Përurohet Qëndra e Trajnimit dhe Arësimimit Profesional të Universitetit Bujqësor Kamzë/
Më datën 22 shkurt në Ambientet e Universitetit Bujqësor Kamzë u përurua Qëndra e Trajnimit Profesional të këtij Universiteti. Në këtë ceremoni mernin Ministrat Panariti, Klosi, Nikolla, ambasadori i Sllovenisë në Shqipëri, Stancic, Rektori i Universitetit Bujqësor Harizaj, personel nga trupa pedagogjike, profesorë, pedagogë, specialistë, nxënës e studentë të këtij universiteti. Gjithashtu në këtë përurim morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së SHBA,USAID dhe Ambasadës Sllovene, me financimet e të cilëve u ngrit kjo Qendër e rëndësishme. Është një Qendër bashkëkohore e kompletuar me laboratorë dhe bazë didaktike të pasur, e cila do t’i japë shtytje përgatitjes së specialistëve të bujqësisë në vendin tonë. “Kjo Qendër e Trajnimit Profesional është e bukur dhe e re. Megjithatë, nuk është ndërtesa thelbi i projektit — por studentët e saj! Një Qendër e një cilësie të tillë të lartë, do t’u japë studentëve mundësinë që të përmirësojnë aftësitë e tyre dhe të japin ndihmesë në zhvillimin e bujqësisë anembanë Shqipërisë”, u shpreh Ambasadori Donald Lu, gjatë ceremonisë së inaugurimit të kësaj Qëndre. I uroj suksese të gjithë pedagogëve dhe studentëve që do të kalojnë nëpër dyert e këtij institucioni të rëndësishëm, përfundoi zoti Lu. {SH.K}