
Dr. Faton Krasniqi
Instituti Albanologjik – Prishtinë
Përmbajtje e shkurtër: Profesor Mehmet Ahmetaj shquhet kryesisht për studimet e dialektologjisë shqiptare dhe gjithashtu ka një bibliografi të pasur me disa monografi, shkrime, përmbledhje, kumtesa, punime shkencore. Gjuha e veprave të tij shquhet për qartësinë, profesionalizmin dhe informacionin e saktë shkencor. Ai ia kushtoi një jetë të tërë gjuhësisë shqiptare dhe me një elan të pashoq arriti që të grumbulloj shumë fjalë e shprehje të rralla kryesisht nga të folmet shqiptare në Mal të Zi. Veprat e tij janë një thesar i çmuar i kulturës dhe i gjuhësisë shqiptare. Teksti shkencor dallon nga tekstet tjera dhe lirisht mund të themi se tekstet e autorit janë tekste tipike shkencore të gjuhësisë sonë moderne. Begatia e tij janë prurjet dhe studimet në fushë të dialektologjisë si një nga fushat më të rëndësishme të gjuhësisë. Idetë dhe studimet e tij janë vlera jo vetëm të albanologjisë, por të mbarë kulturës shqiptare, sepse ato pasqyrojnë më së mirë metodologjinë e një linguisti të përkushtuar, profesional dhe të përgatitur për të arritur rezultate në fushën e tij studimore.
Hyrje
Prof. dr. Mehmet Ahmetaj lindi në Vuthaj të Plavës dhe të Gucisë më 1946. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Pejë. Fakultetin Filozofik, Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, e mbaroi në Prishtinë më 1974. Gjithashtu në Universitetin e Prishtinës u magjistrua më 1986 dhe u doktorua më 2000 në shkencat filologjike (në fushën e dialektologjisë shqiptare). Ka punuar këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ai që në krye të herës punoi në arsimin e mesëm si profesor i gjuhës shqipe, në Podujevë, në Prizren dhe Lipjan si dhe referent profesional në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Deri më sot ka botuar këto vepra: Studime gjuhësore II (Dialektologji) bashkautor (1999). Fjalor i të folmeve shqiptare në Mal të Zi (1996). E folmja e Plavës dhe e Gucisë (2002). E folmja e Anës së Malit (2006). Gjurmime onomastike (2009). Fjalor onomastik i territoreve shqiptare në Mal të Zi (2017). Gjithashtu profesor Mehmet Ahmetaj ka botuar edhe një varg punimesh shkencore, kumtesa, recensione kronikash që i ka botuar në revista shkencore dhe në periodikun shkencor dhe në shtypin ditor. Nga ana tjetër, ka marrë pjesë në shumë tubime, konferenca, sesione simpoziume shkencore, në Prishtinë, në Tiranë në Shkup dhe në Ulqin. Disa nga punimet shkencore të prof. Dr. Mehmet Ahmetajt të publikuara në revista dhe simpoziume shkencore, si: Simpoziumi shkencor i mbajtur në Prishtinë, më 15-16 dhe 17 dhjetor 1980. Probleme aktuale të kulturës së gjuhë shqipe, Instituti Albanologjik i Prishtinës. Revista “Jehona”, Shkup, 1988, Revistë për art, letërsi, shkencë dhe kulturë, Gjuha jonë, studime historike, lemba, koha. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Konferenca Shkencore “Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot”, Tiranë, 20-21 nëntor 2002. Instituti Albanologjik i Prishtinës, Simpoziumi Shkencor “50 Vjet Studime Albanologjike”, mbajtur më 18-19 dhjetor 2003. Revista “Dija”, Ulqin, 7/2009, revistë për shkencë, kulturë, art.
Vepra e parë e profesor Mehmet Ahmetajt: Fjalor i të folmeve shqiptare në Mal të Zi, mbërthen në vete një gamë të gjerë të materialit lëndor e shpirtëror, të vjelë skaj më skaj të krahinave shqiptare gjithandej. Duke pasur si pikëqendresë kryekëput arealin traullsor etnik të ligjërimeve shqiptare të Ulqinit, të Anës së Malit, të Shtojit, të Bregut të Bunës, të Tivarit të Shestanit, të Krajës, të Tuzit, të Hotit (Traboinit të Moçëm), të Grudës, të Trijepshit, të Kojës. Të Plavës e Gucisë dhe të Rozhajës. Në këtë vepër të rëndësishme profesor Mehmet Ahmetaj është marrë me një numër të theksuar të grupeve të fjalëve, si me: frazeologjizamsh, togfjalëshash frazeologjikë, sinonimesh, antonimesh, onomatopesh, metaforash, antrotoponimesh, patronimesh, toponimesh, eufemizmash, paganizmash dhe një radhë fjalësh e shprehjesh nga leksiku i pasivizuar, deri tash fare pakëz i hetuar dhe i studiuar nga gjuhëtarët tanë. Në këtë Fjalor dialektor, kanë gjetur vend të thekshëm, edhe një grup i të tërë njësish leksikore, toponimike, togfjalëshash e shprehjesh të bukura popullore, nga fusha e mitologjisë shqiptare, që veçohen në këtë drejtim, nga krahinat shqiptare, si gurrë e pashtershme riprodhimesh gjuhësore të pasura dhe autoktone, si p.sh.: ora e ligë, ora e keqe, ora e mirë, ora e zezë, ora e bardhë, ora a malit e shumë e shumë të tjera. Hartimi i këtij Fjalori dialektor ka ardhur si rezultat i një pune të palodhshme kërkimore, shkencore dhe hulumtuese për disa vite me radhë. Sipas profesor Mehmet Ahmetajt ky Fjalor ka rreth 6000 njësi të mirëfillta leksikore, frazeologjike, toponimike, antroponimike, etnografike, etj., e që është një pasqyrim i mirëfilltë i të folmeve shqiptare në Mal të Zi. Më të drejt profesor Mehmet Halimi në pasthënie të këtij Fjalori thekson se: “Puna në hartimin e fjalorit nuk është as e lehtë, as e thjeshtë. Fjalori kërkon vullnet, mund e punë të madhe dhe kohë të vazhdueshme. I vetëdijshëm për këtë, punonjësi shkencore profesor Mehmet Ahmetaj, duke udhëtuar fshat më fshat, lagje më lagje e shtëpi më shtëpi në dyzet vendbanime shqiptare, voli nokël më nokël fjalë e shprehje të rralla nga shqipfolësit e këtij krahu, fjalë e shprehje këto, që përfaqësojnë margaritarë të leksikut të shqipes. Ai punoi më se dhjetë vjet pa u lodhur, por leksikografisë e dialektologjisë shqiptare i ofroi një vepër të rrallë e me vlera të shumëfishta shkencore”.
Në këtë fjalor gjejmë shumë fjalë e shprehje të rralla që ndoshta nuk mund t`i gjejmë në të folmet tjera, si:
Áme, f. zool. (Ul). Peshk i madh deti, formën e ka shputake, ngjyrën si të përgjakur.
Ánepán, ndajf. (Pl. – Gu.). Tejpërtej, anembanë.
Atâne, përem. (Lj). Për ata.
Bakarrot, ndajf. (Am.). Mundje e kundërshtarit me një lojë me një epërsi të lartë, bindshëm.
Ballhút/ë, (Pl.- Gu). Pushkë e moçme, e cila dikur moti mbushej për grykë.
Bishtáj, – m. (Am.). Që ka bisht të bardhë.
Bzhís, fol. (Dl). Tiganis, fërgoj vezë. Bzhís vé.
Caklan! (Pasth.) (Am.). Nuk jam në lojë.
Calîn/ë,. Lloj pushke e moçme dhe e gjatë.
Cáp/ë, A f. Kazmë, vegël bujqësore për rrëmihje të thellë.
Crjepúj/ë, (Pl. – Gu.). Në mënyrë pezhorative, për një vajzë a grua servile, sahanlëpirëse.
Çargzîn/ë, (She.). Lloj pushke e vjetër.
Çfillim, Fishkëllimë. (Plavë – Guci).
Çilmyll, m. (AM.). Errësirë e plotë, terr i madh, ku nuk shihet asgjë.
Çysa, përem. (Ft.). Për disa çysa. Çysa kur e prekën me duor po z’di gjâ aj.
Derdimen, Trimëri, familje, trimash.
Dhéç/e, (Pl. – Gu.). Një lloje pushke e vjetër me dhjetë fishekë.
Egërshtíjet, (v.sh.). Përgjithësisht kafshët e egra. Emër kolektiv për egërsirat.
Fȇnafú, ndaj. (Vth.). Fëmijë që është frikacak i madh.
Gucás, fol. (Pl. – Gu.). Nguc dikë.
Gjidilér/e, Vajzë e dalluar si valltare lozonjare.
Halí, (Am.). Tokë e askujt.
Inajet, mb. (Am.). që mban inat, që zemërohet shpejt, që humb durimin.
Jel/i, m. mjek. (Am.). Sëmundje që zakonisht paraqitet te më të moshuarit me dhimbje të ashtit.
Kalival, ndajf. (Ul.). Rrotull.
Láp, mb. (Pl. – Gu.) Njeri vetjak dhe i zhdërvjellët.
Llúçkë/, (Pl.- Gu.). Grua a vjazë shumë e trashë.
Mríje, ndajf. (Pl. – Gu.)Mënyrë shikimi përvjedhtas, për nën sy, apo me bisht të syrit.
Najnik, (M.M.). Erë e lehtë nga juglindja.
Njâra, përem. Për njëra.
Oraník/u, – (Pl. – Gu.). Burrë me orë, i vendit e i kuvendit.
Palúk, (Am.). Palë e sanës.
Qyqúj/ë, (Pl. – Gu.). Grua a vajzë e ngathme e lënë.
Rub/i, (Pl. – Gu.). Plaçkë e vjetër nga pëlhura.
Rroshi/i, m. (Pl. – Gu.). Gur në madhësi të grushtit.
Stoxher/i, m. (Nm.). Për mullar sane.
Shamát/ë. (Mi.). Zhurmë, përleshje e madhe.
Telef, ndajf. (Pl. – Gu.). Asht e lëkurë.
Thngill/i, (Lj.). Thëngjill.
Udokt, (i,e). I shëmtuar.
Vakth/i, (Stj.). Koha. Vakthi i Turkís.
Xunkth/i, m. (Ul.). Bot.. Një lloj druri.
Xhák/u, m. (Pl. – Gu.). Një lloj thesi i madh.
Yst, ndajf. (Am.). Mënyrë e lëvrimit me kafshë apo me traktor.
Zabún, ndajf. Shpirtërisht i mërzitur, i pikëlluar.
Zhargit, fol. Djegur, përcëlluar.
Profesor Mehmet Ahmetaj në vitin 2002 e botoi në Prishtinë monografinë e tij: “E folmja e Plavës dhe Gucisë“. Sipas autori për të folmen e kësaj tërthore shqiptare, nuk është bërë asnjë studim deri më sot. Kjo e folme për herë të parë u bë objekt shqyrtimi e studimi monografik, ku është bërë përshkrimi sinkronik i saj, e rrallëherë diakronik, duke e parë si strukturë unike në fushën fonetike, morfologjike, sintaktike, leksikore, e aty – këtu edhe topononimike, antrotoponimike dhe patronimike. Ky studim serioz e shumë profesional i dialektologut Mehmet Ahmetaj ka vë në spikamë në mënyrë të thelluar gjendjen e së folmes së Plavës e Gucisë, përkatësisht tërë strukturën e brendshme të saj. Materialin për këtë monografi autori e ka mbledhur kryesisht nga pleqtë dhe plakat e Plavë Gucisë. Nga studimi dhe shqyrtimi i kësaj monografie mund të theksojmë se në këtë të folme janë ruajtur një varg veçorish specifike, fenomenesh të ndryshme gjuhësore që dalin në të, si ruajtja sot e kësaj dite e një mori trajtash arkaike të periudhës hershme të shqipes, të cilat janë në interes të dialektologjisë, fonetikës, fonologjisë dhe të leksikologjisë shqiptare. Kjo monografi përbëhet prej katër krerësh: Kreu I, Veçoritë fonetike; II, Veçoritë morfologjike; III, Sintaksa, IV, Leksiku. Kjo monografi përpos që përmban shumë të dhëna të rëndësishme për gjuhësinë shqiptare jepen edhe disa të dhëna me interes edhe për demografinë e Plavës dhe Gucisë, pra kemi të bëjmë me të dhëna të sakta të numrit të përgjithshëm të banorëve të asaj ane të cilat autori i paraqet statistikisht dhe gjithnjë sipas kërkimeve të mirëfillta shkencore duke e paraqitur demografinë e territorit të Plavës, si pjesë e Sanxhakut të Shkodrës.
Në vitin 2006 profesor Mehmet Ahmetaj e botoi në Prishtinë monografinë e tij të tretë: “E folmja e Anës së Malit“. Kjo e folme në aspektin dialektor, gjeografik, historik, shkon me grupin e madh të të folmeve truallsore veriperëndimore të shqipes. Me këtë monografi gjuhësia shqiptare e në veçanti dialektologjia është pasuruar me një thesar të çmuar, ku paraqiten vlerat fonetike, morfologjike, sintaksore, leksikore, fjalëformuese, frazeologjike, toponimike të kësaj të folme të rëndësishme shqiptare. Më këto monografi është bërë studimi, sistemimi, mbledhja e leksikut, mbledhja e materialeve dialektore, fonetike e frazeologjike të asaj ane duke e përmbyllur me sukses studimin e nisur që në rininë e tij. Duke e pasur parasysh terrenin e vështirë të asaj ane mbledhja e materialeve nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse një gjë e tillë kërkon dije, mund, angazhim, përkushtim, vullnet, sakrificë dhe dashuri për profesionin e shenjtë, por profesor Mehmet Ahmetaj këtë punë me karakter shkencor, kulturor e kombëtar e ka filluar dhe mbaruar me shumë përkushtim dhe me rezultate të kënaqshme shkencore. Një punë e mirë për këtë monografi është se janë skicuar në harta të gjitha fshatrat dhe qytetet ku janë bërë studimet dialektologjike dhe kjo është një dëshmi tepër me rëndësi për dialektologjinë shqiptare, sepse gjithçka është evidentuar, skicuar, vlerësuar e studiuar në hollësi. Kjo punë dhe ky dokumentim shkencor do të jetë përgjithmonë i arkivuar në bibliotekat e institucioneve tona shkencore si një dëshmi e një pune me karakter shkencor e që është realizuar në një nga territoret shqiptare në Mal të Zi. Për këtë monografi do të veçoja edhe materialet, tekstet dialektore që profesor Mehmet Ahmetaj i ka mbledhur në atë anë. Gjithnjë sipas autorit për subjekt vështrimi i ka marrë pleqtë dhe plakat, e sidomos femrat e lindura dhe të martuara përbrenda trevës, përkatësisht bajrakut të Anës së Malit, sepse, sipas tij, ato ishin më konservative se burrat, meqë nuk kanë lëvizur jashtë krahinës së atjeshme dhe e kanë ruajtur me besnikëri gjendjen e moçme të gjuhës së gjallë e të folur, me të gjitha tiparet, specifikat e veçantitë të saj të gurrave dialektore autoktone. Me studime të tilla lexuesit dhe studiuesit e gjuhësisë njohin zhvillimin e të folmeve tona në periudha të ndryshme kohore, ku mund të vërehen dallimet, afritë që kanë dialektet e nëndialektet e gjuhës shqipe.
Autori gjatë punës kërkimore ka mbledhur një numër të madh njësish frazeologjike, por unë do t’i veçoja disa prej tyre, si:
As në punë, as në Bunë – askund.
E ka vjerr punën n’tra – thuhet për dikë që nuk punon.
Ka shku: me ba veksha kaher – ka vdekur prej shumë kohësh.
Mas i ba via qullit – i thuhet zakonisht një njeriu që është buzëhollë, që zgjedh ushqimin.
Me trina në mal – thuhet për një njeri që hyn në rrugë pa krye.
Mih n’det e hith n’Bunë – thuhet për dikë që bën punë në tokë.
Na e lshoj nji terthorce – i iki kuvendimit të drejtëpërdrejtë.
Punë për njiqin toskë – shumë punë.
Ta nep venë pa skuq – është i zgjuar, ta kthen përgjigjen me saktësi të shpejt.
Në vitin 2009 profesor Mehmet Ahmetaj e botoi në Prishtinë veprën: “Gjurmime onomastike”. Kjo vepër përmban një seri përmbledhjes onomastike, si: Emrat shqip në traditën kombëtare; Vështrime gjuhësore rreth onomastikës së Anamalit; Mbi procesin e sllavizimit të shqiptarëve në Malin e Zi të sotëm në dritën e të dhënave historike dhe gjuhësore; Kontributi i Çabejt në formimin e toponimeve me prapashtesa diminutive – th dhe – zh; Rreth disa antroponimeve dhe patronimeve të krahinës së Plavës dhe Gucisë; Patronimia shqiptare në Mal të Zi në fund të shekullit XX; Mbi disa çështje të onomastikës shqiptare në Mal të Zi; Gjurmët e toponimeve, antrotoponimeve dhe patronimeve në këngët e mërgimit; Mbi përcaktimin e drejtë etnoterminologjik të krahinës së Malësisë së Madhe; Si u bë emri syni-savino oko?!; Topiku Shullã: ni i parë në ditën e studimeve dialektologjike; Nga onomastika e Plavës, e Gucisë dhe Rozhajës; Vështrime gjuhësore rreth disa toponimeve të Plavës dhe Gucisë; Alija Džogovič, “Onomastika severoistočnih organaka prokletija”, botoi Srpska akademija nauka i umetnosti, Beograd, 1986. Profesor Mehmet Ahmetaj ka qenë aktiv në studimin dhe trajtimin e temave me karakter shkencor, ato i ka shkruar për disa vite me radhë, duke i grumbulluar, arkivuar dhe më pas duke i botuar në revistat dhe shtypin periodik të kohës, si në: revistën “Gjurmime albanologjike“, në revistën “Gjuha shqipe” të Institutit Albanologjik, në gazetat ditore si në: “Koha“, “Bota sot“, “Rilindja“. Në këto trajtesa shkencore autori ka trajtuar një varg problemesh nga onomastika, toponimia, antrotoponimia, ojkonimia, hidronimia etj., Toponimia e krahinës së Plavës dhe Gucisë gjithmonë kanë zgjuar kureshtjen dhe interesim të veçantë për gjuhësinë shqiptare, onomastikën shqiptare, për shkencat e albanologjisë dhe këtë detyrë studimore e shkencore arriti ta nisë dhe ta përfundojë me shumë suksese profesor Mehmet Ahmetaj. Në kuadër të toponimisë autori i trajton toponimet: togfjalësha emër +emër (si, p.sh: Gropa e Ujaknit, Gropa e Vocit, Gropa e Dolit etj.), togfjalësha emër + mbiemër (si, p.sh: Gropa e Sirme, Gropa e Poshtër) duke mos lënë pa i analizuar dhe trajtuar të gjitha toponimet e tilla në rajonin e Plavës dhe Gucisë. Vlen për t’u theksuar se profesor Mehmet Ahmetaj është një argumentues i zellshëm shkencor, i cili me shumë fakte dhe argumente i demanton të gjitha pretendimet e qëllimshme dhe tendencioze të autorit diletant boshnjak Alija Xhogoviq (Džogovič), i cili në veprën e tij: Alija Xhogoviq (Džogovič), “Onomastika severoistočnih organaka prokletija”, (punimi studimor: “Onomastika e Alpeve Shqiptare”, ku ndër të tjera ai jep disa konstatime joshkencore dhe të paargumentuara shkencërisht. Dhe gjithnjë sipas profesor Mehmet Ahmetajt, autori Alija Xhogoviq (Džogovič) materialin onomastikë e ka përkthyer dhe përshtatur në gjuhën serbe dhe ai në një pjesë të pseudostudimit të tij shqiptarët në trojet e Sanxhakut i konsideronte si barinj endacakë, të ardhur në këto anë dhe gjithnjë duke e mohuar autoktoninë e tyre pa kurrfarë argumentesh. Por i pari i cili e heton këtë propagandë antishqiptare është profesor Mehmet Ahmetaj, i cili i kundërvihet me gjuhën e fakteve dhe argumenteve shkencore, gjuhësore e historike. Argumentimi i profesor Mehmet Ahmetaj është tepër shkencor, pasi ky mbështetet në një mori emrash vetjakë autoktonë, si: Suka (= Sykë), Gala (= Galë), Ujkan, Ukshin, Ulkija (= Ulkie), Mulka (= Mulkë), Alta (=Altë) etj, si dhe duke u mbështetur patronimet shqipe, si: Kurtbardhaj, Dacaj, Camaj, Kujaj, Gjekaj, Bibaj, Shala etj. Në shkrimet e profesor Mehmet Ahmetaj vërehet shpirti atdhetar i një shkencëtari shqiptar, i cili vuan dhe shqetësohet shpirtërisht për gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi, në shkrimet e tij ai i vë theks të veçantë edhe asimilimit të shqiptarëve dhe këtë problem e trajton në mënyrë shkencore në veprën e tij Gjurmime onomastike, Prishtinë, (2009), f. 57. Në punimin e titulluar: “Mbi procesin e sllavizimit të shqiptarëve në Malin e Zi të sotëm dhe në dritën e të dhënave historike dhe gjuhësore“, profesor Mehmet Ahmetaj në këtë punim na jep të dhëna të rëndësishme për onomastikën e trojeve shqiptare në Mal të Zi, ku një pjesë e onomastikës së atij territori shqiptar iu nënshtrua ndërhyrjeve administrative dhe kalkimit, si: Malësia e Madhe (Brda), Alpet Shqiptare (Prokletije Planina), Arra (Orahovo), Palabardh (Bjellopavliq), dhe një pjesë tjetër u sllavizua në formën, si: Cem – Cijevna, Drekal – Drekalloviq, Bukëmirë – Bukmiroviq, Vogë – Vogliq, Lekaj – Lekiq. Në këtë vepër profesor Mehmet Ahmetaj e trajton edhe problemin e ndryshimit të mbiemrave tipik shqiptar nga malazezët duke iu prapavendosur prapashatesat sllave viq e iq, si p.sh.: Dedushaj – Dedushoviq, Ulaj – Uleviq, Gjonbalaj – Gjonbaliq, Pepaj – Pepiq, Dacaj – Daciq, Palushaj – Palusheviq. Studimi i tij dhe shqetësimi i tij duhet të jetë shqetësim për të gjithë shqiptarët kudo ku janë, kurse shkrimet e tij zbardhin një pjesë të dhunës, trysnisë dhe mohimit të etnitetit autokton shqiptar në Mal të Zi.
Vepra e profesor Mehmet Ahmetajt: “Fjalor onomastik i territoreve shqiptare në Mal të Zi” është një nga fjalorët më të realizuar në fushë të onomastikës, ky fjalor është me interes të gjuhësisë shqiptare pasi përfshin një territor të gjerë të territoreve etnike shqiptare të Plavës, të Gucisë, të Rozhajës, të Trieshit, të Grudës, të Traboinit, të Kojës, të Fundnave, të Ledinës, të Loparit, të Luharit, të Tuzit, të Krajës e Malësive të saj, të Shestanit, të Anës së Malit, të Ulqinit dhe Tivarit me rrethinë.
Fjalori onomastik është fryt i një pune vetëmohuese shumëvjeçare, të cilën autori e ka realizuar me shumë mund dhe sakrificë profesionale. Materiali i vjelë për këtë fjalor onomastik të territoreve shqiptare në Mal të Zi është një vlerë e veçantë për albanologjinë dhe si i tillë përfshin të gjithë arealin gjeografik të gegërishtes veriperëndimore të territoreve shqiptare në Mal të Zi. Në kë fjalor kanë zënë vend një numër i konsiderueshëm makrotponimesh, mikrotopnimesh, ojkonimesh, hidronimesh, monumentesh natyrore, qytezash, rrënojash murishtash, ledhesh, kështjellash, tumash, emrash vetjakë, të traditës shqiptare, të lagjeve, barqesh, vëllazërish, fisesh, krahinash, si dhe patronimikash, emrash topikë të qenieve mitike, si dhe një varg gjurmësh dhe monumentesh të kultit të krishterë të ritit roman q ende ruhen atje në trajtë të shtangur të toponomastikës truallsore shqiptare. Nga gjithë kjo gamë e gjerë hulumtimesh, kërkimesh profesor Mehmet Ahmetajt ka arritur t`i grumbullojë dhe t`i sjellë të gjitha rezultatet onomastike në këtë fjalor onomastik që është i veçantë si për nga rëndësia dhe vlera gjuhësore. Territoret shqiptare në Mal të Zi i përkasin arealit gjeografik të gegërishtes veriperëndimore dhe ky fjalor onomastik është një mundësi e mirë që fjalësi i asaj ane, onomastika e saj të njihen dhe të studiohen nga disa këndvështrime, si: onomastike, dialektore, fonetike, fonologjike, leksikore, semantike, stilistike, fjalëformuese, etj. Duke e analizuar me kujdes fjalorin onomastik të territoreve shqiptare në Mal të Zi pashmangshëm vërehet brenga e profesor Mehmet Ahmetaj për trysninë që është bërë dhe po bëhet në ato territore për të tjetërsuar etninë shqiptare, gjuhën, toponiminë dhe të kaluarën e lavdishme iliro – arbërore – shqiptare.
Përfundim
Veprimtaria shkencore e profesor Mehmet Ahmetajt është fryt i një punë shkencore dhe të begatë dhe gjithnjë duke iu përmbajtur metodologjisë së mirëfilltë shkencore e studimore në fushë të albanologjisë. Krijimtaria e tij shkencore është e bazuar në shumë fakte, argumente, kërkime, e studime të mirëfillta. Veprat e tij, punimet e tij i kanë përmbushur kriteret e studimeve me rëndësi për gjuhësinë shqiptare e në veçanti për dialektologjinë dhe onomastikën si një nga dy fushat më të rëndësishme të gjuhësisë. Veprat e tij kanë marrë vlerësime pozitive nga bota akademike dhe të gjitha monografitë e tij janë me vlera të veçanta për studimet albanologjike. Duhet theksuar se autori që në fillesat e tij studimore dhe kërkimore është marrë në mënyrë aktive më çështjet e dialektologjisë, onomastikës dhe toponomastikës shqiptare. Pra një jetë tërë ia kushtoi albanologjisë me shumë vullnet, punë, e përkushtim profesional. Veprat e profesor Mehmet Ahmetajt janë frymëzim për albanologët e rinj, sepse vetë profesori u frymëza nga dashuria për gjuhën shqipe dhe nga tradita e studimeve linguistike shqiptare. E veçanta e Fjalorit të të folmeve shqiptare në Mal të Zi, është se të gjitha fjalët janë vjelur në terren dhe të gjitha njësitë leksikore i ka shpjeguar në mënyrë të saktë dhe tepër shkencore, kjo punë me të vërtetë do angazhim dhe përkushtim, sepse nuk janë pak 6000 njësi leksikore të përgatitura për botim, por këtë gjë profesor Ahmetaj e arriti duke bërë punë terreni e kërkime teorike të pandërprera me të vetmin qëllim që rezultatet e arrira të jenë rezultate jo vetëm të tij, por të albanologjisë në veçanti. Gjuha e pastër shqipe në shkrimet e tij, pa fjalës oriental e sllav na bënë të kuptojmë për dashurinë, kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe që e kultivoi me shumë xhelozi. Malësori ynë, ashtu siç e quajmë ne, përmes shkrimeve të tij, veprave të tij na mësoi, na edukoi e na ndërgjegjësoi që ne ta duam e ta ruajmë me shumë përkushtim e dashuri gjuhën e shenjtë shqipe ashtu siç deshi vetë ai.
Literatura
Eqrem Çabej, Hyrje në historinë e gjuhës shqipe, Tiranë, 1960.
Idriz Ajeti, Historia e gjuhës shqipe, Prishtinë, 1969.
Idriz Ajeti, Studime gjuhësore III, Prishtinë, 1985.
Jorgji Gjinari, Dialektet e gjuhës shqipe, Tiranë, 1989.
Mehmet Ahmetaj, E folmja shqipe e Plavës dhe e Gucisë, Le parler albanais de Plava et Gucia, f. 223-238, Sudime Gjuhësore II (Dialektologji), IAP, Prishtinë, 1989.
Mehmet Ahmetaj, Fjalor i të folmeve shqiptare në Mal të Zi, Prishtinë, (1996).
Mehmet Ahmetaj, E folmja e Plavës dhe e Gucisë, Prishtinë (2002).
Mehmet Ahmetaj, E folmja e Anës së Malit (2006).
Mehmet Ahmetaj, Gjurmime onomastike, Prishtinë, (2009).
Dr. Mehmet Ahmetaj, Fjalor onomastik i territoreve shqiptare në Mal të Zi, IAP, Prishtinë, 2017.
CONTRIBUTION OF DR. MEHMET AHMETAJ ON ALBANIAN DIALECTOLOGY
Summary
Professor Mehmet Ahmetaj is mainly known for his studies of Albanian dialectology and also has a rich bibliography with several monographs, writings, summaries, papers, scientific papers. The language of his works is distinguished for its clarity, professionalism and accurate scientific information. He devoted a whole life to the Albanian language and with an unparalleled enthusiasm managed to collect many rare words and expressions mainly from the Albanian dialects in Montenegro. His works are a precious treasure of Albanian culture and linguistics. The scientific text differs from other texts and we can freely say that the author’s texts are typical scientific texts of our modern linguistics. Its prosperity is the contributions and studies in the field of dialectology as one of the most important fields of linguistics. His ideas and studies are values not only of albanology, but of the entire Albanian culture, because they best reflect the methodology of a dedicated, professional linguist and prepared to achieve results in his field of study