Korpusi amerikan i Paqes në Kosovë, ndihmë të gjitha komuniteteve/
-Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në takim lamtumire me drejtorin e Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë, Stephen Kutzy i cili shoqërohej nga drejtoresha e re, Darlene Grant/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 23 Nëntor 2015/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim lamtumire drejtorin e Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë, Stephen Kutzy i cili shoqërohej nga drejtoresha e re e këtij korpusi, Darlene Grant.
Presidentja Jahjaga çmoi lartë kontributin e Kutzy si drejtori i parë i Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë. Ajo theksoi se angazhimi i Kutzy dhe i të gjithë vullnetarëve është shumë i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve midis qytetarëve të Kosovës dhe popullit amerikan si dhe për thellimin e miqësisë midis dy vendeve.
Në të njëjtën kohë, Presidentja Jahjaga i dëshiroi mirëseardhje në Kosovë drejtoreshës së re të Korpusit amerikan të Paqes, Darlene Grant dhe e inkurajoi atë për të vazhduar me sukses misionin e filluar nga Kutzy, që përmes angazhimit të vullnetarëve, t’i ofrohet ndihmë të gjitha komuniteteve që jetojnë nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës.
Drejtori i Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë, Stephen Kutzy, e falënderoi Presidenten Jahjaga për mbështetjen që institucionet dhe qytetarët e Kosovës i kanë ofruar atij personalisht por edhe vullnetarëve të Korpusit amerikan të Paqes.
Në Kosovë, në gusht 2015 filluan shërbimin për dy vitet e ardhshme 36 vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes, të grupit të dytë, të cilët kanë përfunduar trajnimin parapërgatitor në komunitete kosovare.
Grupi i parë i Korpusit të Paqes i SHBA-ve kishte 25 vullnetarë, të cilët patën dhanë betimin solemn në gusht 2014, poashtu pas trajnimit parapërgatitor në komunitetet në Kosovë.
Korpusi i Paqes në Kosovë ka nisur programin që nga data 9 shator 2013, kur edhe ështe nënshkruar marrëveshja ndërshtetërore ndërmjet Korpusit të Paqes dhe Republikës së Kosovës.
Korpusi i Paqes pret një marrëdhenie të gjatë dhe të frytshme me popullin dhe qeverinë e Kosovës, grupi i tretë i përbërë nga 40 vullnetarë është paraparë të mbërrij në vitin 2016.
Korpusi i Paqes ka rrënjët në vitin 1960 kur senatori i atëhershëm John F. Kennedy i sfidoi studentët e Universitetit të Michigan-it për t’i shërbyer shtetit të tyre në kauzën e paqes duke jetuar dhe punuar në shtetet në zhvillim.
Nga ky frymëzim u ngrit një agjenci e qeverisë federale e përkushtuar ndaj paqes dhe miqësisë botërore. Tre qëllimet e saja fillestare mbeten të njëjta: T’i ndihmojë popujve të shteteve që janë të interesuara për t’i plotësuar nevojat e tyre për persona të kualifikuar; të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të amerikanëve nga ana e popujve që shërbehen; të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të popujve tjerë nga ana e amerikanëve.