Faton Bislimi/
Në një periudhë të paqartësive gjeopolitike dhe sfidave globale që po përjeton bota, Kosova duhet të marrë hapa të sigurt dhe të mençur për të avancuar interesat e saj shtetërore dhe kombëtare. Ndërsa situata ndërkombëtare është në një pikë kyçe, është e nevojshme që klasa politike e Kosovës të flasë në një zë të vetëm në politikën e jashtme dhe të krijojë mundësi të reja për të forcuar marrëdhëniet me fuqitë e mëdha, duke përfshirë administratën e Presidentit Donald Trump.
Përtej secilit angazhim në fushatën zgjedhore, interesi kombëtar e shtetëror i Kosovës duhet të mbizotërojë. E kuptoj rëndësinë e fokusimit në fushatë, por rrethanat e kohës nuk na e japin komoditetin e përpjekjes për fitore politike të brendëshme, nëse humbim betejën në politikën e jashtme.
Kosova ka kaluar shumë sfida për të arritur statusin e saj të pavarur dhe është mirënjohëse për mbështetjen që ka marrë nga SHBA-të dhe partnerët ndërkombëtarë, por sfidat e ardhshme kërkojnë një çasje të unifikuar dhe të menduar mirë. Shumë nga proceset diplomatike që do të ndikojnë në të ardhmen e Kosovës janë të lidhura me zhvillimet gjeopolitike që po ndodhin në nivel global, përfshirë konfliktet e mëdha që po përshkallëzohen, si ai mes Ukrainës dhe Rusisë.
Kosova, si një shtet i ri dhe ende i pa konsoliduar plotësisht në arenën ndërkombëtare, mund të përballet me rrezikun e mbetjes një “monedhë kusuritje” në një marrëveshje të gjerë që do të vendoset për paqen dhe stabilitetin në Evropë. Një marrëveshje që mund të përfshijë shtetet e mëdha dhe interesa të tjera, të cilat mund të kalojnë pa u marrë parasysh plotësisht ndikimi dhe interesi i Kosovës.
Në këtë kontekst, është jetike që politika e jashtme e Kosovës të formulohet dhe implementohet me një qëllim të qartë dhe të bashkërenduar. Kosova nuk mund të jetë vetëm një entitet pasiv në këtë skenë, por duhet të pozicionohet si një aktor i fuqishëm dhe i besueshëm, me një qëndrim të fortë dhe kohezion në mes të grupeve të ndryshme politike brenda vendit. Një qëndrim i bashkuar dhe i njëzëshëm është kyç për të siguruar një pozicion të respektuar në bisedimet me administratën e re amerikane dhe për të maksimizuar mundësitë për të sforcuar tutje marrëdhëniet dypalëshe.
Ky qëndrim i bashkuar është gjithashtu një mundësi për të rifituar besimin dhe mbështetje të mëtejshme nga administrata e Trump, e cila ka demonstruar një angazhim serioz për çështjet e Kosovës, përfshirë njohjen nga Izraeli, themelimin e ushtrisë, dhe nxitjen e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Është e domosdoshme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë dhe të zhvillojë këto marrëdhënie me SHBA-të, duke siguruar qëndrueshmëri në politikën e jashtme dhe duke kërkuar përkrahje për aspiratat e saj strategjike.
Frika më e madhe është se Kosova mund të humbasë mundësinë për të fituar përkrahjen ndërkombëtare të nevojshme, nëse nuk arrijmë të bëjmë një politikë të jashtme të koordinuar dhe të qëndrueshme. Politika e jashtme është një hapësirë në të cilën çdo vend duhet të angazhohet me strategji dhe vizion të qartë. Kosova, për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme, duhet të bashkëpunojë më ngushtë me administratën e Trump dhe të shfrytëzojë mundësitë që ofron ky moment për të konsoliduar pozitat e saj në arenën ndërkombëtare.
Në përfundim, unë besoj se Kosova ka mundësinë të avancojë interesat e saj kombëtare në një mënyrë të mençur dhe të fuqishme. Për ta arritur këtë, është thelbësore që klasa politike e Kosovës të flasë me një zë të vetëm, të jetë koherente në politikën e jashtme dhe të krijojë lidhje strategjike me aktorët ndërkombëtarë të rëndësishëm. Vetëm kështu do të mund të sigurojmë një të ardhme të qëndrueshme dhe të suksesshme për shtetin dhe popullin tonë.