NGA FERRI NË PARAJSË…
– për Uran Kostrecin, në 85 vjetorin
e lindjes, sa pa ikur janari i tij –
Edhe ti dje a pardje, njëlloj është, gjithmonë në të kaluarën, kishe datëlindjen, se në të tashmen s’ndodh asgjë për Ty, vetëm harrim…
Ke qenë në burg gjatë, shumë gjatë se nuk duronin dot kundërshtitë e tua, ëndrrën tënde të lirisë, por sot nuk durojnë dot poezinë tënde të shkruar në burg, janë me kafazin, jo me zogun flatra-dhëmbur, ndoshta kështu do të nisje ti një sonet të ri…
Por unë po shtoj fjalët që kam thënë për ty, bashkëvuajtës shpirti:
NJË TITULL NDERI
Më vjen të vë titullin “Kont” tani që shkruaj Uran Kostreci, jo vetëm pse kemi një Kont Urani në historinë e lavdishme të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, të atij burrit plot besë, që i qëndroi në krah Heroit Kombëtar dhe, edhe kur Sulltan Murati I a II a të dy ishin gati që t’i jepte mushka me florinj, që ta shiste Skënderbeun dhe ai s’u korruptua kurrë, na e dëshmon historia, por kështu dhe Urani im, i qendroi besnik vuajtjes së tij, burgut, idealit, nuk u korruptuar asnjëhere, i pa epur deri në ashpërsi, nga shkaku i drejtësisë, i dhëmbshur deri në lotë, nga shkaku i mirësisë, poet, madje i sonetit, tringëllimës në shqip, që e shkruajti pa ndërprerje, e buronte, me një begati rimash, duke e bërë armën e tij, si një shpatë argjendi marciale, plot gurë të çmuar, me atë godiste të keqen që i dilte përpara dhe nderonte si një kalorës virtytet dhe emrat e lartë, ata të Ballit të Kombit. Secilit më të shquarve u ka kushtuar nga një sonet, që ua ka dhënë si dekorate. Vërtet Uran Kostreci kishte diçka kalorsiake prej konti, një vetmi fisnike dhe me miq plot, bredharak dhe i qendrueshëm, që s’të falte dhe falës, zë lartë dhe i urtë, dinjitoz e i hijshëm, i gjatë, me një kapele republike mbi krye, si një enigmë, me një shkak. Dhe me mendime republikane, konservatore, me cigaren në buzë si një shpotí, duhej ca tym, duhej. Portret dhe poeti dhe ashtu ishte. I përkiste letërsisë tjetër, asaj që erdhi nga burgjet dhe internimet. Dhe në librin tim, në sprovën “Kartela të Realizmit të Dënuar”, është dhe ajo e ustait të soneteve, qendrestarit të burgjeve që tha: “burgu s’më bëri asgjë mua”. E gjithë vuajtja për këtë sfidë…
KARTELA E DHËMBSHME
E URAN KOSTRECIT:
…pasionanti i soneteve të klasicizmit, i atyre tringëllimave që duket se u krijuan qysh në shekullin XIII për t’i kënduar dashurisë dhe gëzimeve, por që në poezinë moderne shqipe, në letërsinë tjetër, u kthyen në klithma apokaliptike. Që i vogël Uran Kostreci u njoh me persekutimin komunist, i arrestojnë babanë si nacionalist, i nxjerrin nga shtëpia familjarisht… duke u rritur, duke iu shtuar dëshira për shkollë, ia del të mbarojë “Normalen” e Elbasanit, bëhet dhe mësues, por do të shkruante keq në një poezi për Enverin, vetëm arratisja do të mund ta shpëtonte, por e kapin në Liqenin e Pogradecit dhe e dënojnë me burg, e mbyllin në Burrel… I burgosuri Ejëll Çoba i dha mësime italishteje dhe Danten, Koço Tasi i bëri filozofi, Kudret Kokoshi i përforcoi sonetin dhe nacionalizmin, ndërsa rebelizmin e kishte vetë në gjak. Kur ishte në vitin e 15–të të burgut, e dënojnë prapë me 8 vjet të tjera, me akuzën se kishte sharë Enverin, hakamarrje për poezinë që nuk ia gjetën dikur. Mbas 20 vitesh, e lirojnë, sipas tij nga shkaku i “Lëvizjeve në Kosovë”. Punon hamall dhe e arrestojnë prapë dhe prapë në internim dhe ai prapë do që të arratiset dhe arrestojnë në tren dhe ai u ikën prapë… kur përmendet nga goditja me hekur në kokë, e sheh veten me pranga në duar. Mbas torturave të shpejta, një gjyq i shpejtë në Elbasan dhe e dënojnë me 3 vjet të tjera burg. “Epopeja e karkalecave”, poemë e Uran Kostrecit doli nga burgu bashkë me të, jo e shkruar, e kishte në mbamendje dhe u bë e njohur si satire. s’bëhet fjalë për epideminë e karkalecëve, që ra kur komunistët morën pushtetin, por është si një kacafytje letrare me një satirë tjetër të një shkrimtari të socrealizmit, e cila qe futur dhe në tekstet e shkollave, nga që përqeshte patriotët dhe luftën e tyre duke shtrembëruar të vërtetat historike. Urani i soneteve, i zgjedhur dhe si kryetar i Partisë Demokratike në Elbasan, i përvishet punës së antigenocidit, heton nga ata që ishin përgjegjës për persekutimet komuniste, nja 30 të tillë i bëjnë gati dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, por lirohen shpejt nga rrëmujat e ’97 dhe mbetet i rrezikuari përsëri Urani i burgjeve dhe ikën, tani ia del, shkon në SHBA, kërkon strehim politik dhe strehohet te shoqata shqiparo–amerikane “Vatra”. Në 2007 kthehet në atdhe, boton një libër me sonete dhe një novelë. Shkruan sonete vazhdimisht, edhe kur ishte 80 vjeç, ja atje mes njerëzve te një tryezë në kafenenë “Piazza” në qendër të Tiranës dhe nuk e heqte nga kryet borsalinën.
Ca kuqo artistë, a për frik’ a për pare,
Kur ferr qe Atdheu, iu lëpin tiranit:
Ja shitnë ata, gjer dje, shpirtin shejtanit!
Duke u tërhequr… këmba–dore zvarre,
Bënë ata filma e rrejtën ashiqare,
Se kuqot gjasme i dhan’ dërmën gjermanit..
Ndonse vran’ shqipo për qejf të Dushanit!
Çka u bë dje, s’po thotë askush gjë fare,
Po qysh dhe sot… ca filma me kulakë,
Spiunë amerikanë e priftërinj,
Prap’ shfaqen… çoroditin mjaft të rinj,
Që s’njohin komunizmë e s’dinë aspak
Qysh kuqua Atdhen burgosi, derdhi gjak
E n’ internim ai vrau dhe çiliminj.
Ishte soneti ÇORODITJE, një mesazh me vlerë për gjithë artet e letërsinë…
A e dinin pse Uran Kostreci e mbante borsalinën vazhdimisht, nuk e hiqte as brenda, në takime e salla veprimtarish, nuk donte që t’i dukej në kokë një vragë e përthellët plumbi. E kishte që nga atëhere, kur e qëlluan rojat në burg, teksa u ishte hedhur përsipër telave me gjëmba të ferrit për t’u vrarë, xhupi i të burgosurit iu shpupurit nga plumbat duke shpërndarë copëza pambuku të zi si pendë korbash dhe ai ra i vrarë. Kur ia zvarritën kufomën për te një nga birucat, një Zot e di se ç’engjëll erdhi dhe e ringjalli…Që të mos duket as si hero dhe as si viktimë, – do të shkruante studiuesi Uran Butka, – ai mban atë kapele republike.
* * *
Kaq herë i bëri dredha vdekjes dhe s’ja kishte frikën asaj. Dilte nga spitali si më buzagaz, pas çdo operacioni, Edhe me Covid-19 sikur tallej. Le të rivinte. E donte jetën, por më shumë nderin e saj. I pa lodhur, më së fundmi vendosi të shplodhej. 83 vjeç mbylli sytë përgjithmonë… por mbeti ajo xixëllimë sysh sikur donte të thosh që i pashë edhe ferr edhe parajsë. Në fakt tek ai më shumë panë… Ndizte një cigare dhe nën tymin e saj shkruante një sonet tjetër. Ai vërtet u bë një lloj konti i vonë i sonetit të harruar. Atdhetar së pari. Dhe shkruante dhe për Kosovën, dhe për Çamërinë, për demokracinë, SHBA-në, për burrat sërisht, për politikën e ditës… sonete morali. Si porositë. Pa zor. Dhe si të ishin frymëmarrja e fundit. Si poet ai ka shumë frymëmarrje të fundit. Lajmi u dha se do të kishte homazhe në nderim të tij. Dhe ku? Në Godinën e ish të Përndjekurve Politikë. Atje,.. një tjetë trishtim dhe ky, i përndjekur deri në vdekje. I ndarë. Atje…. Duket sikur homazhet kështu mund të bëheshin njëlloj dhe në qelitë e burgut të Burrelit. A s’kishte shteti salla institucionesh të kulturës, ku nën hijen e Flamurit Kombëtar, të silleshin dhe kurorat me lule, se Uran Kostreci u bë emër i njohur i poezisë së tanishme, mediatik me intervistat, emblematik si qendrestar, zë i kujtesës së vuajtjes së madhe, që përbashkon dhe jo që ndan popullin…
* * *
…mungon në tryezat me miqtë, në kuvende, në shëtitjet vetmitare rrugëve, por gjithsesi është më shumë se më parë, zë poeti, kumbimesh që në letra quhen sonete, që vuajtja e lartësoi si Njeri. Dhe kishte datëlindjen dje, pardje, do të ishte 85 vjeç në këtë fund janari…