
Analizë nga Rafael Floqi/
Richard Grenell ka pasur një karrierë të spikatur në politikën amerikane dhe diplomacinë ndërkombëtare, por edhe një rrugëtim të mbushur me përplasje dhe kontradikta. Artikulli i i fundit Daily Mail pёr të ofron një pasqyrë të qartë të asaj që mund të quhet një “rënie e shpejtë” e ndikimit të tij, duke theksuar tensionet brenda administratës Trump, përplasjet e tij me figura të njohura dhe, gjithashtu, ndikimin që ka pasur në marrëdhëniet ndërkombëtare, përfshirë ato me Ballkanin dhe Kosovën.
Kjo analizë shqyrton ndikimin e tij në politikën e jashtme, si dhe pasojat që ka pasur angazhimi i tij në çështjen e Kosovës, në dritën e qëndrimeve të tij të diskutueshme dhe marrëveshjeve të bëra me liderë të Serbisë.
Përplasjet brenda Administratës Trump dhe Rënia e Ndikimit të Grenell
Një nga momentet më të rëndësishme të karrierës diplomatike të Richard Grenell ishte roli i tij si dërguar special i SHBA për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Grenell ka pasur një qasje që është parë si pragmatike ndaj këtyre marrëdhënieve, duke kërkuar mundësi për të arritur një marrëveshje që mund të përmirësonte lidhjet ekonomike dhe që mund të kontribuonte në stabilitetin e rajonit. Megjithatë, qasja e tij ka qenë shpesh e kontestuar, si nga ana e Kosovës, ashtu edhe nga ajo e Serbisë, duke krijuar përçarje mes palëve dhe duke nxitur reagime negative.
Një prej aspekteve më të diskutueshme të angazhimit të Grenell ka qenë mbështetja e tij për mundësinë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky koncept është parë si një ide shumë të rrezikshme, pasi mund të përfshinte ndryshime të kufijve dhe mund të provokonte konflikte të reja në një rajon të brishtë. Më shumë se një strategji për të arritur një marrëveshje, kjo ide ka përforcuar frikën se një marrëveshje e tillë mund të forconte tendencat nacionaliste në të dy vendet dhe të çonte në një destabilizim më të madh të Ballkanit.
Grenell: Pёr idenë e shkëmbimit të territoreve, fajtor ishte Bolton
Në një intervistë me mua, pёr ALBTVUSA, para zgjedhjeve të 2024, ai pohoi se gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë mes Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Abdullah Hoti :“nuk u diskutuan shkëmbime territoriale” por pёr rritjen e shkëmbimeve ekonomike . Ai gjithashtu kritikoi ish-këshilltarin John Bolton dhe ia la atij idenë e shkëmbimit të territoreve si ide e tij dhe jo e vetja. Edhe në këtë kontekst, përpjekjet e Richard Grenell për të nxitur një marrëveshje të tillë kanë dështuar të arrijnë konsensus të gjerë dhe e kanë bërë atë një figurë kontroverse, pasi shumë e konsideronin atë marrëveshjen e rrezikshme. Ai në konfidencë më tha se “ne edhe po të donim nuk do ta mund ta bënim dot këtë, pёr shkak të kundërshtimit të hapur të zonjës Merkel” por ai theksoi e faktin e mungesës së Thaçit të ndaluar një ditë para takimit.
Dihet se Merkel kishte kërkuar largimin e tij nga ambasada ne Gjermani
Në fakt, edhe shkëmbimet ekonomike dhe e ashtuquajtura Autostrada e Paqes”, që do të lidhte Beogradin përmes Nishit dhe Prishtinës me portin e Durrësit, ishte parashikuar fillimisht nga Procesi i Berlinit një dekadë më parë dhe kishte mbështetje të fortë nga Brukseli dhe Uashingtoni. dhe ajo ishte temë që “ Marrëveshja e Uashingtonit riafirmoi përkushtimin për ndërtimin e saj, si dhe të një hekurudhe përgjatë të njëjtës linjë., Sot sipas Serbia Forbes “ Serbia ka ndërtuar vetëm 5.5 kilometra rrugë – dhe sipas raportimeve, edhe ato gabimisht. Ish-ministri i Ndërtimit, Goran Vesiç, deklaroi se nuk e dinte si kishte ndodhur gabimi. Në vend të autostradës, u ndërtua një profil gjysmë-autostrade mbi rrugën ekzistuese. Duke qenë se kjo nuk ishte në planin fillestar, Vesiç njoftoi rifillimin e projektit. Afati i përfundimit ka kaluar prej vitesh dhe nuk ka një datë të re.
Kundër prokurorit Jack Smith pёr shkak të Trump-it dhe Thaçit
Në një intervistë të fundit, me mua para zgjedhjeve Richard Grenell gjithashtu shprehu një qëndrim të fortë kundër prokurorit të posaçëm të SHBA, Jack Smith, duke e akuzuar atë për një qëndrim politik ndaj ish-presidentit Trump. Grenell, i cili ka qenë gjithashtu një mbështetës i fortë i politikave të Trump, e kritikoi atë edhe për mënyrën se si u trajtua rasti i Thaçit, duke sugjeruar se arrestimi i ish-presidentit të Kosovës, një ditë para një takimi të rëndësishëm me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe Donald Trump, dhe ishte një manovër politike. Jack Smith kishte dorëzuar akuzën vetëm një ditë më parë se pritej të zhvillohej takimi. Ai u shpreh se, “nëse do të kishte pasur mundësi, ai do ta kishte liruar Thaçin, duke argumentuar se arrestimi i tij ishte i papranueshëm dhe mund të ishte një përpjekje për të dëmtuar mundësinë e një marrëveshjeje historike mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo deklaratë e Grenell duket si një tjetër dëshmi e angazhimit të tij për të mbrojtur “interesat e Kosovës” dhe për të sfiduar atë që ai e sheh si një ndikim të padrejtë nga institucionet ndërkombëtare. Por fakti që pas deklaratave të fundit të Hagës ndaj Thaçit Grenell nuk u ndje , dëshmon se roli i tij është bërë tashmë i pa rëndësishëm dhe se po vlerësohej më shumë në Kosovë ( kjo për shkak të një kompleksi inferioriteti që kemi ndaj ndërkombëtareve), se sa në SHBA. Kjo situatë ilustron ndikimin që ka pasur politika e brendshme e SHBA në zhvillimet e jashtme, duke e bërë çdo përpjekje për paqe të vështirë dhe të ngarkuar me tensione të brendshme dhe ndërkombëtare.
Si më fshehu Grenell takimin me Claudia Tenney ?!
Edhe pse unë si shumica e shqiptarëve bëj apel për lirimin e liderëve të UÇK-së por një lirim me ndërmjetësimin e Grenell s’do ishte i shëndoshë. Madje dhe gjatë intervistës me të, qw u mbajt në Michigan ku Grenell po përpiqej pёr fitore të Trumpit në këtë shtet të lëkunduar , vota e shqiptarëve kishte rëndësi, kur e pyeta se gjate Konventës të GOP-së ai ishte takuar me kongresmenë kryetaren e lobit serb ai gënjeu dhe e shtyu atë takim para ne kohe, kur unë kisha lexuar lajmit e lobit serb në atë takim Claudia Tenney, e cila është bashkëkryetare republikane e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së nga shteti i Nju Jorkut.
Ajo ka pasur angazhim të hershëm me rajonin e Ballkanit dhe ka punuar në të kaluarën në konsullatën e ish-Jugosllavisë në Nju Jork. Ajo gjithashtu shërben si bashkë-kryetare e Serbian Caucus në Kongresin e SHBA-së — një grup ligjvënësish që fokusohen në marrëdhëniet SHBA–Serbi .Grupi pro serb bashkon anëtarë nga të dyja partitë për të diskutuar çështje që lidhen me Serbinë, komunitetin serbo-amerikan dhe politikën amerikane ndaj Ballkanit. Ky nuk është një “lob” në kuptimin ligjor, por një grup parlamentar diskutimi dhe koordinimi. Megjithatë fakti që ai e mohoi takimin më la shije të keqe.
Venezuela dhe ”humbja “e Grenellit
Një tjetër problem i madh ka qenë mosmarrëveshjet e brendshme brenda administratës Trump, ku Grenell është përballur me përplasje të forta me figura të tjera kyçe. Sipas artikullit të Daily Mail, Grenell ka pasur përplasje të ashpra me Sekretarin e Shtetit, Marko Rubio, lidhur me politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuelës. Grenell mbështeti një qasje më të moderuar dhe pragmatike, duke favorizuar negociatat dhe marrëveshjet, ndërsa Rubio dhe grupi i tij mbështetën një linjë më të ashpër, të quajtur “presion maksimal.” Kjo përplasje është parë si një nga arsyet që e ka lënë Grenell jashtë vendimmarrjes kryesore të administratës Trump, dhe kjo është vetëm një nga shumë përplasjet e tij të brendshme që kanë dëmtuar reputacionin dhe ndikimin e tij.
Përplasje të tjera të tij brenda administratës janë përmendur, si dhe një incident i ashpër verbal me Susie Wiles, shefen e stafit të Trump, gjatë Konventës Kombëtare Republikane. Ky incident ka pasur pasojë të drejtpërdrejtë në mundësinë e një pozite të lartë për Grenell në një mandat të dytë të Trump, duke shënuar fundin e çdo mundësie për të marrë një post të rëndësishëm në administratën e ardhshme të Trump.
Marrëveshjet dhe Biznesi: Grenell si “Diplomat Transaksional”
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i karrierës së Grenell është se ai është konsideruar një “diplomat transaksional.” Ky term i përdorur nga diplomatët që kanë punuar me të, nënkupton një qasje pragmatike dhe të orientuar nga biznesi, ku përpjekjet e diplomacisë janë shpesh të lidhura me interesa dhe marrëveshje ekonomike, në vend të një angazhimi të thellë dhe të përhershëm për stabilitetin dhe paqen.
Një nga shembujt e këtij qasjeje është angazhimi i tij në projektin e zhvillimit të një hoteli luksoz në Beograd, i cili u zhvillua në bashkëpunim me firmën e investimeve të Jared Kushner. Ky projekt është një tjetër shembull i se si Grenell ka përdorur diplomacinë për të ndihmuar në arritjen e marrëveshjeve që lidhen me interesat financiare dhe tregtare, por gjithashtu është një mundësi për të krijuar lidhje më të forta me liderët e Serbisë dhe për të rritur ndikimin e tij. Po të njëjtin rol ai ka luajtur edhe në projektin e Sazanit.
Grenell i ashpër me Kurtin, i afërt me Ramën
Grenell u bë figura kryesore amerikane në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë gjatë administratës Trump. Ai ka pasur pozicione të forta publike dhe ka komentuar politikisht çështje që lidhen me udhëheqësit e Kosovës.
Për shembull, ai ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se marrëdhëniet Kosova–SHBA “nuk kanë qenë kurrë më poshtë”, dhe duke e përmendur këtë si një problem të udhëheqjes së tij. Po ashtu, ai është përplasur publikisht edhe me Vjosa Osmanin, ku e ka akuzuar për “manipulim të fjalëve të Trump” për marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë. Në anën tjetër, Grenell është shfaqur i afërt me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe kalon dhe ditë pushimesh verore mes rivierës shqiptare dhe ishujve grekë. Ky lloj angazhimi, megjithatë, ka krijuar kritika dhe dyshime mbi motivet e tij, duke i dhënë mundësinë kritikëve të akuzojnë Grenell për përdorimin e diplomacisë për interesa personale dhe për përfitim të drejtpërdrejtë. Ky aspekt ka ndikuar në mënyrë të dukshme në perceptimin që diplomatët dhe figura të tjera të administratës e kanë pasur ndaj tij, duke e bërë atë një figurë të diskutueshme.
Ambicia dhe Realiteti i Rënies së Karrierës
Pavarësisht këtyre përpjekjeve dhe angazhimeve, Grenell ka përjetuar një rënie të shpejtë të ndikimit dhe reputacionit. Pas largimit nga pozitat kyçe të administratës Trump dhe përplasjes me kolegët e tij, ai ka mbetur një figurë më pak influente në qarqet diplomatike. Po ashtu, angazhimi i tij si drejtues i Qendrës Kennedy për Arte Performuese, një post që më parë do të kishte konsideruar si një mundësi për t’u risjellë në sferën publike, ka hasur në kritika të forta dhe ka sjellë polemika mbi menaxhimin e tij të institucionit.
Pasojat për Politikën e Jashtme të SHBA dhe Kosovën
Marrëveshjet dhe angazhimi i Grenell përmes projekteve biznesore dhe diplomacisë pragmatike kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në politikën e jashtme të SHBA dhe në rajonin e Ballkanit. Në veçanti, përpjekjet e tij për të ndërmjetësuar një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë idenë e shkëmbimit të territoreve, kanë krijuar një ndarje të thellë midis palëve dhe kanë bërë që shumë të dyshojnë nëse kjo ishte një zgjidhje e përshtatshme për stabilitetin e rajonit. Grenell, megjithatë, mbetet një figurë që është ende në ndjekje të ambicieve të tij të mëdha, por realiteti i rënies së tij në politikën e brendshme dhe të jashtme ka vënë në dyshim aftësinë e tij për të rikthyer ndikimin që dikur gëzonte, ndoshta për fat të Kosovës.
Fakti që në përshëndetjen e Presidentit Trump për pavarësinë e Kosovës me rastin e 18-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.” rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Presidenti Trump gjithashtu shprehu gatishmërinë e SHBA-së për të zgjeruar partneritetin ndërmjet dy vendeve, veçanërisht përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve, me qëllim avancimin e prosperitetit të përbashkët, dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë krah Kosovës për të çuar përpara paqen dhe stabilitetin në dobi të ndërsjellë.
Presidenti Trump po ashtu shprehu mirënjohjen e tij ndaj Presidentes Osmani dhe popullit të Kosovës për mbështetjen e përpjekjeve amerikane për paqe, dhe e mirëpriti Kosovën si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, i cili synon ta bëjë botën më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë. Gjë që tregon se “artet performuese të Grenellit “, nuk nevojiten më, apo siç e cilësojnë nw Washington tani se “ai është një aktor i lirë”