-Sot, operacioni i përbashkët me Njësinë e EOD-së të KFOR-it Amerikan/
PRISHTINË, 7 Dhjetor 2016-B.Jashari/ Në Kosovë, Kompania e Deminimit e Forcës së Sigurisë gjatë vitit 2016 ka pastruar 245.600 metra katrorë terrene të minuara, ku janë zbuluar 411 mjete shpërthyese, të cilat më pastaj i ka asgjësuar.
Nga përfundimi i luftës në vitin 1999 deri tash nga pjesëtarët e Kompanisë së Deminimit të FSK-së janë pastruar afër 50 milionë metra katrorë dhe janë asgjësuar 87.869 mjete shpërthyese në terrene të ndryshme të territorit të Kosovës.
“Falë punës profesionale, eksperiencës dhe disiplinës, qe nga viti 1999 e deri më sot pjesëtarët e njësisë së deminimit nuk kanë pasur asnjë incident”, thekson njoftimi dërguar nga Ministria e FSK-së.
Forca e Sigurisë së Kosovës – Kompania e Deminimit e Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Brigadës për Mbështetje Operacionale, sot, pas zhvillimit të një operacioni të përbashkët me Njësinë e EOD-së të KFOR-it Amerikan dhe me Policinë e Kosovës kanë asgjësuar disa mjete të pa shpërthyera në Poligonin e Policisë së Kosovës në Sllatinë. Njësia e deminimit të FSK-së me këtë operacion ka përfunduar me sukses sezonin veror të deminimit në pastrimin e fushave të minuara sipas planit të veprimit për vitin 2016.




