Konsullja e Përgjithshme e Kosovës Ambasadorja Sahatqija hap siparin e 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”, NY./
Nga bangat e shkollës shqipe Alba Life, nga Staten Island të New Yorkut, nga Amerika mike, do ta themi së bashku: Kosovë e dashur, urime ditëlidjen e 10-të! Ambasadore Teuta Sahatqija/
Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura/ t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj…Ali Podrimja/
Kosova jonë martire vuri kurorën e Perëndeshës së Pavaresise në kokë 10 vjet më parë, 10 vjet ndonëse në ngrica shkurti, por me zjarrin përvëlues në gji, etjen e madhe për Liri, etjen me buzë të zhuritura, çarë si shegë për 100 vjet. Fuqitë e mëdha me pabesi dhe padrejtësisht ia prenë gjysmën e trupit, Kosovën, Nënës Shqipëri dhe ia dhuruan kuçedrës serbe…
Ç’mundime, ç’luftra, ç’sakrifica u bënë per ta rimarrë Kosovën! Bijtë e saj me Ibrahim Rugovën Adem Jasharin, UÇK-n dhe Amerikën në krye ia dolën mbanë, ia dolën si BURRAT!
Dhe ja sot vjen një ditë në Diasporë dhe arrihet të festohet 10 Vjetori i Pavarësisë së Kosovës madhërisht midis nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life”. Ata janë e ardhmja e diasporës, janë e ardhmja e Kombit. Konsullja e Përgjithshme e Kosovës, ambasadorja Teuta Sahatqija shoqëruar nga Konsulli Fatmir Zajmi dhe sekretarja e pare znj.Albana Bylykbashi hapi siparin e 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me nxënësit e Shkolles Shqipe “Alba Life”. Ambasadorja Sahatqija dhe stafi i Konsullatës u mirëpritën me duartrokitje të stuhishme nga të gjithë të pranishmit dhe nxënësit që ishin ngjitur në skenë për të shfaqur koncertin madhështor.
Fjala e saj me plot elekuencë dhe profesionalizëm ishte tejet impresionuese dhe mbresëlënëse, sepse dilnin nga zemra dhe shpirti i një gruaje kosovare që kishte ndjerë nga afër mungesën e Lirisë, diskriminimin dhe dhunën serbe…Ambasadorja Sahatqija në fjalën e saj midis të tjerash tha se: “Nisja e këtij karvani të ngjarjeve nga shkolla dhe nxënës që mësojnë shqip nuk ishte zgjedhje e rastësishme. Pikërisht Shkolla Shqipe ishte në shenjestër të regjimit të Millosheviqit i cili deshi ta shuante gjuhën shqipe, ti mbyllë shkollat, ta zhbëje historinë e shqiptarëve në tokën e Kosovës”…
Programi i Shkollës Shqipe “Alba Life” për 10 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Drejtuesit e programit nxënësit e talentuar Arsi Muda, Dea Kërliu dhe Boris Pero përshëndetën njëzëri:Mirë se keni ardhur për të festuar së bashku 10 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës!Qemal Zylo themelues dhe drejtor i Shkollës Shqipe “Alba Life” pasi iu ka uruar tëgjithëpjesëmarrësve, mësuesëve, nxënësve dhe prindërve: Gëzuar 10 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, i ka ftuar që të çohen në këmbë për të mbajtur një minutë heshtje në nderim dhe përkujtim të të rënëve për Lirinë e Kosovës. Z.Zylo ka përshëndetur përzemërsisht ardhjen e ambasadores dhe stafin e Konsullates se Kosovës që përzgjodhën Shkollën Shqipe “Alba Life” për të hapur siparin e programeve për të festuar me nderime Pavarësinë e Kosovës. Përzgjedhja juaj është një frymëzim për të gjithë ne dhe na shton me përgjegjësi dhe më të mëdha që këtë mision nga më fisnikët mos ta ndalojmë kurrë së bashku vazhdoi ai midis të tjerash.
Arsi Muda ftoi të gjithë pjesëmarrësit për të kënduar së bashku këngën “Ty Flamur të duam shumë”, sepse në këtë ditë të shenjtë ne nderojmë të gjithë ata Heronj dhe dëshmorë që dhanë jetën për Flamurin, le të nderojmë Plakun Ismail Qemalin që ngrit Flamurin në Vlore së bashku me Isa Boletinin, le të nderojmë Ibrahim Rugovën me Heroin Adem Jasharin bashkë me trimat e UÇK-s që dhane jetën për Kosovën dhe që sot ajo ka fituar Pavarësinë.
Arsi Muda prezantoi vehten si nxënës i Shkollës Shqipe “Alba Life” nëStaten Island, shkollë që është hapur 10 vjet më parë. Unë do të prezantoj programin vazhdoi ai që kanë përgatitur nxënësit e Shkollës Shqipe nën kujdesin e mësueseve të dashura Entela Muda, Vlera Thaqi, Adelina Laçaj, Ardita Vadahi, Klaus Sharra, Kozeta Zylo, Rea Ulaj, nën drejtimin e sopranos së shquar Dëshira Ahmeti Kërliu. Kurse Dea Kërliu tha se jam nxënëse në Staten Island, një vatër e ngrohtë e Shkollës Shqipe “Alba Life”Boris Pero tha se jam nxënës i shkollës Shqipe “Alba Life” dhe kam vetem 10 muaj që jam larguar nga Atdheu, por jam shumë i gëzuar që këtu në New York gjeta një Shqipëri të vogël! Arsi ftoi nxënësit e Shkollës Shqipe në Queens, shkollë që ka vetëm një vit që është hapur. Nxënësit ishin përgatitur nën kujdesin e mësueseve Ardita Vadahi dhe Klaus Sharra.
Nxënësit e Ardita Vadahit ishin: Nevil Vadahi: “Flamuri”
Nxënësit e mësues Klaus Sharra: Alba Vadahi: Flamuri
Era Vadahi: 28 Nëntor, i dhe ngjyrë Atdheut nga Alma Papamihali
Francesko Hila: Kënga e turpshme “Azem Shkreli”
Ryan Pjetërgjoka: “Kosova”.
Boris ftoi në skenë nxënësit e shkollës Shqipe “Alba Life” në Brooklyn që është një qendër arsimi dhe kulture në gjuhën Shqipe…
Nxënësit e mesuese Adelina Laçaj. Flamuri Blenda Shehu/ Kelvin Rustani- Këndo Kosovë këndo Prishtinë/ Alma Papamihali Enea Rustani: Në shpalljen e ditës së Pavarësisë/ Agim Doçi
Motra kosovare: autore: Kozeta Zylo, reciton Erla Lamçe
Enio Tahiri: Dy gjëra më të rëndësishme!
Nxënësit e Kozeta Zylos: Rilind Shehu Unë Jam Rilindi/ Kosova: Jori Lamçe
Enzo Rrustani: Shqipëria
Me nxënësit e mësuese Entela Mudës:
Liljana Imerovski dhe Reona Kovaci: Mëmëdheu nga Cajupi. Elira Xhemaili nga Naim Frashëri
Dea Watkins Atdheu Asdreni, Emma Watkins: Gjuha jonë. Arlinda Tahiraj, Laura Tahiraj dhe Alton Selmani: Korça nga Naim Frashëri.
Drilind Bardhecaj: “Ku kam lerë” nga Çajupi
Rilind Bardhi “Korça” nga Naim Frashëri. Loriana Thaqi Kuq e zi dhe Ilirjan Thaqi: Gjuha jonë
Dea Kërliu solli nxënësit e mësuese Vlera Thaqit.
Lisa Pilku: Skënderbeu…Ilirjan Thaqi: Gjuha jonë. Chloe Bacelli, Gerard Pero dhe Elina- Pavarësia e Kosovës. Rian Doçi- Unë jam Ismail Qemali. Diellon Bardhi dhe Arbëror Okshe- Skënderbeu
Borisi solli nxënësit e mësuese Kozeta Zylos
Arsi Muda: Kosova: Agim Shehu/ Dea Kerliu: Hil Mosi/ Boris Pero: Zgjohu Kosovë: Ali Podrimja/
Sanela Lubani: Unë jam nga Kraja/ Amela Lubani: Rroftë Kosova!
Kori këndoi: Kënga për Mëmëdheun ndërsa kënga e Alfabetit: Udha e shkronjave u këndua nga nxënësja e e talentuar Dea Kërliu shoqëruar nga kori.
Teksti është shkruar nga Parashqevi Qiriazi dhe për herë të parë u këndua në mitingun e shkronjave në Korçë, më 14 shkurt 1910, pra është këngë prej 107 vjetësh dhe do të rrojë sa të ketë frymë shqiptari mbi dhe.
Programi u mbyll me këngën: “Gjuha Shqipe” që është dhe hymni i Shkollës Shqipe “Alba Life”, kompozuar nga Petrika Melo dhe me tekst nga shkrimtarja Kozeta Zylo.
Arsi Muda ftoi të gjithë bashkatdhetarët, prindërit dhe ju tha se ju dëgjuat një program të bukur artistik të realizuar plot dashuri nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”. Të gjithë ju bashkatdhetarë ju ftojmë të sillni fëmijët pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” dhe të jeni të sigurtë se mot ata do të jenë së bashku me ne në skenë për të nderuar FLAMURIN KOMBËTAR dhe Kombin!Të gjithë nxënësit përshëndetën në skenë me urimin: Gëzuar Festën e Pavarësisë: Kosovë. Urim që gjëmoi si oshëtimë dhe u duk sikur u përcoll gjer në Kosovë dhe u bashkua me shkollat shqipe në Mëmëdhe në bashkim të ciline kërkon koha, e kërkon Kombi…
***
Fjala përshëndetëse nga Ambasadorja Tetua Sahatqija Konsulle e Përgjitshme e shtetit të Kosovës në New York./
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar prindër,
Të dashur nxënës të shkollës shqipe “Alba Life”,
Zonja dhe Zotëri Zylo, në emrin tim dhe të diplomatëve të Misionit të Republikës së Kosovës, ju falemnderit për bashkëorganizim të këtij eventi.
Dua të falënderoj edhe z.Niman Blakaj me familje, Z. Rexhe dhe Shpresa Xhakli, Z. Azer Sinanaj që mundësuan këtë ngjarje me femijët.
Sot nga kjo shkolle do ta nisim Javën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës në New York. Do të jetë kjo një javë e ngjeshur, plot me ngjarje të ndryshme kulturore, sportive e diplomatike me të cilat duam të nderojmë këtë përvjetor të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës dhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë kudo nëpër botë.
Nisja e këtij karvani të ngjarjeve nga shkolla dhe nxënës që mësojnë shqip nuk ishte zgjedhje e rastësishme. Pikërisht Shkolla Shqipe ishte në shënjestër të regjimit të Millosheviqit i cili deshi ta shuajë Gjuhën Shqipe, ti mbyllë shkollat, ta zhbënte historinë e shqiptarëve në tokën e Kosovës. Ai deshi që shqiptarët t’i kthejë në njerëz të pashkollë, pa respekt e pa miq.
Para 19 vitesh, pas rezistencës paqësore të Ibrahim Rugovës, luftës së Adem Jasharit me shokët, mbështetjen e diasporës dhe miqve, erdhi liria e shumëpritur. Ajo u fitua me luftë, gjak e mund, me lot, vuajtje e sacrifica, me shumë punë e dashuri për vendin dhe popullin.
Më 17 shkurt 2008, në një ditë acari, Parlamenti i Kosovës e votoi Deklaratën e Pavarësisë dhe Kosova u shpall Republikë, shtet i pavarur.Sot femijët dhe të rinjtë e Kosovës, po arrijnë suksese në nivel botëror në matematikë dhe informatikë, po i pushtojnë majet e Mount Everest e Kilimangjaros. Majlinda na solli madaljen e parë të artë nga Olimpiada. Ekipi i skiatorëve tanë dje defiloi në Olimpiadën dimërore ne Korenë e Jugut. Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi janë këngëtaret më të kërkuara në skenat botërore. Një asteroid i zbuluar në kozmos quhet Pranvera Hyseni, sipas emrit të astronomes tone të re e cila gjendet në listen botërore të inovatorëve të rinj nën 24 vjeç.
Të dashur fëmijë, ju po rriteni në Amerikë, në një vend të lirë të njerëzve trima. Në një vend që është mike e madhe e Kosovës dhe e shqiptarëve. Ju fëmijët e sotëm, nesër do të beheni inxhinierë, mjekë, sportistë. Do të udhëhiqni biznese, dikush do të bëhet Kongresist apo Senator.
Kur ne nuk do te jemi më, nga përkushtimi juaj do të varet ndihma për fëmijët e tjerë në kohra të vështira.
Kur të rriteni do të kujtoni ditën kur e festuat 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në New York dhe ju do të jeni ata që do të festoni edhe shumë përvjetore të rëndësishme për shqiptarët.
Ju dëshiroj që ta duani shkollën dhe të punoni për të qenë të suksesshëm për vehten, familjen dhe për komunitetin tuaj. Dëshiroj që të përkrahni njeri tjetrin dhe ti gëzoheni suksesit të shokut e të shoqes. Ta duani dhe ta kultivoni Gjuhën Shqipe, kulturën dhe historinë, të vizitoni trojet nga kanë ardhur familjet tuaja. Dëshiroj që me krenari te flisni Gjuhën Shqipe dhe të punoni për Atdheun me shumë dashuri.
Sot nga bangat e shkollës shqipe Alba Life, nga Staten Island të New Yorkut, nga Amerika mike, do ta themi së bashku:
Kosovë e dashur, urime ditëlidjen e 10-të!
Pas koncertit madhështor shfaqur nga nxënësit përgatitur mjeshtërisht nga mësueset dhe drejtuesja e programit artistik sopranoja e shquar Dëshira Ahmeti Kerliu, Ambasadorja Sahatqija ka ndarë tortën e 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe i ka dhënë mirënjohje Shkollës Shqipe “Alba Life” në emër të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në New York me këtë motivacion: I ndan mirënjohje “Alba Life” për kontributin e dhënë në organizimin e përvjetorit të 10-të të Pavarësisë së Kosovës.Mirënjohja e dhënë nga Ambasadorja Sahatqija u mirëprit me duartrokitje të stuhishme. Ishte një e shtunë e bukur, një e shtunë ku u prit madhërisht 10 Vjetori i Pavarësisë së Kosovës nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në bashkëpunim me Ambasadoren Sahatqija dhe stafin e Konsullatës së Kosovës në New York të cilët hapën siparin e festimit të Pavarësisë së Kosovës.
10 Shkurt, 2018
Staten Island, New York