![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2023/02/NATO-dhe-SHBA.webp)
Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ
Presidënt i Shoqatës “Skëndërbej”/
Pavarsia e Kosovës u gatua ndër vite nga populli i saj luftëtar e liridashës dhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s me operacioni “Forca Aleate”të drejtuara dhe udhëhequra nga SHBA.
Operacioni “Forca Aleate” është modeli më domethënës i luftës së sotme, i ndryshimeve thelbësore që ka pësuar ajo në të gjitha drejtimet. Ai përfaqëson një luftë unike, e para dhe e vetmja që ka zhvilluar aleanca euroatlantike, luftë që tregoi fuqinë e saj, karakterin e saj demokratik dhe human, vendosmërinë e saj për dënimin e dhunës, terrorizmit shtetëror e gjenocidit, si dhe vërtetoi në praktikë nevojën e mbijetesës së NATO-s, pas dilemës mbi ekzistencën e saj me përfundimin e Luftës së Ftohtë.
Më 27 dhjetor 1992, administrata e presidentit Bush e paralajmëronte Millosheviçin se “në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga forcat serbe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përgatiten për angazhimin e forcës ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”.
Në dhjetor të vitit 1997 ministrat e jashtëm të NATO-s deklaruan se interesi i NATO-s në stabilitetin e Ballkanit nuk qëndronte vetëm në Bosnjë dhe Hercegovinë, por në të gjithë rajonin dhe shprehën shqetësimin për rritjen e dhunës etnike në Kosovë.
Gjatë vitit 1998, konflikti midis forcave ushtarake e policore Serbe dhe UÇK-së shkaktojë vrasjen e mbi 2000 kosovarëve dhe largimin nga trojet e tyre e rreth 400 mijë civilëve të pafajshëm. Komuniteti ndërkombëtar më në fund u shqetësua për konfliktin me përmasa të mëdha humanitare, dhe rrezikun që kishte zgjerimi i tij edhe në vendet fqinje.
Në 28 maj 1998, Këshilli i Atlantikut të Veriut, nëpërmjet ministrave të jashtëm e shtroi problemin në dy plane: së pari, u bënë thirrje të gjitha palëve për të gjetur një zgjidhje paqësore të krizës, dhe së dyti, u angazhuan për sigurimin e stabilitetit e të sigurisë në vendet fqinjë, me theks të veçantë në Shqipëri dhe Maqedoni.
Më 12 qershor 1998, Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s kërkuan një vlerësim mbi masat që duhen marrë në të ardhmen, në përputhje me zhvillimet e krizës në Kosovë.
Në shtator të po këtij viti, udhëheqësit politikë të vendeve europiane arritën të bindin veten e tyre se revanshi i Millosheviçit duhej të ndalej me çdo mjet. Shkak për këtë u bë sulmi brutal i forcave serbe i ndërmarrë muaj më parë (Mars) ndaj familjes Jashari në Prekaz ku mbetën të vrarë shumë civilë të pafajshëm, (vetëm nga familja Jashari 22 anëtarë të familjes nga 2 deri në 74 vjeç). Këtu fillon rritja e mbështetjes politike europiane për sulmin ajror dhe ndalimin e dhunës serbe.
Më 24 dhe 25 shtator 1998, në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s, Sekretari i Mbrojtjes, Kohen, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Havier Solana, argumentuan me forcë se shmangja e katastrofës humanitare duhet të zëvendësonte nevojën për një rezolutë të OKB-së. Në fund të këtij takimi ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s vendosën të kërcënojnë Millosheviçin me goditje ajrore nëse ai nuk ndalonte dhunën në Kosovë.
Në 18 tetor 1998, tre zyrtarët më të lartë të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm Solana, Kryetari i Komitetit Ushtarak gjenerali Nauman dhe Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Europë gjenerali Klark, vizituan Beogradin, për t’i dhënë mesazhin se urdhri i aktivizimit ishte gati dhe do të ishte më mirë që Millosheviçi të zbatonte kërkesat.
Në të njëjtën kohë Grupi i Kontaktit dërgoi në Beograd Riçard Hollbrukun me misionin për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën. Millosheviçi asnjëherë nuk e zbatoi premtimin e bërë, por përkundrazi vazhdoi sulmet kundër shqiptarëve deri sa në janar 1999, forcat serbe masakruan më shumë se 45 shqiptarë të paarmatosur (Raçak), ngjarje që i detyroi vendimmarrësit amerikanë dhe europian të lënë mënjanë marrëveshjen e arritur nga Hollbruku dhe të kërkojnë për një diplomaci më të rreptë.
Mbas këtij evolimi të situatës, Këshilli i Atlantikut Veriut (NAC) i dha Sekretarit të Përgjithshëm Solana autoritetin të urdhërojë një operacion të Aleancës me faza. Më 23 mars 1999, Hollbruk iku nga Beogradi pa marrë ndonjë konsesus nga Millosheviçi. Solana urdhëroi Gjeneralin Klark të fillonte operacionin “Forca Aleate” mbi ish- Jugosllavi.
Megjithatë, deri në fillimin e operacionit, komunitetit ndërkombëtar dhe NATO-s ju desh të kalonte shumë vështirësi që kishin të bënin në radhë të parë më arritjen e konsensusit brenda vetë aleancës.
Operacioni filloi pa mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rusia, si aleatja tradicionale e Serbisë, kundërshtoi fuqishëm ndërhyrjen ushtarake dhe pritej që ajo të vendoste veton në Këshillin e Sigurimit të OKB. Për të shmangur këtë situatë, NATO nuk e kërkoi mandatin e Këshillit të Sigurimit. Kjo shkaktoi shumë polemika dhe brenda vetë NATO-s për ligjshmërinë e operacionit, pasi në Nenin V të Traktatit të Washingtonit (1949) përcaktohet qartë se NATO futet në luftë në rast se njëri prej anëtarëve të saj sulmohet. Siç dihet, Kosova nuk ishte anëtare e NATO-s. Atëherë me të drejtë shtrohet pyetja se çfarë e detyroi Aleancën të sulmonte Serbinë?
Sipas analistëve të ndryshëm, SHBA dhe aleatët e NATO-s kishin tre interesa të forta gjatë krizës kosovare:
Së pari, agresioni serb në Kosovë kërcënonte direkt paqen në të gjithë Ballkanin dhe stabilitetin në rajonin juglindor të NATO-s. Vazhdimi i luftimeve në Kosovë kërcënonte:
a. prishjen e procesit të suksesshëm të Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnjë;
b. ri-inicimin e kaosit në Shqipëri;
c. destabilizimin e Maqedonisë me minoritetin e saj të madh shqiptar dhe,
d. përhapjen e destabilitetin në vende të tjera fqinje, duke përfshirë Bullgarinë e Greqinë.
Së dyti, represioni i Beogradit në Kosovë krijoi një krizë humanitare të përpjesëtimeve të mëdha. Operacioni famëkeq “Patkoi” nga serbët, kjo fushatë spastrimi etnik, ishte planëzuar muaj më parë nga Millosheviçi si një mjet brutal për t’i dhënë fund krizës sipas mënyrës së tij.
Së treti, drejtimi dhe rruga që ndoqi Millosheviçit, e cila çoi ne operacionin “Forca Aleate”, sfidoi direkt kredibilitetin e NATO-s, një aleancë e cila kishte formuar themelin e sigurisë transatllantike për 50 vjet.
Në fushën diplomatike, në fund të janarit 1999, Grupi i Kontaktit (Francë, Gjermani, Itali, Angli, Rusi e SHBA) u kërkoi serbëve dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të takoheshin na Rambuje, Francë, për të arritur një marrëveshje, e cila u realizua në dy raunde (6-23 shkurt në Rambuj e pasuar nga raundi i dytë 15-18 mars në Paris). Në bisedime (rreth 20 ditë) shqiptarëve iu afrua autonomi e gjerë, nën garancinë e NATO-s, por jo pavarësi dhe serbëve të pranonin dhënien e autonomisë, por jo sovranitetin, duke e lënë statusin e Kosovës përfundimisht të hapur.
Në raundin e dytë delegacioni kosovar i nënshkroi propozimet e bëra, ndërsa ai serb nuk i pranoi. Në fushën ushtarake, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s i dhanë Sekretarit të Përgjithshëm Solana fuqinë për të autorizuar goditje ajrore sipas vendimit të tij. Kjo gjë i bëri goditjet ajrore më të besueshme, sepse e kaloi autoritetin e vendimmarrjes nga një komitet prej 19 anëtarësh tek një person i vetëm.
Planëzimi u bë i plotë, duke përfshinte mbështetjen e NATO-s për monitorët e OSBE-së, mbështetje për detyrimin e embargos kundër Serbisë, dislokime trupash në Shqipëri dhe Maqedoni për të parandaluar përhapjen e konfliktit. Realizimi i këtyre opsioneve do të kërkonte angazhimin e 7000 deri në 23000 trupave të NATO-s. U planëzuan gjithashtu dhe mundësitë e tjera për një përdorim me të madh të forcës, që përfshinte një fushatë ajrore të ndarë në tre faza.
Me gjithë këto përpjekje komuniteti ndërkombëtar ndërmori përpjekjen e fundit diplomatike. Më 21 mars 1999, tre ditë para fillimit të operacionit, Ambasadori Hollbruk shkoi në Beograd për ta paralajmëruar për të fundit herë Millosheviçin.
Më 22 mars, në përgjigje të paralajmërimit, Millosheviçi vazhdoi represionin duke i bërë një sfidë të hapur përpjekjeve diplomatike amerikane e ndërkombëtare.
Objektivat politike brenda Kosovës ishin:
Të ndalonte vuajtjet dhe t’ i jepte fund shtypjes dhe dhunës Serbe.
Të detyronte Milosheviçin të ndryshonte sjelljen e papranueshme jo vetëm nga pikëpamja humane, por se kërcënonte edhe shtetet fqinjë.
Të realizonte një zgjidhje paqësore të konfliktit.
Objektivat politike jashtë Kosovës ishin:
Të stabilizonte vendet fqinjë.
Të ruante unitetin e aleatëve.
Të kufizonte dëmtimin e marrëdhënieve me Rusinë.
Fushata ajërore nuk kishte si objektiv as shkëputjen e Kosovës nga Serbia me forcë, as mbështetjen e UÇK-së dhe rrëzimin e Milosheviçit nga pushteti.
Duke folur per nevojën e kryerjes së këtij operacioni dhe duke argumentuar se pse duhej që NATO të ndërhynte në Kosovë Lordi Robertson, në atë kohë Sekretari i Pergjithshëm i NATO-s thekson: “For ajo (Lufta në Kosovë kundër forcave serbe) gjithashtu ka implikime për vlerat tona. Në qoftë se do të lejonim këtë pastrim etnik të shkonte më tej, ne do të kishim një grryerje fatale të komunitetit modern euroatlantik të cilin ne po mundohemi ta ngremë, pikërisht tani që po hyjmë në shek.e XXI me të vërtetë ne duhet që kurrë më të mos lejojmë rikthimin e Holokaustit.”
Operacioni “Forca Aleate” u realizua në tre faza.
Faza e parë, nga 24 deri më 27 mars, bombardimet në këtë fazë kishin si qëllim të shihej sjellja e presidentit Milosheviç, me qëllim që ai të detyrohej të reflektonte. Milosheviçi në vend që të reflektonte bën të kundërtën ai e thelloi edhe më tej fushatën e tij ushtarake për spastrimin etnik të Kosovës me shpresën se do të krijonte një krizë humanitare për shtetet fqinje e do ta detyronte perëndimin të tërhiqej. Objektivi kryesor i kësaj faze ishte, nxjerrja jashtë funksionit e sistemit të integruar të mbrojtjes ajrore dhe krijimi i kushteve që pilotët të kishin superioritet në ajër.
Faza e dytë, nga 27 mars deri më 23 prill. Objektivat kryesore të kësaj faze ishte, izolimi dhe shkatërrimi i njësive ushtarake, paraushtarake dhe policore, të ndërpriste furnizimin dhe përforcimet duke goditur vendkomandat, logjistikën, linjat e komunikimit, njësitë e MB, si dhe njësi ndihmëse. Në këtë fazë u përdorën municione të preçizionit të lartë, u përdorën sistemet e drejtimit me satelit, u futën në luftim mjete të reja si dhe u goditën trupat serbe në terren, rrugët, urat mbi Danub, depot e municionit, bazat dhe këto jo vetëm në territorin kosovar, por edhe në Serbi, përfshi dhe kryeqytetin e Beogradit.
Faza e tretë, filloi në ditën e Samitin të Washingtonit, më 23 prill 1999. Kjo fazë ishte e ndarë në dy nën faza. Objektivat e kësaj faze ishin; Në këtë Samit u vendos që të intensifikoheshin sulmet kundër Serbisë, me objektiv kryesor të neutralizonte ose të shkatërronte kapacitetet që mund të kryenin, të monitoronin, apo të vazhdonin operacionet ushtarake, duke goditur objektiva të zgjedhur taktikë dhe strategjikë si, dëmtimin e forcave ushtarake serbe në Kosovë, infrastrukturën, selitë e presidentit, ministritë, industrinë ushtarake, energji, karburantet etj. Synimi ishte që këto objektiva të goditen kudo që ndodhen në të gjithë Federatën.
Vlen të theksohet se Këshilli i Atlantikut të Veriut nuk mori ndonjë vendim zyrtar për të kaluar në Fazën 3 (nën fazën e dytë).
Në operacionin “Forca e Aleate” gjatë 78 ditëve të sulmeve ajrore, me pjesëmarrjen e 13 shteteve dhe 1090 avionë, duke kryer rreth 37.225 misione ose afërsishtë 300 sulme ajrore në ditë, nga të cilat 10.484 ishin sulme goditëse – pa asnjë dëm të pësuar nga Aleanca. U hodhën 22.00 bomba ndaj 410 objekteve fikse e 520 objekteve taktike me një saktësi 99.6 %, vetëm 30 bomba shkaktuan dëme anësore.
NATO kishte siguruar të dhëna të rëndësishme për objektet ushtarake serbe, sasinë, vendodhjen e njësive e reparteve, aerodromeve, të sistemeve të mbrojtjes kundërajrore, karburanteve, vendkomandave, sistemet e telekomunikimit etj.
Në dispozicion të aleancës veç bazave ushtarake që kishte në Itali (Avjano) dhe në det të hapur u vunë edhe ato të Turqisë, Hungarisë si dhe hapësira ajrore e Bullgarisë dhe e Shqipërisë. Aleanca deri në gjysmën e fazës së dytë të sulmeve kishte goditur 150 objekte strategjike, ishin asgjesuar 50% e avionëve Mig-29 që kishin Forcat e Armatosura Serbe, dy vendkomandat ushtarake kryesore të serbisë, si dhe 40% e rezervave të karburanteve në tërë Serbinë. Në vazhdim u intensifikuan sulmet mbi objekteva të rëndësisë së veçantë si Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, Ministria e Punëve të Brendëshme, TV shtetëror Serb, selia e PS e Milosheviçit etj. Sipas komadantit të skuadriljes që u fut e para mbi territorin Kosovar nënkolonelit Amerikan Dejv Nikols, për çdo objektiv që goditej bëheshin më parë 8 lloje zbulimi që nga ai satelitor, më tej me avionët pa pilot, me mjet me rreze lazer, me mjete optiko-pamore etj. Përdorimi i një sasie kaq të madhe zbulimi ishte në parimet e aleancës e cila kërkonte shkatërrimin e makinës së vjetër Serbe dhe dhënies fund genocidit në Kosovë.
Pas gjithë këtyre sulmeve më në fund, Millosheviçi u detyrua të plotësojë kushtet politike të vendosura nga Aleanca:
Lindë pyetja, pse Millosheviçi pranoi në heshtje kushtet e NATO-s? Disa nga arsyet sipas mendimit tim janë:
Dëmi i madh njerëzor e material që po rritej çdo ditë nga bombardimet
Solidariteti i vendeve të aleancës dhe këmbëngulja për ta çuar operacionin deri në fund.
Përpjekjet e vazhdueshme të aleancës për të angazhuar Rusinë në diplomaci. Kur përfaqësuesi i BE Ahtisari dhe ai rus Çhernomyrdin u takuan me Millosheviçin dhe folën me një zë, Millosheviçi e kuptoi se kishte mbetur i izoluar dhe nuk mund të priste më ndihmë nga Rusia.
Ndërtimi i fuqisë luftarake tokësore të NATO-s (helikopterët apache në Shqipëri, forcat e implementimit të paqes në Maqedoni dhe përgatitjet e dukshme për dislokimin e forcave të tjera)
Këmbëngulja e UÇK-së ishte një pengesë serioze, veçanërisht ringritja e tyre në javët e fundit të fushatës, demostroi tek Millosheviçi se ai nuk mund ta eleminonte këtë rrezik.
Vendet e NATO-s përdorën edhe mjete të tjera politike dhe ekonomike si forcimi i sanksioneve ekonomike, kufizimet e udhëtimeve, ngrirja e financave serbe në banka etj.
Padia e Millosheviçit në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës i bindi disa nga mbështetësit e tij më të fortë se konsesusi politik i aleancës kundër veprimeve serbe, në vend që të dobësohej, vazhdonte të forcohej më tej.
Në sulmet ajrore duhet thekësuar se rrethë 80% e të gjitha kontributeve të përdorura ishin të SHBA.
Pas 11 javësh sulme ajrore më 9 qershor u nënshkrua marrëveshja taktiko-ushtarake në Shkup ku mes të tjerash kryesore ishte tërheqja e trupave serbe nga Kosova.
Më 12 qershor 1999 forcat e KFOR-it fillojnë operacionin “Mbrojtja e Bashkuar”.
New York Shkurt 2023
Foto: PortAlb