“Po të na shtrëngonte fati me zgjedhë njânën dysh : a mâ mirë me humbun Kosovën apo lirìn, pëlqejmë mâ parë të humbasim lirìn, mbasi këtê, të bashkuem me Kosovën, jemi të sigurtë se dikur mund t’a fitojmë prap…”/
Mustafa Merlika – Kruja : “Në hullí të historisë”/
Nga Eugjen Merlika/*
“Kjo vizitë âsht nji lumní e madhe për mue. E kam pasë pà Kosovën kreshnike kur ishte ende robneshë e Tyrkís e qytetin t’uej po e shoh për herë të parë. Por jo kështu Gjakovsit. Këta i kam njohun nëpër burrat mâ të mirë, nëpër burrat mâ të fortë të tyne. E nuk muj mos me i përmêndun sod ata fatosa qi dhanë jetën e tyne nëpër shpella e në dhè të huej për lirìn e Kosovës. Nuk muj mos me e kujtue botnisht, sod qi po vizitoj vendin e tij, atë bir të madh të Gjakovës qi i thojshin Bajram Curri.
E njoha në Shkup këtë fatos, kur në 1912, bashkë me ju e me Malsorët e vet ishte çue me lirue Shqipnìn prej zgedhe të huej. E njoha e qysh atëherë s’na u danë zêmrat mâ prej shoqja-shoqes. Na bashkonte nji ideal, ideali i Atdheut të dashtun. Për ket ideal ai e dha jetën si fatos, i tradhtuem në shpellën e Dragobìs. Desht Beligradi me e shpëtue, me i a shpëtue jetën e me e peshue me pare: sall, të hiqte dorë prej luftës për lirín e Kosovës, sall të rrinte rahat në shtëpi të vet o ku t’i donte zêmra në tokë Jugosllave. Ah, jo! Bajram Curri s’kish lè për t’a shitun Atdhèn e vet. Tânë haznat e Beligradit, tânë Jugosllavija, tânë pasunija e botës s’e vyeshin për tê lirín e nji katundi të Kosovës. Mâ mirë me dekë. E diq si burrë, diq si fatos. Po ashtu diq në dhè të huej edhe nipi i tij qi nuk i qe dà kurrë në jetë të vet: Hysni Curri, fatosi i Qafës së Prushit.
Nji tjetër Gjakovas i ka hala sod eshtnat në mërgim, ku i dha fund jetës me dorë të vet tue lânë me shkrim këta dy rreshta të mallëngjyeshëm: “I mërzitun e i dëshpruem si nji njeri dyfish pa Atdhè, dava me i dhânë fund ksaj jete”. Ky burrë, ky Gjakovas i vërtetë, qe Niman Ferizi, nji tjetër mik i em qi më la mbas veti në nji moshë aqë të rè. E kur nji njeri e ka njohun Gjakovën nëpër ksi burrash, kur ai e din edhe tânë historín e këtij vendi, merret me mend se me ç’farë dashtunije e gzimi lakmon me e pà e me e përshëndetun.”
Këto ishin fjalët me të cilat, më 1 korrik 1942, Mustafa Kruja, atëherë Kryeministër i Shqpërisë së bashkuar nën pushtimin italian, mbas tridhjetë vitesh ndarje të detyruar, i u drejtua popullit të këtij qyteti, në të cilin ne sot jemi mbledhur për të përkujtuar 70 – vjetorin e një ngjarjeje ogurzezë. A ka lidhje mes fjalëve të ish Kryeministrit, drejtuar gjakovarëve, dhe këtij simpoziumi që mbahet sot në këtë qytet, për të kujtuar me dhimbje, njëkohësisht me shpresë e besim në t’ardhmen, një nga ngjarjet më të hidhura, në mos më e hidhura e historisë së këtyre trojeve, të Kosovës e të Shqipërisë që prej një shekulli e këndej ?
Ajo ngjarje ishte ribashkimi i Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare me Shtetin jugosllav. Ajo ngjarje shënoi fundin e “pranverës së Shqipërisë etnike”, që kaloi dhe u shua si një meteor i ndritshëm në qiellin e historisë shqiptare të shekullit të shkuar, për të lënë gjurmët e pashlyeshme në kujtesën historike të saj e në kujtesën vetiake të qindra mijra shqiptarëve që u njëjtësuan me sendërtimin e ëndrrës së Shqipërisë së bashkuar në kufijtë e saj natyrorë. Mendoj se lidhja mes fjalimit të Krujës, apo vizitës së tij, i shoqëruar nga Ministrat Vlora e Agushi dhe ngjarjes që përkujtojmë sot, është në vetë rendin e gjërave. Ajo klasë politike që, n’atë rast, përfaqësohej prej tyre e që në curriculum – in e saj, si stolinë më të çmuar, mbante firmat e vendosura në Dokumentin e Shpalljes së Mëvehtësisë shqiptare më 28 nëndor 1912, e kishte lidhur thelbin e veprimtarisë së saj politike, shoqërore e shtetërore me atë akt historik të prillit 1941, i cili sendërtonte, në një shkallë të kënaqëshme, një ëndërr të përkundur për tridhjetë vjet, atë të bashkimit të trojeve ku flitej gjuha shqipe në një shtet të vetëm. Ai synim, më se i ligjshëm në një kontekst normal të marredhënieve mes shteteve, u kthye në një ankth për shqiptarët që, brënda pak ditëve të tetorit të zi 1912, qenë të pranishëm në grabitjen me dhunë të trojeve të tyre shumë shekullore nga ana e fqinjëve, me të cilët ndanin një histori mijëvjeçare, me të mirat e të këqijat e saj.
Shteti i bashkuar i shqiptarëve, i pari në historinë e tyre të gjatë, i ngjau një zogu të sapo dalë nga foleja që ra në pritën e gjahtarit të pashpirt, i cili e goditi befasisht, duke e rrëzuar për tokë të gjymtuar. Këtë zog të gjymtuar “Etërit e Kombit”, ata që i kishin nënëshkruar Pavarësinë, duke pritur në duart e tyre lindjen e tij të vështirë, u munduan t’a rrisin, t’i shërojnë plagët e t’a bëjnë të fluturojë, me fuqitë e tij, drejt synimesh të larta zhvillimi e qytetërimi. Por brezi i tyre mbeti i lidhur pazgjidhshmërisht me ëndrrën e kthyer në ankth, me ribashkimin e trojeve, që i ngjante gjithënjë e më tepër një vegimi që largohej, sepse miopia e politikës së madhe e kishte mbushur Evropën me probleme të tilla.
Për një tekë të çuditëshme të historisë, ajo ëndërr do të gjente folenë e saj të sendërtimit në një gjëndje jo të zakonshme, në një kontinent që jetonte tragjedinë më të madhe të gjithë historisë së tij, në luftën e dytë botërore. Ajo ditë prilli e vitit 1941, kur u vendos nga Qeveria italiane që trevat shqipfolëse, deri atëherë pjesë e Mbretërisë Serbo – Kroato – Sllovene, të pushtuara nga trupat aleate të Rajhut të tretë, do t’i bashkangjiteshin Perandorisë fashiste të Romës, në kuadrin e Shtetit shqiptar të bashkuar me këtë të fundit, qe sendërtimi i ëndrrës tridhjet-vjeçare, edhe se në një kontekst tepër të diskutueshëm.
Mustafa Kruja, atëherë Kryetar i Komisionit të Përshpagimeve shqiptare, e quajti “ditën më të bukur të jetës së tij”. Ajo ditë nuk ishte e tillë vetëm për të, ishte edhe për shumë atdhetarë të tjerë e për qindra mijra qytetarë të Shqipërisë e viseve të saj të bashkuara me të, kryesisht për ata të Kosovës. Sa ishte e lumtur ajo ditë e bashkimit, po aq e hidhur e tragjike ishte periudha kur trupat komuniste jugosllave, të ndihmuara nga brigadat “çlirimtare” të komisarit Ramiz Alia e të tjerë personazheve të universit komunist shqiptar, shtypën qëndresën heroike të kosovarëve, të lënë dramatikisht vetëm në luftën për mbrojtjen e lirisë së trojeve të tyre. Ajo dhunë, e ushtruar mbi Kosovën e lirë nga zaptuesit e vjetër me tjetër uniformë, me yjet e kuqe të Moskës në kapelet e tyre, të cilëve i u shtuan, në shprehjen më të spikatur të tradhëtisë kombëtare e të pabesisë njerëzore, repartet e ushtrisë “nacional – çlirimtare” të Enver Hoxhës, vrau barbarisht shpresën e rilindur të Kosovës, ëndrrën e saj e të pjesës më të madhe të shqiptarëve, për të jetuar të lirë e të bashkuar në trojet e tyre.
Ajo dhunë do të ngarkonte mbi ndërgjegjet e fituesve mijëra jetë djelmoshash të Kosovës kreshnike, që asgjësoheshin nga shkjetë dhe bashkëpuntorët e tij komunistë shqiptarë në emër të “revolucionit proletar”, qindra mijra kosovarë të përzënë nga shtëpitë e tyre, për t’u syrgjynosur në Anadoll, në zbatim të një strategjie afatgjatë të akademikëve të Beogradit për të zbrazur Kosovën shqiptare.
Ne sot e kujtojmë atë mynxyrë të historisë sonë, së pari me respektin e thellë ndaj heronjve të qëndresës vetmitare të kosovarëve nacionalistë si Ymer Berisha, Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Marije Shllaku, Ukë Sadiku, Hysen Tërpeza e qindra e mijra luftëtarë të lirisë, por edhe me vlerësimin e nderimin e atyre figurave të historisë sonë që punuan me mish e me shpirt për Atdheun e bashkuar, që u përpoqën, me të gjitha mënyrat, t’i shmangnin atij gjysëm shekullin e mallkuar të shoqërisë sonë.
Një nga ato figura, me të veçantën e saj në lidhjet me Kosovën, ka qenë Mustafa Merlika-Kruja. Kjo trajtesë merr përsipër të jetë një rrëfim i çasteve kryesore të këtyre lidhjeve, së bashku me dëshmitë e shkruara që hedhin dritë mbi ato çaste. Në këtë rrëfim hasen ngjarje e personazhe që i përkasin historisë së Shqipërisë, asaj historie që ende sot vazhdon të trajtohet me subjektivitetin manikeist të shkronjësve besnikë, deri në vdekje, të tjetërsimit të saj, të përmbysjes së vlerave të vërteta e ngritjes në piedistal të nuliteteve të përvojës komuniste shqiptare.
Ajo histori fillon herët, n’agim të shekullit, më 1902, kur djaloshi nga Kruja, mbasi kishte mbaruar mejtepin e Mulla Hysenit në qytetin e lindjes, shkoi në Janinë për të vazhduar shkollën e mesme, duke u regjistruar në gjimnazin turk t’atij qyteti. Aty krijohet lidhja e parë me një mësues nga Gjilani i Kosovës.
“Nga të gjithë Eprorët e gjymnazit të Janinës, shkollë e konvikt, dý fytyra mbaj mênd të kohës s’eme qi s’dijshin me qeshun kurrë faqe nxânsash: ajo e Saib Efendiut, nji Tyrk prej Anadolli, hoxhë me çallëm i mësuem mjaft mirë në Shkollët Normale t’Epër e mjaft i squet; dhe ajo e Qamil Efendiut, Shqiptar nga Gjillani qi mâ vonë, shumë mâ vonë, atje kah vjeti 1923 me gjasë, pat ardhun në Shqipní e marrë pjesë veprimtare në jetën politike të Vêndit me titull, emën e mbiemën qi kanë njohun të gjithë intelektualët shqiptarë të kohës së tij: Prof. Qamil Bala.”
Njohja u kthye shpejt në respekt të ndërsjelltë e në miqësi, që nuk mbeti në caqet e thjeshta të dashamirësisë mes mësuesit e nxënësit. Nxënësi recitonte para mësuesit “Istorinë e Skënderbeut” të Naimit dhe mësuesi e furnizonte nxënësin me kryevepra të letërsisë rinore në gjuhën frënge. Mësuesi nga Gjilani la një mbresë të thellë tek Mustafai dhe është nga të parët që fuqizoi dashurinë për kombin në zemrën e djaloshit, duke ndikuar edhe në formimin e karakterit të tij me parimet e besës e të besnikërisë.
“Po të na hetojnë Halldupët sharrojmë. Po un nuk shtij këtu veçse Shqiptarë e Shqiptarë të mirë. Na nuk mund t’i biem mohit gjakut t’onë, Kombit t’onë, Shqipnís s’onë. Por duhet t’u ruhemi fort Halldupve e Shqiptarve të këqij se na marrin mbë qafë.”
Profesori u mundua të ndikonte edhe në t’ardhmen e nxënësit të tij, duke e drejtuar në vazhdimin e studimeve n’ingjinjerí, bazuar mbi aftësinë e spikatur të djaloshit në matematikë, lënda që i mësonte atij. Mustafai i ri u detyrua t’a ndryshojë mendimin e tij e të profesorit dhe, me këmbënguljen e Esat Pashë Toptanit, të hyjë në konkursin për Mylkije. Sa herë në jetën e tij ka qortuar veten për atë zgjedhje, mbasi politika e vuri para provash të vështira për atë dhe familjen.
Mustafai fitoi konkursin e hyri në Mylkije, shkolla e lartë e Perandorisë Otomane, për të formuar kuadrot e saj. Aty, me prirjet e tij kundër absolutiste, u shqua në demostratat e studentëve kundër regjimit të Turqvet të rinj, që zhgënjyen pritjet e kombësive të tjera, në veçanti të shqiptarëve. Filloi të shkruajë në gazetat e Stambollit e ky kompleks veprimtarie çoi në përjashtimin e tij nga universiteti për motive politike. Sa po bëhej gati për t’u nisur në drejtim të SHBA-ës i u komunikua rikthimi në shkollë, si pasojë e ndërhyrjes së deputetëve shqiptarë në organet e arsimit. Ndërmjet tyre ishin dhe deputetët kosovarë Hasan Prishtina e Nexhip Draga.
Do të takohet me këta dy personalitete të shquar të jetës politike kosovare e shqiptare në korrikun e vitit 1912 kur, në cilësinë e sekretarit organizativ të kryengritjes shqiptare për Veriun dhe Shqipërinë e Mesme, së bashku me Markagjonin, Abdi Toptanin e të tjerë shkuan në Shkup, për të biseduar mbi vazhdimin e kryengritjes, mbi programin dhe perspektivat e saj. Siç del edhe nga kjo pjesë, e marrë nga letra që i drejton Atë Paulin Margjokajt më 18 maj 1958, Mustafai debatoi mjaft me miqtë kosovarë mbi përfundimin e bisedimeve me Ibrahim Pashën dhe shpërndarjen e kryengritësve.
“ Kosovarët kanë hŷmë në Shkup pa pushkë, tue pasë lajmuem qeverija se ishte gati me ramë në kuvênd me kryengritësit. Edhe na lajmohemi me pezulluem çdo veprim me armë e me dërguem në Shkup përfaqsuesit t’anë. Muerëm atë rrugë të gjatë mbë kual: Marka Gjoni ( i ati i Kapidan Gjonit), Abdi Toptani e un, natyrisht të shoqnuem edhe prej ndonji tjetri, por na të tre, demek, ishim krenët. Kur mbërrîmë na në Shkup, gjithça kishte qênë kryem! Kosovarët ishin marrë vesht me Marshal Ibrahim Pashën me ato kushte qi janë njohun si 14 pikat : mbrênda katër vilajetevet qi na i kemi pasë quejtun Shqipní, kudo qi shumica e popullit flitte shqip, nëpunsit do të dijshin shqip e shkollat do të mësojshin shqip; Shqiptari do t’i shërbente mbretit në kohë paqe vetëm në Rumelí (në Tyrqinë e Evropës). Këto tri pika kishin mâ tepër rândsí e tjerat s’i mbaj mênd. Ndër krenët e Kosovës mbretnonte Khaosi, kishte ndër ta nacjonalista, si Hasan Prishtinë e Bajram Curr, qi do t’a kishin rrezikuem edhe jetën e tyne për t’i siguruem Shqipnisë nji autonomí të plotë ; kishte koka, si Riza beg Kryeziu i Gjakovës e Isë Boletini, në polin e kundërt, qi do të kishin bâmë gjithashtu për me shliruem Abdyl-Hamidin e me e hypun përsrí në thront, me qênë Kosova e falun prej shërbimit ushtarak e taksash ; kishte gjind t’urtë e të stërvitun si Nexhib Draga, qi spjegojshin se me koka t’atilla, siç ishte krejt popull’ i Kosovës, fitim’ i atyne 14 pikave duhej konsideruem nji mrekullí për atëherë; kishte edhe asish, ndër të parë të vêndit, qi kishin qênë gati me kthye e shkuem në shtëpí me njerëzit e tyne, porsa t’ishte marrë lajmi qi u ndërrue kabineti në Stamboll, ai i Tyrqe të Rij me nji “ancien régime”.”
Të njëjtin argument e gjejmë të trajtuar edhe në një letër të gjatë që ai i shkruan prof. Stavro Skendit, më 2 nëndor 1953, me kërkesën e këtij të fundit mbi një opinion rreth “Sistemit të partive në Shqipëri”.
“Në një pjekje private që pata pasur me të ndjyerin Nexhib Draga në shtëpí të Rexhep Mitrovicës, ai më tfilloi se sikur të kishin pritur më shumë, që t’arrijshim edhe na në Shkup, kryengritja do të kishte falimentuar për faqe të zezë t’onën; sepse dhelpra e Stambollit kishte futur agjentat e saj në turmën e kryengritësvet kosovarë me premtime që qeverija do t’i lînte Shqiptarët të mbanin armë lirisht kudo që t’ishin dhe do t’i shkarkonte Kosovarët nga çdo farë pagesash të gjeratëhershme. E në këto dý koncesjone e te mbret’i Stambollit, më thotë Draga, përmblidhej i tërë ideal’i Kosovaret. Un po shtoj se, besa, jo vetëm i Kosovaret, po edhe i shumë krahinave tjera të Shqiprisë s’asaj kohe!”
Nga këto biseda me atdhetarë të provuar, ku bëhej fjalë për një çast tepër të rëndësishëm të fateve të kombit, siç ishte kërkesa për shkëputje nga Turqia, Mustafai i ri e kuptoi se sa e vështirë ishte të thyheshin tabutë e një mendësie të ngulitur thellë në mëndjet e shumë shqiptarëve që nuk mund t’a konceptonin jetën e tyre pa lidhjet me Stambollin. Ishte një nga zhgënjimet e para nga jeta politike, një zhgënjim që nuk nguron t’a shprehë hapur, në formë qortimi, edhe mbas tridhjetë vitesh kur si Kryeministër i Shqipërisë etnike, në fjalimin e fundit të vizitës së tij në Kosovë më 2 korrik 1942, në qytetin e Prizrenit, pohon :
“Por duhet t’a pohojmë burrnisht or vllazën, e t’a kemi si mësim para sysh se gjaku ynë i derdhun në 1912, u vjefti, jo nè për lirinë qi kërkojshim, por anmiqvet t’anë, për nji robní të këtyne viseve mà të zezë se ajo e para…..”
Është një frazë që ve në dyshim një nga çastet e rëndësishme të historisë sonë bashkëkohore : dobinë e kryengritjeve shqiptare të viteve 1911 – 1912. A qenë në favor të çështjes shqiptare ? Dobësimi i pozitave të Turqisë në Ballkan qe më i dobishëm për Shqipërinë, apo për shtetet fqinjë të saj që ishin të pavarura ? Është një pyetje që dëshmon relativitetin e vendimeve historike që, me kalimin e kohës, pësojnë vlerësime të ndryshme, herë herë edhe të kundërta. Revolucionari atdhetar Kruja, më 1912, hartonte të gjitha shpalljet, përkujtesat e dokumentat e kryengritjes, duke kërkuar autonominë e shkallës më të lartë. Luftërat ballkanike dhe gjymtimi i trevave shqiptare ishin pasojë edhe e dobësimit të pozitave të Perandorisë në Ballkan, dobësim që, së fundi, doli i dëmshëm për Shqipërinë, mbasi zëvendësoi sundimin turk me atë të serbëve, malazezëve e grekëve mbi krahinat shqiptare, duke dëmtuar rëndë integritetin tokësor të Shqipërisë s’ardhme. Kryeministri Kruja, më 1942, e ka përvehtësuar mësimin e 1912-ës dhe u a kujton bashkatdhetarëve, për të mos rënë më në gabime t’atij lloji. Fatkeqësisht ky mësim nuk u muar për bazë dhe nuk u zbatua nga drejtuesit komunistë shqiptarë që flijuan trevat shqiptare, duke u a dorëzuar jugosllavëve, për të ruajtur pushtetin e tyre, të siguruar nga Titoja dhe Stalini.
Shpallja e pavarësisë i bashkoi të gjithë atdhetarët shqiptarë, por shpejt Konferenca e Londrës do t’i jepte një grusht të fortë shpresave të tyre për kufijtë e Atdheut. Të mbetur jashtë kufinjve të Shtetit shqiptar edhe politikanët kosovarë zhvilluan veprimtarinë e tyre në Shqipëri. I kthyer në Shqipëri, mbas tre vjet e gjysëm qëndrimi në Itali, në fillim i burgosur me urdhër të Esat Pashës e më vonë si kryeredaktor i gazetës “Kuvendi” në Romë, Kruja merr pjesë në Kongresin e Durrësit, duke u zgjedhur ministër në Qeverinë e Turhan Pashë Përmetit. Emërohet sekretar i Dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, ku harton së bashku me Luigj Gurakuqin të gjitha promemoriet dhe dokumentat e tjera që i dërgoheshin drejtuesve të Konferencës.
Ja disa pjesë të shkëputura nga dokumentat e Dërgatës, në të cilët fati i Kosovës është në qendër të vëmendjes. Ideja e së vërtetës etnike e historike shpaloset me një rigorozitet shkencor, argumentat mbrohen me statistika turke, austriake apo bullgare, mbi shifrat e popullsisë të detajuara për çdo qendër administrative. “Kërkesat e Shqypnisë” e paraqitur në kryesinë e Konferencës më 15 shkurt 1919, është një përpjekje cilësore për të bërë të njohur konturet e vërteta të problemit shqiptar.
“Sikurse do të shihet nga karta gjeografike ngjitun këtu, kufini ethnik i Shqipniës fillon prej gjînit të Spicës (në verit të Tivarit), këthehet drejt nord-estit tyke marrë mbrênda Tuzin, Hotin, Grudën, Triepshin, Podgoricën, dhe, tyke ndjekun kufinin e Malit të Zi qi ka pasun përpara motit 1912, përmbledh Pejën, Gjakoven, Mitrovicën (pjesën lindore), Prishtinën, Gjillanin, Ferizovikun, Kaçanikun, njê pjesë të kazás së Shkupit, Tetovës, Gostivarin, Kërçovën, Dibrën, për me arrijtun te “Mali i Thatë” ndërmjet liqêjvet t’Ohriës e të Prespës. Qy nga këjo pikë kufini ndjek vijën e 1913-s ngjer te maja e malit Gramos e vazhdon drejt sudit për me dalë afër gjînit të Prevezës. Të gjitha viset qi gjinden në Perendimt të këtij kufini përbâjnë Shqypniën ethnike e historike.
Mbrênda ndër këta kufîj qi caktuem mâ sipër, jetojnë afër 2.000.000 Shqyptarë, nga të cilët mâ pak se gjymsa ndër kufîjt e shënuem në Konferencën e Londrës dhe tjerët n’ato vise qi u ishin lânë, po n’atê Konferencë, Malit të Zi, Serbies e Greqiës.”
Është një fragment i shkurtër i përkujtesës, në të cilin shënohet kufiri real i Shqipërisë natyrale, kufi i masakruar nga pushtimet sërbe, malazeze a greke e të ligjëruara nga Konferenca e Ambasadorëve e nga Protokolli i Firences në vitin 1913. Kërkesat e Dërgatës, të firmosura nga Turhan Pasha, ishin një pasqyrë e problemeve themelore që kishte Vendi e që gjenin tek Gurakuqi e Kruja mbrojtës cilësorë e në nivelin e detyrës. Argumentimi i tyre kërkonte kohë të gjata studimi e saktësi shëmbullore. Për të qenë më bindëse argumentat merreshin nga dëshmi të diplomatëve të huaj që njihnin problemet e Ballkanit, për të vërtetuar përkatësinë shqiptare të trevave të pushtuara nga sllavët e grekët. Dërgata ndiqte me interesim ngjarjet në Kosovë e në viset e tjera shqiptare të Jugosllavisë, përndjekjen që pësonin banorët e atyre viseve, dhunën e pësuar, masakrat e largimet e njerëzve drejt Shqipërisë. Ja se si i shkruajnë Kryetarit të Konferencës, Kryeministrit francez Clemanceau autorët e “Protestë kunda masakrave sërbe” më 11 mars 1919 :
– Protestë kundra masakravet serbe.
Shkëlqesë,
Në këtê orë kurë Konferenca e Paqës po kërkon me hudhun themelat e njê paqe të drejtë e të qêndrueshme ndërmiet popujvet, në Shqipnië janë tue ndodhun punë mi të cilat po e shohim për detyrë me i hekun vërejtjen Këshillit të Naltë të Besatarvet.
Lufta zyrtarisht ka mbaruem, por me gjithë këtê përpjekjet po vazhdojnë me rreptësië në shumë vise të Shqipniës.
Qyshë se ushtriët serbe kanë hymun përsëri në krahinat e Kosovës, Shqiptarët po ujisin me gjakun e vet këto krahina ku kanë lânë eshtnat sa prindën të tyne për të pruejtunit e tokës dhe të liriës së vet.
Bota mbarë âsht çuem idhnueshëm kundra masakravet të mënishme t’Armenvet qi kishin për qëllim të stërfarunit e racës së tyne; mizorina po me atê qëllim po bâhet sod në Shqipnië pa u çuem njê zâ protestimi kurrkah.
Për të vetmen krimë qi duen me i ndêjun besnike mâmës-atdheë, popullsiët e Pejës dhe të Gjakovës kanë mbetun, tash nj’a dyë javë, nên zjarmin e rreptë t’ushtrivet serbe. Sod janë qytetet e Plavës dhe Gucinjës qi u ka ardhun rêndi me psuem shortin e atyne. Gra, pleq, kalamâj lânë vatrat e veta të rrenueme e hikin. Njê varg i parë të hikunisht, i përbâmun prej dyë mijë vetësh, ka mundun t’arrijë në Shkodër, e njê tjetër varg prej njê mijë Shqiptarësh tjerë âsht kapun në Zadrimë.
Lutja e jonë me 7 Mars mi të shkelunit e dhenavet shqiptare prej ushtrive amerikane sod po bâhet njê nevojë e domosdoshme, mbas si këto ushtrië do të mund i ndalojshin me-njê-herë masakrat e tmerrueshme qi po bâhen qyshë prej pushtimit të ri të Kosovës prej ushtrivet serbe.
Merret vesh, nga tjetra anë, prej lajmevet qi Dërgata e jonë po merr prej Durrsi, se disa çeta komitaxhish greke janë tuke u mbledhun për të gjatë kufinit të Shqipniës së Poshtme nên komandën e Kapidanit të nëzâshëm Vasil Kolovosi, të Vasil Stilarës edhe të Stefit. Këto çeta janë tuke u bâmun gati me i hymum mbrênda Shqipniës së Poshtme për me shtrênguem popullsiën qi të kërkojë Greqiën e për me bâmun këso mënyre qi të duken të drejta lakmiët panhelenike mi këtê krahinë.
Populli Shqiptar beson në ndiesiët njerzore të Delegatvet të Konferencës për me i dhânë fund sa mâ shpejt gjêndsiës së mjerueshme qi Ju paraqitëm këtu n’êmën të tij.
Paris, 11 Mars 1919.
Shkëlqesës së Tij Z. G. Clemenceau, Kryetari i Dërgatës Shqiptare
Kryetar i Konferencës së Paqës. (nënsh.) TURHAN
Mbas gjashtë muajsh qëndrimi në Paris, Kruja u kthye në Shqipëri, ku mori zëvendësinë e Ministrit të Brëndshëm, Mehdi Frashëri, që shkoi në Dërgatën që punonte në kryeqytetin freng. Në Shqipëri gjeti një gjëndje të rënduar nga pamundësia e Qeverisë për të vendosur rregull, mbasi kushtëzohej nga autoritetet ushtarake italiane, që nuk kishin dëshirë të bashkëpunonin e t’i jepnin asaj kompetencat e nevojshme. Përhapja e esadizmës në Shqipërinë e Mesme ishte bërë rreziku më i madh për mundësinë e qeverisjes. Në opinionin publik Qeveria e Durrësit, e cila praktikisht punonte vetëm jashtë, për të siguruar kufijtë e 1913-ës që viheshin në diskutim e rrezikoheshin seriozisht nga traktatet e fshehta, siç ishin ai i Londrës mes Italisë dhe Antantës, i nënëshkruar më 1915, apo marrëveshja Titoni – Venizellos për Shqipërinë e Jugut, kishte humbur besueshmërinë. Ndihej nevoja e një tjetër mbledhjeje kombëtare, që duhej të përcaktonte një tjetër politikë, më të pavarur prej Italisë e që të përpiqej të nxirrte një qeveri, në gjëndje të përballonte me energji problemet e shumtë.
Për këtë nevojë ishte i bindur edhe M.Kruja, por pozita e tij si titullar i Qeverisë së Durrësit i krijonte një problem moral me kolegët e tij. Gjatë kësaj periudhe, pra në muajt e fundit të vitit 1919, ai pati takime e biseda me shumë përfaqësues të jetës politike shqiptare. Një nga këta takime, atë më të rëndësishmin për të, e gjejmë të përshkruar në një letër të gjatë që i drejtohet Atë Paulin Margjokajt më 15 janar 1952.
“M’u paraqit tekembramja nji fasë e re, fasa vêndimtare e situatës. M’u proponue prej nji grupi agjitatorësh (kështu jam tue i quejtun përgjithsisht ata qi i fryjshin zjarmit, prej çdo kategorije qi të kenë qênë e çdo farë qëllimi qi të kenë pasun) për me fitue bashkpunimin t’em në veprën e tyne. Ishin të tanë Kosovarë: Hysni Curri (i nipi i Bajramit, i cili vetë ishte ende në Vjenë), Rexhep Mitrovica a Bedri Peja ase të dy, s’e mbaj mênd mirë, Halim Gostivari (Drejtuer i përgjithshëm i Policís nën qeverín t’onë), Salih Vuçitërni e s’dij kush mâ. Këta të gjithë, direkt a indirekt, ishin të lidhun me Krahun Kombtar t’Eshref Frashërit. Currin e Vuçitërnin i kishem personalisht miq të vjetër. Me Kosovarët përgjithsisht kam pasë shkue mirë. Këta, tue theksue se kishin ardhun me folë me Mustafa Krujën e jo me nji ministër, mbasi më pyetën nëse mund të më flitshin lirisht me cilësín t’eme thjesht personale e patën përgjegje positive, më muerën besën qi bisedim’i ynë, edhe sikur mos të kishte asnji përfundim positiv, do të mbetej nji sekret absolut ndërmjet nesh ; m’u çelën: atdheu po ishte në buzë të greminës, vetëm patrijotët e vjetër e të vêndosun për çdo sakrificë mund t’a shpëtojshin, qeverija qi ishte në fuqí kishte humbun çdo pushtet moral si përmbrênda si përjashta, prandej e vetmja rrugë shpëtimi ishte ndërrim’i ksaj me elementa tjerë të pakomprometuem me anë të nji kongresi, legal në na lashin italjanët, të fshehët ku të mujshim me u mbledhun, në rasë të kundërt, Atdheu kishte nevojë për mue, aderim’i im e ndihma e ime për sendërtimin e ksaj vepre, shihej e domosdoshme. Kjo qe synthes’e bisedës së grupit. Të them të drejtën, edhe tash qi jam tue e kujtue atë skenë, edhe tash, mbas 31 vjeç, jam tue e ndie mallëngjimin qi më pat kapun në fund t’asaj bisede. S’ishte kuvëntarija, s’ishin fjalët e thekshme, qi më mallëgjyen, por vetë objekti i asaj bisede, rreziku i Atdheut qi ishte nji realitet për t’a pamë edhe i verbti; më preku tepër edhe besimi qi po tregohej ndaj mue, apeli qi po më bâhej për t’ecun në nji rrugë sakrifice të njohun prej meje qyshë djalë i ri. U mallëngjeva aqë, sa mos me qênë i zoti me u përgjegjun me fjalë, por me lot rrëké! Qamë të gjithë. Thashë po: “Nesër ap dorhjeken prej qeverís e bashkpunoj me jue!” Por shokët e rij m’u përgjegjën se ata ishin t’ auktorizuem me bisedue e vêndue me mue edhe gjithë planin e veprimit deri në mbledhjen e kongresit. Kërkuen pikë së pari qi un mos të dilshem prej qeverije, qëndrim’i im n’atë vênd, sidomos tue pasun në dorë edhe ministrín e mbrêndshme, do t’i shërbente çâshtjes shumë mâ tepër. Ky proponim më vênte mue në nji pozitë tejet delikate e me shokë, për të cilët “qëllimi ligjon mjetet”. Un s’mund të bashkpunojshem me nji palë shokë në qeverít e me nji palë tjerë për me rrëzue këtë qeverí, qoftë edhe për nji qëllim të shênjtë. Mbas nji shoshitjeje të gjatë të ksaj probleme incidentale, por qi për mue kishte nji randsí esencjale moraliteti, mbërrîme tekembramja në nji marrveshtje të plotë, të shkrueme e të nënshkrueme prej të gjithve (mjerisht s’mbaj mênd se kush ka qênë mâ tjetër veç katër personave të sipërshënueme e nëse ka qênë apo jo tjetërkush, por më duket se po). Sido qoftë, para se me tregue se ç’ishin termet e ksaj marrveshtjeje, më duhet me kthye edhe nji herë te gjêndj’e mbrêndshme e vêndit…..
Tash pra marrveshtja qi u nënshkrue përfshinte këto pika: 1) Do të mblidhej nji kongres, para të cilit qeverij’e përkohshme do të paraqitej me spjegue veprimtarín e saj të deriatëhershme; 2) Kjo qeverí, tue pasë humbun çdo kredit si para popullit ashtu edhe ndër qarqet e hueja, do të zvëndsohej prej nji tjetre; 3) Për kryetár i qeverís së re do t’i paraqitej kongresit kandidatura e Nexhib Dragës; 4) Mustafa Kruja do të rrinte në qeverí të përkohshme sa kohë qi shërbim’i tij në tê do të shihej i nevojshëm për çâshtjen kombtare, do të përpiqej me mjetet e qeverís qi t’a shrrânjoste veprimtarín esadiste në Shqipní të Mesme dhe t’i bindte pushtetet italjane, kur do t’i vinte koha, për moskundrështimin e mbledhjes së kongresit; 6) Mustafa Kruja, kur të jetë koha e pjekun për mbledhjen e kongresit, do të përpiqet me i bindun shokët e qeverís së përkohshme qi t’a proponojë vetë mbledhjen e kongresit e të dorzojë mandatin e saj para tij, po s’e ndëgjuen, ka për të dhânë dorhjekjen.”
E solla këtë dëshmi, jo për të ndjekur vazhdimin e zhvillimit të ngjarjeve, që përfundojnë me Kongresin e Lushnjës, në të cilin Kruja nuk mori pjesë, jo për kundërshtí bindjesh, por për një skrupull moral kundrejt shokëve të Qeverisë së Durrësit. Ai takim i fshehtë ndërmjet tij dhe personaliteteve kosovare dëshmon për marredhëniet miqësore që ai kishte me të gjithë përfaqësuesit kosovarë të politikës, me të cilët gjente gjuhën e përbashkët për shumicën e problemeve që ajo duhej të përballonte në situata aspak të favorshme. Projektimi i Nexhip Dragës në funksionin e kryeministrit të shtetit shqiptar, tregon edhe një herë se sa i çmonte Mustafai vetitë dhe personalitetin e atdhetarit kosovar, me të cilin ishte njohur vite më parë, por edhe bindjen që kishte për rolin e rëndësishëm që politikanët kosovarë duhej të luanin në Shqipëri edhe se Kosova nuk bënte pjesë në Shtetin shqiptar. Ndarja, që ishte bërë forcërisht, nuk i kishte hequr as edhe një qime idesë së Atdheut të përbashkët e shërbimit ndaj tij. Kjo ide ka shoqëruar jetën politike shqiptare deri në 29 nëndorin e 1944-ës, datë në të cilën shkëputja mes Shqipërisë e Kosovës qe përfundimtare, për faktin që Shqipëria komuniste u rradhit në krahun jugosllav, duke ndihmuar këtë të fundit të forconte pushtetin e tij mbi Kosovën e ripushtuar.
Ndërsa, në gjithë periudhën para ardhjes së komunizmit, politika shqiptare kishte në gjirin e saj ndihmesën e madhe të kosovarëve në të, për një gjysëm shekulli të enverizmit në Shqipëri, nuk pati kurrë një kosovar në pozita të larta të drejtimit të shtetit. Çuditërisht, ky fakt nuk i bënte të reflektonin thellësisht kosovarët, për të gjetur domethënien, sepse dashuria për “dheun amë” u verbonte edhe shikimin, sa t’a quanin kriminelin e shqiptarëve “bacë” të dashur e të nderuar.
Zgjedhjet e para politike të vitit 1921, mbas Kongresit të Lushnjes, i dhanë Shqipërisë të parin Kuvend të shtetit të pavarur. Mustafa Kruja qe njëri nga katër deputetët e Kosovës. Në jetën kuvendore mbajti lidhje të ngushta me Bajram Currin e Hasan Prishtinën dhe u rrjeshtua me grupin e deputetëve të Shkodrës, ku bënin pjesë Luigj Gurakuqi, Atë Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda etj.
Ka një episod të errët në jetën kuvendore t’atij viti, një episod që, çuditërisht nuk e gjejmë në tekstet e historisë, që janë shkruar me parimin për të mos nxjerrë në dukje asnjëherë të metat apo anët negative tonat. Se sa i vlen kjo mënyrë e paraqitjes së ngjarjeve historike edukimit të brezave, është e kuptueshme po të testojmë pregatitjen, tejet të mangët, që shkollat tona i kanë dhënë nxënësve të tyre n’atë fushë. Një dizinformim i përgjithshëm ka arritur deri aty, sa të mos njihej si fakt historik as bashkimi i trojeve shqiptare në vitet 1941 – 1944, madje as edhe shpëtimi i hebrenjve nga qeveritë “kolaboracioniste” të kohës së luftës. Gjatë këtyre viteve të kalesës, mbas tjetërsimit të sistemit, studjues të veçantë janë munduar të plotësojnë këtë mangësi, por tekstet e shkollave mbajnë gjithmonë vulën e parimeve të historiografisë komuniste, me shumë pak ndryshime, pothuajse të papërfillëshme. Episodin e turpshëm të Parlamentit shqiptar të 1921-it na e përshkruan Mustafa Kruja në letrën e sipër përmendur, drejtuar Stavro Skendit më 2 nëndor 1953.
“Mirpo aty në korrik ase gusht të 21-së në parlament ngjau një punë me rëndsí që i dha fund asnjansisë s’onë. Sërbt kishin nisur në Kosovë një valë salvimesh (persekutimesh) të pamëshrirshme. Na u proponuam të dý partivet që të dërgohej nëpër kryeqytetet e Evropës një misjon tre krerësh kosovarë të mërguar qymoti në Shqiprin’e lirë për të protestuar me memoranda e mundsisht me anën e shtypit kundra asaj vepre të panjerzishme të Beligradit. Të dý partitë na dhanë fjalën se do të votojshin me gzim një resolutë të këtilë. Edhe qeverija e kishte pëlqyer inicjativën t’onë e na kishte premtuar mjetet financore. Erdhi dit’e bisedimit e e vëndimit në parlament. Folën 16 oratorë, sa s’kishte ngjarë ndonjë herë kaqë retorikë enthusjaste për të qarë robrín’e Kosovës. Po kur numrohen votat, në vênd t’unanimitetit që pritshim na, në favor të resolutës, çë shohim? Resoluta ësht rrëzuar. Përparimtarët zakonisht s’çajshin shumë kokën për t’i frekventuar mbledhjet, kështu kishte ndodhur edhe atë ditë; popullorët ishin pothua të gjithë aty. Edhe që të gjithë, me një dishiplinë shëmbullore sikur mos t’ishte për faqe të zezë të tyre, kishin votuar kundra! Duallmë nga salla t’indinjuar dhe vamë te Bajram Curri që po na priste me plot shpresë që t’i shpinim lajmin e mirë: Gurakuqi, Fishta dhe un. Kur i dhamë lajmin e keq, sikur t’a kishim vrarë. Me gjithë që analfabet i gjori, foli këtë fjalë historike; “Po më vjen mâ keq për Shqipninë e për burrat qi paska se për Kosovarët qi po grîhen”, tha. Pastaj na pyeti se kush kishte votuar pro e kush kundra. I u përgjegjëm se votimi ishte bërë me skeda të fshehta e nuk mund t’a dijshim me sigurí, por se na dukej që popullorët kishin votuar kundra, mbasi qênë ata që e kërkuan votimin të fshehur. U mejtua pak, pastaj na u kthye: “Or burra, or miq, a po m’a jepni një besë? Deri sot i kam dashë fort popullorët e aspak përparimtarët; por sod, qe besa, paska ardhë dita me va shtrî dorën përparimtaret: a m’a jepni besën se po bashkoheni me ta, në një partí?” Kishim shtêngur, shikuam njëri tjetrin e Fishta as nuk priti më, zgjati dorën e i tha; “Qe besa un për vedi po, or Bajram Beg!” Atëherë po ashtu bëmë edhe na dy tjerët. Mblodhëm grupin po atë natë dhe vëndosëm e u bëmë Përparimtarë edhe na, gjithë grupi.”
Besoj se çdo koment i kësaj ngjarjeje është i tepërt. Qëndrimi i parlamentarëve është i paspjegueshëm, në kufijtë e pabesueshmërisë, por është një fakt historik të cilit, ende sot, nuk jemi në gjëndje t’i kuptojmë motivin, por që na bën të ndjehemi keq edhe mbas gati një shekulli. Kohët e fundit kam parë të botuar në një gazetë shqiptare disa nga fjalimet e asaj dite, të retorikës atdhetare e, njëkohësisht, të votimit ogurzi e të turpshëm.
Bashkëpunimi me Bajram Currin bëhet gjithënjë e më i dëndur, deri në pjesëmarrjen e përbashkët në kryengritjen e marsit 1922, kundër Qeverisë së Sulejman Delvinës me Ministër të brendshëm Ahmet Zogun. Qe një përpjekje për një grusht shteti kundër një Qeverie të zgjedhur me vota të lira, fillimi i një periudhe lufte skajore politike, ku nuk mungoi as dhuna dhe as terrorizmi, nëpërmjet atentateve apo “revolucioneve” si ai i qershorit 1924. Mustafa Kruja më vonë e njohu gabimin e pjesëmarrjes n’atë kryengritje, por mendësia e kulturës politike të kohës, mungesa e këndvështrimit liberal të protagonistëve, shumica e të cilëve vinte nga përvoja e jetës politike të Perandorisë Turke, kushtëzonin e përcaktonin edhe mjetet e mënyrat e përballimit të vizioneve të ndryshme politike e të interesave përkatëse.
Dështimi i lëvizjes së marsit 1922 e detyroi Mustafa Krujën të braktisë familjen dhe Atdheun e të strehohet në Gornja Milanovac të Shumadisë sërbe, ku mësoi serbo-kroatishten e përktheu “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, të ish Kryeministrit të Sërbisë Vladan Gjorgjeviç i cili, simbas një dëshmije të Martin Camajt, ishte me origjinë nga malësia e Gjakovës. Ai libër është pasqyrë e koncepteve më poshtëruese, që politika dhe akademizmi sërb, ushqenin për shqiptarët. Mustafai e botoi më 1927 në Zara, me një parathënie e një mbasthënie të tij, duke u nisur nga parimi se, për të luftuar dobishëm armikun apo kundërshtarin, në rastin konkret serbët, duhet të njohim mirë botkuptimin e tyre, argumentat e përdorura, kufijtë e urrejtjes apo tolerancës, synimet e mjetet për t’i sendërtuar ato. Dikush mendon edhe sot se ne nuk duhet t’i bëjmë të njohura publikut tonë veprat e atyre që nuk kanë opinione të mira për ne, që na shajnë me ose pa të drejtë, por kjo nuk do të ishte mënyra më e mirë për t’u përballuar me botën.
Kruja u kthye në qershor e u largua përsëri nga Shqipëria më 24 dhjetor 1924, për të vazhduar jetën e mërgimit. Në muajin e zi të marsit 1925 vajtoi dy nga miqtë e tij më të shtrenjtë, Luigj Gurakuqin e Bajram Currin, bashkëluftëtarë të betejave politike, me të cilët kishte ndarë ditë të mira e të këqia, por kryesisht, kishte bartur dertet e Shqipërisë. Ata miq e atdhetarë në shenj u vranë pabesisht në Bari e në shpellën e Dragobisë, duke i paguar “borxhin” skajshmërisë së luftës politike në Shqipërinë e asaj kohe e mbetën të pavdekshëm jo vetëm në kujtesën historike, por u përjetësuan edhe në letrat shqipe, në sajë të vjershave monumentale të një tjetër kolegu e miku të tyre, Fan Nolit.
Mërgimi i gjatë nuk e ndau kurrë M.Krujën nga objekti qëndror i shqetësimeve të tij, Shqipëria, gjuha shqipe, për të cilën punoi paprerë në përpilimin e “Fjalorit të madh të Gjuhës shqipe” dhe Kosova me dhimbjet e problemet e saj të pafundme. Vazhdon të mbajë kontaktet me Hasan Prishtinën deri sa ishte gjallë, me Dervish Mitrovicën, për të cilin boton një artikull shumë prekës kur ai ndërron jetë, me Niman Ferizin e të tjerë miq kosovarë. Në fjalën e mbajtur në Pejë, më 29 qershor 1942, përshkruan brengat shpirtërore t’atyre viteve të gjata e rrëfehet para kosovarëve për bindjet e tij politike.
“Si Shqiptar do të kishem fluturue këtu qysh ditën e parë qi Ora e pavdekshme e Fisit arbnuer deshti me i a kthye tekembramja këto vise të bekueme prej të Madhit Zot atij qi i përkasin: Kombit shqiptar. Si Mustafa Kruja, qi s’ka bâ punë të madhe për tokën e shênjtë e për popullin vigan të kësaj Kosove, por në mos tjetër i ka kjajtë në zêmër të vet me lot gjakut për 30 vjet rrjesht robnín e saj, mundimet e salvimet e përgjakshme të bijve të saj.
Ndonse larg, kam rrnue shpirtnisht me ju, ndërmjet jush. Ka pasun Shqiptarë, shokë të mij sërbofila, qi më kanë ngjitun vulën e zezë të tradhtís sepse kam diftue sympathí për Italín, bashkë me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, me Dervish Mitrovicën e sa e sa Kosovarë tjerë. Po! nuk e mohoj. Krejt sympathija e eme, mâ e sinqerta, ka qênë për Italín, ka qênë për Romën sikurse vijon me qênë edhe sod. Sepse ka qênë e âsht nji sympathí qi i ka rrânjët në dashunín t’eme pa kufì për Kosovën shqiptare, për Kosovën kreshnike, për Kosovën e martirizueme. Nuk mujshem e nuk mundem me dashtun Sërbín, Beligradin, xhelatët e vllazënve të mij Kosovarë. Qe pse jam kenë, jam e do të des Italofil. Italofil jo për interesë personale, por për nji ideal, italofil pa pallate e pa çifliqe. E sod qi Kosova âsht bâ Shqiptare, sod qi Kosova s’âsht ma “juzna Srbija” as “ Metohija”, por quhet Prefektura e Prishtinës, Prefektura e Prizrenit, Prefektura e Pejës e Mbretnìs Shqiptare, bash në saje të bashkimit të Shtetit t’onë me Italín Fashiste, sod un krenohem për italofilín t’eme, edhe në qoftë se nuk kuqen ndopak ata qi këtë italofilí e kanë vulosun për tradhtí. Për nji njeri qi s’ka tjetër ambicje posë realizimit të nji ideali, s’ka kënaqësì mâ të madhe se me e pà kët ideal të vërtetuem.”
Është, ndoshta, pjesa më e bukur e fjalimeve që Kruja, si Kryeministër i Shqipërisë, mbajti në Kosovë gjatë vizitës së tij. Para atij populli, si para një gjyqi të madh të agorave greke, Mustafa Kruja preku një tast tepër të brishtë të harmonikës së tij prej shtetari. Ka shumë vite që ka bartur mbi shpinë epitetin “italofil”, që në dialektikën normale njerëzore nuk do të përbënte një padi për askend, sepse do të tregonte një prirje vetiake për të pëlqyer një kulturë a një popull në krahasim me të tjerët, por që në padijen e shumë personave është njëjtësuar me fjalën “tradhëtar”. Ka qenë një barrë e rëndë, tepër e rëndë mbi imazhin e tij, sidomos mbas luftës, kur i ashtuquajturi “bashkëpunim” me pushtuesit u bë tabela e parë e qitjes nga komunistët e jo vetëm nga ata.
Para popullit të qytetit të Haxhi Zekës, n’atë ditë të lumtur feste të lirisë kosovare, miku i tij nuk nguron t’i verë gjoksin akuzave e kalon në kundërsulm. “Italofilia”, të cilën ai e pranon ndershmërisht, ka motivet e saj të ekzistencës dhe ata lidhen pikërisht me këtë çast historik, me atë synim të arritur, me bashkimin, aq shumë t’ëndërruar, për tridhjetë vjet. Ky u sendërtua në sajë të bashkimit me Italinë, edhe nën pushtim, por për shqiptarët merr trajtat e një çlirimi, sepse shqiptarë e kosovarë do të kenë të njëjtën qeveri, të njëjtat shkolla me të njëjtën gjuhë, të njëjtat ligje, të njëjtat hapësira zhvillimi, të njëjtin Shtet. M. Kruja nuk i dredhon plumbit, i del përballë me burrërinë e njeriut që nuk ka gjë për të fshehur. Kosova shqiptare me ndihmën e Italisë është kartvizita më e mirë që mund të paraqesë në gjyqin e historisë, ashtu sikurse edhe për miqtë e tij kosovarë, që ndanin me të të njëjtën bindje, se Italia ishte i vetmi Vend që mund të siguronte kufijtë e Shqipërsisë etnike.
Mund të diskutohet pa fund për këtë bindje apo iluzion, jo vetëm të Mustafa Krujës, Hasan Prishtinës, Turhan Pashë Përmetit, Luigj Gurakuqit, Sotir Gjikës, Bajram Currit, Dervish Mitrovicës, por edhe të shumë shqiptarëve të tjerë n’atë kohë, duke përfshirë këtu edhe Mbretin Zog. Mund të gjinden edhe argumenta që e kundërshtojnë këtë tezë, duke u nisur nga politika luhatëse e Italisë kundrejt Shqipërisë, por nuk mund të provohet me asnjë lloj dokumenti, se një tjetër Fuqi e madhe kishte në projektet e saj Shqipërinë e bashkuar. Me humbjen e Austro – Hungarisë të gjitha shpresat e shqiptarëve pro evropianë u lidhën me Italinë, pavarësisht se kush ishte sistemi i saj shoqëror.
Ato ditë të vizitës në Kosovë, nga 27 qershori deri më 2 korrik 1942, n’atmosferën festive e në mjediset bujare e fisnike të qyteteve e katundeve të saj, ato qylyma të shtruara kudo ku qëndronte, ata mijra vetë që e përshëndesnin në çdo pëllëmbë rrugë t’asaj toke të martirizuar, ndoshta qenë shpërblimi më i mirë që mori nga kjo botë, sepse “Për nji njeri qi s’ka tjetër ambicje posë realizimit të nji ideali, s’ka kënaqësi mâ të madhe se me e pa këtë ideal të vërtetuem.”
Vizita e gjatë në Kosovë, takimet me popullin dhe autoritetet lokale të qyteteve kosovare, i dhanë rastin të shihte edhe më për së afërmi problemet me të cilat duhej të matej Qeveria e tij. E shkuara, e tashmja, e ardhmja i linin vëndin njëra tjetrës në fjalët e Kryeministrit në qendrat e ndryshme të Kosovës. Entuziazmi e ngazëllimi për bashkimin me “Dheun amë” shkëmbehej me shqetësimin për mungesat që herë herë bëheshin alarmante si ajo e kripës në Kosovë, apo e miellit në Shqipëri.
“Ka trimijë vjet qi Kosova ka njomë me djersë e gjak vendin e Ilirisë, se ilirët kanë qenë të parët t’anë e sot na thonë shqiptarë.
Un kam ardhë ndër ju jo vetëm të marr pjesë në gzimin t’uej, por edhe me pa prej s’afërmi hallet e dertet tuaja, jam tue shëtitë të gjithë Kosovën, me qëllim qi këto derte, bashkë me shokët e mij të Qeverisë, të mund t’i ndreqim”.
Shprehet në tubimin e Ferizajt më 28 qershor. Mbas disa orësh, në Gjilan, thekson motivin kryesor të vizitës së tij, që është gëzimi i së sotmes, gëzimi jo i një njeriu, i një familjeje apo i një katundi, është gëzimi i mbarë një kombi, zemra e të cilit rreh me të njëjtin ritëm si në Gjilan, ashtu edhe në Gjirokastër, në Guci e në Krujë, në Prevezë e në Strugë e kudo ku flitet gjuha shqipe. Kryeministri përsërit, pothuaj në çdo fjalim, keqardhjen për vonesën e kësaj vizite, dëshirën e zjarrtë për të qenë aty që në ditët e para të marrjes së përgjegjësisë shtetërore. Nuk janë justifikime diplomatike të politikanit, janë fjalë zemre të atdhetarit që kërkon të ndajë me vëllezërit e motrat e veta gëzimin e hidhërimin , shpresat e dertet.
“Kryeministri i juej ka vonue ndoshta me ardhë ndër juve me u gëzue në Bajramin e lirís së juej, por punët e Shtetit nuk më kanë lanë me ardhë përpara ; punët e Shtetit janë të popullit dhe pra të juejat.
Arsyeja ma e parë qi më ka pru në Kosovë asht qi të marr pjesë në gzimin tuej, n’atë gzim qi nuk asht gzim i nji feste familjeje, as gzimi i nji djali qi lèn, nuk asht gzimi i nji martese, por asht gzimi i të tanë nji Kombi, asht gzimi i këputjes së zinxhirave të hekurt të nji robnije 30-vjeçare..”
Më një korrik në Rahovec vesh rroben e historianit, të studjuesit që, jo shumë kohë më parë ka shtjelluar arsyet e Shqipërisë së madhe para Akademisë së Shkencave t’Italisë, me ligjëratën “Karakteret natyrore e historike të Shqipërisë së madhe”
“Kosovarë, burra të Rahovecit!
Kjo pritje madhështore qi qyteti juej i vogël i Rahovecit i ban Kryeministrit dhe Ministrave të vet, difton e provon se sa i madh asht enthuziazmi e se me sa padurim ka pritë ky popull me pa me sy nji Kryeministër shqiptar e jo nji Kryeministër të huej qi ka pasë nji emën, dikur Pashiq, dikur Jeftiq, dikur Stojadinoviq, gjithmonë me iq…
Un dhe shokët e mij kemi ardhë këtu, si u a merr mendja edhe ju, jo me ju thanë fjalë të bukura, por si shkojnë myslimanët në Haxhillik, kemi ardhë me u gzue me ju për lirinë e fitueme.
Këto vende të bukura qi s’i ka kush në botë, kanë vuejtë shekuj robnije, pasi robnija qi ka pasë për afër tridhjetë vjet e që, shyqyr Zotit, sot ka marrë fund. Vuejtjet e të këqijat e kësaj robnije nuk mund të dëftehen me gojë. Anmiqtë t’onë thojshin me ngulje se Kosova asht e tyneja. E pse asht e tyneja ? Vetëm sepse asht vramë në fushë të Kosovës i pari i tyne, vetëm sepse kanë pasë ngrehun do kisha në Deçan, Sverçan e Graçanicë. Të tana të drejtat e tyne mbështeten pra vetëm mbi gjakun e nji Mbreti të tyne të vramë në fushën e Kosovës dhe mbi nj’a tri a katër ndërtesa kishtare. Por sa pare bajnë këto ndërtesa ? E kujt asht Kosova ? Kosova asht vetëm e shqiptarëve dhe e Shqipnís edhe këte e dishmojnë shqiptarët me feste të bardha mbi krye. Kjo asht nji diftesë e gjallë ; nuk janë diftesa të vdekunit dhe ndonji ndërtesë, sepse të drejtat nuk fitohen me të vdekunit por me të gjallët. E kush janë të gjallët ?…. Janë shqiptarët apo serbët ? Janë shqiptarët qi janë kenë këtu gjithë jetën.”
Është thelbi, me pak fjalë, i gjithë veprimtarisë së pendës së tij, ai motiv zotërues i dokumentavet, përkujtesave, padivet, kërkesave që, në kohë e Vende të ndryshme, ka shpalosur para diplomacisë ndërkombëtare, para miqsh e para armiqsh. E vërteta historike mbi ngjarje që janë interpretuar “ad usum del fini”, për t’i dhënë armë serbëve të mbrojnë tezat e tyre mbi Kosovën “djepi i Sërbisë”, një gënjeshtër që mbahet më këmbë sepse interesat e të mëdhenjve e ligjërojnë në sajë të forcës së tyre e jo të forcës së argumentavet e të së vërtetës. Si sekretar i Dërgatës shqiptare në Paris e si Kryetar i Komisionit të përshpagimeve është përballur me ata argumenta vazhdimisht, ka kaluar netë pa gjumë për të përpiluar tezat mbrojtëse të diplomacisë së Vendit të tij, prandaj këtu para bashkatdhetarëve nuk ka asnjë ndrojtje t’i pohojë ato me forcë.
Në fjalimin e fundit të udhëtimit, në Prizrenin e Lidhjes shqiptare që, e para në historinë tonë të gjatë, hodhi idenë e Kombit, biseda e tij ulet këmbëkryq me të vërtetën e periudhës në të cilën zhvillohet.
“…….Kosovarë, Ju e keni fitue lirinë kombtare me armët e Boshtit, por edhe me gjakun qi keni derdhun ju e bijt t’uej, gjyshat, stërgjyshat e skatërgjyshat t’uej brez mbas brezi për me mbetun Shqyptarë. As Dushani, as Sulltani, as Shkau, as Tyrku s’ka mujtun me jua ndërrue kombsinë t’uej. Por në koftë se me lirinë e fitueme keni kujtue se u çelën menjiherë dyert e xhenetit për jue, e keni pasë gabim. Mjerisht lirija kushton shtrenjt. Kushton gjak, mjerime e mundime. E bash pse kushton shtrenjt asht aq e çmueshme……….
Tash lufta për ne asht luftë durimi, luftë qindrese, luftë nervash. E bash për këtë arsye mos u çuditni në kjoftë se ju them qi asht ba edhe ma e zorshme, ma e mërziçme se lufta e vërtetë ku luftohet e diset burrnisht, ashtu si ju jeni mësue me luftue e me dekun.
Duhet pra, or burra të fortë, të dijmë jo veç me dekun, por kur e don puna si sod edhe me durue të këqijat e luftës vigane qi ka marrë të tanë botën me të thatë e me të njomë. Ju prej Shqipnis së lirë s’i keni pasun deri sod të gjitha të mirat qi keni pritun. Ndoshta ka me ju u dashtun të pritni edhe bajagi do kohë për me i pasun. Por pashi Zotin or burra mos i a veni fajin Shqipnís. Shqipnija asht nana e jonë. E nana kurrë nuk i a don të keqen bijve të vet. S’e ka fajin Shqipnija, e ka fajin lufta qi i a ka ngatrrue lamshin tanë botës. Kurrgjâ nuk do të rrinte mangut këtu në Kosovë sikur të mjaftonte vetëm vullneti i mirë i yni e i jueji.
Nuk po hyj me i tjerrë gjatë të tana punët e dertet nji ka nji. Veç po ju them e po ju siguroj se të mira e të këqija ça të kemi do t’i dajmë bashkë, do të rrojmë bashkë e në koftë nevoja do të desim bashkë.”
Në Prizren, në qytetin ku u shkruajt një epope lavdije, nuk ka nevojë për retorikë, por për vetëdijësim. Lufta botërore vazhdon e përfundimet e saj janë të panjohura. “Tash lufta për ne asht luftë durimi, luftë qindrese, luftë nervash.” Ka një nënkuptim të thellë kjo frazë, jep tërthor edhe diçka nga vetë gjendja e Qeverisë, që duhet të shkojë përpara ndërmjet dyshimeve të italianëve që pranojnë me vështirësi të heqin simbolet e fashizmit nga flamuri shqiptar me kërkesën e Kryeministrit, mosbesimit të një pjese nacionalistësh e armiqësisë së komunistëve që bashkimin e trojeve e shohin me sytë e Miladin Popoviçit e të Dushan Mugoshës. Por Mustafa Kruja e ka bërë zgjedhjen, sido që të shkojnë ngjarjet : “do të rrojmë bashkë e në koftë nevoja do të desim bashkë.”
Mbas pak muajsh ngjarjet do të rrokulliseshin e Kryeministri do të jepte dorëheqjen, mbasi projekti i tij nuk mund të sendërtohej, por idetë mbeteshin e takimet në Kosovë i kalonin historisë. Kosovarët e pritën mikun vëlla në traditën më të mirë të mikpritjes, i njohën përpjekjet e zellin e tij për çështjen kombëtare dhe me një vendim të Këshillit të Bashkisë së Prizrenit, më datën 30 qershor 1942, i ofruan Qytetarinë e nderit, me këtë motivacion :
VENDIM
N.14, DATË 30 QERSHUER 1942-XX
Këshilli i Bashkisë së Prizrendit, i mbledhun sot nën Kryesinë e Kryetarit të Bashkisë, Z. Qazim Bllaca, tue marrun para syshë vullnetin e përbashkët të të gjithë lumnueshme, nji shej të posaçëm të ndijeshmënisë së thellë të nderës së naltë qi i asht ba ; tue marrun para syshë, gjithashtu, shërbimet e shqueme të kushtueme Atdheut të përbashkët shqiptar me pushkë dhe me pendë nga Kryetari i ndritun i Qeverisë Shqiptare, shërbime që kanë kontribue në shlirimin e Kosovës së robnueme, tue shfaqun mirënjoftësinë e përzemërinë e përjetëshme të popullit, me zane të përbashkëta
VENDOSI
a) Ofrimin e qytetarisë së nderit, Shkëlqesës së Tij, Mustafa Merlika Kruja ;
b) Dhurimin e nji sexhadeje të punueme prej nji plakut 80 – vjeçar, qytetar i Prizrendit ;
c) Dorëzimin e Dekretit relativ me nji ceremoni të thjeshtë prej Kryesisë së Këshillit dhe pjestarëve të tij në Sallën e kësaj Bashkie.
Kryetari : Qazim Bllaca
Kështu përfundoi vizita e parë e një Kryeministri shqiptar në Kosovën shqiptare. Mbas 70 vitesh, në një vizitë në Prishtinë kam prekur me dorë respektin e gjallë të kosovarëve për atë emër, me të cilin kishin emëruar rrugën që çonte në Kuvendin e Kosovës së lirë. Ai respekt ishte trasmetuar brez mbas breezi, dëshmi e vlerësimit të njeriut që Atdheun e bashkuar e kishte vendosur mbi gjithshka, mbi interesat vetiake e familiare, mbi ambiciet për pushtet, mbi çdo të mirë të përkohëshme të kësaj jete, madje edhe mbi popullaritetin e tij.
Respektin, vlerësimin e dashurinë e bijve të Kosovës për ish Kryeministrin e Shqipërisë etnike e kam hasur në shumë nga letrat që merrte ai në vitet e gjata të mërgimit të fundit. Do të sjell pak copëza nga këto letra që shërbejnë si dëshmi, të marra nga letërkëmbimi i Mustafa Krujës me sekretarin e Bajram Currit e sekretar i Lidhjes së dytë të Prizrenit, Z. Tahir Zajmi dhe nga ai me shkrimtarin e mirënjohur Z. Martin Camaj. Po i rendis pa komente pak fragmente nga ato letra, në të cilat autorët nuk sjellin vetëm opinionet e tyre, por edhe të një rrethi shoqëror intelektual.
“E pra pretendoj se kam qênë gjithnji si nji mik i Jueji që Ju ka dashtë e admirue me të tânë sinqeritetin e mikut, tue çmue në personën e Juej vlerën pozitive, puntorin e palodhshëm dhe luftarin e pafat të çâshtjes s’onë kombtare.
Më falni, i dashuni mik, që po guxoj me Ju cilsue si luftar i pafat, pse mjerisht të tillë kan qênë edhe shokët e bashkluftarët e Juej të mbëdhaj si: Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Avni Rustemi, Qazim Koculi, Lef Nosi etj.etj. luftar të njoftun e të panjoftun që tash i mbulon toka e zezë dhe pluhni i harresës……
Prandaj un q’i njof mjaft për s’afërmi njerzit dhe ngjarjet e ktyne tridhetë vjetve të fundit do të dishrojshem shum me ditë se kush asht aj burrë shqiptar, ndër të gjallët, që mundet m’u matë me juve në vuejtje, në përpjekje dhe në sakrifica për atë copë tokë të shkretë që na e quejmë atdhé……
I dashuni mik, ndoshta me kto hollësinat e fundit e çova tepër gjatë dhe Z. Juej eventualisht mund të thom: i lumi Tahir për mênd që paska dhe se sa i teprueka koha!…, por si mik i vjetër dhe i vertetë i Kosovës që patjetër interesoheni për problemet e sajë, edhe pse të gjata, nuk do të Ju merzisin – besoj – sa kishin me lodhë e mërzitë nji tjetër.”
Nga një letër e Tahir Zajmit Mustafa Krujës më 7 mars 1952
“Zef Nekaj më lexoi diçka prej letrës suej. E kam pritë ka herë ket ditë që t’iau them këto fjalë me dorë në zemër : keni ma të madhen simpathi e nderim jo vetëm prej meje, por edhe te të gjithë intelektualët e ri shqiptarë në Jugosllavi që njofin pak a shum historin e kombit tash pesëdhetë vjet e këndej. Dhe prof. Bariqi në nji mënyrë diskrete iu dërgon shum të fala dhe më ka porositë të ju them : “ Po t’isha i lirë në veprimtarin teme, menjiherë do t’a lypsha bashkëpunimin tuej në Godisnjak të Institutit Balkanologjik të Sarajevës.”
Nga një letër e Martin Camajt Mustafa Krujës më 17 shtator 1956
“Kjo lloj politike ase problematike don shkencatarë sikurse jeni ju, që njifni mirë të kaluemen dhe studjoni shkencatarisht të tashmen. Me këtë nuk due të iu thërras që të shkrueni mbi këso gjanash ju, por kënaqem që interesoheni për çashtjet tona kombtare pse kemi nevojë, ase ma mirë, kanë nevojë njerzit që merren me kso problemesh me u këshillue në shum pikpamje nga të vjetrit, nga shkencatarët e historjanët, gja që vetë komunistat e rij e bajnë. Prandej me sinqeritetin ma të madh u them se rinija e andejshme u don pse ke ju ka diktue ndershmenin n’idealin kombtar, flijimet tueja për ket ideal e sidomos dijen e juej pse talentet e lindun për intriga né na çojnë të vjelltë.
Më shkrou dhe Genci për ju dhe u kënaqa për fjalët që tha mbi ju se jeni plot energji e se punoni për shkencën shqiptare. Ju uroj jetë, shëndet e punë të mbara me gjithë zemër.”
Nga një letër e Martin Camajt Mustafa Krujës më 15 mars 1957
“ Instituti posa ka pasë fillue punën: u mblodh mbrenda nji kohe të shkurtën nji mori kangësh e prrallash, që më duket i kanë hjedhë të gjitha në kosh. Kur ishte tue u organizue, ka ra shpesh dhe biseda mbi ju. Kryetarit Elhami Nimanit i kam folë shpesh për ju. “Sa të fillojmë botimin e anualit” më pat thanë “do të ta grishim të marri pjesë.” Edhe ndër komunista kosovarë keni një simpati shum të madhe, pse këta (shumica) para së gjithash janë shqiptarë. Por Instituti në fjalë, në të vërtetën mbaroi edhe për mend të shqiptarëve e, mbasi nga fillimi prej shumkuj në Beograd nuk qe pa me sy të mirë, gjetën shkaqe me e mbyllë, aq ma tepër kur u dinte nga të gjithë.”
Pohimet e Martin Camajt, që ka jetuar gjatë në Jugosllavi, në ambientet akademike kosovare, janë një dëshmi e fuqishme e faktit që figura e Mustafa Krujës është parë e gjykuar në dritën e saj të vërtetë nga Kosova në të gjitha nivelet, madje edhe nga komunistët, ndërsa regjimi shqiptar dhe historiografia e tij e kanë nxirë përtej të gjitha caqeve të etikës politike dhe jashtë çdo norme të objektivitetit shkencor.
Ja sepse lidhja e tij shpirtërore me Kosovën mbeti deri në fund të jetës e pacënuar, ja sepse mund të flasim për një çift të përjetshëm, sepse emri i tij vazhdon të kujtohet me dashuri nga qytetarët e saj, sot të lirë në trojet e tyre, ashtu siç ëndërroi Mustafa Kruja. Atë emër e mbajnë sot rrugët e qyteteve të Kosovës së lirë, ashtu sikurse e mban edhe sheshi kryesor i qytetit të tij të lindjes, si për të na kujtuar një të vërtetë të madhe : historia vonon por nuk harron.
Korrik 2014 Eugjen Merlika
* Kjo ishet nje nga Kumtesat e SESIONIT SHKENCOR PER RIPUSHTIMIN JUGOSLLAV TE TROJEVE SHQIPTARE