-Buxheti i Shtetit prej mbi 2 miliardë euro ka pajtimin e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, theksoi ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti/
-Ministria e Financave ka realizuar 85% të programit të saj legjislativ për 2016, që është një rritje prej 20% krahasuar me vitin paraprak/
-Në kuadër të financimit total janë përfshirë edhe mjetet e privatizimit të aseteve shoqërore nga Agjencia Kosovare e Privatizimit/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 4 Janar 2017/ Arritja e Buxhetit të Shtetit 2017 në më shumë se 2 miliardë euro është rekord dhe ngjarja e vitit e Ministrisë së Finacave në qeverinë e Kosovës, deklaroi ministri Avdullah Hoti. Në një konferencë vjetore për shtyp ai prezantoi Raportin e punës për vitin 2016 të Ministrisë së Financave të Kosovës.
“Kuvendi ka aprovuar buxhetin për vitin 2017 prej mbi 2 miliardë euro, më të lartin që ka pasur Kosova ndonjëherë, i cili është paraprirë nga konsultime e shumta me të gjitha palët e invovluara, përfshirë në veçanti shoqërinë civile”, u shpreh ministri Hoti.Ministri i Financave tha se, ky është buxhet që merr parasysh objektivat zhvillimore dhe sociale, të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, Programin për Reforma Ekonomike, Kornizën Afatmesme e Shpenzimeve dhe Strategjitë sektoriale.
“Ky buxhet ka pajtimin e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe me aprovimin e tij ne kemi plotësuar kriterin kryesor për vitin 2016 në kuadër të këtij programi”, theksoi Hoti.
Ai tha se, Buxheti i Kosovës për 2017-tën dhe projeksionet për dy vitet në vijim sigurojnë rritje ekonomike prej mbi 4%, përmes dy elementeve: rritjes së investimeve kapitale dhe mbështetjes për reforma strukturore.Ministri i Financave theksoi veçmas edhe faktin se, “buxheti i komunave është në vlerë prej 440.2 milionë euro, që është një rritje prej 15 milionë krahasuar me vitin 2016”.
Ai bëri të ditur se, në kuadër të financimit total janë përfshirë edhe mjetet e privatizimit të aseteve shoqërore nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në shumë prej 88 milionë euro dhe se, të gjitha këto mjete, pa përjashtim, janë ndarë për projekte kapitale.Buxheti i Shtetit i Kosovës mbi 2 miliardësh, i miratuar në qeveri në 31 tetor e në Kuvend këtë javë, është një rritje e madhe dhe shifrat tregojnë rritje nga viti në vit.Buxheti i Shtetit për vitin 2016, i miratuar nga qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, ishte planifikuar të jenë 1 miliard e 598 milionë euro, me një rritje prej 4.1% krahasuar me vitin 2015 dhe 19% më shumë se në vitin 2014.
Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti, fillimisht tha se Ministria e Financave ka realizuar 85% të programit të saj legjislativ për 2016, që është një rritje prej 20% krahasuar me vitin paraprak.
“Në vitin 2016, janë paraparë 18 projektligje nga Ministria e Financave . Nga këto, 14 Projektligje janë miratuar në qeveri, 1 projektligj është në procedurat e miratimit në Zyrën e Kryeministrit dhe 3 projektligje janë në procedura brenda Ministrisë së Financave. Me këto 14 ligje të aprovuara në qeveri, Ministria e Financave ka kontribuar me 35% në programin legjislativ të qeverisë”, theksoi Hoti në konferencën për shtyp dhe pritjen e fundvitit.