Dr. Nikollë Loka/
Kongresi i Manastirit, me vendimet që mori, shënoi një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së alfabetit të shqipes dhe ndikoi fuqishëm në bashkimin politik dhe kulturor të kombit shqiptar. Me këtë vendim, iu dha fund kaosit që mbretëronte deri atëherë në çështjen e shkrimit të shqipes. Me vendosjen e përdorimit të dy alfabeteve, që mbështeteshin në alfabetin latin, Kongresi dëshmoi para opinionit ndërkombëtar vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur identitetin e tyre kombëtar kundër atyre përpjekjeve të xhonturqve që synonin t’u impononin alfabetin arab, që do të çonte në drejtim të njëjtë të zhvillimin kulturor me turqit. Një kontribut të rëndësishëm këtu ka dhënë Haxhi Vildan Dibra, si përfaqësues i klubit shqiptar të Stambollit.
Vidan Faik Dibra lindi në vitin 1852 në fshatin Presojnicë të kazasë së Dibrës, në sanxhakun e Dibrës. Babai i tij Abduselami ishet aga i njohur i atyre anëve, ndërsa e ëma, Zylfija një edukatore e mirëfilltë. Kur Vildani u bë tetë vjeç, familja u shpërngul dhe u vendos në lagjen Yskudar të Stambollit. Njohuritë e para i mori në mejtepin “Fistikli” nga kryeimami i xhamisë “Selimije” hoxhë Hafiz Sabri Efendiu. Vazhdoi studimet e mëtejshme në medresenë e lartë “Kara Mustafa Efendi” dhe në vitin 1882 u emërua ligjërues në xhaminë “Yeni Valide Camii” në Yskudar dhe mësues në mejtepin pranë asaj xhamie; pastaj u bë mësues në mejtepin e lartë të Yskudarit. Në këtë pjesë të Stambollit, gjatë viteve të fundit të shekullit XIX, ishin vendosur shumë shqiptarë.
Vildan Faik Dibra u aktivizua në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të fillimit të shekullit XX, duke përqafuar programin e saj. Mori pjesë në Klubin “Bashkimi” të Stambollit dhe e përfaqësoi atë në Kongresin e Manastirit të vitit 1908. Sipas gazetës “Besa” të Stambollit për Kongresin e Afabetit në “Arnautlluk” (Shqipëri) ishin dërguar këta persona: Ismail Haki, Haxhi Vildan efendiu, Shaqir efendiu, Riza bej Dibra, Fazli pashë Toptani, Fuat Pashë Prishtina dhe Maliq bej Luma, të gjithë anëtarë të klubit “Bashkimi”.
Në Kongres morën pjesë edhe klerikë të tjerë myslimanë e të krishterë. Kryetari i Komisionit të Kongresit të Manastirit, Mithat Frashëri, nuk e kishte fshehur entuziazmin e tij për pjesëmarrjen e krerëve fetarë në këtë ngjarje. Për më tepër, ai edhe në ditarin e tij, të cilin e boton në gazetën “Lirija” më 1908, shkruan se “në këtë ngjarje pritet të vij edhe Haxhi Vildan efendi Dibra, i dërguar nga klubi i shqiptarëve të Stambollit dhe misioni i tyre ishte për të dhënë këshilla në Shqipëri”. Pra, kuptohet se ky komision i dërguar nga shqiptarët e Stambollit kishte për detyrë të jepte këshilla në lidhje me çështjet e alfabetit. Nga disa delegatë të Kongresit ardhja e delegacionit nga Stambolli ishte pritur me dyshim. Për këta ishte përhapur fjala se janë dërguar nga ana e xhonturqve, që Kongresit t’ia imponojnë alfabetin arab si alfabet të vetëm të gjuhës shqipe. Por, të gjitha dilemat i kishte shmangur paraqitja e Haxhi Vildan efendiut, i cili në diskutim kishte folur për rrethanat politike e shoqërore të kohës. Pas fjalës së tij, në këtë ditë kishin folur edhe të tjerë të pranishëm në këtë ngjarje, për ta marrë në fund fjalën prapë Haxhi Vlildani, i cili gjithmonë sipas shënimeve të Mithat Frashërit, në mes të tjerash kishte folur edhe për mungesën e pengesave nga ana e fesë islame për ta mësuar gjuhën shqie me alfabet jo arab.
Qëndrimi i i Haxhi Vildan Dibrës në këtë Kongres kishte një peshë të madhe.
Shumë nga pjesmarrësit prisnin nga do të anonte Hafiz.Vildani, pasi pikëpamja e tij do të mbështetej në bazë të thënieve kuranore. Fjala e tij kishte ndikuar shumë në mbarëvajtjen e punimeve të Kongresit se ishte përgjigjia më e mirë ndaj elementeve fanatikë që kërkonin përdorimin e alfabetit arab. Haxhi Vildani ishte shprehur: “Feja dhe Kurani nuk kanë kurrfarë lidhje me alfabetin. Mësimi i gjuhës shqipe me alfabetin latin nga pikëpamja fetare s’ka asnjë ndalim”. Dhe pasi e demaskoi sundimin e Portës së Lartë dhe e lëvdoi kushtetutën, ai e theksoi nevojën e bashkimit të shqiptarëve, të cilat tani do të bashkoheshin edhe me një alfabet, e alfabeti – tha haxhi Vildani, është një vegël e fuqishme që i përshtatet më së miri gjuhës së tij, prandaj shqiptarët e zgjedhin alfabetin latin. Turqit gjithashtu nuk kishin shkronja për ta shkruar gjuhën e tyre, ata i kanë adaptuar shkronjat arabe”. Sa për drejtimin se si lypsej të shkruhej, nga e majta në të djathtë, apo nga e djathta në të majtë, sipas tij “kjo nuk është punë me rëndësi. Sa i përket fesë, ajo i takon zemrës së njeriut, kështu që secili është i lirë t’i ketë pikëpamjet e veta”. Kjo la një mbresë të thellë dhe thuajse ua mori nga dora çdo iniciativë edhe atyre të paktëve që mendonin ta shtrojnë për diskutim edhe çështjen e alfabetit arab.
Gjergj Qirjazi pohon se “fjalët e Faik Dibrës patën ndikim shumë të fuqishëm në mendjet e shumë myslimanëve që mendonin se ata nuk duhet të shkruanin si të krishterët.
Si i dërguar i Komitetit Stambollit në hapësirat shqiptare, Haxhi Vildan Faik Dibra mbajti një varg ligjëratash. Janë me interes ligjëratat rreth shkrimit të shqipes me alfabet latin, të cilën ky e mbronte, duke qenë edhe kryetar i Komisionit për përhapjen e shkollave shqipe në vilajetet e Manastirit dhe të Shkodrës. Përzgjedhja e tij në këtë detyrë nuk ishte e vështirë, sepse ai ishte një personalitet i njohur dhe një veteran i arsimit në Perandorinë Osmane. Studiuesi Stavro Skëndi, vë në dukje se nga mesi i vitit 1908 ishte krijuar Lidhja Kombëtare për Mbarësinë e Shkollave Shqipe, e cila ishte e anagzhuar edhe për çështjen e arsimit. Nga disa burime shihet se kjo Lidhje punonte për ta përhapur arsimin shqip në trevat shqiptare. Veprimtaria e kësaj organizate pothuajse u ishte besuar hoxhallarëve. Sipas një shënimi, Komiteti i Stambollit u kishte caktuar rregullore të veprimit hoxhë Vildan Dibrës, hoxhë Ismail Hakiut dhe përkrahësve të tyre. Kjo rregullore përbëhej prej dymbëdhjetë pikave, ndërsa pika një dhe dymbëdhjetë, siç vë në dukje edhe shënimi i vitit 1908 i Konsullatës austro-hungareze në Manastir, ishin këto: “Në të gjitha viset e Shqipërisë do të dërgohen hoxhallarë, për të bërë propagandë nacionale shqiptare dhe hoxhallarët e dërguar ndër fshatra do të zgjedhin me kujdes personat e përshtatshëm, duke u njohur mandateve të tyre emrat dhe pastaj dega e Komitetit ka për të dërguar një person të përshtatshëm dhe do të krijojë një degë të re të Komitetit”.
Përveç kontributit në fushën e arsimit, Haxhi Vildani dhe anëtarët e klubit “Bashkimi” të Stambollit që erdhën në Shqipëri, bënë përpjekje për të penguar ekspeditën e Xhavit Pashës kundër shqiptarëve të Kosovës. Një delegacion i përbërë nga Ibrahin Temo, Vildan Faik Dibra dhe Sami Kulla, me anë të një letre i kërkuan Ministrit të Punëve të jashtme të Perandorisë Talat Beut, që të hiqet dorë nga ekspedita ndëshkuese e Xhavit Pashës. Ata i propozuan Ministrit që të bëhet një marrëveshje dhe të formohet një komision që të sqarojë se përse po ndodhin këto trazira, pavarësisht se kërkesa e tyre nuk u muar parasysh.
Haxhi Vildan Faik Dibra është autor i disa veprave letrare-fetare e filozofike në gjuhët e Lindjes. Gjithashtu ai është autor edhe i monografive në lëmin e drejtësisë, në kuadrin e së drejtës së sheriatit. Vdiq në Stamboll në vitin 1925. Për kontributin e dhënë në çështjen e alfabetit të sotëm të shqipes dhe në përhapjen e arsimit shqip, emri i tij ka hyrë në historinë e arsimit shqiptar dhe roli i tij është i njohur e i vlerësuar nga studiuesit e arsimit.