![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/04/Kosove-Komisioni-Parlamentar-2022_04_01_-1024x683.jpg)
![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/04/Kosove-BE-flamuj-Prishtine.jpg)
-Kosova, Program Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit me Bashkimin Evropian/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 2 Prill 2022/ Në këtë fillim Prilli 2022 u bënë 6 vjet prej kur hyri në fuçi – nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 Tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor.
Zbatimi ka nisur në 1 Prill 2016, kur në mënyrë ceremoniale në ambientet e Drejtorisë së Doganës së Kosovës u bë zhdoganimi i parë me tatim doganor të reduktuar konform Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ky moment shënonte fillimin e zbatimit të MSA nga ana e shtetit të Kosovës.
Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimit Evropian, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008.
Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian është miratuar në 10 Mars 2016 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Me atë rast Ministria e Integrimit deklaronte se, mbështetja e ofruar nga deputëtët e Kuvendit kosovar miratimit të Programit Kombëtar për zbatimin e MSA-së dëshmon përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të zbatuar të gjitha reformat legjislative dhe institucionale dhe detyrimet kontraktuale të parapara me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Ky Program është dokumenti kryesor strategjik kombëtar për zbatimin e axhendës evropiane që mbulon periudhën pesëvjeçare 2016-2020 dhe fokusohet në tre aspekte strategjike të anëtarësimit në BE: Përmbushjen e detyrimeve të MSA-së; Përafrimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së; Zbatimin e legjislacionit të përafruar.
Programi mbulonte të gjithë kapitujt e Acquis së BE-së. Bazuar në strukturën e Kritereve të Kopenhagës, të gjitha masat dhe prioritetet janë të ndara në tre blloqe: Kriteret Politike, Kriteret Ekonomike, dhe Standardet Evropiane.
Programi përcaktonte masat dhe prioritetet legjislative dhe zbatuese në dy faza: masat afatshkurtra (për vitin 2016) dhe prioritetet afatmesme (për vitet 2017-2020). Programi gjithashtu përcaktonte qartë përgjegjësitë e institucioneve për zbatimin e tij, si dhe afatet kohore të përmbushjes së këtyre veprimeve dhe burimet buxhetore.
Procesi për hartimin e Programit është koordinuar nga Ministria për Integrim Evropian, me përfshirje të të gjitha institucioneve shtetërore dhe në një proces gjithëpërfshirës dhe konsultativ me shoqërinë civile dhe palët tjera të interesuara.
Zbatimi i Programit nis menjëherë me hyrjen në fuçi të MSA-së, me fillimin e muajit Prill 2016.
Në 27 Tetor 2015 atëherë kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, kanë nënshkruar në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në ceremoninënë e zhvilluar, Marrëveshja është nënshkruar edhe nga atëherë ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku dhe komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn.
Negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, kanë nisur në 28 tetor të vitit 2013.
Kosova dhe Komisioni Evropian kanë vënë inicialet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit qysh në Korrik të vitit 2014.
Procesi i nënshkrimit është ngadalësuar për shkak të mungesës së konsensusit brenda vetë Bashkimit Evropian, përkatësisht mosnjohjes së Kosovës ende nga pesë vende të BE-së.
Më vonë, megjithatë, është rënë dakord që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit të mos ratifikohet nga parlamentet e secilit shtet anëtar veç e veç, ashtu siç ka qenë praktika me vendet e tjera.
Në 22 Tetor 2015 Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në 24 Tetor, nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Stabilizim Asociimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u miratua nga qeveria kosovare.
Marrëveshja ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë sikur marrëveshjet e të gjitha vendeve të rajonit dhe përfshinë të gjitha elementet e një bashkëpunimi të plotë politik, ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. MSA, marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle.
Në 1 Prill 2022 në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga kryetarja, Rrezarta Krasniqi, ka raportuar, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Raportimi në Komision i zv/ kryeministrit Bislimi kishte të bënte me Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA) 2022-2026.
Zv/ kryeministri Bislimi para Komisionit paraqiti çështjet më të rëndësishme nga përmbajtja e këtij programi, siç janë: reformat politike, ekonomike, si dhe përafrimi i legjislacionit të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian.
Për zbatimin e këtij programi, zv/ kryeministri bëri të ditur se janë të nevojshme (dhe në dispozicion) më shumë se 46 milionë euro, nga të cilat, tha ai, pjesa më e madhe e tyre janë donacion nga Bashkimi Evropian.
Duke folur për objektivat, të cilat Qeveria ka për qëllim të arrij gjatë këtij viti lidhur me Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit 2022-2026, zv/ kryeministri Bislimi njoftoi se janë paracaktuar 220 masa, nga të cilat 90 prej tyre i përkasin fushës së legjislacionit.
Pas kësaj, anëtarët e Komisionit ngritën një mori çështjesh, të cilat kishin të bënin kryesisht me legjislacionin, dhe ecurinë e paraparë për realizimin dhe zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit 2022-2026.
Ndërsa, pyetjeve dhe shqetësimeve të tyre iu përgjigj zv/ kryeministri, i cili, po ashtu kërkoi bashkëpunim edhe më të madh me Komisionin, me qëllim të përmbushjes së obligimeve shtetërore gjatë procesit të integrimeve në Bashkimin Evropian.