Kryetari i Nënkomitetit për Evropën, Euroazinë dhe Kërcënimet e Reja në Kongresin Amerikan takohet me kryetarin e parlamentit Ilir Meta dhe kreun e opozitës Lulzim Basha/
Në Shqipëri ndodhet për një vizitë Kryetari i Nënkomitetit për Evropën, Euroazinë dhe Kërcënimet e Reja në Kongresin Amerikan, zoti Dana Rohrabacher. Ai bisedoi sot me kryetarin e parlamentit Ilir Meta si dhe me kreun e opozitës shqiptare Lulzim Basha.
Gjatë takimit, zoti Meta, ndërsa falenderoi kongresmenin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë theksoi se vendi i tij “do të vazhdojë të jetë një partner i përkushtuar e SHBA-ve në NATO, rajon dhe sfidat globale”. Kryetari i parlamentit shqiptar kërkoi gjithashtu “një angazhim dhe mbështetje më të madhe nga SHBA-të në fushën e zhvillimit ekonomik, nxitjes dhe rritjes së investimeve amerikane në Shqipëri”, ndërsa theksoi se “nënshkrimi i marrëveshjes për heqjen e taksimit të dyfishtë mes dy vendeve tona, do të ishte një nxitje dhe kontribut konkret në këtë drejtim”.
Tërësisht të ndryshme, temat e diskutimit mes kongresmenit Rohrabacher dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha. Sipas një njoftimi të shpërndarë nga Partia Demokratike, zoti Basha “e njohu kongresmenin amerikan Dana Rohrabacher me iniciativën e Partisë Demokratike për dekriminalizimin. Persona me precedentë kriminalë – theksoi zoti Basha – janë promovuar nga dyshja Rama-Meta në parlamentin e Shqipërisë dhe në poste drejtuese të administratës si dhe janë propozuar edhe si kandidat për kryetarë bashkie”
Një tjetër temë diskutimi ka qenë dhe situata parazgjedhore në Shqipëri. Sipas zotit Basha shumica “ka nisur të ngrejë skemën e blerjes së votave, duke u bërë presion të hapur drejtorëve te administratës publike, për të blerë votat dhe për të marrë vota me çdo mënyrë”. Po ashtu ai ka shpehur shqetësim për disa raste dhune gjatë tubimeve elektorale të opozitës, ndërsa shtoi se “kryeministri ka nisur të kërcënojë qytetarët, duke u thënë se nëse votoni kandidatët e PD nuk do të ketë investime, nuk do të ketë para, ujë, bukë etj. Kjo situatë po dëmton procesin normal zgjedhor”, theksoi kreu i opozitës.(VOA)