SPECIALE E GAZETES”DIELLI”: KOSOVA DHE SERBIA RIFILLOJNË DIALOGUN NË BRUKSEL/
-Dialogu rifilloi sot, në 12 korrik, përmes një videokonference dhe të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian/
-Takimi i fundit-i kaluar Prishtinë-Beograd në Bruksel, është zhvilluar në 8 nëntor 2018/
-Datat e të gjitha takimeve të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel/
-Kosova ka tre parime për dialogun me Serbinë dhe nën një është Integriteti territorial i panegociueshëm, si dhe pesë objektiva – i pari: Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 12 Korrik 2020/ Kosova dhe Serbia rifillojnë dialogun në Bruksel, sot përmes njëvideokonference dhe të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pas takimit virtual sotka bërë të ditur se palët janë pajtuar edhe për axhendën e takimit të radhës të enjten e javës së ardhëshme në Bruksel.
“Ne sapo përfunduam takimin virtual mes presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Hoti. Kam kënaqësinë të them se pas Samitit të Parisit dhe takimit të sotëm dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës është kthyer në binarë pas 20 muajsh”, ka thënë Lajçak.
Ai ka shtuar se, “si rezultat i takimi të sotëm jemi pajtuar për elementet kryesore të procesit”.
“Jemi pajtuar poashtu për axhendën e takimit të radhës i cili do të zhvillohet në Bruksel të enjten që vjen me pjesëmarrjen personale. Dua të falënderoj të dyja palët për angazhimin e tyre konstruktiv sot”, ka thënë Lajçak, citon Koha në raportimin e korrespondentit në Bruksel.
Korrespondenti i Gazetës DIELLI në Kosovë në vazhdimësi ka raportuar për procesin e dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel, nga raundi në raund, që nga fillimi:
Takimi i fundit-i kaluar Prishtinë-Beograd në Bruksel, është zhvilluar në 8 nëntor 2018, i cili, siç u deklarua atëherë ishte i treti presidencial i fazës finale në dialogun Kosovë- Serbi, i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian – Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
I pari takim presidencial Thaçi-Vuçiç në Bruksel i fazës finale të dialogut është mbajtur në 24 qershor, ndërsa i dyti në 18 korrik 2018. I treti takim ishte paralajmëruar për të premtën e 7 shtatorit 2018, por sipas deklaratave nga delegacioni i Beogradit, presidenti i Serbisë, Vuçiç nuk ka pranuar të takojë presidentin e Kosovës, Thaçi. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini ka takuar ndaras presidentët, të cilët i kishte ftuar për të vijuar dialogun.
Në këtë proces të dialogut Kosovë-Serbi, që ka hyrë në fazën finale, Prishtina angazhohet për një marrëveshje përfundimtare që do përfshinte edhe njohjen nga vendi i vetëm fqinj që ende nuk e ka njohur pavarësinë e shpallur në 17 shkurt 2008.
Takimi i 8 nëntorit 2018 ishte i teti i presidentëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel. Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi, të inauguruar në muajin prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në qershor 2017, takimi i 8 nëntorit 2018 ishte i gjashti, pas të pestit në 18 korrik e të katërtit në 24 qershor, të tretë të fazës finale, të vitit 2018.
Ndërsa takimi i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.
Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.
Para më shumë se shtatë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut, të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike.
Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.
Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011, poashtu në Bruksel.
DATAT E TË GJITHA TAKIMEVE TË NIVELIT TË LARTË KOSOVË-SERBI NË BRUKSEL:
30 RAUNDET KRYEMINISTRORE
Thaçi-Daçiç:
Viti 2012:
Raundi 1 – në 19 tetor
Raundi 2 – në 7 nëntor
Raundi 3 – në 4 dhjetor
Viti 2013:
Raundi 4 – në 17 janar
Raundi 5 – në 19-20 shkurt
Raundi 6 – në 4 mars
Raundi 7 – në 20 mars
Raundi 8 – në 2 prill
Raundi 9 – në 17 prill
Raundi 10 – në 19 prill
Raundi 11 – në 21 maj
Raundi 12 – në 20-21 qershor
Raundi 13 – në 8 korrik
Raundi 14 – në 24 korrik
Raundi 15 – në 27 gusht
Raundi 16 – në 8 shtator
Raundi 17 – në 7 tetor
Raundi 18 – në 6 nëntor
Raundi 19 – në 5 dhjetor
Raundi 20 – në 13 dhjetor
Viti 2014:
Raundi 21 – në 27 janar
Raundi 22 – në 12 shkurt
Raundi 23 – në 31 mars
Mustafa-Vuçiç:
Viti 2015:
Raundi 24 – në 9-10 shkurt
Raundi 25 – në 21 prill
Raundi 26 – në 23 qershor
Raundi 27 – në 29 qershor
Raundi 28 – në 25 gusht
Raundi 29 – në 13 tetor
Viti 2016:
Raundi 30 – në 27 janar
TAKIMET E PRESIDENTËVE
Viti 2017:
Thaçi – Nikoliç -2 takime
-1 shkurt
-24 janar
Thaçi – Vuçiç
-3 korrik
-31 gusht
Viti 2018:
-23 mars
-24 qershor
-18 korrik
-7 shtator (vetëm takime të ndara me Mogherinin)
-8 nëntor
Viti 2020:
Hoti -Vuçiç
12 korrik (takim virtual)
16 korrik (pritet takimi në Bruksel)
KOSOVA, NË DIALOG PËR NNJOHJE NGA SERBIA – TRE PARIME E PESË OBJEKTIVA
Kosova ka tre parime për dialogun me Serbinë dhe nën një është Integriteti territorial i panegociueshëm, si dhe pesë objektiva – i pari: Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë.
Këto theksoshen në fjalimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti të mbajtur në10 korrik 2020 në konferencën virtuale të Samitit të Parisit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në konferencën virtuale – Samitin e Parisit, në10 korrik nga ora 10:30, të organizuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në këtë video-konferencë, Bashkimi Evropian përfaqësohet nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, kurse Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiç.
Kryeministri i Kosovës, Hoti në 7 Korrik në Paris takoi Presidentin e Francës Macron, i cili në 9 korrik takoi edhe presidentin e Serbisë Vuçiç.
Ishte paralajmëruar që të dielën në 12 korrik në Bruksel të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në rifillimin e dialogut midis dy vendeve drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, ky takim është shtyrë për të enjten javës së ardhshme – 16 korrik, ndërsa sot takimi ishte virtual.
“Për ne njohja reciproke është i vetmi qëllim i dialogut me Serbinë, normalisht edhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy vendeve që duhet të jetë derivat i njohjes reciproke”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hoti në një konferencë shtypi këtë javë në Prishtinë.
PRESIDENTI THAÇI TË HËNËN DO TË UDHËTOJË PËR NË HAGË I FTUAR NGA SPECIALJA PËR INTERVISTIM
Në 8 korrik 2020 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi se të hënën e 13 Korrikut 2020 do të udhëtojë për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.
Duke njoftuar këtë Presidenti Thaçi shkruante:
“Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,
Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.
Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.
Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.
Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!
Zoti e bekoftë Kosovën!”.
Presidenti Thaçi ndodhej në Vjenë kur në 24 Qershor 2020 Presidenca kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë në 27 Qershor në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në mbrëmjen e 29 Qershorit 2020 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka paralajmëruar mundësinë e dorëheqjes derisa nga Zyra e tij mbajti një fjalim – adresim për qytetarë, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte publikuar njoftimin se u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku përfshihen edhe presidenti Hashim Thaçi dhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli.
“Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, deklaroi mes tjerash Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi