
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”/
Histori, Kujtesë dhe Ndërgjegje Kombëtare
Në kuadër të Muajit të Çamërisë, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” organizoi një konferencë shkencore me pjesëmarrjen e disa prej emrave më të njohur të historiografisë shqiptare, të cilët trajtuan me profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përgjegjësi akademike një nga plagët më të thella të historisë kombëtare shqiptare – Çështjen Çame.
Në hapje të konferencës, Alket Veliu, Drejtues i Fondacionit, theksoi se “Çështja Çame nuk është thjesht një histori e mohuar, por një padrejtësi e gjallë. Kjo plagë nuk është mbyllur sepse drejtësia nuk është vënë. Kërkojmë njohjen dhe respektimin e të drejtave humane të shqiptarëve të Çamërisë.”
Z. Veliu në fjalën e tij thekson: ‘Është koha që të hapet një dialog i vërtetë historik, mes studiuesve dhe institucioneve akademike të të dy vendeve ndaj dua te perserit kerkesen tone ndaj shteti shqiptar: per ngritjen e nje komisioni te perbashket historianesh grek dhe shqiptar per te ndricuar kete pjese te erret te historise tone. Nëpërmjet fakteve dhe dokumentave historik te ndertohet qasja e duhur politike ndaj kesaj çeshtje.
Vetëm përmes njohjes së verteted dhe krimeve të ndodhura ndaj shqiptarëve çamë, dhe dënimit moral dhe historik të tyre, mund të sigurojmë që ato të mos përsëriten më.’
Akademik Pëllumb Xhufi solli një analizë të hollësishme të raportit mes shtetit shqiptar dhe Çështjes Çame, duke vënë në dukje përgjegjësinë institucionale në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë.
Prof. Hamit Kaba, Drejtor i Institutit të Historisë, foli mbi dëbimin e shqiptarëve të Çamërisë si një akt i paramenduar nga shteti grek dhe dëshmi e një politike sistematike të spastrimit etnik.
Dr. Ledia Dushku trajtoi dimensionin njerëzor përmes punës kërkimore mbi rrëfimet e të mbijetuarve të shpërnguljes dhe dhimbjes që mbartin edhe sot duke vendosur theksin te kujtesa për këtë çështje.
Dr. Maringlen Kasmi solli në vëmendje bashkëpunimin e Napolon Zervas me forcat gjermane gjatë viteve 1943-1944 dhe ndikimin që pati kjo në tragjedinë çame, duke ofruar një trajtim historik të thelluar.
Hajredin Isufi përqendroi referatin e tij mbi rolin e shqiptarëve të Çamërisë në luftën antifashiste, duke dëshmuar se viktimat e genocidit ishin edhe pjesëmarrës aktivë në rezistencën kundër pushtimit.
Vetëm përmes kujtesës historike dhe dënimit moral të padrejtësive, mund të ndërtojmë një të ardhme që garanton se tragjedi të tilla nuk do të përsëriten më.