– Miqësi të thellë dhe shumë gjëra të përbashkëta. Zëvendëskryeministri Thaçi takoi ambasadoren e re kroate në Kosovë, Marija Kapitanoviç/
PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot ambasadoren e re të Republikës së Kroacisë në Prishtinë, Marija Kapitanoviç.
Zëvendëskryeministri Thaçi i dëshiroi mirëseardhje ambasadores Kapitanoviç, duke uruar që të vazhdohet bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve.
“Kemi marrëdhënie të shkëlqyera mes dy shteteve tona dhe tani duhet të kërkojmë mënyra për të zgjeruar këtë bashkëpunim edhe në rrafshin ekonomik”, u shpreh zëvendëskryeministri Thaçi.
Thaçi theksoi se Kosova dhe Kroacia kanë miqësi të thellë dhe shumë gjëra të përbashkëta. Ai gjithashtu e falënderoi ambasadoren kroate për mbështetjen që shteti i saj po vazhdon t’i japë Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO si dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, ambasadorja Kapitanoviç u shpreh se Kroacia dhe Kosova gëzojnë raporte të shkëlqyera, një bashkëpunim më i vjetër se sa vet dy shtetet gjegjëse, dhe se këto marrëdhënie veçse po thellohet edhe më shumë.
Ambasadorja Kapitanoviq nënvizoi se në të dy vendet diaspora respektive kontribuojnë në thellimin e lidhjeve mes dy vendeve.
Në fund, ambasadorja Kapitanoviç tha se Kroacia e mbështet Kosovën në aspiratën për t’u bërë anëtare e BE-së dhe e NATO-s dhe se shteti i saj do të vazhdojë t’i japë përkrahje konkrete Kosovës në këto procese./b.j/