Aleksandër Ikonomidhi Sulioti/
Aroma e këtij qyteti vjen e të gjen, kudo që të jesh, ngado që të ulesh. Të mbështjell papritur një natë gushti ku nuk e pret. Para teje dalin pranitë dhe mungesat e njerëzve si dhe jehona e udhëtimeve nga të cilat hoqe dorë me kokëfortësi. Ky qytet, herë është poezi, herë është pikturë dhe herë është një notë endacake që rrëshqet nga grilat e hapura përballë mitropolisë.
Pirgje kujtimesh të kërcejnë me modesti nën dritën e hënës. Kujtime të lëna mënjanë nga koha e pamëshirshme. Korça është, tingulli i një teli që dëgjohet nga larg, pa qenë i sigurt nëse është kitarë apo mandolinë. Korça është, një paletë ngjyrash që hidhen në telajon e një qielli piktor. Korça është një poçe me borzilok që të buzëqesh nga një ballkon në mesnatë.
Korça është një laps i vogël që edhe me majë të zbehtë, shkruan vargje në paketën e cigareve. Korça është dheu që mban erë lagje me një copë bukë të thatë në dorë.