Prishtinë, 14 Nëntor 2022- Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha u prit përzemërsisht në një takim të nivelit të lartë nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë z.Jeffrey Hovenier. Në këtë takim Kryediplomati Amerikan në Kosovë z.Hovenier i garantoi kryetarit të Vatrës se Integriteti territorial i shtetit të Kosovës do të jetë i pa prekshëm. Ai kërkoi që të forcohet bashkëpunimi mes Vatrës dhe Ambasadës në Prishtinë dhe roli i shqiptaro-amerikanëve të intensifikohet sidomos në kohët që jetojmë, ku të gjithë të angazhohen për paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë e rajonin e Ballkanit. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë z.Jeffrey Hovenier theksoi në takim nevojën që spektri politik në Kosovë të jetë i unifikuar dhe të gjithë të punojnë për forcimin e institucioneve dhe të demokracisë në Kosovë. Kryediplomati Amerikan në Kosovë z.Hovenier i garantoi kryetarit të Vatrës se Kosova do të jetë gjithmonë nën ombrellën e Shteteve të Bashkuara dhe se shteti i Kosovës duhet të veprojë kurdoherë sipas Planit Amerikan për një Kosovë të sigurtë, në zhvillim, në paqe dhe prosperitet.
Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha e garantoi Ambasadorin Hovenier se Federata Vatra do të ecë në të njëjtën linjë me Departamentin e Shtetit Amerikan dhe institucionet amerikane dhe se do të mbrojë në çdo kohë interesin e popullit shqiptar, popullit amerikan dhe shteteve tona.
Në takimin e përzemërt në Prishtinë, Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i dorëzoi Kryediplomatit Amerikan në Kosovë z.Hovenier Mirënjohjen si anëtar nderi i Federatës Vatra.
“Është në privilegjin dhe nderin tim të jem anëtar nderi i Federatës Vatra, kësaj organizate me 110 vite histori” u shpreh Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë z.Jeffrey Hovenier.