
Nga Rafael Floqi/
Është bërë shpeshherë zakon që Federata Panshqiptare Amerikane “Vatra”, të quhet me nostalgji “Vatra” e Nolit dhe e Konicës ». Në fakt, konceptimi i Federatës “Vatra” dhe pikësynimi i saj ishte përbashkues, por a ka qenë ajo e tillë, gjatë historisë së saj? A ka përcjellë ajo gjithnjë unitetin mes shqiptarëve, apo dhe dasitë mes tyre? Ç’ rol kanë luajtur rol në këtë unitet dhe në këtë dasi, figura të tilla, si Noli dhe Konica? A ka pasur dorë karakteri, personaliteti, apo talenti, kultura e tyre në dritëhijet e raporteve mes syresh?
Si arritën dy miq të bëhen armiq dhe të bëhem miq përsëri?
Kjo është një pyetje së cilës rreket t’i përgjigjet ky studim, pasi kjo nuk është jeta e dy njerëzve të thjeshtë, por historia e dy njerëzve të mëdhenj, dy prej figurave më të shquara të letërsisë dhe kulturës shqiptare, dy gjenive të shpirtit shqiptar, kur gjaknxehtësia kalon kufijtë enëve të gjakut. Të Faik Konicës dhe Fan Nolit, mjeshtrit dhe dishepullit, mikut dhe armikut, që ditën ta respektonin njeri tjetrin, por ashtu si ditën ta “urrenin “ njeri-tjetrin duke i dhënë krahë muzës së tyre të polemikës shpesh herë të paskrupullt.
Dy njerëz që respektonin njeri- tjetrin në fushën e letërsisë e përkthimit, por kur këta dy beqarë të përjetshëm, që kur u pleksën në krahët e bushtrës “politikë”, u shndërruan në dy adoleshentë xhelozë, të ngërthyer një treshe dashurie e urrejtje, ndaj një figure historike, herë- herë arkaike, por me një zgjuarsi finoke, por praktike, si ajo e mbretit Ahmet Zogu. Asnjeri prej tyre nuk e pranonte superioritetin e tjetrit. Dhe kur e vlerësonin njeri-tjetrin e vlerësonit, në ato fusha ku lavdia e tjetrit, nuk i kërcënonte lavdinë përkatëse të tyre.
Si mundën dy njerëz të mëdhenj të përkushtuar ndaj atdheut, të hynin në armiqësi nga raporti që mori njeri apo tjetri, ndaj atij që e quan po vetë, si mjeshtra të gjuhës që ishin, me karakterizime, si “nëpërka, salemboza, sulltan salepi, super tradhëtori, sygjarpëri, zemërvreri, gjakkalburi e shpirtshitur, Mydiri i Pashiçit, për një person të tretë, -Mbretin Zog?
Sidoqoftë, në histori krijohen mite dhe tabu, por realiteti dhe e vërteta historike rezulton të jetë e ndryshme. Ndaj ajo që duhet qëmtuar, ajo që duhet zbuluar, duhet të kapërcejë mitet, duke i parë analizuar ata në kohën e tyre dhe përjashtuar paragjykimet ideologjike të politikave të sotme dhe të kohës.
Gjatë gjithë periudhës komuniste, në të gjitha analizat e bëra për periudhën pas Revolucionit të Qershorit, fajin për çarjen e madhe mes Nolit dhe Konicës dhe qëndrimin e ashpër të Vatrës kundër Nolit, ia veshin karakterit e paqëndrueshmërisë të karakterit të Konicës, dhe faktit që ai pranoi dhe që u pajtua me Zogun dhe iu kundërvu mikut të tij dhe shokëve. Është bërë shpeshherë zakon që Federata Panshqiptare Amerikane “Vatra”, të quhet me nostalgji “Vatra” e Nolit dhe e Konicës ».
Në fakt, konceptimi i Federatës “Vatra” dhe pikësynimi i saj ishte përbashkues, por a ka qenë ajo e tillë, gjatë historisë së saj?
A ka përcjellë ajo gjithnjë unitetin mes shqiptarëve, apo dhe dasitë mes tyre? Ç’rol kanë luajtur rol në këtë unitet dhe në këtë dasi, figura të tilla, si Noli dhe Konica? A ka pasur dorë karakteri, personaliteti, apo talenti, kultura e tyre në dritëhijet e raporteve mes syresh?
Por a është vërtet kështu? Në këtë sprovë do të tentojmë t’i analizojmë dukuritë për tej të vërtetës të secilit prej tyre, përtej mitizimit të figurave të tyre si dy korifej të kulturës shqiptare dhe dy figurat më të mëdha të diasporës së Amerikës. Në këtë studim ka fakte të njohura dhe të panjohura të cilat do t’i analizojmë nga këndvështrimi i biografive të tyre, nga këndi i politikës dhe publicistikës së tyre dhe nga analiza psikologjike dhe psikoanlatike e personaliteteve të tyre. Por të gjitha këto ngjarje dhe përplasje janë bërë në mejdanin e Vartës dhe të organit të saj Diellit.
Është interesant se dhe punime madhore e kanë shmangur analizën e veprimeve dhe dukurive të divergjencave në mes tyre.
Në libra të tillë si “Fan Noli në fushën politike dhe publicistike”, Pirro Tako, Shtëpia Botuese ‘Naim Frashëri’, 1974 , me shumë informacione për Nolin, natyrisht, fajësohet Konica si “lake i Zogut” dhe glorifikohet Noli, si bir i revolucionit. Ndërsa disa libra pas ardhjes të demokracisë, si : Beqir Meta , “Federata Panshqiptare “Vatra””. Globus, Tiranë 2002 ”e shmang këtë periudhë, madje dhe profesori skrupuloz, Jup Kastrati në monografinë e tij “Faik Konica”, sado shteruese, nuk e analizon këtë dukuri, por jep vetëm disa fakte historike për ngjarjet e atyre viteve; pak a shumë, kjo ndodh edhe në studimin e profesorit kanadez, Robert C. Austin “Founding a Balkan State: Albania’s Experiment with Democracy”, Toronto: University of Toronto Press, 2012, i përkthyer dhe në shqip, që merret kryesisht me periudhën 6 mujore të qeverisjes së Nolit. Ndërsa një botim mjaft interesant që trajton dikotominë Noli- Konica, është libri i Anton Çefës , “Noli dhe Konica”, botimet, Lulupress , 2010, autor me të cilin ndaj disa opinione, por kam edhe kam objeksionet e mia, për disa nga konkluzionet e tij, siç kam edhe për disa artikuj të botuar vitet e fundit, ndër to dy punime që i kam shqyrtuar shkrimin e gazetarit veteran kosovar, Mehmet Kraja, “Noli dhe Konica, këta përçarës të mëdhenj të botës shqiptare” , Dalip Greca .”Dyluftimi Noli-Konica “Dielli”: Fan Noli, bolshevik republikan, 27 Prill, 2010 si edhe studimin historiko-letrar të profesoreshës prof. dr. Eleni Karamitri “Faik Konica e Fan Noli” sidomos në biografitë e paçmuara të Ilir Ikonomit, Konica Qëndrimi në Uashington dhe monografitë mbi Nolin “Apostulli” dhe “Rebeli” dhe disa artikuj të tjerë të shtypit shqiptar e të huaj mbi këtë tematikë.
Konflikti midis Nolit dhe Konicës është trajtuar më shumë si konflikt qëndrimesh politike, por realiteti i divergjencave dhe i ndarjes të Nolit dhe Konicës, të Vatrës dhe Nolit, del përtej qëndrimeve të ndryshme antagoniste politike, del përtej para- gjykimeve individualiste, dhe ka si strumbullar qëndrimin, që duhet të mbante “Vatra” dhe diaspora e Amerikës, për Shqipërinë. Po në skenën e teatrit politik shqiptareve të ngjarjeve te qershorit 1924 – dhjetorit 1925 pozicioni i dy miqve ishte i ndryshëm, nëse Noli ishte sa aktor e drejtues i këtyre ngjarjeve, Konica ishte spektator i shqetësuar që kërkon të bëjë edhe regjisorin dhe dirigjentin e asaj që ndodhte në Shqipëri, por nga larg.
Por, gjithsesi, gjakimi i Konicës dhe “Vatrës” pas tij, ishte fati i ardhshëm i Shqipërisë, dhe ruajtja e paqes sociale në të. Në të gjitha studimet e hulumtuara, prej meje nuk është vënë në dukje, ky element. Për të gjithë studiuesit, faji është i Zogut, apo i Konicës që i besonte Zogut, dhe të gjithë përgjithësisht shfajësojnë Nolin dhe fajësojnë, deri diku, pa të drejtë edhe Konicën.
Me gjithë respektin për shqiptarin e patriotin e madh Fan Noli, parë në këndvështrimin e asaj që kërkohej për vendin nga koha, nga qëndrimet e tij politike të kohës, nga afrimiteti që Noli pati me ideologjinë politike, në modë në atë kohë, komunizmin, edhe pse vetë nuk qe i tillë, mund të ketë çuar në divergjencat mes tyre.
Qëndrimet e Konicës sot, edhe pse brenda qerthullit të periudhës, kur jetoi, mund të dukeshin regresive, konservatore, monarkiste, si pajtimi i tij me një figurë jo aq përparimtare, por stabilizuese si Zogu, duke i parë, me sytë e sotëm, se ku e çoi komunizmi botën shqiptare, lypset ta vlerësojmë Konicën, edhe për largpamësinë e tij historike.
Dikush nga studiuesit, biografët dhe analistët e sotëm, duke e dashuruar figurën e Nolit e minimizojnë ndikimin e ideve të komunizmit në lëvizjen e tij politike, kurse të tjerë studiues të periudhës dhe historiografisë komuniste shqiptare, kërkojnë me zor ta bëjnë Nolin, aktivist të saj, dhe t’i mohojnë Konicës vlerat progresive, kur këtë gjë s’ ja bënte as nemesis i tij përkohshëm, Fan Noli.
Nga ana tjetër, ndërsa Konica nuk kishte përgjegjësi direkte për ngjarjet në Shqipëri, Noli u besonte idealeve dhe i duhej të mbronte dhe qëllimet e Revolucionit të Qershorit. Në fakt, këto qëndrime politike dhe divergjencat mes Nolit dhe Konicës, pushtuan dhe shkaktuan për më shumë se një dekadë përçarje edhe brenda Vatrës, duke zgjatur qysh nga viti 1924 deri në vitin 1937, kur Noli i sëmurë e “vari në mur këllëçin e tij politik” e tij të luftës kundër Zogut, dhe tha, se hiqte dorë nga politika. Dhe si pasojë vetëm në atë moment, kur ai gjen paqen tek letërsia arrin dhe ripajtimin me mikun e tij të vjetër, Konicën.
Në këtë mes, do të na duhet të ndajmë, deri diku, mendimin me gazetarin Mehmet Kraja, kur shkruan se “Në këtë kuadër, edhe zënkat e gjata dhe të vazhdueshme të Nolit me Konicën, kanë shkaktuar përçarje të mëdha në komunitetin shqiptar të Amerikës dhe të shqiptarëve në Shqipëri. Grindjet e tyre nuk kanë qenë aspak parimore. Polemikat e tyre flasin për dy njerëz vetë-mburrës dhe egocentrikë, me mentalitet provincial tipik shqiptar, të cilët janë në gjendje të sakrifikojnë çdo parim për interesa meskine” .
Ne pajtohemi me pjesën e parë të këtij citimi, por nuk është e vërtetë se “grindjet e tyre, nuk kanë qenë aspak parimore”. Në fakt grindjet mes tyre ishin, jo vetëm për qëndrimet e tyre të ndryshme politike, për fatin e Shqipërisë dhe kryesisht për qëndrimin ndaj figurës së Ahmet Zogut.
Por forma dhe shkalla e armiqësisë mes tyre, merrte konotacione karakteriale shqiptare dhe përtej zemërimit, që në nënvetëdije merrte shtysa nga një dëlir narcizist dhe një raport zilie dhe xhelozie, si ai i profesorit me nxënësin e anasjelltas, ku vlerësimit ndaj njeri-tjetrit ia zinte vendin, mllefi i shfaqur jashtë zënkshëm, duke përdorur të gjitha mallkimet e gjuhës shqipe, që ata të dy i zotëronin mjeshtërisht.
Vetëm atëherë kur Konica nuk jetonte më, Noli do ta vlerësonte atë në shkallën sipërore. “. Faik Konica ka qenë njëri prej bijëve më të shkëlqyer të Shqipërisë, një nga çampionët më të mëdhenj të indipendencës kombëtare, pa dyshim ustaj më i madh i shkrimit të gjuhës sonë; eshtë njeriu që na ka zbuluar flamurin e Skënderbeut. Këta tituj nuk munt t’ja mohojnë as kundërshtarët e tij më të egër. . .
”-Sidoqoftë nga lartësia e karakterit të tij edhe Konica pranon fajësi” “Për shpiriten e Vatrës jam resposible unë” – një dëshmi e gjallë e një ndërgjegjeje, që pohon, zotohet e merr përsipër pasojat deri në fund e pa asnjë kusht.” shkruan Anton Cefa. Është kjo “responsible”, me të cilën Konica shpirtësoi tek mërgimtarët shqiptarë shpirtin e bashkimit në emër të një ideali, idealit të shenjtë kombëtar. Tingëllon si një kushtrim kundër përçarjes: “Të realizojmë shpiriten e bashkimit që të mos humbasim!” Fjalët e Tij, mësimet Tij, kanë qenë dhe mbeten profetike.” Nga ana tjetër, Fan Noli, si një atdhetar i lindur dhe i formuar në diasporë larg atdheut e si veprimtar politik që luftoi me penë në vijën e parë të luftës ideologjike për çlirimin kombëtar dhe shoqëror të Shqipërisë, ka raste që dhe ka gabuar, sepse si ka thënë vetë: ata që kanë luftuar në vijën e parë të zjarrit, dhe kanë çarë një udhë të re, kanë medeomos lajthime. Sepse – shton ai – nga lajthimet munt të shpëtojnë vetëm ata që rrijnë jashtë zjarrit dhe bëjnë sehir.
Në kohën që ai vendosi “këllëçin politik në muze” ishte 52 vjeç, pra afër pleqërisë. Dhe ai e kuptonte që lufta vetëm me fjalë dhe me shkrime nuk do ta shpëtonte kurrë popullin shqiptar Historikisht Noli pati të drejtë. Ai u tërhoq nga beteja politike në një kohë që s’ishte më i zoti për ta drejtuar dhe e shikonte të përfunduar misionin e tij i planin politik. Pas «imdatit», ose pak më parë, Noli fillon edhe korrespondencën me Faik Konicën.
Nuk e dimë në çfarë rrethanash lindi, dhe kush dhe cili i shkroi i pari tjetrit. Por një gjë është e sigurt, se Noli nuk e mori asnjëherë mundimin t’i bënte një vizitë këtij.
Përkundrazi, qe Faiku, ai që detyrua të vinte në Boston dhe të asistonte në një meshë peshkopale të Nolit dhe të bënte të parën deklaratë publike: “Me këtë rast u poqa me shokun e vjetër peshkop, Fan S. Nolin, të cilin nuk e kisha parë disa vjetësh”, dhe këtu Faiku tha edhe ato fjalët e “mëdha”, sesi heronjtë e Homerit ne shkëmbejnë fjalë të ashpra e pastaj pajtohemi ”Mirëpo heshtja e gjatë disavjeçare, nuk ishte diçka e rastit. Ajo tregonte se mosmarrëveshjet e tyre politike kishin qenë të thella dhe, se ata kishin qëndruar në dy platforma politike krejt të kundërta.