
Organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, në ambientet e amfiteatrit të Institutit të Historisë, sot nisi Konferenca e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, në të cilën mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
I shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kryeministri Kurti ishte folës kryesor në hapjen e kësaj konference të IKKL-së e cila ka për qëllim të trajtojë përmasat, pasojat, dokumentimin dhe ndëshkimin e krimeve të kryera gjatë luftës së viteve 1998-99 në vendin tonë.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti potencoi para të pranishmëve se kjo konferencë është një dëshmi e vendosmërisë sonë për të mos harruar ata që ranë në rrugën e çlirimit, ata që ende kërkojnë të afërmit e tyre të zhdukur me dhunë, për të cilët kemi përgjegjësi morale, shoqërore dhe institucionale që krimet të mos mbeten të pandëshkuara dhe të mos përsëriten kurrë më. Më tej, ai shtoi se konferenca e sotme dhe vëllimi akademik që do të pasojë, dëshmojnë përkushtimin tonë për ta adresuar të kaluarën me fakte dhe përgjegjësi.
“Shteti i Kosovës mbetet i palëkundur për të zbardhur të vërtetën, për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për të garantuar që drejtësia do të vihet në vend.
Institutin për krimet e Kryera Gjatë Luftës e kemi themeluar me misionin fisnik, dokumentimin e të vërtetës historike. Konferenca e sotme dhe vëllimi akademik që do të pasojë, dëshmojnë përkushtimin tonë për ta adresuar të kaluarën me fakte dhe përgjegjësi”, tha ai.
Kryeministri theksoi se krimet nuk mund të mbeten në heshtje, e as të mbulohen me harresë, andaj ne vazhdojmë të flasim, të shkruajmë dhe të dëshmojmë, derisa çdo krim të dokumentohet e ndëshkohet, e çdo viktimë të ketë drejtësi.
Kjo konferencë ndërkombëtare e organizuar nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë do të zgjasë tri ditë dhe do të mbledhë për diskutim pjesëmarrës nga fusha të ndryshme, përfshirë profesorë, akademikë, studiues, drejtues e përfaqësues të institucioneve dhe të organizatave të shoqërisë civile.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Është nder që sot të jem pjesë e hapjes së kësaj konference ndërkombëtare, e cila ka për qëllim të trajtojë përmasat, pasojat, dokumentimin dhe ndëshkimin e krimeve të kryera gjatë luftës së viteve 1998-99 në vendin tonë.
Kosova ka përjetuar një periudhë të errët, me dhunë, me krime të rënda të luftës dhe krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat e ndryshme të armatosura të shtetit të njëjtë, Serbisë. Populli ynë i ka mbijetuar gjenocidit, spastrimit etnik dhe shkatërrimeve masive.
Me mijëra të vrarë, të zhdukur dhe të dëbuar, me viktima e të mbijetuar të dhunës seksuale, me dënime të pamatshme materiale e shpirtërore, pasojat e luftës ndjehen ende. Familjarët e viktimave e dinë dhembjen më mirë se kushdo. Çdo ditë jetojnë me kujtimet që dhembin, me mungesën që nuk mbushet.
Krimet nuk mund të mbeten në heshtje, e as të mbulohen me harresë. Andaj ne po vazhdojmë të flasim, të shkruajmë dhe të dëshmojmë. Derisa çdo krim të dokumentohet e ndëshkohet. Derisa çdo viktimë të ketë drejtësi.
Shteti i Kosovës mbetet i palëkundur për të zbardhur të vërtetën, për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për të garantuar që drejtësia do të vihet në vend.
Institutin për krimet e Kryera Gjatë Luftës e kemi themeluar me misionin fisnik, dokumentimin e të vërtetës historike. Konferenca e sotme dhe vëllimi akademik që do të pasojë, dëshmojnë përkushtimin tonë për ta adresuar të kaluarën me fakte dhe përgjegjësi.
Ne po e çojmë përpara këtë përpjekje duke ngritur kërkimin shkencor dhe duke ndërtuar mekanizma të qëndrueshëm për dokumentim. Sepse përgjegjësi të përbashkët kemi që të gjithë: institucionet e Republikës së Kosovës, akademia e universiteti, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.
Të nderuar pjesëmarrës,
Kjo konferencë është edhe një dëshmi e vendosmërisë sonë për të mos harruar. Për ata që ranë në rrugën e çlirimit, për ata që ende kërkojnë të afërmit e tyre të zhdukur me dhunë, ne kemi përgjegjësi morale, shoqërore dhe institucionale që këto krime të mos mbeten të pandëshkuara, dhe të mos përsëriten kurrë më.
Në emër të Republikës së Kosovës, ju falënderoj për përkushtimin dhe për dashurinë që tregoni e dëshmoni për të vërtetën. Me mirënjohje për punën tuaj, ju uroj suksese në këtë konferencë.
Gëzuar Dita e Pavarësisë!
Lavdi të rënëve për liri! Rroftë Kosova Republikë, e pavarur dhe sovrane!