
Rafaela Prifti/
Ekipet e negociatorëve nga Izraeli dhe Hamasi kanë arritur të pranojnë pikat kryesore të një armëpushimi në bisedimet që po mbahen në Kajro të Egjiptit, ka bërë të ditur një zyrtar i lartë sot, por detajet e paktit nuk janë bërë ende të njohura. Sulmi i Hamasit në jug të Izraelit gjashtë muaj më parë ndezi luftën më të përgjakshme mes Izraelitëve dhe Palestinezëve. Nga raportimet e gazetarëve në terren, njoftimet zyrtare dhe komentet e disa analistëve politik mund të krijohet një tablo ku dalin pasojat e konfliktit në mbarë Lindjen e Mesme si edhe gjasat për vatrat e tjera të luftimeve.
Si ka ndryshuar Izraeli në këto gjashtë muaj?
Nga sulmi i datës 7 tetor gjetën vdekjen 1,200 individë sipas të dhënave nga qeveria izraelite. Brutaliteti i sulmit të beftë ringjalli traumën e Holokaustit per nga shkalla e akteve krimale nga rrjedh edhe reagimi i fortë i popullsisë. Brenda natës u mobilizuan qindra skuadra civile brenda në Izrael. Izraelitët besojnë se në Gaza nuk ka “civilë të papërfshirë në sulm”. Mbi 250 pengje u cuan nga Izraeli ne Gaza përfshire edhe disa të vrarë. Trupave të pajetë ju ishin prerë kokat dhe disa ishin dhunuar, në akte të dokumentuara nga OKB-ja. Izraelitët shikojnë pa pushim lajmet e mediave të tyre ku nuk jepet asgjë nga tmerret që po vuajnë palestinezët nga lufta në Gaza.
Rrafshimi i Gazës
Bombardimet e pareshtura si kundërpërgjigje ndaj sulmit të 7 tetorit e kanë rrafshuar Gazën. Numri i palestinezëve të vrarë ka kaluar të gjitha shifrat e mëparshme të vdekjeve nga të gjitha luftat e historisë së tyre. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, janë mbi 33,000 të vrarë, nga këta dy të tretat besohet se janë civilë dhe 75,000 të plagosur. Të vrarët janë varrosur nën gërmadhat e ndërtesave të bombarduara nga Izraeli. Nuk ka rrugë shpëtimi për ata që jetojnë aty dhe as ndihma ushqimore. Kombet e Bashkuara parashikojnë se uria veçanërisht tek fëmijët është çështje imediate. Në një territor ku banojnë 2 milion palestinezë, shtëpitë, rrugët, vendet historike, kanalizimet, spitalet janë shkatërruar në masën më të madhe ose nuk ekzistojnë më.
Muajin e kaluar nga anketimi i opinionit publik del se 71 për qind e palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Gaza e shikojnë sulmin e Hamasit si fitore të rezistencës ndaj pushtimit izraelit. Secila palë e shikon veten si viktimë dhe palën tjetër si pushtues.
Efekti i luftës në Shtetet e Bashkura
Në ditët e para të sulmit të Hamas-it, Amerika ishte në krah të Izralit. Presidenti Biden vizitoi Izraelin dhe u takua me Kryeministrin Benjamin Netanyahu në aeroport ndërsa në Tel Aviv kishte luftime dhe bombardime ajrore. Por kësaj radhe kundërveprimi agresiv izraelit nuk pati përkrahjen e të dyja partive siç ndodh zakonisht në Amerikë. Duke filluar nga disa anëtarë të Partisë Demokratike te protestat në qytetet studentore dhe në përgjithësi në reagimet publike nuk pati miratim masiv për mësymjen agresive të Izraelit. Veç armatimeve të dërguara deri tani, Presidenti Biden propozoi edhe një paketë tjetër prej 14 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Izraelin që tani është bllokuar në Kongres. Presidenti, nga momentet e para të solidarizimit nisi të shprehte disa qëndrime kritike dhe në thirrjen e fundit telefonike me Kryeministrin Netanyahu i drejtoi kërkesë urgjente për mbrojtjen e civilëve palestinezë dhe lejimin e ndihmave humanitare në Gaza: Nëse Izraeli nuk e ndryshon kursin e luftës, Amerika do ndryshojë qasjen e saj ndaj Izraelit. Brenda disa orëve, karvanët e ndihmave u lejuan të hyjnë në Gaza. Qëndrimet në fillim të luftës në muajin tetor nuk koordinojnë me ato të tanishmet në prill dhe kjo është risi e rëndësishme.
Pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme
Për herë të parë në dhjetra dekada konflikti ka vendosur çështjen palestineze në plan të parë në arenën ndërkombëtare. Qysh pas krijimni të shtetit të Izraelit pas luftës arabe-izraelite të vitit 1948, palestinezët nuk kanë atdhe. Në këto 76 vjet, 6 milionë refugjatë palestinezë, familje të tëra që brez pas brezi janë përzënë ose iu është bërë e pamundur të kthehen në shtëpitë e tyre. Emiratet e Bashkuara Arabe ishin angazhuar në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin vitin e kaluar ndërsa Jordania që ka traktat paqeje me Izraelin thotë se nuk mund të ketë siguri pa u adresuar çështja kyçe palestineze. Numri i civilëve të vrarë në Gaza sjell protestues të përditshëm përpara ambasadës izraelite në Aman dhe zemërim ndaj Shteteve të Bashkura si furnizuesi kryesor i armatimeve për Izraelin. Në Liban, situata në kufirin jugor është e paqëndrueshme nga sulmet e forcave izraelite kundër grupeve militante të Hezbollahut të mbështetura nga Irani. Goditja e një aneksi të Ambasadës së Iranit muajin e kaluar në Damask të Sirisë nga ana e Izraelit, siç u deklarua, ndjell frikën e përhapjes së luftës dhe krijimin e fronteve të reja në rajon.
Qasja e Amerikës për të mos lejuar zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme
Shtimi i forcës detare amerikane në Mesdheun lindor konsiderohet si masë parandaluese kundër përhapjes së konfliktit. Megjithate disa baza të vogla në Siri dhe Irak u goditën nga grupet militare. Si kundërpërgjigje, Amerika ndërmori operacione ajrore në të dyja vendet. Flota detare amerikane patrullon bregdetin e Jemenit për të mos lejuar sulmet me raketa të Hutëve ndaj anijeve tregtare por ato kanë vazhduar pa u ndalur. Zyrtarët amerikanë thonë se Irani fshihet pas këtyre grupeve që i financon për të shtuar trazirat në Lindjen e Mesme, gjë e cila nuk është materializuar deri tani në konflit më të gjerë por gjendja është shumë e tensionuar.
Vrasja e shtatë vullnetarëve, midis tyre një amerikan, të shoqatës humanitare World Central Kitchen në Gaza
Ky mund të jetë momenti kthyes për të ushtruar më shumë presion ndaj Izraelit. Tashmë qeveria ka pranuar hapjen e një pike kalimi dhe lejimin e karvanëve të ndihmave në dy kalimet e tjera. Meqë Izraeli nuk lejonte transportimin e ushqimeve me kamionë, shoqata humanitare WCK organizoi shpërndarjen me anije, ndërsa Amerika dhe shtete të tjera dërgonin paketa nga ajri. Sot, vetëm gjysma e ndihmave arrin në Gaza në krahasim me sasinë e dërguar në periudhën para luftës, ndërkohë që gjendja është shumë më e rënduar për shkak të shkatërrimit të infrastrukturës, të linjave ushqimore dhe kanalizimeve.
Çfarë e bën këtë konflikt të jetë ndryshe nga të tjerët?
Vendet fqinje të Izraelit janë mësuar të mos presin siguri afatgjate në rajonin ku Izraeli dominon ushtarakisht. Tani, për herë të parë ka një fije shprese për një zgjidhje për Palestinën, thonë analistët. Ndërsa gazetarët njoftojnë se ky konflikt nuk ka krahasim me asnjë mbulim tjetër mediatik ngaqë Izraeli nuk lejon asnjë reporter të hyjë në Gaza me përjashtim të vizitave të shkurtëra nën shoqërimin e trupave izraelite. Numri i gazetarëve vendorë dhe punonjësve të mediave të vrarë në këtë konflit ka arritur shifra të papara në luftat e deritanishme. Sipas të dhënave nga Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve, 90 gazetarë kanë humbur jetën në gjashtë muaj. Organizata e Kombeve të Bashkuara njofton se 170 punojës të saj janë vrarë si pasojë e luftimeve.
Gazetarët përshkruajnë sesi nga një aksion i një njësiti special izraelit për lirimin e dy pengjeve të tyre gjetën vdekjen disa dhjetra palestinezë. Rasti është tregues i qartë sesi tragjedia e një populli është triumf për palën tjetër ngaqë Izraelitët dhe palestinezët jetojnë në dy realitete të papajtueshme. Konfliti ka hyrë në një fazë tjetër nga koha e vetëvrasjeve me bombë të militantëve dhe kundërveprimeve ushtarake individuale të Izraelit. Në 7 prill, 2024 saktësisht gjashtë muaj nga dita e sulmit të Hamasit, trupat izraelite u tërhoqën nga Khan Younis në Rripin e Gazës, gjë që sinjalizon hyrjen në një fazë të re. Zyrtarët e mbrojtjes kanë njoftuar se po përgatisin një ofensivë në Rafah. Analistët thonë se për arritjen e sigurisë së qëndrueshme duhen gjetur zgjidhje që nuk përmbajnë farën e një konflikti të ardhshëm që presupozon neutralizimin e kërcënimit për shtetin izraelit dhe mundësinë për një shtet palestinez.
Burime: BBC, Washington Post, OKB