Dr. Besim Muhadri sjell para lexuesit librin monografik “Vezir Ademaj-Hero i Kosovës”, një libër që i kushtohet dëshmorit dhe heroit të Kosovës Vezir Ademaj. Dr. Muhadri në një bashkëbisedim me gazetarin Sokol Paja për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, tregon se në libër janë përfshirë aspekte të rëndësishme të jetës dhe të veprimtarisë së dëshmorit dhe heroit të lirisë së Kosovës Vezir Ademaj por edhe aspekte që ndërlidhen me momente dhe akte relevante të historisë së Kosovës, pjesë e së cilës është edhe familja Ademaj nga Sheremetaj i Gjakovës.
DËSHMORI VEZIR ADEMAJ – HEROI I KOSOVËS
Libri monografik “Vezir Ademaj – Hero i Kosovës” i kushtohet dëshmorit dhe heroit të Kosovës Vezir Ademaj, i cili ra heroikisht në luftë për lirinë e Kosovës, kundër forcave policore dhe ushtarake serbe, përkatësisht të Jugosllavisë së mbetur, që përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi. Vezir Ademaj nga Sheremataj i Gjakovës, që nga viti 1991 ishte detyruar të emigronte në Zvicër dhe atje, përpos punëve që bënte për të ndihmuar familjen në Kosovë, ai kishte arritur rezultate të lakmueshme në fushën e sporteve luftarake, duke arritur madje që të bëhej kampion zviceran dhe evropian në sportin e Kikboksit. Mirëpo, me rënien heroike të Adem Jasharit dhe të shpërthimit të luftës në Kosovë, ai lë kurbetin dhe në fund të Marsit të vitit 1998 kthehet në atdhe, duke iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kthimi i tij ishte sa simbolik aq edhe heroik dhe frymëzues për qindra e mijëra të rinjë të tjerë që i bashkoheshin radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
HEROI VEZIR ADEMAJ RA NË BETEJEN E KALLAVAJIT
Vezir Ademaj, i cili sapo kishte mbushur 27 pranvera, bie heroikisht në fushë të betejës kundër forcave serbe e jugosllave më 25 korrik të vitit 1998, në betejen e Kallavajit, në mes Junikut dhe Dobroshit. Për aktin heroik të Vezir Ademajt, por edhe për jetën dhe veprimtarinë e këtij djaloshi sypatrembur që për lirinë e atdheut dha gjithçka pati nga vetja, vetëm e vetëm që brezat që do të vinin të jetonin të lirë. Në këtë libër 416 faqesh, janë përfshirë aspekte të rëndësishme jo vetëm të jetës dhe të veprimtarisë së deshmorit dhe heroit të lirisë së Kosovës, por edhe për aspekte që ndërlidhen me momente dhe akte relevante të historisë së Kososvës, pjesë e së cilës është edhe familja Ademaj nga Sheremetaj i Gjakovës, në të cilën lindi Veziri, por edhe shumë atdhetarë e veprimtarë të tjerë.
PORTRETI I HEROIT TË KOSOVËS
Libri “Vezir Ademaj-Heroi i Kosovës”, është konceptuar në katër kapituj, ku, pothuajse në mënyrë të përkryer, ndërtohet portreti i Heroit, por edhe koncepti si dhe historia e organzimit dhe e zhvillimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rajonin e Lugut të Çarragojës, Junikut dhe të Rekës së Keqe, nga vinte edhe djaloshi sypatrembur Vezir Ademaj. Në kapitullin e parë, që mund të konsiderohet edhe si hyrje në ndërtimin dhe shtjellimin e kësaj vepre të rëndësishme monografike, kam përfshirë një histori të shkurtër të fshatit Sheremetaj, ku në pika të shkurtëra tregohet për historinë e këtij fshati, për kullat e shumta të tij, ndër të cilat edhe për atë të Ademajve, në të cilën lindi, u rrit dhe u kalit protagonisti i librit, heroi i Kosovës Vezir Ademaj, kullë e cila ishte – çerdhe e drejtuesve të lëvizjeve kombëtare shqiptare. Në këtë kontekst, kam treguar edhe për historinë e familjes Ademaj, për sakrificat e shumta të saj gjatë periudhave të ndryshme të historisë. Këtu jepet edhe portreti i babait të dëshmorit dhe heroit të Kosovës Vezir Ademaj, Hysen Hasan Ademaj, që ishte edhe inspirues dhe përkrahës i të birit, por edhe i djemve të tjerë të tij në rrugën e zhvillimit dhe të formimit të tyre intelektual dhe atdhetar. Interesant, pa dyshim, janë rrëfimet e nënë Mejremes, qoftë për Vezirin, qoftë edhe për momente të tjera të jetës dhe të familjes. Po ashtu interesante janë edhe opinionet e vëllait të Vezirit, Dr. Hasan Ademajt, për familjen por edhe për të vëllanë dëshmor. “Ndonëse e kam pak të vështirë të flas për vëllain, mund t’ju them se të gjithë ata që e kanë njohur Vezirin e kanë çmuar si një djalë të zgjuar, të dashur e besnik, me një karakter të fuqishëm dhe me një guxim të pashembullt. Unë besoj se kur flas për Vezirin flas për mijëra e mijëra djem të Kosovës”. “Veziri ishte prototip i atij brezi, të cilin vrulli rinor nuk e linte të qetë, duke e bërë të gatshëm të paguajë edhe çmimin më të lartë për liri, për të dalë një herë e përgjithmonë nga ajo shtypje mizore e barbare që po ushtronte regjimi diktatorial i Beogradit mbi shqiptarët”.
RRËFIME, KUJTIME, KËNGË E POEZI PËR VEZIR ADEMAJ
Në kapitullin e dytë “VEZIR ADEMAJ-HERO I KOSOVËS”, flitet për jetën dhe tërë veprimtarinë e Vezir Ademajt, që nga lidja e deri në aktin e tij më sublim, rënien në altarin e lirisë. Ndërsa në kapitullin e tretë “Rrëfime, kujtime dhe këngë e poezi për vezirin”, janë përmbledhur mendime, kujtime, shkrime dhe këngë për Vezir Ademajn. Kujtimet për Vezirin, që vijnë nga bashkëluftëtarët, familjarët dhe të gjithë ata që e kanë njohur, janë një kontribut dhe faktografi e rëndësishme qoftë e ndërtimit të figurës së heroit, qoftë edhe e organizimit të rezistencës për liri në Rajonin e Rekës së Keqe në periudhën Mars- Korrik 1998. Këto rrëfime dhe këto dëshmi pa dyshim se monografinë e bëjnë edhe më interesante dhe më të kompletuar. Rëndësi të veçantë paraqesin edhe shkrimet e shumta të dhjetëra autorëve, të botuara nëpër revista të ndryshme, qoftë në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë. Këto shkrime për Vezir Ademaj, janë shkruar nga emra eminentë të publicistikës, por edhe të letërsisë shqiptare, si: Hasan Hasani, Ruben Avxhiu, Muhamet Mjeku, Hamit Aliaj, Besa Bytyçi, Hyrë Tejeci, Qazim Doda, Tomë Paloka, Shkumbin Tetaj, Prof. dr. Agron Fico, Dalip Greca, Spiro Gjikondi, Avni Karakushi, Harry Bajraktari, etj.
ASPEKTI ARTISTIK I PORTRETIT TË HEROIT DHE LUFTËS PËR LIRI DHE PAVARËSI TË KOSOVËS
Po ashtu, një aspekt tejet interesant dhe gjithsesi të rëndësishëm, shpërfaqin edhe dhjetëra tekste këngësh, por edhe krijime poetike kushtuar Vezir Ademajt, në të cilat kompletohet edhe në aspektin artistik portreti i heroit dhe i luftës për liri dhe pavarësi të Kosovës. Figura e heroit të Kosovës vjen e përmbushur dhe kompletuar edhe me aktivitete të ndryshme që ndërlidhen me njohjen dhe vlerësimin e figurës dhe aktit heroik të Vezir Ademajt, të mbajtura, qoftë në Kosovë, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë ilustruar edhe me fotografi të shumta, që librit ia shtojnë vlerës dhe rëndësinë, duke e radhitur atë ndër librat e veçantë të këtij lloji. Prandaj, nuk është e rastësishme kur recensenti i librit, poeti dhe studuesi nga Kosova, Ismail Syla, duke dhënë kontributin e tij në shpërfaqjen e vlerave të këtij libri, në mes tjerash shprehet: “Libri monografik i dr. Besim Muhadrit “Vezir Ademaj – Hero i Kosovës”, pasuron fondin e literaturës që shpërfaq kontributin e familjes Ademaj nga Sheremetaj i Gjakovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Syla librin “Vezir Ademaj-Heroi i Kosovës” e cilëson si një libër model që duhet mbajtur vath në vesh çdo familje. Kur e thotë këtë, ai ka parasysh kujdesin dhe përkushtimin e të gjallëve ndaj të rënëve. Për këtë qëndrim të lartë moral ai ia atribuon të vëllait të dëshmorit, Dr. Hasan Ademaj përkushtimin e të cilit ndaj të vëllait dëshmor Syla e cilëson si një mësim se si duhet të ruhet dhe kultivohet trashëgimia jonë historike. Libri “Vezir Ademaj-Heroi i Kosovës” këto ditë doli nga shtypi dhe së shpejti do të arrijë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vë në spikamë portrete të rëndësishme atdhetarësh dhe luftëtarësh të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, në këtë rast të Vezir Ademajt.