Mnistria e Puneve te Jashtme-Promovim imazhit të Kosovës/
-Konkurs për përzgjedhjen e Fotografive dhe Shkrimeve më të mira për promovimin e Kosovës për vitin 2017/
Foto Gazeta DIELLI-Behlul JASHARI: Sheshi Medlin Olbrajt në kryeqytetin e Kosovës – Prishtinë, te Newborn, afër selisë së Ministrisë së Punëve të Jashtme/
PRISHTINË, 18 Tetor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dërgoi sot këtë njoftim:Me iniciativën e Zëvendës-Kryeministrit të Parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje publike të gjithë fotografëve dhe gazetarëve profesionistë, ekspertëve të këtyre fushave si dhe të gjithë qytetarëve të zakonshëm, që të marrin pjesë në garën për përzgjedhjen e fotografive dhe shkrimeve më të mira për Vitin 2017, që kanë për qëllim promovimin e imazhit të Kosovës. Konkursi, fokusohet në kategoritë që përfshinë, por, nuk kufizohen vetëm në çështjet si më poshtë: Trashëgimi kulturore dhe fetare; (Shkrime dhe fotografi që ndërlidhen me promovimin e objekteve kulturore dhe fetare);
1. Atraksionet turistike natyrore (Shkrime dhe Fotografi mbi bukuritë natyrore të Kosovës);
2. Muzikë (Fotografi dhe shkrime në kontekst të cilës përshkruhen yjet brenda dhe jashtë Kosovës dhe që kanë dhënë kontribut në ngritjen e imazhit të Kosovës);
3. Sport (Fotografi dhe shkrime që përshkruajnë ngritjen dhe zhvillimin e sportit vendor si dhe të yjeve të sportit në nivel kombëtarë dhe ndërkombëtarë, që kanë dhënë kontribut në ngritjen e imazhit të Kosovës);
4. Film (Shkrime dhe fotografi, që ndërlidhen me zhvillimin e kinematografisë kosovare, si dhe sukseset e filmit dhe yjeve të filmit kosovar si në aspektin kombëtarë ashtu edhe atë ndërkombëtarë);
5. Histori (Fotografi dhe shkrime nëpërmjet të cilave tregohen vlerat historike të Kosovës dhe personalitete kombëtare, që kanë kontribuar në historinë e Kosovës);
6. Ekonomi (Fotografi dhe shkrime që përfshinë zhvillimin dhe ngritjen e ekonomisë së Kosovës, sektorët më atraktiv për bërje të biznesit si dhe bizneseve të suksesshme vendore dhe atyre ndërkombëtare, që kanë investuar në Kosovë);
7. Kuzhina Tradicionale; (Fotografi dhe shkrime mbi kuzhinën tradicionale);
8. Veshjet tradicionale (Fotografi dhe shkrime nëpërmjet të cilave tregohet historia e veshjeve tradicionale).Aplikuesit në këtë garë përfshijnë edhe shtetasit e huaj që jetojnë në Kosovë, por, pa dyshim edhe të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Të gjithë pjesëmarrësit duhet të aplikojnë me fotografitë dhe shkrimet e tyre autoriale.
Aplikuesit, fotografitë dhe shkrimet e tyre për pjesëmarrje në këtë garë duhet t’i dërgojnë në adresën elektronike zyrtare të Divizionit për Komunikim Publik të Ministrisë së Punëve të Jashtme: dkp.mpj@rks-gov.net apo edhe nëpërmjet formës fizike në adresën si më poshtë:
Divizioni për Komunikim Publik/Njësia Wikipedia dhe Wikimedia
Ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Rr. Luan Haradinaj,
10000 Prishtinë, Republika e Kosovës
Fotografitë e dorëzuara nga aplikantët duhet të përmbajnë një mesazh të shkurtër në lidhje me vendin ku është bërë ajo, datën si dhe autorin, duke përfshirë edhe kontaktet e tij/saj. Fotografitë nuk duhet të jenë të publikuara më parë në rrjetet sociale dhe internet. Shkrimet, të cilat kanë qenë të publikuara më parë, duhet të përmbajnë emrin e medias, datën dhe numrin e faqes së publikimit, emrin si dhe kontaktet e autorit. Fotot dhe shkrimet më të mira do të përzgjidhen nga një Komision/Juri Profesionale, e cila do të bëjë përzgjedhjen e tre çmimeve të para si dhe 20 fotografive dhe shkrimeve të tjera më të mira për vitin 2017. Shkrimi dhe fotografia, e cila do të vlerësohet nga Komisioni/Juria për vendin e parë do të shpërblehen me 1000 Euro, ato në vendin e dytë me nga 800 Euro, ndërsa ato në të tretin me nga 500 Euro.
20 shkrimet dhe fotografitë të tjera të përzgjedhura nga Komisioni/Juria Profesionale do të shpërblehen me nga 100 Euro.Autorët e shkrimeve dhe fotografive do të ruajnë të drejtën tyre autoriale, por, me pjesëmarrjen në këtë garë, i japin të drejtën Ministrisë së Punëve të Jashtme për publikim dhe përdorim që ka për qëllim promovimin e Republikës së Kosovës, por, jo edhe atë për qëllim përfitimi komercial. Fotografitë dhe shkrimet përzgjedhura do të publikohen edhe në Wikipedia dhe kompani gjigante të teknologjisë dhe kërkimit dhe do të përdoren edhe për organizimin e ekspozitave fizike në Ambasadat e Republikave të Kosovës, ekspozitave online në ueb-faqe të tyre si dhe në hollet e Institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare, ku Kosova merr pjesë.
Konkursi do të mbetet i hapur nga sot, datë 18 Tetor, 2017 deri më datën 31 Tetor, 2017 në orën 16:00. Ministria e Punëve të Jashtme inkurajon të gjithë aplikuesit potencial për një aplikim sa më të madh në këtë garë mbarëkombëtare, qëllimi kryesor i së cilës është promovimi i një imazhi sa më të mirë për vendin tonë.
Me respekt,
Ministria e Punëve të Jashtme