
Sh.Ç /RTKlive/
Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, ka reaguar ashpër kundër deklaratave të Kingsley Wilson, zv.sekretares së shtypit në Departamentin e Mbrojtjes, lidhur me Kosovën.
Wilson kishte shkruar “Bëje Kosovën sërish Serbi”, deklaratë kjo që, sipas Torres, është një përpjekje e turpshme për ta de-legjitimuar Kosovën.
Torres në një postim në platformën “X” ka theksuar se Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë aleati më i madh amerikan në Ballkanin Perëndimor, duke refuzuar çdo përpjekje për ta ndryshuar historinë.
Me qëndrimin e Torres, është pajtuar edhe eurodeputeti austriak Lukas Mandl. Ai në një postim në “X” u shpreh se e vlerëson qëndrimin e qartë të kongresistit Torres.
“Shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për qëndrimin e qartë të kongresistit Ritchie Torres nga ana tjetër e Atlantikut. Shteti më i ri i Evropës, i bazuar në një popullsi të lashtë dhe një kushtetutë moderne, që është shembull për bashkëjetesën paqësore të grupeve etnike dhe fetare, nuk do të zhduket. Kosova”, ka shkruar Mandl.