-Kryetari i Vatrës tha për gazetën DIELLI se Kongresisti Maloney premtoi se do të qëndroi fuqishëm në anën e shqiptarëve të Kosovës-
-Kongresisti Patrick Maloney e ftoi kryetarin e Vatrës në Washington për të diskutuar rreth problemeve të Kosovës-
Kongresisti Patrick Maloney(NY-18) të premten me 17 korrik 2020 vizitoi bizneset e vogla në Wappingers Falls. Ai u ndal dhe bisedoi me biznesmenët e zonës së tij elektorale nr 18. Kjo vizitë në Wappingers Falls ishte ndalesa e katërt në turneun e tij në rrethet historike të Luginës Hudson. Ai shoqërohej nga kryetari i bashkisë Wappingers Falls, Matt Alexander. Qëllimi i turneut ishte diskutimi i sfidave për rihapjen e bizneseve që ishin të mbyllura për shkak të Pandemisë së koronavirusit. New Yorku, tha ai, ka marrë goditjen më të madhe gjatë pandemisë dhe bizneset e vogla janë goditur shumë rëndë. U diskutua për daljen nga kriza që ka shkaktuar Pandemia dhe për rrugët e ndihmës me fonde federale.
Rep. Maloney bëri një vizitë edhe në Patsy’s Pizzeria, pronë e z. Berisha, e cila u hap me 17 korrik. Gazeta lokale”Southern Dutchess News” në numrin e 22 korrikut i kushtoi dy shkrime vizitës të Rep. Maloney. Në faqene parë të saj publikohej fotografia ku kongresisti,i shoqeruar nga kryetari i bashkise, bisedonte me Elmi Berishën dhe Anton Rajën, si dhe një fotografi ku paraqitet familja Berisha.
Një artikull më vete i kushtohej historikut të restorantit Patsy’s Pizzeria, pronë e z. Berisha. Gazeta përshkruan historikun e restorantit dhe tregon se si familja Berisha investoi pasi bleu ndërtesën dhe bëri rinovime.Pizzeria e Patsy është dinastia kryesore e padiskutueshme e picave të Nju Jork-ut.E nisur nga legjenda Pasquale Lancieri, Patsy’s Pizzeria ndjek origjinën e saj prej më shumë se një shekull.
Kongresistit Maloney i tërhoqën vëmendjen fotografitë e ekspozuara në restorantin Patsy’s Pizzeria ,ku Berisha ishte në fotografi me ish presidentin Bill Klinton. Maloney tregoi se ka qenë pranë Presidentit Bill Klinton, kur u morën vendime të rëndësishme për Kosovën dhe vazhdon të jetë në krahun e Kosovës.
Biseda rreth Kosovës ishtë me interes për kongresistin dhe për kryetarin e Vatrës.U fol gjatë rreth situatës së tanishme në Kosovë dhe qëndrimet e Washingtonit rreth dialogur Kosovë-Serbi.
Kryetari i Vatrës tha për gazetën DIELLI se Kongresisti Maloney premtoi se do të qëndroi fuqishëm në anën e shqiptarëve të Kosovës sepse kjo është ajo çfarë ai beson personalisht. Kryetari i Vatrës dhe kongresisti Maloney u pajtuan se Amerika nuk ka asnjë aleat më të mirë se Shqiptarët në rajon dhe se gjithëmonë do të jemi në miqësi të përhershme me njeri-tjetrin.
Kongresisti premtoi se së shpejti do të takohej me kryetarin e Vatrës në Washington për t’i diskutuar nga afër problemet e Kosovës dhe qëndrimet e Vatrës.