Intervistë nga Rafaela Prifti/
Përmbledhja: Me anë të dokumenteve të paraqitura në librin e tij të ri, Dr. Paulin Marku sjell tablonë dramatike të viseve shqiptare në fillimet e shekullit XX, kur “Perandorisë Otomane po i vinte fundi, Fuqitë e Mëdha ishin të interesuara të mbronin interesat e tyre, Austro-Hungaria dhe Italia donin të ruanin status-quo-në, ndërsa krerëve shqiptarë si: Ismail Qemal Beu, Hasan Prishtina, Preng Bibë Doda, etj ju duhej të lobonin me kancelaritë e huaja prej nga kërkonin ndihma e armatime për kryengritjen antiosmane,” por, gjithashtu, tregonin kujdes dhe ishin të vetëdijshëm për raportet delikate me aktorët e fuqishëm politik të kohës. Për Dr. Marku, libri Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve gjatë Vitit 1912 është kontributi i tij për historinë tonë kombëtare. Ky projekt me rëndësi i Institutit të Historisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike (ASA) nënvizon nevojën e plotësimit të studimeve historike me dokumente italiane, thotë Dr. Marku. Relacionet dhe shifrat e telegrameve dërguar për konsullatat dhe legatat italiane evidentojnë se Roma zyrtare jo vetëm kishte informacione të detajuara në vend por edhe interes primar për ngjarjet në Ballkan, organizimin e shqiptarëve, gjendjen e brendshme të Perandorisë Osmane, dhe qëndrimin e shteteve ballkanike dhe Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare. Dokumentet pasqyrojnë situatën politike-ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve duke dhënë informacione për shkencat historike, politike, ekonomike e shoqërore-kulturore.
Dr. Marku vazhdon të shkruajë studime, monografi e publikime shkencore në Shtetet e Bashkuara. Ai mendon se hulumtimi në arkivat shqiptare dhe të huaja ka qenë dhe mbetet një detyrë e rëndësishme për çdo studiues. Për punën e tij hulumtuese, ai thotë se është e vështirë të ndalesh kur merresh me kërkime shkencore dhe me studime “në lamin e dokumentacionit historik e diplomatik.” Pasioni i tij për historinë nis qysh në vitet shkollore në vendlindjen e tij në Lezhë. I dhënë pas përkushtimit të tij për studimet historike politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, ai shkon të ndjekë studimet në shkencat humane në Universitetin La Sapienca, Romë, Itali. Në të njëjtin universitet, Marku mbrojti disertacionin me temën Ahmet Zogu, Themelimi i Shtetit shqiptar dhe Konsolidimi i Tij në Arenën Ndërkombëtare dhe merr titullin Doktor i Shkencave. Ai është autor i disa studimeve shkencore të publikuara në botime e revista brenda dhe jashtë vendit, si edhe pjesëmarrës në disa konferenca e seminare shkencore.
Dr. Marku sjell tek lexuesi shqiptar librin e parë të botuar në Tiranë nga ASA me dokumentacione italiane relevante për periudhën e pavarësisë shqiptare. Për përgatitjen e vëllimit, studiuesi ka hulumtuar më shumë se 16,000 dokumente në gjuhën italiane, të cilat i ka seleksionuar dhe përkthyer me standarde shkencore. Libri në tërësinë e tij është dëshmi e dokumentuar e lëvizjeve të kujdesshme të elitës politike shqiptare në kohen kur dobësimi i sundimit pesëshekullor dhe shthurja e Perandorisë paralajmëronin rreziqe të copëtimit të trojeve shqiptare nga fqinjët, e kombinuar me premisa politike të rrezikshme dhe interesa rivale të kancelarive të huaja. Për nga roli dhe rëndësia historike, spikatin dy momente: mbledhja e elitës politike në lagjen Tasim në Stamboll në janar 1912 parashtron platformën që do të ndiqnin udhëheqësit politikë shqiptarë në të ardhmen ndaj Portës së Lartë; dhe qëndrimi i përfaqësuesve të zgjedhur nga populli shqiptar për në parlamentin e Stambollit, i cili nisi punimet për herë të parë në fund të vitit 1908, edhe pse de juro ishte miratuar qysh prej vitit 1876.
Për pyetjen time në lidhje me përpjekjet diplomatike të periudhës së pavarësisë dhe diplomacisë shqiptare të kohës sonë, Dr. Marku vëren se “patjetër që diplomacia është shkollë në vete dhe aty ka vend për mësim gjithmonë, sidomos nga e shkuara dhe rrethanat e ndërlikuara historike e politike që patën shqiptarët në gjysmën e parë të shekullit XX.” Në harkun mbi një shekullor nga fillimi i viteve 1900 deri në 2020 janë parashtruar, komentuar dhe analizuar teza, pseudo-teza e kundërteza të natyrave shkencore, politike, diplomatike etj që shpesh kanë polarizuar opinion dhe turbulluar të vërtetën historike. “Për periudhën që flasim libri është i plotë dhe gjenden të dhëna dhe informacione të ndryshme për çdo person që është i interesuar të di të shkuarën historike të shqiptarëve dhe të katër vilajeteve, të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës që gjenden në dokumentet diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë,” pohon akademiku Marku.
Në fund, Dr. Paulin Marku falenderon Vatrën, Vatranët, Diellin, Kryeredaktorin Dalip Greca dhe gazetarin Sokol Paja për promovimin e librit në 13 prill. Ai shpreh mirënjohje për Drejtorin e Institutit të Historisë në Tiranë, akademik prof. Dr Beqir Meta për recensionimin e këtij vëllimi. Ai gjithashtu falenderon kolegët e Departamentit të Pavarësisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar dhe të Institutit të Historisë si edhe miq e dashamirë të tjerë jashtë institutit. _______________________________________________________________________
Dielli: Dr. Marku, ju jeni këshilltar në Vatër për çështje të arsimit, kulturës dhe historisë kombëtare si edhe akademik në Institutin e Historisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike (ASA) Tiranë. Cili ishte synimi dhe shtytësi kryesor i hulumtimeve tuaja për vëllimin e parë të librit të promovuar në Vatër Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve gjatë Vitit 1912?
Dr. Marku: Historiografia është një materie me rëndësi të veçantë dhe luan rol kyç për studimin e popujve, shtetit, kombit, përfshirë gjuhën, kulturën, traditën dhe gjithçka që lidhet me të shkuarën historike. Studimi i historisë është gjithmonë në kërkim të prurjeve të reja dhe kërkon studime të thelluara nëpër dokumente arkivore të ndryshme. Hulumtimi në arkivat shqiptare dhe të huaja ka qenë dhe mbetet një detyrë e rëndësishme për çdo studiues që mundet të përforcojë mendimet e mëparshme ose edhe të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve historike bazuar në fakte të dokumentuara në sa më shumë burime arkivore të jetë e mundur. Historia e shqiptarëve ka qenë dhe mbetet një fushë e rëndësishme dhe mjaft e debatueshme, shpeshherë me ngjarje dhe personazhe që kanë ndarë në qëndrime të ndryshme, jo vetëm opinionin publik dhe politikën në Shqipëri por edhe studiuesit, historianët dhe albanologët. Unë pranova propozimin e Departamentit të Pavarësisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar (1912-1939) i Institutit të Historisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike (ASA) Tiranë pasi kolegët e departamentit miratuan në mënyrë unanimale botimin e vëllimit të I me dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve, janar-qershor 1912, “Documentazione Storico Diplomatica – Archivio Storico Diplomatico, Ministero degli Affari Esteri, Roma (më tej: ASD MAE)” nën indeksin “Affari Politici, Seria Politica “P” Ministero degli Affari Esteri 1891 – 1916, Albania” pasi e pashë të nevojshme dhe të domosdoshme që të jap edhe unë kontributin tim për historinë tonë kombëtare.
Mund të veçoj disa arsye kryesore: Së pari, dokumentet diplomatike italiane përbëjnë një rëndësi të veçantë për këtë periudhë dhe ato ndriçojnë politikën e jashtme dhe të brendshme të Italisë në raport me çështjen shqiptare dhe të rajonit në Ballkan; së dyti, roli kyç i Italisë për shkak të pozitës gjeo-politike, diplomatike dhe të konfliktit të hapur me Perandorinë Osmane në këtë periudhë; dhe së treti, janë të botuara dokumente në gjuhën shqipe të disa vendeve të ndryshme që patën rol dhe rëndësi të veçantë në çështjen shqiptare, ndërsa ato italiane mungonin në botimet shqiptare, si dhe për faktin që isha njohur prej vitesh me dokumentet italiane gjatë studimeve të mia në Itali, pasi njoh gjuhën e dokumentit, literaturës italiane të periudhës dhe të jetës akademike-universitare çka ishin ndihmesë e madhe për mua në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm të Institutit të Historisë (ASA).
Dielli: Periudha e Pavarësisë është moment konvergjence i shumë faktorëve politikë, ekonomikë, ushtarakë e social. Qarkullimi i disa tezave lidhur me domethënien e kërkesave të kohës për autonomi dhe nivelin e vetëdijes kombëtare si edhe roli i disa figurave qendrore të pavarësisë, si Ismal Qemali kanë paralele me historinë e kolonive amerikane për shkëputjen e republikës së re të dalë nga Britania e Madhe përfshirë këtu edhe rolin e një prej promotorëve siç ishte Benjamin Franklin, përkrahës i flaktë i lidhjes anglo-amerikane përpara se të bëhej patriot revolucionar. Veçanërisht brezat e rinj shqiptaro-amerikanë mund të bëjnë krahasime midis këtyre periudhave, respektivisht përpjekjeve të shqiptarëve për pavarësi, përballjen mes prirjeve lojaliste dhe qëndrimeve të prijësve të pavarësisë. Në rastin e Franklin-it, historianët kanë arsyetuar në favor të pajtimit midis disa aspekteve të jetës dhe aktivitetit të tij që krijuan një lloj aleance të dyfishtë të njeriut që kishte lidhje të forta me Londrën dhe që më pas u identifikua dhe iu kushtua kauzës së pavarësisë amerikane. E them këtë për arsye se ikonat e Vatrës që kontribuan me sukses në arritjen e pavarësisë së Shqipërisë ishin të vetëdijshëm për ngjashmëritë historike të përpjekjeve të dy popujve sepse ashtu sikur kolonitë amerikane në 1776 përballeshin me një fuqi perandorake edhe populli shqiptar përballej me Perandorinë Otomane në fillim të shekullit XX, apo jo Dr. Marku?
Dr. Marku: Në rrjedhat historike ka plot raste e fenomene kur kauzat dhe shoqëritë e popujve të ndryshëm mund të kenë një perkorso të ngjashëm në fusha të ndryshme, siç ju edhe e citoni por ama duhet të theksoj faktin se çështja shqiptare është rast tepër specifik dhe i veçantë për nga përmbajtja dhe rrjedhat e ngjarjeve të popullit shqiptar dhe të tokave shqiptare për disa arsye të ndryshme. Shqipëria ishte e pushtuar për afro pesë shekuj nga Perandoria Otomane dhe betejat e shqiptarëve për autonomi ishin të vazhdueshme, po ashtu për lirinë e përdorimit të alfabetit latin dhe hapjen e shkollave shqipe për të mësuar fëmijët shkrim e këndim në gjuhën amtare, kërkonte që taksat të investoheshin në territore shqiptare, dhe jo të shkonin tek Porta e Lartë dhe mos të investohej në infrastrukturë rrugore, shkolla, qendra shëndetësore e kulturore, ndryshime në kryerjen e shërbimit ushtarak vetëm brenda perandorisë, po ashtu lejimin e mbajtjes së armëve për vetëmbrojtje dhe kërkonin që në poste drejtuese dhe në shërbime civile të kishte përfaqësues shqiptar si dhe më kryesorja ishte kërkesa për autonominë e Shqipërisë. Ndonëse Perandorisë Otomane po i vinte fundi, Fuqitë e Mëdha ishin të interesuara të mbronin interesat e tyre. Austro-Hungaria dhe Italia donin të ruanin status-quo-në, ndërsa krerëve shqiptarë si: Ismail Qemal Beu, Hasan Prishtina, Preng Bibë Doda, etj duhet të mbanin lidhje dhe të lobonin me kancelaritë e huaja. Ata, nga njëra anë, kërkonin dhe ju duhej mbështetja e kancelarive evropiane, si edhe ndihma e armatime për kryengritjen anti-osmane, nga ana tjetër duhej të ishin shumë të kujdesshëm në ruajtjen e balancës.Intervisten e plote mund ta lexoni ne numrin e gazetes se muajit maj