Përgatiti: Dalip Greca/
Me 24 Shtator 1909 Dielli publikonte në fund të faqes së parë lajmin e shkurtër mbi ardhjen e Faik Konicës në Boston për të marrë drejtimin e gazetës Dielli, që pat nisë botimin prej 15 Shkurtit të atij viti.
Lajmi ishte i shkurtër, gjithsej shtatë radhë linotipi , përfshi titullin. Në të shkruhej:”Një dizaj muarëm një letër nga Londoni prej zotit Faik Bej Konica, i cili na bën zë për të fundit herë se në 10-12 të Vjeshtës së dytë, do të jetë në Boston që të marrë përsipër vendin e direktorit(të Diellit. -Mirë se të na vijë!”….
Në numrin e 15 tetorit 1909 Dielli botonte lajmin për arritjen e Faik Konicës:” Të Mërkurën që shkoi mbërriti në zyrën tonë(Shoqatës Besa-Besën) një telegram jo me tel, por nga mezi i detit, nga vapori Invernas:
President Albania Society”Besa-Besën”
86 Warrenton St, Boston
Arriva. …Shëndet të gjithëve. Mirë se Ju gjetsha!
Rroftë flamuri!
Shënt Gjergji për Shqipërinë!
KONITZA
Dielli komentonte telegramin: Vapori “Inverna” me të cilin vinte për në qytetion tonë direktori i zgjedhur i gazetës sonë”Dielli” arriti në Liman të Bostonit të Enjten më 9 në mëngjes. Një tok shqiptarësh dolën që ta presin, në mes të cilëve ishin dhe dy Pleq të Shoqërisë Besa-Besën, arkëtari i Kishës dhe kryetari i Shoqërisë korçare”Arsimi”. Vapori arriu në 9 e 30 dhe më 10 dolli jashtë atdhetari ynë i shkëlqyer i veshur me kostumin kombëtar të Shqipërisë. Menjëherë e rrethuan korrespondentët e gazetave të Bostonit, dhe cili (dikush) e merrte në fotografi, cili e pyeste për çështjen shqiptare.
Pasi shpëtoi prej duarve të tyre u poq me shqiptarët që e prisnin dhe me një karrocë ardhë në hotelin”Ylli i Shqipërisë”(që ndodhej në adresën-239 Pleasent Street, Boston, Mass.), ku u poq me shqiptarë të tjerë. Po as këtu s’e lanë të qetë reporterët, që po prisnin cili të merrte intervistë e cili ta merrte në fotografi.
Zoti Faik Konica i shkoqiti gjer’ e gjatë çështjet shqiptare një korrespondenti të gazetës”Herald” të Bostonit, i cili i mori dhe 3-4 fotografi me kostumin Toskërisht.
Dielli paralajmëronte shqiptarët se Faik Konica do të niste një udhëtim nëpër kolonitë shqiptare për të dhënë konferenca për mënyrën që duhet të ndjekim për të realizur qëllimet tona dhe Lëvizja jonë këtu do të marrë një rëndësi më të madhe.
Dielli ishte i bindur se “Vëllezërit tanë do ta presin me gaz atdhetarin tonë të çkëlqyer, i cili u përpoq për Shqipërinë që prej 12 vjet e tëhu dhe pothuaj është krijetar i shkrimit shqip.Kemi shpresë se ardhja e Tij do t’i ngrohë atdhetarët tanë të Amerikës.”
Deri në ardhjen e Faik Konicës, Dielli dilte pa emrin e drejtuesit, nuk u shkrua as emri i Nolit, qe ishte i pari editor, shënohej vetëm emri i shoqatës”Besa-Besën” që e kishte organ të saj dhe emri i Menaxherit John Konda- Gjoleka, ndërsa me ardhjen e Faik Konicës, në krye të faqes së parë, në këndin e majtë shqip dhe në të djathtin -anglisht shënohej: E dreq(j)ton Faik Be Konica. Kështu do të vazhdonte deri kur do të jepte dorëheqjen.
Në numrin e 10 Dhjetorit 1909 u botuan për herë të pare, në faqen e parë dhe të dytë, dy nga fotografitë e Faik Konicës me kostumin toskë, duke shënuar dhe autorsinë- Photo : By Pardy- Faik Bay Konitza- 20 nëntor 1909. Pra këto foto nuk janë të 9 tetorit, ditës së parë kur shkeli në Boston, por një muaj më pas. Si dukej Faik Konica e përdori disa herë shëtitjen me kostumin kombëtar në rrugët e bostonit.
Fotografia ka dhe një spjegim për kostumin kombëtar toskë. Dielli shkruante:Drejtori ynë(Faik Konica) ka patur gjithnjë një dashuri të veçantë për petkat kombëtare dhe i pëlqen që t’i veshë nga ndonjëherë edhe në vise të huaja. Një herë shëtiti me fustan(Fustanellë) në Hyde Park të Londonit dhe ashtu dolli edhe në Boston, kur mbërriti për të parën herë. Faik beu çuditet shumë kur dëgjon shqiptarët të thonë se kostumet gege janë kombëtare, dhe toskërishtet të marrë nga Greqia, kur është e njohur nga të gjithë njerëzit e kënduar se fustanella u suall në Greqi prej Gjin Bua Shpatës dhe të tjerëve krerë shqiptarë, që zaptuan Greqinë në kohën e Mesme.
Drejtori i Diellit dëshiron që fustanella të mbahet prej shqiptarëve si uniformë kombëtare për raste të veçanta, siç bëjnë skocezët…
Konica do t’i kthehej sërish fustanellës në vitin 1935, kur ai spejgon shumëllojshmërinë e kostumeve kombëtare shqiptare sipas krahinave dhe iu referohet edhe vlerësimeve të të huajëve dhe veshjes e pozimit prej Baronit Francis Nopça, i cili në një libër të tij të viteve ’30 të shekullit të shkuar për Shqipërinë, kishte publikuar dy fotografi, njëra me veshje shqiptare të kohës dhe një tjetër me veshje prehistorike të zbuluar në një qark të Illyrisë së vjetër; të dyja kishin ngjashmëri.
Fustanella sipas Konicës ishte pjesë e veshjes kremtërore të çdo shqiptari prej dere të mirë si në Shqipërinë e Mesme ashtu dhe në atë të Poshtme.Përdorimi i kësaj veshje edhe nga fqinjët s’tregon gjë tjetër veçse influencën e fortë që shqiptarët kanë ushtruar në kohën e shkuar mbi fqinjët. Konica nënvizon atë ç’ka kishte shkruar në Dielli më 1909: Ky kostum(me fustanellën) u përhap në mes të grekëve në shekullin e katërmbëdhjetë, kur shqiptarët nën Gjin Bua Shpatën, shkelën dhe pushtuan. Greqinë.
Konica i referohet edhe Lord Bajronit i cili u fotografua i veshur me kostum kombëtar të shqiptarëve të jugut. Në letrën që i shkroi nënës së tij me 12 nëntor 1809, Bajroni i përshkruan edhe “Shqiptarët me rrobat e tyre më madhështore në botë, të përbëra prej një fustanella të gjatë, një flokje të punuar me ar, një xhaket dhe një jelek prej kadifeje njgjyrë kërmezi dhe të qendisur me ar, – me pisqolla dhe jatagan të stolisur me argjend…”
Përgatiti:Dalip Greca