Nga Frank Shkreli/
Koreja e Veriut njoftoi se ka miratuar një ligj i cili autorizon forcat ushtarake të këtij vendi komunist të izoluar dhe të vuajtur për bukë, që të ndërmarrë sulme “të pa mëshirëmshme” bërthamore kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve amerikanë në Azi, duke thënë se, “Zyrtarisht informojmë Shtëpinë e Bardhë dhe Pentagonin se politika armiqësore në rritje e sipër dhe kërcënimi bërthamor i Shteteve të Bashkuara ndaj Republikës Popullore Demokratike të Koresë”, siç njihet zyrtarisht Koreja e Veriut, “do të shkatërrohet nga vullneti i çelikët dhe uniteti i ushtrisë dhe i popullit koreano-verior.” Në deklaratën ushtarake të Pyongyangut thuhet gjithashtu se forcat e atij vendi janë “autorizuar të kundërshtojnë, “agresionin” amerikan dhe paralajmërohen Shtetet e Bashkuara që “të mendohen mirë mbi gjëndjen e krijuar.”
Është e vështirë të dihet se çka e nxiti udhëheqjen komuniste të Koresë së Veriut të bëjë deklarata të tilla të papërgjegjëshme dhe kërcënuese në këtë kohë, por analistët thonë se shkak mund të jenë bërë manovrat vjetore të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe të Koresë së Jugut, të cilat filluan muajin që kaloi dhe përfundojmë në fund të prillit, si edhe shtërngimi i sanksioneve të forta ekonomike ndërkombëtare, që janë vendosur si rezultat i provave bërthamore që Koreja e Veriut njofoti se bëri Shkurtin që kaloi.
Ndaj deklaratave të Pyongyangut, Shtetet e Bashkuara reaguan vendosmërisht, por me maturi, nepërmjet Sekretarit amerikan të Shtetit Xhon Kerry dhe Sekretarit të ri të Mbrojtjes Chuck Hagel. Zoti Kerri i cilësoi deklaratat e qeverisë së Koresë së Veriut si “provokuese” dhe të “papranueshme”, duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do të pranojnë assesi që Koreja e Veriut të bëhet “një shtet bërthamor”, duke shtuar se këto që po bën udhëheqsi koreano-verior Kim Jong Un, “janë të rrezikshme dhe tepër të dëmshme”. Zoti Kerri i bëri komentet e tija gjatë një takimi me ministrin e jashtëm të Koresë së Jugut, Yun Byung-se në Uashington. Sekretari amerikan i shtetit Xhon Kerri, me seriozitetin më të madh, dhe duke mos lënë asnjë dyshim se cili është qëndrimi i Shteteteve të Bashkuara në lidhje me këtë krëcnim, shtoi se “Shtetet e Bashkuara do të bëjnë çdo gjë të nevojshme për të mbrojtur veten tonë si edhe aleatët tanë në rajon, Korenë dhe Japoninë, ndaj të cilëve kemi obligime në bazë të traktateve të nëshkruara. Ne”, tha Zoti Kerri, “jemi të gatëshëm dhe të aftë për të bërë një gjë të tillë dhe besoj se Koreja e Veriut e kupton mirë këtë fakt”, shtoi krye diplomati amerikan.
Ndërsa Pentagoni reagoi ndaj deklaratave kërcënuese të qeverisë së Koresë së Veriut, nepërmjet Sekretarit të ri amerikan të Mbrojtjes, Chack Hejgël, i cili duke shprehur shqetësimet e tija dhe të departmentit që ai drejton, tha të mërkurën se, “Disa prej masave të marra nga Koreja e Veriut gjatë javëve të fundit, paraqesin një rrezik dhe kërcënim të vërtetë dhe aktual ndaj interesave të aleatëve tanë, Koresë së Jugut dhe Japonisë, përfshirë edhe kërcënimet e drejtë për drejta që Pyongyangu ka bërë kundër Shteteve të Bashkuara, ndaj bazës në Guam, ndaj shtetit amerikan Havai-t dhe kundër pjesës përendimore të Shteteve të Bashkuara”.
Edhe organizata e Kombeve të Bashkuara reagoi ndaj gjëndjes së acaruar në gadishullin Korean si rrjedhim i deklaratave kërcënuese të Koresë së Veriut. Ishte vet Sekretari i Përgjithëshëm i organizatës botërore, Ban Ki Moon, ai i cili shprehi shqetësimin e tij të thellë me situatën e krijuar duke thënë se kriza është aq e keqësuar sa që mund të jetë tepër vonë për të bërë ndonjë gjë për të zbutur situatën. Rrjeti televiziv amerikan NBC citoi Yotin ban Ki Moon të ketë thënë gjatë një vizite në Evropë se, “Kërcënimet bërthamore nuk janë lojë”, duke shtuar se, “retorika agresive dhe propaganda ushtarake vetëm shkaktojnë marrjen e kundër masave dhe nxisin frikë dhe mos-stabilitet”, në rajon. Sekretari i Përgjithëshëm, i cili para se të zgjidhej në detyrën e tanishme, ka qenë minister i jashtëm i Koresë së Jugut, ofroi të ndërmjetësojë për të lehtësuar bisedimet për paqë midis dy Koreve, megjithëse nuk duket se Koreja e Veriut është në dispozicion për bisedime të tilla.
Sa për referencë historike, dy Koretë kanë zhvilluar një luftë tre-vjeçare në fillim të viteve 50-të të shekullit të kaluar, e njohur si lufta e Koresë, e cila përfundoi në një armpushim në vitin 1953. Korea e Veriut dhe Korea e Jugut, megjith armëpushimin e nënshkruar midis tyre, kohët e fundit i anulluar nga Korea e Veriut ato vazhdojnë të jenë teknikisht në gjëndje lufte.
Megjithëse Koreja e Veriut, për vite tani është duke punuar për të prodhuar armë bërthamore, përpjekje këto për të cilat pëson sanksione të rrepta ekonomike ndërkombëtare, afëtësitë e saja reale në fushën bërthamore, sipas ekspertëve dhe zyztarëve amerikanë dhe ndërkombëtarë – realisht nuk janë të njohuara dhe nuk dihen saktësisht. Por ajo që dihet është se Pyonyangu vazhdon të zhvillojë prova bërthamore nën tokë, përfshirë, sipas tyre edhe tri prova shkurtin që kaloi.
Prandaj si rrjedhim i kësaj mos sigurie mbi aftësitë e Koresë së Veriut në fushën e armëve bërthamore, dhe megjithë retorikën e ashpër të atij vendi, ekspertë të ndryshëm mendojnë se udhëheqsit komunistë koreano-verior mund mos i kenë aftësitë e nevojshme për të realizuar kërcënimet e tyre ndaj fqinjve të vet dhe Shteteve të Bashkuara. Eksperti amerikan i fushës së armëve bërthamore, Siegried Hecker i Qendrës për Sigurim dhe Bashkpunim pranë universitetit Stanford, u citua nga media të ndryshme amerikane të ketë thënë se ai, “Nuk beson se Koreja e Veriut i ka aftësitë për të sulmuar Shtetet e Bashkuara me armë bërthamore dhe nuk do të ketë një mundësi të tillë edhe për disa vjetë.” Sipas tij, edhe “aftësitë e saj për të sulmuar Korenë e Jugut, janë gjithashtu të kufizuara.”
Por një ekspert tjetër, Viktor Ça i Qëndrës për Studime Strategjike Ndërkombëtare në Uashington tha për agjencinë e lajmeve Rojtër se, “Nuk mendoj se gjëndja mund të keqësohet më shumë se ç’është tani”. Ndërsa Sekretari amerikan i Mbrojtjes Hejgël tha se Koreja e Veriut ka një aftësi “të konsiderueshme” armësh bërthamore, duke theksuar se Pentagoni duhet të jetë gati për tu përballur me kërcënime të tilla, pasi tha ai, kur flitet për armët bërthamore, “mjafton të jeshë vetëm një herë gabim”.
Ndërkaq, Departmenti amerikan i Shtetit njoftoi se Sekretari Xhon Kerri do të bëjë javën që vjen një vizitë në Korenë e Jugut, në Japoni dhe Kinë, për të biseduar mbi Korenë e Veriut. Është Kina, aleate e ngushtë e Koresë së Veriut, ajo të cilën Zoti Kerri do përpiqet ta bindë që të ushtrojë influencën e saj të konsiderueshme politike dhe ekonomike, që Koreja e Veriut të zbusë tonet e ashpëra dhe kërcnuese për përdorimin e armëve bërthamore kundër vendeve të rajonit dhe Shteteve të Bashkuara, dhe të ulet në tryezën e bisedimeve para se gjëndja në gadishullin Korean të dalë krejtësisht jashtë kontrollit.
NE FOTO: Udhëheqsi i Koresë së Veriut Kim Jon Un i rrethuar nga gjeneralët e tij