

Sokol Paja/
Kosova zhgarraviti Sllovakinë. Shqipëria bie në Warshavë. Kosova për herë të parë në histori ka shans të artë të kualifikohet në botërorin e futbollit. Me një dominim absolut, Kosova u paraqit në Sllovaki me një skuadër të ndërtuar: digë në mbrojtje, mesfushë e ngjeshur e sulm vrastar. Plot 4 gola njëri më i bukur se tjetri shënoi Kosova në Sllovaki duke dominuar një ndeshje të vështirë përballë një kundërshtari shumë më të fortë në letër. Hoxha, Asllani, Muslija e Hajrizi dërguan Kosovën në ndeshjen finale të Play-Off kundër Turqisë më 31 mars në “Fadil Vokrri”. Kosova është shumë afër kualifikimit për në Kupën e Botës teksa luan me Turqinë që nuk ka diferenca të mëdha në cilësi me ekipin dardan. Kosova luan si ekip i madh. Ka klas, elegancë e shumë cilësi në çdo repart. Edhe pse mungoi kapiteni Rrahmani e truri i ekipit Avdullahu, yjet e Dardanisë nuk i ndjenë mungesat. Lidhja e reparteve, rreshtimi i duhur, sakrifica në dublimin e pozicioneve asfiksuan yjet e Sllovakisë.
Arbër Hoxha krijoi iluzionin se Shqipëria do të fitonte në Poloni por Levandovski e Zielinski “vranë” ëndrrën e Shqipërisë për të vazhduar më tej. Bajrami dhe Pilo humbën raste të pastra shënimi që do kishin prodhuar tjetër rezultat e histori. Në pjesën e parë Shqipëria zhvilloi një lojë inteligjente dhe të kujdesshme duke e pritur kundërshtarin dhe sulmuar befasishëm. Në pjesën e dytë ekipi u “fik” dhe lëshoi terren ndaj polakëve. Lojtarë me pak minuta në këmbë në ekipet e tyre, ndërrime të vonuara dhe mungesa e fatit e konkretizimit të rasteve dërguan kuq e zinjtë në shtëpi. Shqipëria duhej të bënte më shumë përballë një Polonie të plakuar, pa ide dhe të pa organizuar. Nga ana tjetër Kosova gëzoi dhe krenoi kombin tonë duke treguar shpirt luftarak, zemër të fortë, garë të bukur e vlera të larta sportive.