
Dr. Nelson R. Çabej/
20 shekuj ideologjish sunduese mbikombëtare/jokombëtare (ideologjite monoteiste fetare, duke përfshirë ideologjitë komuniste dhe fashiste gjatë shekullit të fundit dhe atë globaliste të sotme), jo vetëm që nuk e kanë dobësuar, por duket se e kanë mprehur ndjenjën kombëtare dhe të identitetit etnik të shumë popujve në botës dhe të Evropës.
Kombi dhe shteti kombëtar, qofte etnik ose civil, është e vetmja mënyrë e njohur e ekzistencës së bashkësive kulturore njerëzore, që kanë të përbashkët gjuhën, zakonet, kulturën, dhe funksionojnë si njësi të veçanta e të dallueshme kulturore. Identiteti kombëtar dhe miti kombëtar përbëjnë forcën më të madhe shpirtwrore të bashkimit të njerëzve në kombe, si bashkësi që, edhe pse je i lirë t’i quash të përfytyruara, janë reale dhe dinamike. Në botën e sotme, arti, letërsia, muzika dhe mjetet e komunikimit në masë të çdo vëndi, marrin pjesë aktivisht në zhvillimin e ideologjisë e mitit kombëtar.
Përpjekjet e derisotme të motivuara politikisht për të gjetur një zëvëndësues të paradigmës kombëtare në historishkruarje, në format e ndonjë historije, “histori klasash shoqërore”, “histori krahasuese”, “histori mbikombëtare”etj., mund të thuhet pa frikë se kanë dështuar me gjithë përpjekjet e disa autoriteteve të historiografisë në këto 2-3 dekadat e fundit. Po të qe se në mediat shqiptare nuk do të ishin shprehur pikpamje që mohojnë nevojën e mitit historik si bërthamë e ideologjisë sonë kombëtare, do të ishte absurde të pyetej: “Na duhet sot ne shqiptarëve një ideologji kombëtare? ”
Le ta lëmë mënjanë përvojën shekullore botërore dhe argumentet teorike që do t’i jipnin kësaj pyetjeje një përgjigje të prerë “Po, na duhet! ”. Por, le të mendojmë për një moment, në një mënyrë po aq absurde, se në gjysmën e dytë të shekullit XIX shqiptarët nuk do të kishin zhvilluar një ideologji kombëtare. Nuk ka dyshim se në rrethana të tilla nuk do të kishim atë letërsi kombëtare që kemi, as shkolla shqipe, as përpjekje për bashkimin e shqiptarëve në kuvëndet mbarëkombëtare, as kryengritje të armatosura të shqiptarëve as përpjekje diplomatike të shqiptarëve për pavarësinë e Shqipërisë. Me pak fjalë, nuk do të lindte as një “çështje shqiptare” në diplomacinë e fuqive të mëdha të Europës. Në të atilla rrethana, do të ishte e pamundur që Europa t’u ‘dhuronte’ shqiptarëve një shtet të tyre të pavarur.
Ndryshe nga vënde si Franca, Spanja, Greqia, Turqia, etj., në të cilat ishte shteti që krijoi kombësinë e përbashkët përkatësisht frënge, spanjolle, greke, turke, etj. nga kombe të veçanta, Shqipëria është një komb etnik, ku kombi dhe vetëdija kombëtare e përbashkët ishin forca vendimtare për formimin dhe përjetësimin e shtetit tonë kombëtar. Për një komb etnik ose komb kulturor, të bazuar në gjuhën, prejardhjen dhe kulturën e përbashkët si Shqipëria, një histori kombëtare dhe një ideologji kombëtare janë premisa jetësore të ekzistencës së tij. Dobësimi i ideologjisë kombëtare mund të shpjerë në një krizë identitare të shqiptarëve, me pasoja të rezikshme për qëndrueshmërinë e shtetit dhe të vetë kombit.
Kritika e sotme ndaj ideologjisë kombëtare të shqiptarëve
Pas viteve 90-të ideologjia kombëtare e shqiptarëve, burimet dhe roli i saj në historinë e Shqipërisë u bënë objekt i kritikës në disa vende të botës, kritikë që gjeti jehonë edhe në qarqe të ngushta publicistësh shqiptarë. Preteksti për këtë sulm kundër ideologjisë kombëtare të shqiptarëve u gjet në atë që konsiderohej mitizim i historiografisë shqiptare të periudhës së komunizmit.
Nuk është vështirë të gjesh mitizim në historiografinë shqiptare jo vetëm të periudhës së totalitarizmit, por në tërë periudhat e saj, duke filluar me Barletin. Në të vërtëtë e vështirë është të gjesh histori të pamitizuar në ndonjë vend të Evropës. E mitizuar është historiografia në çdo vënd të botës që ka ose nuk ka historiografi zyrtare. Kjo provohet me shëmbuj më se të mjaftueshëm nga historiografia botërore e tërë epokave, duke përfshirë kohën tonë. Për të mos shkuar më larg, mjafton të shikosh sa të ndryshme e kontradiktore janë interpretimet e historisë së Luftës së Dytë Botërore, të shkaqeve, zhvillimit dhe pasojave të saj nga autorë të ish-vendeve aleate të kohës, për të kuptuar se politizimi dhe mitizimi i historishkruarjes është një virus universal. Sepse në historishkruarje tablloja “reale” shtrëmbërohet gjatë kalimit nëpër spektrin kulturor-botkuptimor të kohës, por edhe nën ndikimin e qëndrimit të pashmangshëm emocional dhe prirjes ideologjike të historianit. Sepse, siç është thënë, historishkruarja bën pjesë ndër ato sfera të dijes njerëzore ku e vërteta deformohet nga vlerat politike e morale dhe pozita shoqërore e historianit. Në këtë kuptim sot fitet për mite historike jo vetëm kur vjen puna te glorifikimi i figurës së Skënderbeut, por për shumë gjëra të tjera, që nga globalizmi, parimi i të drejtave të njeriut, lufta për demokraci e deri te natyra e luftës dhe shkaqet e kolonializmit, etj. Në këtë kuptim do të ishte e gabuar të mendohet sikur mitizimi është një çështje përjashtimore historiografisë shqiptare.
Dhe, mbi të gjitha, nuk duhet ngatëruar miti lirik, që mirret me prejardhjen dhe të ardhmen e botës, me kuptimin e jetës e vdekjes, me mitin historik kombëtar. Ky i fundit, krijon lidhje të forta emocionale midis individëve dhe forcon identitetin kombëtar të popullit; duke lidhur të shkuarën e një populli me vizionin e tij për të ardhmen, duke dhënë energjinë e nevojshme për
përparim/ndryshim shoqëror e kombëtar. Sot pranohet përgjithësisht se miti kombëtar është pjesë e pandarë e historisë dhe – për shumë historianë – mjet i pazëvëndësueshëm i historishkruarjes. Thellë në botën shpirtërore të një populli, rrënjët më të thella të mitit kombëtar pleksen me rrënjët e kombit dhe të vetëdijes kombëtare, për të ushqyer njera-tjetrën, andaj miti kombëtar do të ekzistojë sa kohë që të ketë komb dhe vetëdije kombëtare.
Në rastin më të mirë kanë qënë mangësitë intelektuale ose të ekspertizës që i kanë shpurë autorët e “demontimit” të historisë sonë kombëtare në ngatërrimin e problemeve të historiografisë shqiptare, të historisë zyrtare të Shqipërisë, me ideologjinë kombëtare shqiptare dhe ideologët e saj. Dhe nuk është për t’u çuditur që këto kritika kanë ardhur nga publicistë që nuk kanë thuajse asnjë kontribut vetiak në historinë e Shqipërisë.
Unë nuk di ndonjë prej atyre kritikuesve shqiptarë të ketë ndërmarrë ndonjë përpjekje në shtypin shkencor shqiptar e aq më pak në atë të verifikuar (peer reviewed) të huaj për të rishikuar ose hedhur poshtë teza të veçanta të historisë së popullit shqiptar ose të botimit standard Historia e Popullit Shqiptar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ndonëse, si për çdo vepër tjetër historike, vërejtje dhe gabime faktuale dhe metodologjike unë jam i vetëdijshëm se ajo ka. Dy boshtet madhore të ideologjisë kombëtare shqiptare, prejardhja ilire e shqiptarëve dhe lufta e tyre kundër perandorisë osmane në shekullin XV, janë bërë edhe objektet kryesore të kërkesës së
dalë nga jashtë e, me induksion, edhe nga brenda vëndit, për të ashtuquajturin “demontim” e “çmitizim” të historisë së shqiptarëve.
Kritikuesit gabojnë adresën, kur kritikojnë historishkruarjen shqiptare për hipotezwn e prejardhjes pellazge të popullit tonë. Në të vërtetë ajo u zhvillua nga dijetari gjerman Johan Georg von Hahn nga mesi i shekullit XIX, dhe për kohën ajo u shfrytëzua me zgjuarsi nga rilindasit tanë për forcimin e vetëdijes historike kombëtare të shqiptarëve. është miti kombëtar thelbësor për ideologjitë kombëtare të gjithë vëndeve dhe popujve të Europës e të botës. Teoria e prejardhjes ilire, po ashtu, me gjithë kontributet thelbësore të shqiptarëve, nuk është meritë vetëm e shkencës historike e gjuhësore shqiptare, sepse ajo nisi dy shekuj para se shqiptarët t’i hynin vetë studimeve për prejardhjen e tyre. Fakti që ka pasur edhe gjuhëtarë të huaj, kryesisht ballkanikë, që janë shprehur për prejardhjen trake të shqiptarëve (pa zënë në gojë teoritë mito fantastike për prejardhjen jashtëballkanike të tyre), është një dukuri krejt normale, jo vetëm për çështje të historisë e shkencave shoqërore, por edhe për shkencat e natyrës (Einstein-i ishte skeptik për pashkakësinë në mekanikën kuantike dhe disa biologë dyshojnë në vërtetësinë e teorisë së evolucionit!). Dhe, veç kësaj, ata historianw dhe gjuhëtarë nuk kanë qenë njohës të mirë të historisë se shqiptarëve dhe gjuhës shqipe dhe janë marrë me to vetëm në mënyrë anësore dhe nuk arritën ndonjëherë të ngrenë një teori shkencore për prejardhjen trake ose për çfarëdo prejardhje të përfytyruar të shqiptarëve.
Rëndom thuhet se miti i Skënderbeut u krijua gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por ky pohim është sa s’bëhet larg së vërtetës. Si shumica e miteve, edhe ai, u krijua në një periudhë të një stresi të jashtëzakonshëm kombëtar, në kohën e luftës së pashëmbëllt të shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut, në një moment kritik të luftës së tyre për mbijetesë etnike dhe liri. Krijimi i atij miti kombëtar të Skënderbeut në shekullin XV Prania e këtij miti ndër shqiptarët, të paktën që nga shekulli XVI, dokumentohet në historinë e Marin Barletit për Skënderbeun dhe dëshmon ekzistencën në atë kohë të një vetëdijeje etnike «Ne» të arbërve si një komunitet njerëzor i lidhur nga gjuha, historia dhe vlerat morale e kulturore të përbashkëta. Ajo që bënë rilindasit, në të vërtetë, është se rigjallëruan atë mit historik shqiptar, e përhapën në masë dhe i dhanë atij forcë më të madhë emocionale sidomos me poemën Istori e Skënderbeut të Naimit, që ishte një vepër artistike dhe nuk nuk duhet ngatëruar me historishkruarjen shqiptare.
Edhe pohimi se gjatë regjimit totalitar historia dhe miti për Skënderbeun u interpretua dhe u përdor për qëllimet e sistemit është i vërtetë, por ky është vetëm një truizëm e tautologji, por jo argument kundër ideologjisë sonë kombëtare, sepse historia dhe mitet e çdo populli, në të gjitha vendet e në të gjitha kohët, janë shfrytëzuar për nevojat e politikës shtetërore. Vlera e mitit kombëtar të shqiptarëve nuk ulet nga fakti që ai u shfrytëzua për qëllime politike të ndryshme në periudha të ndryshme të historisë së Shqipërisë.
Kritikuesit e ideologjisë sonë kombëtare dhe të mitit tonë kombëtar duhet të kuptojnë se sa kohë që në botë do të ketë kombe dhe shtete kombëtare, jo vetëm në Shqipëri, por absolutisht në çdo vënd të botës, do të ketë dhe mite kombëtare. Mitet kombëtare kanë qënë dhe mbeten mjeti më i fuqishëm i farkëtimit të bashkimit kombwtar të çdo populli. Jo më kot, rusët krijuan mitin e një
figure jo historike, por legjendare të Ivan Susaninit dhe francezët mitin e Zhan D’Arkës. Kritikuesit e mitit tonw kombëtar nuk kanë dhënë ndonjë alternativë që do të zëvëndësonte rolin e mitit kombëtar si bashkues i popullit dhe kjo do të thotë se ata mendojnë se kombi po vjen duke u shuar ndaj edhe miti kombëtar si bërthamë e ideologjisë dhe vetëdijes kombëtare është i panevojshëm. Por të besosh këtë do të thotë të mos kesh kuptuar mësimin më të madh që del jo
vetëm nga historia mbi dyshekullore e kontinentit tonë, por edhe nga prirjet alarmuese nacionaliste e fjetura dhe aktuale, që nga krijimi i 15 shteteve kombe, që dolën nga shpërbërja e perandorisë ruse dhe sërbe (e ashtuquajtura Republike Federative e Jugosllavisë) deri te ndarja e Sllovakisë nga Çekia dhe përpjekjet separatiste ose dhe për krijimin e shteteve kombëtare në Skoci, Katalonjë, Flandër, Itali, etj., të cilat po trondisin Europën sot. Por është e pabesueshme që të ketë shqiptar të mos e ketë nxënë këtë mësim kritik, pas përpjekjeve për pastrimin etnik dhe djegien e 190 fshatrave të Shqipërisë së jugut në Luftën e Parë Botërore dhe pas pastrimit etnik të Çamërisë dhe më së fundi në Kosovë që ishte pastrimi më të madh etnik në Europë, që nga Lufta e Dytë Botërore, kur u përzunë afro një milion shqiptarëve nga vatrat e tyre shekullore. Miti historik i shqiptarëve dhe ato të gjithë popujve të tjerë janë shoqërisht dhe politikisht të dobishme për shqiptarët dhe të paktën të padëmshme për fqinjët tanë. Por nuk mund të thuhet kjo për mite të pastrimit etnik dhe të pushtimit të trojeve të huaja si mitet e “Naçertanije”-s, “Megaliidhe”-së dhe “Vorio-Epir”–it.
Në çdo vënd të botës, media, artet, letërsia, kinematografia sot, si dhe më parë, kanë funksionuar për të ruajtur, zhvilluar dhe për t’ia përshtatur momentit mitet kombëtare. Mitet kombëtare janë farkëtarë dhe pjesë e pandshme e identitetit,vetëdijes dhe ideologjisë kombëtare. Nuk mund të ketë komb pa mit kombëtar. Lufta për “demontimin” e mitit kombëtar shqiptar është luftë për të çbërë identitetin dhe vetëdijen kombëtare të shqiptarëve.