe zhvillimin bashkëkohorë të qëndrueshëm të Qendrës Historike të Prizrenit si pronë e trashëgimisë kulturore dhe historike në mbrojtje të përhershme dhe të klasifikuar si Zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar”. Me këtë ligj parashihen dispozitat për ruajtjen dhe mbrojtjen e Trashëgimisë historike të Prizrenit.
Përfundimet
Studimi trajton Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe vizitatave që i behën qofshin ato të rastësishme ose të organizuara nga vizitorë vendor e të huaj, me të cilën më se miri shprehet historinë publike, me interesimin e tyre për çdo imtësi historike që shohin e dëgjojnë nga ciceronet e kompleksit, e ku janë të ekspozuar në muzeun historik, galerinë e arteve figurative dhe seksionin e etnologjisë, dhe mbresat e krijuara do ti bartin tek personat tjerë.
Ndërsa, menaxhimi dhe mbrojta e Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bëhet nga institucionet komunale e qendrore, po ashtu edhe me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit.
Në veçanti nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe stafi i Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke filluar nga përgjegjësi i Kompleksit, shefi i sektorit të muzeut historik, shefi i sektorit etnologjik dhe galerisë së artit figurativ.
Bibliografi
Alija Kosovare, Menaxhimi i programeve për ruajtjen e historisë dhe vlerësimi i lëndës arkivore, Revista periodike “Arkivistika 1-2”, Tiranë, 2017.
Katalogu me eksponate nga rajoni i Prizrenit; botues, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore-Prizren, Prizren, 2017.
Ligji Nr. 04/L-066 për Qendrën Historike të Prizrenit.
Marrë nga shpjegimet e përgjegjësit të Muzeut të Kompleksit Monumental të LSHP, Dashnor Uka.
Vendimin nr. 260/68, dt. 05.04.1968, i Entit për Urbanizëm dhe Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore dhe të Bukurive Natyrore të Komunës së Prizrenit.