Avionë luftarakë rusë ndërmorën për të dytën ditë goditje ajrore në Siri, që kishin në shenjestër ekstremistë të Shtetit Islamik, por siç njoftojnë vëzhguesit, edhe luftëtarë të opozitës që gëzojnë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes Igor Konashenkov në komentet për shtyp tha se avionë rus goditën mbi dhjetë objektiva të ISIS, përfshirë një qendër komande dhe dy depo municionesh. “Gjatë natës u goditën katër objektiva të tjera të ISIS. Avionë SU-24M dhe SU-25 kryen tetë misione fluturimi. Ata shkatërruan selinë e grupit terrorist dhe depon e municionit pranë Irbilit si dhe një bazë të terroristëve me tre fortifikime pranë qytetit Hama. Një goditje e drejtpërdrejtë ka shkatërruar plotësisht objektin që prodhonte mjete plasëse dhe municion në veri të qytetit Homs”. Por Kremlini pohoi se kishte në shenjestër edhe “një listë” grupesh të tjera përveç ISIS, duke thënë se këto organizata njihen mirë dhe janë identifikuar si objekte sulmesh në koordinim me forcat e armatosura të Sirisë. Në një konferencë për shtyp në Nju Jork, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se avionët rusë kanë në shenjestër të njëjtat objektiva si avionët amerikanë dhe të koalicionit. “Nëse duket si terrorist, nëse vepron si terrorist, nësë lufton si terrorist, është terrorist, apo jo? Me sa mbaj mend unë, ne kemi thënë që në fillim se do të luftojmë kundër ISIS dhe grupeve të tjera terroriste. Këtë qëndrim mbajnë edhe amerikanët. Përfaqësuesit e komandës së koalicionit kanë thënë gjithmonë se në shenjestër të tyre janë ISIS, al-Nusra dhe grupe të tjera terroriste. Këtë qëndrim kemi edhe ne. Në këtë pikë ne jemi në të njëjtën pozitë me koalicionin”. Por Koloneli Steve Warrren, zëdhënës i operacionit të forcave amerikane kundër ISIS në Irak dhe Afganistan tha në një tele-konferencë për shtyp nga Bagdati se megjithë deklaratat e Moskës se po sulmon bazat e ISIS, nuk ka luftëtarë të Shtetit Islamik në zonat ku janë përqëndruar sulmet ruse: “Rusët janë shprehur shumë qartë publikisht se do të sulmojnë ISIS. Nuk do të diskutoj se çfarë konkretisht kanë goditur me sulmet e tyre, por ne nuk mendojmë se kanë goditur objektiva të ISIS. Këtu qëndron problemi. Rusët kanë thënë se do të bëjnë një gjë, por po bëjnë diçka krejt tjetër, gjë që e kanë bërë edhe herë të tjera,” tha koloneli. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ka bërë thirrje për një takim urgjent të ushtrive amerikane dhe ruse për diskutimin e mënyrave për të shmangur goditjet ndaj forcave të njëri-tjetrit në operacionet që kanë ndërmarrë dy vendet në Siri. Rusia i filloi dje sulmet ajrore në Siri, për të goditur Shtetin Islamik, megjithëse grupet e të drejtave të njeriut thonë se synimi i këtyre operacioneve nuk është ende i qartë. Sekretari i Shtetit John Kerry i bëri komente dje në vijim të një takimi me Ministrin e Jashtëm të Rusisë Sergei Lavrov, pasi Moska filloi godjet ajrore mbi ato që i cilëson si objektiva të ISIS. “Kur flitet për goditjet kundër ISIS është një gjë, ajo që na shqetëson ne është se nuk po ndodh kjo”. Moska thotë se synon të spastrojë Sirinë nga ISIS, por mënyra si po zhvillohen operacionet ka ngritur pikëpyetje: “Me sa duket rusët kanë vepruar në zona ku ndoshta ka forca të ISIS, pikërisht këtu qëndron problemi me këtë mënyrë operimi,” tha Shefi i Pentagonit, Ash Carter. Si zoti Kerry, ashtu edhe ministri rus Lavrov thanë zhvilluan një takim konstruktiv, por ata pohuan se nevojitet më shumë punë në mënyrë që të shënohet përparim. “Ne të gjithë duam një Siri demokratike, të bashkuar dhe laike. Duam një Siri ku të mund të ndërtojnë jetët e tyre të gjitha grupet fetare, ku të drejtat e njeriut të garantohen.
Por ne kemi mospajtime lidhur me mënyrat për ta realizuar këtë qëllim,” tha ministri rus. Ministria ruse e Mbrojtjes ka nxjerrë një video ku thotë se shihen operacione ajrore kundër ISIS.Por grupet e të drejtave të njeriut thonë se goditjet ruse kanë vrarë 30 civilë pranë qyteteve Homs dhe Hama, të cilat nuk kontrollohen nga Shteti Islamik, por nga opozita e moderuar siriane.
Rusia këmbëngul se goditjet dëmtuan pajisje ushtarake të ISIS, qendra komande dhe automjete të përdorura nga grupe terrorist. Operacionet që ka ndërmarrë Rusia pritet të acarojnë më tej mosmarrëveshjet mes Uashingtonit dhe Moskës për qëndrimin ndaj konfliktit në Siri.
Republikanët fajësojnë politikat e Presidentit Obama në rajon për këtë situatë. Ndërkaq, Pentagoni ka thënë se koalicioni ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, do të vazhdojë goditjet kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.