
Nga Washington DC: Prof. Dr. Fejzulla Berisha/
1. Një padrejtësi historike e institucionalizuar
Kongresi i Berlinit i vitit 1878, i konceptuar nga fuqitë evropiane si instrument stabiliteti pas Luftës Ruso-Turke, për shqiptarët përfaqësoi fillimin e një padrejtësie të thellë dhe të institucionalizuar. Në mënyrë paradoksale, shqiptarët nuk morën pjesë, nuk u konsultuan dhe nuk u përfshinë në diskutimet mbi fatin e trojeve të tyre shekullore.
Rezultati ishte një shpërndarje e padrejtë e Shqipërisë etnike, duke e shndërruar popullin shqiptar në subjekt të shpërblimeve territoriale për fqinjët sllavë dhe grekë. Kjo transformoi shqiptarët nga një komunitet i unifikuar në një popull të shpërndarë politikisht, pa mbrojtje institucionale.
2. Shembuj konkretë të shpërndarjes dhe dëbimeve
-Sanxhaku i Nishit dhe fluksi i muhaxhirëve (1878–1881): Serbia u shpërblye me territore shqiptare, përfshirë Nishin, Toplicën, Kurshumlian dhe Pirotin. Rreth 60,000–80,000 shqiptarë u dëbuan me dhunë, shpërngulur kryesisht drejt Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, duke lënë pas trauma sociale, humbje pasurie dhe destabilizim demografik.
-Mal i Zi – Plavë, Guci, Hoti dhe Gruda: Administrata malazeze imponoi presion për asimilim dhe riadministrim të jashtëligjshëm, duke krijuar tensione etnike që vazhduan gjatë shekullit XX.
-Çamëria dhe Janina (Greqia): Përfitimi i territoreve shqiptare nga Greqia solli migrime të dhunshme dhe presion për asimilim, duke krijuar precedent për trajtimin e pakicave shqiptare në rajon.
Këto shembuj tregojnë se Kongresi i Berlinit nuk ishte thjesht një veprim diplomatik, por fillimi i një spastrimi etnik dhe i dëmtimit të të drejtave historike të shqiptarëve.
3. Pasojat politike, sociale dhe kulturore
-Copëtimi politik: Shqipëria etnike u nda midis Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, duke e privuar popullin shqiptar nga shtetësia e pavarur për mbi një shekull.
-Shpërnguljet masive dhe humbja e pasurive: Dhjetëra mijëra shqiptarë humbën toka dhe pronat, duke u bërë refugjatë në pjesë të tjera të trojeve shqiptare.
-Kriza kulturore dhe demografike: Shpërndarja dhe asimilimi i detyruar ndikuan në ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës dhe traditave.
Këto pasojë u shtuan gjatë shekullit XX me luftërat ballkanike, shpërnguljet gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, si dhe tensionet nën Jugosllavi.
4. Shembuj diplomatikë dhe ndërkombëtarë të padrejtësive të vazhdueshme
Rishikimi i kufijve pas Luftës Ballkanike (1912–1913): Serbia dhe Mali i Zi vazhduan zgjerimin e territoreve mbi kurrizin e shqiptarëve, pavarësisht krijimit të shtetit shqiptar.
-Traktati i Londrës (1913): Kufij të rinj lajnë shqiptarët të copëtuar në disa shtete, duke ripërsëritur gabimet e Berlinit.
-Periudha e Jugosllavisë (1918–1991): Shqiptarët e Kosovës dhe të Luginës së Preshevës përballeshin me diskriminim sistematik, spastrime dhe asimilim.
-Lufta e Kosovës (1998–1999): Masakrat dhe dëbimet e shqiptarëve nga forcat serbe pasqyruan shpërnguljet e hershme të Kongresit të Berlinit.
-Statusi i Kosovës pas 2008: Pavarësia e Kosovës është një hap drejt korrigjimit, por sfidat ndërkombëtare, përfshirë refuzimin e disa shteteve për ta njohur, tregojnë se “borgji moral” ndaj shqiptarëve ende nuk është shlyer.
5. Përgjegjësia morale dhe borgji historik i Gjermanisë
Gjermania e sotme ka mundësinë dhe detyrimin të veprojë si korrigjuesi moral i gabimeve historike. Borgji historik nënkupton:
-Njohjen publike të padrejtësive të shkaktuara nga Kongresi i Berlinit;
-Mbështetje për integritetin territorial dhe të drejtën për vetëvendosje të shqiptarëve;
-Promovim të bashkëpunimit kulturor, ekonomik dhe shkencor ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Ky është jo vetëm një detyrim historik, por një çështje diplomatike dhe ndërkombëtare që lidhet drejtpërdrejt me stabilitetin e Ballkanit dhe standardet e drejtësisë evropiane.
6. Berlini i padrejtësisë dhe Berlini i drejtësisë
Nëse Berlini i vitit 1878 ishte simbol i copëtimit dhe padrejtësisë, Berlini i shekullit XXI duhet të simbolizojë drejtësinë historike dhe morale.
Gjermania, duke mbështetur shqiptarët në rrugën euroatlantike dhe duke afirmuar të drejtën e tyre për vetëvendosje dhe integritet kulturor, mund të shlyejë borgjin historik dhe të tregojë se Evropa nuk ndërtohet mbi padrejtësi, por mbi drejtësi, solidaritet dhe respekt për të vërtetën historike.
Vetëm kështu mund të mbyllet një plagë e hapur prej 145 vitesh dhe të krijohet një model stabiliteti dhe bashkëpunimi për Ballkanin dhe Evropën.